Biseda | Muzikë

Le të ketë muzikë

Nga - 21.06.2016

Artistët kosovarë diskutojnë gjithçka rreth muzikës në Ditën Botërore të Muzikës.

Sot (e martë, 21 qershor) është Dita Botërore e Muzikës, që origjinën e ka në Francë, në vitin 1982. Sot, Dita Botërore e Muzikës (ose Fête de la Musique) festohet në më shumë se 120 shtete dhe 700 qytete përreth botës. Parimi i saj është i thjeshtë: që muzika të jetë e arritshme për të gjithë, dhe që ajo të festohet haptas e falas. Në Kosovë, po mbahet një program i tërë i koncerteve në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Për ta shënuar këtë ditë, K2.0 foli me 10 artistë kosovarë të zhanreve të ndryshme të muzikës për domethënien dhe rëndësinë e muzikës.

Për fillimet e muzikës…

Erëmira Çitaku (Flautiste dhe artiste inovative, dhe organizatore e festivalit ndërkombëtar “Tingut e Flautit”): Interesimi për muzikën ka qenë i natyrshëm. Si fëmijë kam hulumtuar instrumente të ndryshme përmes lojës, e më tutje kam vazhduar edhe edukimin muzikor institucional. Nuk kam pasur ndonjë dëshirë të posaçme për të luajtur në flautë, ka qenë e rëndësishme për mua të jem afër muzikës, por zgjedhja e instrumentit ishte thjesht një rastësi. Në antikë ka pasur kategorizime të shumta mbi llojet e muzikes, të cilat kanë futur flautën ndër instrumentet që paraqesin impuls Dionysian, dhe ajo shpesh është e përshtatshme për të shprehur karakterin e lirë muzikor, iracionalitetin, kaotizmin, dhe kthimin nga natyra.

eremira-citaku-1466531758

Erëmira Çitaku (Fotografia nga Cristina Mari)

Shpat Deda (Një nga këngëtarët më të njohur kontemporar kosovarë): Prej momentit kur gishtat e mi mund të preknin butona. Para 12 viteve fillova që të mos jem aq i marrshëm për këtë. Ishte lojë e mirë që më pëlqente ta luaja. Melodia dhe muzika për mua janë mënyra të të shprehurit të asaj që nuk mund ta përçoj në ndonjë mënyrë tjetër. Fjalët ndihmojnë që të japin kontekst, por realisht të vërtetën e gjej në vet muzikën.

Toton (Inxhinier i zërit dhe një nga DJ-të më të njohur të skenës së klubeve në rajon): Ndeja kam fillu të organizojë që kur i kam pasë 7 vjet. Tani i kam gati 40 […] Kështu që gjithë kam qenë i lidhur në mënyrë pasive apo aktive me muzikë. Mua më njohin si DJ, por unë ndoshta më së paku jam DJ. Unë jam sound engineer që prej të 90-tave, edhe mendoj që jam shoku më i mirë i muzikantit. Unë nuk jam muzikant, por jam shoku ma i mirë. Ne e bëjmë të mundur që ai që e ka bërë këngën t’ia plasojmë në treg.

Blerta Kosova (Muzikante dhe kompozitore e re nga Mitrovica, që kombinon vokalin, krijimet me bazë kompjuterike dhe sintisajzerin): Fillimi i karierës sime muzikore ishte në Shkollën e Rockut në Mitrovicë, ku luajta pak kitarë, pak sint, e kryesisht këndoja me bende, më së shumti covers, dhe dikur mu bë bajat. Vendosa që është shumë e vështirë të punosh me njerëz, të paktën me njerëzit që i kisha përreth, kështu që vendosa të punojë solo, të blejë pajisje të zërimit, dhe t’i shkruaj këngët e mija, e t’i inçizoj, miksoj, të gijtha. Pastaj fillova punën me “Bicalko”, dhe pastaj me “Zhaba”, e tani shumë gjëra po ndodhin…

m_blerta-kosova-1466531762

Blerta Kosova.

