Në thelb | Media

Jeta në një realitet të shtrembëruar

Nga - 13.03.2019

Si u zbehë vija mes satirës dhe të vërtetës.

28 dhjetori i 2018-ës ishte ditë e keqe për gazetarinë në Kroaci.

Nisi me lajmërimin nga transmetuesi publik Radio Televizioni Kroat (Hrvatska radio televizija, HRT) që për shkak të dëmtimit të reputacionit dhe emrit me nam, ky medium do t’i padiste dy gazetarë të tij, si dhe Shoqatën e Gazetarëve Kroatë. Dëmi i pretenduar ndaj reputacionit të transmetuesit erdhi në formë të një deklarate përmes të cilës përfaqësuesit e gazetarëve të HRT-së brenda Shoqatës e distancuan veten nga skandalet e ndryshme të cilat përfshinin transmetuesin kombëtar në atë kohë, si shitja në treg të zi e biletave të Kupës Botërore të futbollit që FIFA ia kishte dhënë HRT-së.

Sipas Bilten, HRT-ja i ka 35 padi të hapura kundër gazetarëve dhe mediave të ndryshme. Dëmshpërblimet që po i kërkon ky medium tejkalojnë vlerën 2 milion kuna kroate (gati 270,000 euro).

Deri në fund të kësaj pasdite dhjetori, lajmit për padinë e fundit të HRT-së kundër gazetarëve i humbi paksa vëmendja për shkak të një zbulimi tjetër poaq sureal.

Njëri nga kryetitujt atë ditë ishte se gjykata kishte marrë vendim në favor të Velimir Bujanec, prezantuesit të emisionit televiziv të krahut të djathtë “Bujica” që transmetohet në kanalin lokal televiziv Z1. Bujica e kishte paditur uebfaqen satirike News Bar për artikullin “e rremë” dhe “fyes” të titulluar: “Ekipi i ambulancës ringjall Bujanecin pas lajmit për konfiskimin e kokainës me vlerë 44 Milion Euro”.

Në artikull u tha se “fakti që policia i kishte konfiskuar 1,100 kilogramë të pluhurit të bardhë kolumbian të kualitetit më të lartë doli të jetë e tepërt për Velimir Vujanec, një patriot kroat me zemër të dobët”. Teksti origjinal nuk është më në dispozicion në uebfaqen e News Bar as kudo tjetër online.

Avokatët e Bujanec-it kishin mohuar pretendimet e News Bar, duke e konsideruar “tërë artikullin si të pavërtetë”.

"Ata thonë se janë lajme të rreme — çfarë tjetër mund të jetë satira pos lajm i rremë?"

Domagoj Zovak, News Bar

 

News Bar reagoi duke publikuar deklaratën e avokatit me një koment ironik, që është “shumë e mundshme” se duke shkruar artikullin e diskutueshëm ata “mund të kenë publikuar përmbajtje krejtësisht të shpikur”.

Domagoj Zovak, një nga redaktorët në News Bar dhe prezantues i një nga emisioneve satirike të saj, “Prime Time”, thekson se e gjithë poenta e satirës është përdorimi i humorit për të ekzagjeruar dhe për t’u tallur.

“Ata thonë se janë lajme të rreme çfarë tjetër mund të jetë satira pos lajm i rremë?”, thotë ai. “Është skandaloze, hiperbolike dhe e shtrembëruar”.

Siç ndodh me çdo vepër satirike, megjithatë, artikulli në fjalë ishte deri diku i bazuar në një incident të vërtetë. Në 2014, gazetari i u dënua me 10 muaj burg u pezullua për tre vjet në bazë të pretendimit se ai kishte shitur kokainë, e kjo lidhej me vendimin e tij për ta paguar një prostitutë me këtë drogë. Në atë kohë, Jutarnji List e kishte publikuar një artikull për vendimin e gjykatës të titulluar: “Është e vërtetë, e pagova atë për seks me kokainë!”

Duke dhënë arsyetimin e saj në rastin e vitit të kaluar kundër News Bar, Gjykatësja Snježana Šagud përmblodhi: “Deklaratat që i kanë bërë ata janë shumë pavend dhe absolutisht joprofesionale. Publikimi u përdor me qëllim keqdashës në mënyrë që të diskreditohej moralisht Velimir Bujanec jo vetëm si individ, por edhe si gazetar”.

Domagoj Zovak, redaktor në uebfaqen satirike News Bar, thekson se mediat në Kroaci ballafaqohen me presione të ndryshme dhe probleme të tjera. Foto: Josip Šomodi (nga arkiva private e Domagoj Zovak).

Zovak ka ngurruar të ofrojë komente të mëtejme për vendimin e gjykatës sepse një veprim i tillë mund të llogaritet si “presion ndaj gjyqësorit”. Megjithatë, News Bar është duke apeluar vendimin dhe shpreson që gjykimi i instancës së parë do të shfuqizohet.

“Nga fillimi, ne kemi qenë të mendimit që gjykatësja nuk e kupton çfarë bëjmë ne apo si funksionon News Bar”, thotë Zovak.

Po të bëhet final vendimi i gjykatës, revista online do të duhet të paguajë dëmshpërblim në vlerë 12,000 kuna (rreth 1,600 euro).

“Ky dënim e shkel mendimin praktik. Është një goditje tipike ndaj trurit”, thotë Hrvoje Zovko, presidenti i Shoqatës së Gazetarëve Kroatë. “Shoqëria pjesë e së cilës jemi e tregon veten kur i shtyp gjërat si kjo… mua më duket sikur jemi duke jetuar në ndonjë lloj realiteti të shtrembëruar”.

Kur u pyet nëse është dënuar ndonjë medium satirik për pretendime të rrejshme në shtete tjera evropiane, Camille Petit nga Federata Evropiane e Gazetarëve u përgjigj: “Nuk kemi njohuri për raste të tilla”.

E vërtetë apo gënjeshtër?

Uebfaqja multimediale News Bar u krijua në 2011 nga gazetari Vlado Lucić. Në atë kohë, ai punoi në uebfaqen e lajmeve 24sata, ku nisi fillimisht të xhironte dhe postonte video klipe satirike. Pasi ia morri dorën procesit, ai vendosi ta hapë uebfaqen e tij, e cila u zhvillua në atë që sot njihet si News Bar.

Vet koncepti është shumë i krahasueshëm me atë që e ka perfeksionuar organizata satirike mediale amerikane The Onion. Duke ndjekur një shabllon të gazetarisë së përditshme, një grup i gazetarëve i adresojnë çështjet aktuale dhe njëkohësisht e distancojnë veten nga realiteti duke shtuar satirë në këtë ekuacion.

artikullin akademik të tij “Qeshja si Rezistencë: Ngritja e Satirës Politike në Kroaci dhe Serbi”, Srđan Jovanović, hulumtues në Lund University në Suedi, e përshkruan satirën si mënyrë për të luftuar kundër një sistemi politik. Ai i krahason News Bar me Njuz.net, një uebfaqe satirike serbe që u lansua para nëntë vitesh, emisioni satirik i së cilës “24 Minutes”, që prezantohet nga Zoran Kesić, është bërë i njohur prej kur u transmetua për herë të parë në 2013, dhe transmetohet edhe në ditët e sotme.

Prej kur u themeluan, News Bar dhe Njuz.net vazhdimisht janë tallur me politikën kroate dhe serbe si dhe përgjithësisht me shoqëritë në këto dy shtete. Kohë pas kohe i kanë adresuar edhe rrethanat në shtete tjera të Ballkanit Perëndimor. Forma e tyre e satirës është e bazuar në “shfrytëzimin e stilit standard gazetaresk, përdorimin e hiperbolës, dhe përqendrimin në çështjet më relevante brenda aspekteve socio-politike të jetës”, thotë Jovanović, dhe pastaj shton “ato tallen duke kopjuar me kujdes stilin e zakonshëm të raportimit të lajmeve”.