Faruk Banjska (Kitarist eksperimental, luan me bendet “Gypsy Groove” dhe “Offcestra”): Të edukohem muzikalisht e të njohtohem me kitarë kam filluar në moshën 8 vjeçare në shkollën e muzikës klasike “Tefta Tashko” në Mitrovicë. Tani i kam 20 vjet me kitarë, 28 gjithsej. Kontakti im i parë me kitaren ka qenë në moshë shumë të vogël, 3 ose 4 vjeç, kur në shtëpi të axhës ku e mbanin më shumë si dekor dhe prindërit e mi nuk më lejonin ta prek [kitaren] duke më thënë “nuk është lodër ajo”. Dhe vetëm sa më shtonin interesimin ndaj mollës së ndaluar dhe kur kisha mundësi fshehtazi e merrja në dorë. Do të thotë, si shumë i vogël kam patur simpati ndaj kitares, por më vonë edhe ndaj rock n rollit – ku kitarja e luan rolin kyç edhe nuk kam pasur nevojë të mendojë shumë se cilin instrument ta zgjedhi.

Alban Nuhiu (Ish-pronari i lokalit underground “Tingëll Tangëll” në Prishtinë, admirues i muzikës botërore dhe DJ i rastit): Unë s’jam DJ. Thjesht e dua muzikën, ndoshta mund të them që pak a shumë më është krijuar si sëmundje, të hulumtoj dhe gjej muzikë të re non-stop, dicka të re….[Nëse] e gjej një bend, më duhet përsëri të gjejë diçka tjetër, nuk mundem të ndalem aty. Njerzëve i’u ka pëlqy muzika [në “Tingëll Tangëll”] sepse ka qënë pak më ndryshe prej vendeve tjera, nuk ka qenë muzikë e zakonshme ashtu si lëshohet nëpër lokale [tjera]. Jam mundu t’iu ofrojë njerzëve pak muzikë …pak ma, jo komerciale. Ndoshta është palidhje me thanë pak më artistike, por thjesht jam mundu t’iu ofrojë njerzëve diçka më ndryshe – pa marrë parasysh a iu pëlqen a jo, mua nuk më ka brengosë ai send. Unë kam lëshu muzikën time që po më pëlqen dhe kam dashtë njerëzit me gjetë veten aty dhe njerëzit e kanë gjetë veten.

Liburn Jupolli (Kompozitor dhe krijues i instrumenteve të reja inovative): Jam rritë me një familje, ku baba ka qenë skulptor-piktor dhe tupanxhi i “Minatorit”, dhe në anën tjetër nana është profesoreshë e violinës, ndërsa motra ka kry grafikë. Unë kam rezistu në fillim pak a shumë se kam qenë në violinë, e kam ndërru dhe kam dalë në piano. Prej pianos, prej 7 vjeç, kah 12 vjeç e kam zbulu kompozimin për vete dhe mu ka hap një dimenzion tjetër. Kam fillu me shkru më shumë, kam punu me teatër. Prej [moshës] 12 fillova të shkruaj muzikë. Në vitin 2010 e kam bërë instrumentin e parë që e kam shpikë dhe këto degë që i kam hapë jam duke u munduar t’i sjelli në një nivel më profesional, më të avancuar.

Liburn Jupolli.

Edona Vatoci (Këngëautore dhe një nga artistet më premtuese të skenës alternative në Kosovë): Gjyshi ka qenë tepër entuziast i muzikës. Edhe pse ka qenë me një rrogë, ka arritë me i’u ble gati të gjithëve nga një instrument: babit klarinetën, hallës flautën, hallës tjetër harmonikën dhe i ka shti në rrjedha të muzikës. Veç babai e ka vazhdu … Dhe pastaj jam rritë në atë frymë – familja ka qenë entuziaste e muzikës. [Kam zgjedhë pianon] sepse kam qenë më e tërhequr prej tingullit. Unë shumë vonë kam fillu të këndojë. Faktikisht ka qenë “huhuhu” por jo me lëshu za, s’kam qenë këngëtare e dallume, sepse nuk jam treguar kurrë. Kam qenë shumë e turpshme. Por dikur në klasën e 4 ose 5 të shkollës të muzikës kam fillu të këndojë dhe e kam bërë bashkë pianon dhe këndimin, dhe e kam përcjellë veten dhe ngadalë ngadalë duke e lëshu zanin. Dhe e kanë marrë vesh prindërit që mundem me këndu, që kam afinitet dhe më kanë përkrahë dhe pastaj kam shku në “The Voice [of Albania]”. Dhe tek më vonë ka ardhë ajo pjesa që unë shkruaj këngë. Përveç pianos që ia ka nison time, t’gjitha këto tjerat kanë ardhe më vonë se unë shumë e turpshme.