Ndonëse të gjitha këto media theksojnë qartë faktin se merren me satirë, ndonjëherë lajmet që ato i publikojnë merren si të vërteta.

Një qasje e ngjashme është marrë nga uebfaqja satirike e bazuar në Kosovë, KuKuNews, që u themelua në shkurt 2016 nga gazetari dhe redaktori i mediumit online Insajderi, Vullnet Krasniqi, si reagim ndaj përhapjes së lajmeve të rreme. Me postime të përditshme të “lajmeve”, KuKuNews i referohet në mënyrë sarkastike politikanëve dhe diplomatëve të nivelit të lartë në Kosovë, si dhe zhvillimeve dhe diskutimeve aktuale.

“Duke marrë parasysh nivelin e ulët të gazetarisë në Kosovë, që ka plot portale por nuk ka Agjenci të Lajmeve, ne jemi ngritur si një Agjenci Serioze e Jashtëzakonshme e Lajmeve Satirike, vetëm sa për të mos e turpëruar veten para komunitetit ndërkombëtar, që ata të mos thonë ‘nuk ka media serioze në Kosovë’”, shkruhet në përshkrimin e KuKuNews uebfaqen e tyre.

Mbase produksioni i parë i Kosovës me referenca të njohura satirike në komentimet e tyre sociale ishte grupi komik Stupcat, që u bënë bashkë si grup i pesë aktorëve në 2002. Stupcat ishin një nga zërat e parë kritikë ndaj pushtetit të marrë nga ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që janë shndërruar në politikanë, dhe tani si trio, ata ende prodhojnë një seri komike, zakonisht duke përdorur humorin dhe satirën, e ndonjëherë duke parodizuar reagimin ndaj çështjeve politike dhe sociale në Kosovë.

Ndonëse të gjitha këto media në rajon theksojnë qartë faktin se merren me satirë, ndonjëherë lajmet që ato i publikojnë merren si të vërteta.

Për shembull, disa organizata mediale frankofone e shpërndanë “lajmin” e Njuz.net në vitin 2013 për Dominique Strauss,Kahn, këshilltarin ekonomik të atëhershëm të qeverisë serbe, i cili kishte qenë i përfshirë në një skandal seksi. Pasi e kishte sulmuar seksualisht një pastruese në një hotel në Nju Jork, Njuz.net publikoi një artikull satirik nëpërmjet të cilit tha se Strauss-Khan po e nxitë Aleksandar Vučić-in ta mbështesë barazinë gjinore duke i dhënë më shumë vende pune grave në Qeverinë e Republikës së Serbisë.

Për më tepër, sipas revistës së Shoqatës së Gazetarëve kroatë, “Journalist”, rreth 40 uebfaqe të lajmeve kryesisht nga Serbia e morrën si faktik një artikull nga News Bar që thoshte “një institut zvicran, Franjo Arapović”, kishte vërtetuar që kroatët kanë origjinë nga serbët.

News Bar është përfshirë gjithashtu në polemika të tjera në të kaluarën. Pasi ishte zgjeruar edhe në botën e televizionit, uebfaqja kishte planifikuar ta prodhonte serinë e saj të quajtur “Show Trial”, e cila planifikohej të transmetohej në transmetuesin kombëtar, HRT.

Megjithatë, programi u anulua në mars 2016 nën pretekstin fillestar që një segment i emisionit promovonte “intolerancë ndaj religjionit” dhe “nacionalizëm”; redaktorët e emisionit thanë në atë kohë se u kishin thënë se stacioni televiziv kishte problem me një nga skeçet satirike të tyre për çifutët. Më vonë, u pretendua se anulimi kishte qenë rrjedhojë e pretendimit për kosto të lartë të produksionit.

E gjithë kjo ndodhi në të njëjtin vit kur tetë parti politike të krahut të djathtë kishin formuar një front të unifikuar për zgjedhjet e vitit 2015 në Kroaci. I ashtuquajturi “Koalicioni Patriotik” i fitoi zgjedhjet dhe kështu mundësoi që Zlatko Hasanbegović, një figurë konservatore të bëhej ministër i kulturës, një pozitë që përfshinë përgjegjësinë për mediat.

Ndonëse i shkurtër, mandati i tij u karakterizua me “spastrime” të transmetuesit kombëtar rreth 70 gazetarë apo redaktorë u ulën në pozitë ose u shkarkuan dhe disa emisione u anuluan brenda natës si dhe me një keqësim të përgjithshëm në lirinë e shtypit. U shfuqizuan subvencionet shtetërore për mediat e pavarura jofitimprurëse dhe shteti ra nga vendi i 63-të në të 74-tin në listën e shteteve sipas lirive mediale të Reporters Without Borders.

Trupa e News Bar gjeti shpëtim në kanalin transmetues N1, ku Domagoj Zovak dhe Borna Sor* ende e drejtojnë emisionin “Prime Time”, duke i përgatitur tekstet, aktruar dhe dizajnuar grafikat të gjitha vet.

Satira si një ‘fener në natë’

Sa i përket formatit, News Bar thonë se janë frymëzuar shumë nga seritë satirike amerikane si “The Colbert Report” dhe “The Daily Show”.

“Unë besoj se ka shumë potencial që rinia të angazhohet si ne”, thotë Zovak, duke cekur se në Shtetet e Bashkuara, programet e tilla janë bërë burime më të besueshme të informacionit se mediat standarde, që ngadalë por me siguri po e humbin besueshmërinë në mesin e rinisë.

“Kjo ishte e qartë në Shtetet e Bashkuara gjatë epokës së Bushit dhe Luftës në Irak, kur mediat qendrore bënë gabime të rënda sa i përket raportimit të lajmeve, pa qasje kritike ndaj këtij procesi”, thotë Zovak.

Megjithatë, satiristët nga rajoni nuk janë frymëzuar vetëm nga Perëndimi. Ata kanë zbuluar modele edhe në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht gazetën kult Feral Tribune.

“Lajmet e përditshme të HRT-së i paraqisnin të gjithë politikanët si seriozë dhe shumë të dekoruar, si themeluesit e Kroacisë — në Feral, presidenti jonë ishte i zhveshur”.

Domagoj Zovak, News Bar

Zovak e pranon ndikimin e madh që kishte Ferali për ta në vitet e 90-a. “Lajmet e përditshme të HRT-së i paraqisnin të gjithë politikanët si seriozë dhe shumë të dekoruar, si themeluesit e Kroacisë në Feral, presidenti jonë ishte i zhveshur”, thotë Zovak, i cili beson se, edhe pse ato që i shihet në Feral e bënin të qeshte, raportimi në këtë mënyrë mundësoi “çlirimin e shpirtit të një burri të ri”.

Feral Tribune rrjedhi nga një botim që u publikua në 1988 si shtojcë satirike e gazetës Nedjeljna Dalmacija. Nisi të funksiononte si një botim i pavarur pesë vite më vonë, pasi themeluesit e tij, Viktor Ivančić, Predrag Lucić dhe Boris Dežulović, e kishin lënë kompaninë kryesore, Slobodna Dalmacija, për shkak të privatizimit me forcë; kompania ishte marrë nga Miroslav Kutle, një manjat që kishte lidhje me qeverinë në atë kohë.

Atyre të treve së shpejti iu bashkua një ekip i gazetarëve dhe redaktorëve të mendimit të lirë që ishin të pakënaqur me situatën bashkëkohore brenda sektorit të mediave. Puna e tyre u mundësoi atyre të konsideroheshin nga plot jonacionalistë dhe gazetarë profesionistë si “një fener në natë” (“Feral”, në një nga dialektet e Kroacisë, do të thotë “fanar”), dhe tani kanë mbetur si simbol i gazetarisë të papërkulur në Kroaci dhe rajonin e gjërë.