Për stilin e muzikës…

Erëmira Çitaku: Muzikën të cilën eksploroi nuk kam dëshirë t’a emërtoi sepse emërtimi limiton mundësinë e zhvillimit të saj, posaçërisht gjatë procesit të krijimit shumë pak mundohem ta përkufizoj se cilit stil i përket. Për mua është e rëndesishme t’a përcjellë tingullin dhe ndjenjën se ku ai më dergon, normalisht kjo gjithmonë është e mbështetur dhe komunikon vetvetiu me tërë përvojën time të deritanishme muzikore.

Toton: Ai njeri që do arrijë me përshkru muzikën, ma merr menja qe aty ka me u kry muzika. Muzika ska poentë, edhe ka poentë […] është një gjë e pakapshme, pa ngjyrë. Nuk e shohim, vetëm e dëgjojmë. E vetmja gjë që kurrë nuk të le keq [muzika]. […] Unë e dëgjoj muzikën edhe për ndjenja pozitive edhe negative. Kam qef me dëgju muzikë dark, kam qef me dëgju death metal. Unë jam metallc, por unë jam thjesht techno DJ. Këto dy anët mi gjeneron, edhe anën pozitive edhe anën negative, njëfarë jing jengu, është si njëfarë perpetual movement që më jep muzika.

Toton.

Faruk Banjska: Me bendet që punoj edhe krijojmë, ndoshta edhe mund të përkufizohet zhanri edhe pse realisht është miks i stileve të ndryshme muzikore. Mirëpo unë personalisht kur dua të krijojë, zakonisht nuk e kufizoj veten me një stil sepse kam dëgjuar shumë muzikë dhe preferoj stile të ndryshme si jazz, rock n roll, indie, dance-punk, ska e shumë e shumë tjera. Kështu që kam dëshirë ta lë [muzikën] që të më ndikojë nënvetëdijën edhe shijen time, që të nxjerri diçka sa më origjinale.

Edona Vatoci: Alternativë…qaq. Unë jam në fazë të hulumtimit…dhe nuk kam qef me ia dhanë vetës një tag, që unë jam veç kështu. Është mirë me e mbajtë një trademark, por artisti duhet me qenë gjithë në evoluim dhe kjo është e vetmja mënyrë me u rritë dhe me u zhvillu si artist. Dhe për atë nuk du me i dhanë vetës asnjë lloj label.

Edona Vatoci.

Për ndikimet muzikore…

Blerta Kosova: Definitivisht duhet ta përmendi “Radiohead” si bendi që ka pasur më së shumti ndikim te unë prej që kam qenë foshnje. Praktikisht u rrita me ta. I kam numër një. Edhe Bjork mund ta përfshijë. Prej bendeve të reja mund të them se “Tame Impala” ma ka shpërlarë trurin krejtësisht. I dua shumë. Më pëlqejnë edhe Grimes, Connan Mockasin… Është shumë i çuditshëm. E dua shumë…

Faruk Banjska: [Mitrovica] definitivisht ka ndikuar shumë. Edhe si fëmijë gjatë shkollës së muzikës më ka tërhequr rock n rolli, krijimtaria me bend dhe improvizimi që lidhet ngushtë me krijimtarinë mendoj. Mirëpo në muzikë klasike nuk më lejohej improvizimi dhe nuk kishte shkollë për zhanre tjera në Kosovë. Për fat të mirë në atë kohë në Mitrovicë organizohej çdo javë jam session që mendoj është shkolla më e mirë për muzikë improvizuese. Dhe njëri nga organizatorët ishte profesori im i kitarës Leonard Canhasi [nga bendi “Jericho”], i cili kur e ka vërejtur interesimin e nxënësave për zhanra tjera ka punuar me ne edhe jashtë orarit të shkollës klasike, dhe i jam shumë mirënjohës për këtë.

Faruk Banjska (Fotografia nga Jetmir Idrizi).

Alban Nuhiu: Unë e kam një vëlla më të madh dhe jam nxit dhe ushqy prej tij…[Më ka ekspozu ndaj bendeve si] “Talking heads”, “Led Zepellin”… Dhe ngadalë ia kam nis me hulumtu …i’a kam nisë prej rockut sepse jazzi e këto janë njëfarë klase që njerëzit e quajnë pak ma serioze, të vyn kohë me e vlerësu. Unë jam i ngulur në funky dhe African Blues.Është një kulturë e veçantë, si për shembull muzika tuareg …është muzikë e përzierë e Algjerisë dhe Malit. Janë këto disa nga muzikat që më kanë bërë përshtypje, folki [i një vendi]… Këto kultura të ndryshme…interesant është për shembull muzika popullore e Etiopisë. Edhe atje me siguri ekziston kiçi e komercializmi. Edhe atje ndoshta kur i dëgjojnë thonë si te na “ah këto popullore janë bo bajat” si na për tonat, por është me rëndësi që ajo muzikë e tyne është e vlerësume në botë. Njerëzit e studiojnë atë muzikë; blues-in e Malit, jazz-in e Etiopisë, muzikën e Alergjisë, Ganës.

Edona Vatoci: [Frymëzimet] kanë ndërru gjatë kohës…kur kam fillu me shkru muzikë, mi shkru këngët e mija kam qenë tepër e fascinum me albumet e Bjork-ut. Kryesisht kanë qenë femra influencat, sepse jam edhe feministe…gjithëmonë më kanë tërheqë më shumë kultura e artisteve femra. Non stop kam dëgju albumet e Bjork-ut, PJ Harvey-t, “Radiohead” … Atë kohë edhe Blerta Kosova ka qenë një ndër inspirimet e mija sepse jemi shoqe që prej vitit 2008/09 dhe duke ndejtë me të, e kam pa që ajo po i shkrun këngët e veta dhe m’ka inspiru shumë… dhe ky koncepti me qenë femër në Prishtinë sepse fatkeqësisht nuk ka shumë artiste [alternative]. I kemi pasë dy: Zana Nimanin dhe Violeta Rexhepagiqin prej fushës alternative, fatkeqësisht qaq. Një Elina Duni… nuk ka shumë. Dhe koncepti me qenë femër dhe me qenë këngëautore m’ka tërheqë shumë dhe i kam jap [forcë] vetës, e kam rrit vetëbesimin. Dhe [kështu] kam fillu me hulumtu më shumë dhe me shkru sendet e mija.

Muzika në Kosovë…

Shpat Deda: Ka shumë talent dhe lëvizje në skenë, veçanërisht në Prishtinë. Vazhdimisht jam i frymëzuar nga gjenerata e lulëzuar e internetit, jo vetëm në muzikë, por në përgjithësi. Ata u rritën me ndikime të pakufizuara, dhe i kanë të gjitha mjetet në dispozicion. Dhe veç se po ndodh magji aty këtu. Është kohë shumë interesante për të jetuar, apo jo?

Shpat Deda (Fotografia nga Jetmir Idrizi).

Toton: Na jemi tribal people. Do të thotë muzika gjithmonë ka lujtë rol pozitiv, gjithmone ka qenë pjesë e jona, qoftë autentike a jo, ka qenë pjesë e jona. Na i kemi kalu gati të gjitha format edhe kohënat e ndryshme të muzikës. Prej muzikës klasike, deri në rock n roll, techno sot, e kush e di se çka ka me pasë në të ardhmen. Edhe ka të sillesh te na ke muzikë.

Blerta Kosova: Do të doja të kisha një hapësira ku do të mund të inçizonim e punonim së bashku, kolektivisht. Të gjithë që janë të interesuar të luajnë, krijojnë, dhe formojnë një platformë ku të gjithë mund të punojmë së bashku, sepse e di që ka shumë muzikantë të mirë këtu, por na mungon komunikimi dhe bashkimi. Do të ishte shumë mirë po të mund ta kemi një shtëpi me të gjitha pajisjet dhe të punonim së bashku.

Alban Nuhiu: Na kemi pasë kapacitet të muzikës, por shumë pak [tash] kemi. Kemi pasë, por ajo muzikë sikur u varrosë, sikur ka mbetë në arkivë, sikur e mbulon pluhuri. Askush nuk është tu e marrë dhe tu e qit në pah atë muzikë. Për shembull kur hyn me downloadu muzikë, nëse e shkrun vetëm Albanian music gjen shumë pak. Pse ka mbrritë aq pak mu ekspozu muzika shqip… nuk e di pse?! Por [ne] kemi muzikë të mirë. Si muzika e jugut të Shqipërisë, sidomos muzika polifonike është kulturë në vete …muzikë që thjesht kur ndalesh me dëgju …ato zëra të ndryshme …është bajagi njëfarë spirtualiteti, thellësie, shpirti i veçantë. Por, ato sende nuk i njohin njerëzit dhe shumë keq që nuk e kemi shty përpara. Janë kënaq njerëzit [kur kam lëshu muzikë të jugut] dhe janë mburrë “Ue, çfarë muzike të mirë paskemi”.

Alban Nuhiu.