Duke përdorur zgjuarsinë e tyre të mprehtë, këta ishin të gatshëm të adresojnë shumë çështje të ndryshme, përfshirë këtu korrupsionin, krimet në ekonomi të tranzicionit, krimet e luftës të kryera nga Ushtria Kroate dhe përfshirja e Kroacisë në Luftën në Bosnje.

Përveç teksteve të tyre, ata u treguan kreativë me fotomontazhat e tyre, si dhe e ruajtën traditën e zgjuarsisë në krijimin e titujve. Disa prej këtyre fotomontazhave dhe titujve të tyre kanë hyrë në folklorin gazetaresk, veçanërisht në shkrimin e vitit 1993 me titull “A kemi luftuar për këtë?”, në të cilin Franjo Tudman dhe Slobodan Milošević presidentët e atëhershëm të Kroacisë dhe Serbisë dhe armiq në luftë paraqiten në duart e njëri tjetrit, të shtrirë në shtrat, të zhveshur.

Një shembull tjetër klasik i fotomontazhave të tilla u publikua dy vjet më vonë, titulli i së cilës korrespondoi me shembullin e parë: “A kemi luftuar në lidhje me këtë?”; e portretizon Alija Izetbegović, presidentin e kohës së luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, të bashkuar në përqafim me dy liderët e tjerë.

“E kupton që është OK që perandori nuk ka tesha kur e sheh që në realitet është ashtu”, thotë Zovak. “E kupton që është në rregull të mos i ndjekësh verbërisht autoritetet”.

Edhe sot, ai e konsideron Feral si një nga ndikimet më të mëdha. “Jo vetëm për shkak se ishte gazetë satirike, por gjithashtu për shkak se, parimisht, ata bënë gazetari hulumtuese të klasës së parë shkruan për gjëra për të cilat askush tjetër nuk guxoi të shkruante”, thotë ai.

Gjatë mandatit të Franjo Tudman në vitet e 90-a, gazeta e përjavshme ishte subjekt i presionit politik në fronte të ndryshme. Ata u detyruan të paguanin taksa që normalisht vëheshin kundër “revistave pornografike”, u ballafaquan me shumë akuza të ankthit mendor dhe ishte gjithashtu një periudhë kur një nga redaktorët kryesor, Viktor Ivančić, u thirr për të qenë pjesë e ushtrisë.

Ndonëse arritën të qëndronin gjatë kohës kur u përballën me këto vështirësi, ata nuk patën mundësi t’i tejkalojnë vështirësitë e ndryshme financiare gjatë viteve, e as nivelin relativisht të ulët të qarkullimit. Pas 15 vite të punës së suksesshme, edicioni i fundit i revistës doli në 2008.

Ish-punëtorët e Feral vazhdojnë të shkruajnë kronika për shoqërinë kroate edhe sot, duke punuar si shkrimtarë apo gazetarë të pavarur, kryesisht për media joqendrore. Disa nga komentet më të mira satirike ende shkruhen nga stilolapsët e tyre.

Satira si formë multimediale e shprehjes

Një tjetër ndikim i fuqishëm në satirën bashkëkohore në rajon ka qenë trupa nga Sarajeva, Top lista nadrealista (Top Lista e Surealistëve).

Në 1981, ky grup i të rinjve nisi ta punonte një program muzikor në Radio Sarajevo, e më pas doli në televizion. Ata e projektuan një seri televizive që përmbante skeçe të ndryshme. Disa prej tyre kurrë nuk do të harrohen nga gjeneratat që u rritën në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë 80-ve dhe 90-ve.

Pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar, edhe sot kur i shohim këto skeçe e përjetojmë një përvojë veçanërisht zbuluese, për shkak se ato kishin një dimension profetik. Për shembull, një nga skeçet e parashikon ndarjen e Sarajevës, një qytet që aktualisht është i ndarë ndërmjet dy entiteteve, Republika Srpska dhe Federata e Bosnjes dhe Hercegovinës. E xhiruar në 1988, skena e shfaqë një mur që e ndanë qytetin në dy pjesë, sektorin lindor dhe sektorin perëndimor.

Në një skeç tjetër që lajmëron fillimin e luftës, “Misioni Monitorues i Komunitetit Evropian bën përpjekje të mëdha për ta mbajtur gjendjen e luftës paksa stabile”, kështu që mundohen t’i ndajnë dy shokë të fëmijërisë, një boshnjak dhe një serb, deri sa ata dy janë duke luajtur biliardo.

Gjithashtu është një skeç special për Mbrëmjen e Vitit të Ri 1991/92 ku “ish-Jugosllavia ndahet në 723,321 shtete, 45 përqind të së cilave janë vetëm në Sarajevë”. Kjo skenë e portretizon Znj. Popušlić (“Znj. Thithje”) rrugës për në shtëpi, duke kaluar kufij të ndryshëm në rrugët e Sarajevës. Edhe apartamenti i saj është përplot me pika kufitare që kryqëzohen në dhoma, dhe prandaj familjarët e saj duhet ta tregojnë pasaportën kur shkojnë në banjo apo një dhomë tjetër.

Edhe pse aktorët origjinalë të Top lista nadrealista e ndalën prodhimin e emisionit në 1992 (pas skeçit të Vitit të Ri), ky emision është shënuar në histori.

Kolektivi malazias The Books of Knjige (knjige do të thotë “libra” në gjuhën malazeze dhe gjuhë tjera të ngjashme) e llogarisin si një nga emisionet që i frymëzuan më së shumti.

The Books of Knjige, një nga anëtarët e së cilit është Zoran Marković Zonjo, frymëzohen nga emisioni i viteve të 80-a dhe 90-a, Top lista nadrealisti, dhe surealistët britanezë Monty Python. Foto nga një epizodë e The Books of Knjige.

Të bazuar në Çetinë, ata e përshkruajnë veten si “shoqatë multimediale e komedianëve” dhe kanë qenë aktiv për më shumë se 20 vjet. U bashkuan në vitet e 90-a për të punuar me produksione teatrale, dhe prej atëherë e kanë testuar veten në disa formate nga produksioni i serive për radio dhe televizion, e deri te performancat muzikore si bend dhe prodhimi i një filmit të metrazhit të gjatë të titulluar “The Cases of Justice”.

“Çdo të premte në mesnatë në valët e një radio stacioni të Podgoricës, Antena M, ne mundohemi ta drejtojmë realitetin e shtrembëruar dhe shpeshherë madje të shtrembërojmë disa sende të përditshme, duke i bërë sa më absurde që është e mundur”, thotë Zoran Marković Zonjo nga trupa malazeze.

Përveç Top lista nadrealisti, Zonjo zbulon se ata frymëzohen edhe nga Monty Python, grupi komik nga Mbretëria e Bashkuar me famë botërore i cili e nisi punën në vitet e 70-a. Nidkimi i tyre në komedi shpeshherë krahasohet me ndikimin e Beatles në muzikë.

“Ata ishin të shkëlqyeshëm dhe mua më duket se nuk ka kuptim të bësh diçka të ngjashme tani, sepse në skeçet dhe filmat e tyre ata e adresuan çdo çështje të mundshme, dhe e bënë në mënyrën më të zgjuar”, thotë Zonjo.

Megjithatë, ai theksons e “fatmirësisht apo fatkeqësisht, ende ka shumë material në Ballkan për ta shndërruar broçkullat në ari”.

“Për gati 30 vjet, ne jemi tallur me ngulm me qeverinë, opozitën dhe shoqërinë tonë në përgjithësi — ne paguajmë për këtë”.

Zoran Marković Zonjo, The Books of Knjige

Stili satirik i The Books of Knjige mbështetet shumë në improvizim, por ata kanë arritur ta ruajnë dimensionin e kritikës socio-politike. Kjo vjen me kosto.