Edona Vatoci: Për asnjë artist nuk është e lehtë, sidomos kur je artistindependent si unë. Por fatmirësisht unë kam ra në duar tepër të mira… dhe udhëtimi është gjithëmonë challenge. Është challenge me shkru në letër, me shku në studio…është proces i gjatë. Pastaj është promovimi, njerëzit që e dëgjojnë. Kam ra në duar shumë të mira, Genc Salihun, dhe Arbërin [Sahitin] e Tomorin [Kuçin] i kam pasë gjithë mbrapa. Genci është njeri që gjithmonë, përveç që i bon këngët e veta është dora jonë e djathtë. Është njeri që na rrin mbrapa me çkado që bëjmë dhe na ndihmon tej mase. Dhe me videon që e kam ba …me zero budget janë mbeldhë krejt bashkë; Noar Sahiti, Dritëro Mehmetaj, Lum Çitaku. Ka pasë shumë njerëz që kanë ndihmu tepër dhe jam tepër grateful që kam ra me njerëz tepër të talentum dhe me vullnet tepër të madh. Dhe krejt sendet po bahen independet, me no budget dhe po dalin si produkte. Jemi një komunitet i vogël që mundohemi me mbajtë të frytshme skenën alternative dhe gjithmonë mundohemi mi ndihmu njani tjeterit …unë me këngët e tyne e ata këngën time. Është tepër esenciale me ndëjtë bashkë, me mbajtë skenën gjallë, me qenë the voice of this and upcoming generation.

Për muzikën dhe audiencën…

Bajram Kinolli – Kafu (Vokalist i “Gypsy Groove”, i njohur për përzierjen e stileve të ndryshme dhe performancat e fuqishme): Çdo njeri është krijues i tingujve dhe pranues i tyre që aty. Edhe [vet] gjuha ka lindur nga tingujt në forma që njeriu ia ka japë pastaj. Audienca ka role shumë të rëndësishme sepse informohet, dhe pastaj ajo të vlerëson si artist, e sidomos kur është audiencë e pasuruar me informacion rreth muzikës, e koncentruar dhe e ndjeshme për me të percjellë për çdo tingull apo fjalë. Po nisem prej koncerteve që ndodhin shpesh edhe improvizimet siç ndodh shpesh në koncertet tona. Reaksioni që marr nga publiku të bën mu ndi si mbret i momentit. Të jesh në skenë duhesh ta udhëheqësh publikun edhe kur nuk e njeh atë. Sepse …ata kanë ardhë para skenes dhe i vetmi qëllim është t’iu japësh diçka për me mbajtë mend. Ata ndajnë kohë dhe të njëjtën hapësirë me ty. Muzika është [ajo] që i’u orienton gjendjen.

kafu_intext-1466533092

Bajram Kinolli – Kafu (Fotografia nga Jetmir Idrizi).

Alban Nuhiu: Mu ma së shumti mu ka dukë interesant me i’u ofru njerzëve diçka ndryshe, që nuk e kanë dëgju më herët, kultura të ndryshme muzikore. Është shumë interesant ai reagimi kur njerëzit dëgjojnë diçka dhe thonë “ue, a paska edhe kështu diçka”. Dhe kjo është e mirë, kur njeri mëson diçka të re edhe emocionalisht ndihet mirë kur po dëgjon diçka. Unë këtë e kam pasë me rëndësi, me i’a imponu pak [muzikën] njerzëve, me eksperimentu pak a shumë me njerëz, me pa se si reagojnë sepse shumica e njerzëve janë të ekspozum vetëm ndaj muzikës komerciale vetëm shkaku sepse nuk hulumtojnë në muzikë, e dëgjojnë vetëm atë muzikë që i’u ofrohet.
Ka pasë raste kur kam lëshu për shembull muzikë popullore të Etiopisë dhe njerëzit kanë reagu “sa interesant”, por ka pasë njerëz që edhe i’u ka shku nerva, por prapë i’u ka dukë interesant. Nuk është gjithëmonë me rëndësi e bukura dhe e keqja, me rëndësi është interesantja. Zakonisht sendet interesante harrohen më pak se sa të bukura… sendet interesante të mbesin në vëmendje ma shumë. Dhe kjo më duket me rëndësi. Shpesh më thojshin “Çka ke lëshu kështu?” ose “Ku pe gjen bre këtë muzikë?”