“Për gati 30 vjet, ne jemi tallur me ngulm me qeverinë, opozitën dhe shoqërinë tonë në përgjithësi ne paguajmë për këtë”, thotë Zonjo, duke iu referuar formave të ndryshme të presionit të cilit i nënshtrohen ata, qofshin ato të buta apo të rënda.

“Në thelb, për t’iu shmangur reagimeve eksplozive, është e rëndësishme të mos i adresosh paratë e personave të fuqishëm në Mal të Zi”, thotë ai. “Ka tendencë që satira e vogël e çmuar që del andej këndej të ndrydhet nga pengesat e heshtura”.

Pjesa më e vështirë është ballafaqimi me presionin financiar.

“Nëse rinia i sheh idollët e tyre duke vuajtur nga uria për shkak se nuk mund të mbijetojnë me të hyrat nga puna artistike, ata do ta dinë se duhet të qëndrojnë larg asaj rruge”, thotë Zonjo, duke shtuar se për këtë arsye të rinjtë nuk kanë kënd ta idollizojnë pos politikanëve dhe manjatëve. “Ata janë të njohurit, janë ata që kanë para dhe pushtet”.

Edhe mediat tjera satirike i nënshtrohen presionit nëpërmjet veprimeve ligjore dhe akuzave për dëmtim të reputacionit, si në rastin kundër News Bar. Shpeshherë nën ndikim të madh politik, gjykatat e Ballkanit Perëndimor rregullisht marrin vendime kundër mediave, që ngarkohen financiarisht nga kostot e shërbimeve ligjore edhe kur gjykimet shkojnë në favorin e tyre.

Vetëm tri ditë pas vendimit kundër News Bar në dhjetor 2018, Milijan Brkić, zëvendës presidenti i Parlamentit Kroat dhe zëvendës kryetari i partisë udhëheqëse HDZ, e paditi me sukses revistën e përjavshme të çështjeve aktuale, Lider for libel. Sipas vendimit të gjykatës për të cilin ka bërë apel Lider Brkić mund t’i merrë 15,000 kuna (rreth 2,000 euro) në kompensim pasi Lider publikoi një tekst që thoshte se ai kishte bërë plagjiaturë në tezën e diplomës së tij.

Në fakt, Lider thjesht e citoi një pretendim të provuar që u prezantua më parë në Jutarnji list, që Brkić “ka bërë plagijaturë në 70 përqind të tezës së tij”.

Qindra gazetarë së fundmi protestuan kundër kufizimeve në liritë e mediave nën slloganin “Na i keni marrë mediat, nuk do t’iu lëjmë ta merrni krejt gazetarinë!” Foto nga Giovanni Vale.

Së fundmi, rrethanat e tilla kanë çuar deri në protesta.

Të shtunën, 2 mars, të ngopur me numrin gjithnjë më të madh të padive, kërcënimeve dhe rasteve të presionit politik, më shumë se një mijë gazetarë dhe mbështetës marshuan në Zagreb duke protestuar për liri të shtypit nën slloganin “Na i keni marrë mediat, nuk do t’iu lëjmë ta merrni krejt gazetarinë!”

Gazetarët thonë se nuk është në rrezik vetëm e drejta për të satirizuar, por është edhe e drejta për të shkruar në mënyrë objektive dhe për ta shprehur veten lirshëm.

“Nëse dikush po shpik sende, po lëndohen, por nëse dikush e tregon të vërtetën, edhe atëherë po lëndohen”, thotë Domagoj Zovak me indinjatë. “Çfarë tjetër mund të bëjmë pos të shkruajmë gënjeshtra të bukura? Kjo është e vetmja mënyrë për të mos u paditur”.K

Foto kryesore nga The Books of Knjige.

*Pëmirësim: Emri Borna Sor fillimisht është shkruar gabimisht si Borna Kos dhe është përmirësuar pas publikimit.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.