Edona Vatoci: Tash sa i përket publikut..skena mainstream ështëmainstream, por fakti që unë jam nominu me një qësi festivali [Top (Channel) Awards], me muzikë mainstream do të thotë që publiku është tu evoulu dhe publiku po don ndryshime. Publiku është i etun për sende të reja dhe po më duket tepër mëkat që një gjeneratë mos me pasë me çka mu relate, mos me pasë artistë lokalë mu relate, sepse jo gjithkush dëshiron me dëgju pop. Për këtë po shoh ndryshime. Rinia është tepër entuziaste. I kam njerëzit e mi, njerëzit që më dëgojnë po shkojnë tu u rritë [në numër]. Por duhet me pasë shumë vullnet, tepër nerva dhe gjithçka mbërrin.

Për Ditën Botërore të Muzikës…

Erëmira Çitaku: Është e rëndësishme që njerëzit të jenë në kontakt më të drejtpërdrejtë me muzikën; muzika gjithmonë ka bashkuar njerëzit dhe i ka bërë të lumtur. Unë këtë vit kam plan ta dergojë vajzën time special ta shohë simfoninë “Pjetri dhe Ujku”, një vepër shumë intersante, që i’u jep mundësi fëmijëve të njohin instrumentet në orkestër përmes karaktereve të ndërtuara.

Bajram Kinolli – Kafu: Dita [botërore] e muzikës në hapësira të hapura është e nevojshme, por bëhet më mirë kur e ka edhe një qëllim të mirë, siç është edhe kjo ditë. Normal që në hapësira të mbyllura koncertet janë më intime edhe njerëzit që ndodhin aty nuk janë kalmitarë te rastit, që dallon me hapësira publike. Prishtina si kryeqytet ende nuk ka as një vend për koncerte te mbyllura që është mangësi e madhe! Ka shumë hapësira të mbyllura publike që i’u takojnë qytetarëve, por që nuk lejohen të përdoren nga burokracia që është në udhëheqje, e që është një prej gjërave që çdo qytet në Kosovë i mungon. E kjo besoj është një çështje që duhet me u diskutu më shumë për me mujtë me i shfrytëzu ato hapësira që kanë mbetë si fusnotë.

Luan Durmishi (Tenor, anëtar i Filarmonisë së Kosovës dhe drejtor i orkestrës “Rexho Mulliqi): [Koncertet e tilla] janë absolutisht shumë të rëndësishme, duke e ndjerë nevojën e domosdoshme që publiku jonë të ballafaqohet dhe të dëgjojë muzikë kualitative. Sonte është koncerti i Filarmonisë së Kosovës në sheshin “Zahir Pajaziti”. Do të jetë një koncert jashtëzakonisht i bukur dhe shpresoj që do ta tërheqë publikun sepse është program atraktiv dhe organizimet e tilla pa pagesë janë të domosdoshme. Në fakt të gjitha koncertet e muzikës klasike që organizohen në Kosovë janë kryesisht pa pagesë, mirëpo ideja e organizimeve në hapësira të hapura mendoj që Prishtinës i është dashur më herët sepse ka shumë arsye pse duhen të mbahen këto evente jashtë. Duke e pa që ne radhë të parë publiku ballafaqohet drejtpërsëdrejti me një kualitet apo ta quajë vlerë të tillë, dhe kështu edukohet masa dhe rritet niveli i cilësisë në art.

Luan Durmishi.

Liburn Jupolli: [Sonte do të jetë] edicioni franko-shqiptar i “Kampionatit Sintor”, i cili është një brend muzikor, që shërben si platformë mi lidhë muzicientat e zhanreve të ndryshme muzikore të moshave dhe gjeneratave të ndryshme për me festu muzikën me sint. Është festë e sintave si instrumente, por edhe për rolin e asaj që kanë lujtë dhe luajnë në muzikën e krejt botës. I kemi thirë dy muzicientë të Parist… të cilët përformojnë me shtatë muzicientë tonë lokal që janë edhe të zhanreve të ndryshme, por edhe gjeneratave të ndryshme. Po ashtu është edhe si synim me ekspozu brendin si brend, por edhe përmes brendit me lidhë muzicienta të vendeve të ndryshme të botës. Kjo është hera e parë që e bëjmë në skenë shumë të madhe [jashtë]. Kur është koncerti në hapësira të mbyllura është më intim, i ke njerëzit përpara, i ndjen pak a shumë, e ndjen erën e vendit më shumë. [Performimi jashtë është] përvojë krejt tjetër dhe i adresohesh një mase shumë më të madhe dhe pak a shumë…sintetizohen të gjithë ata njerëz.K

Raportim shtesë nga Valmir Mehmetaj dhe Cristina Mari.
Fotografitë: Atdhe Mulla (përveç kur janë kredituar individualisht).