Jemi në mes të verës: është koha për t’u ikur punëve e përgjegjësive, dhe për të shkuar në plazh a male me një libër të mirë dhe me njerëzit që i duam. Për këtë arsye, ekipi i redaksisë së K2.0 ka vendosur ta përpilojë një listë të vogël të librave që ne i rekomandojmë, nëse keni vend në listën e leximit, apo edhe më mirë, nëse e keni listën të zbrazët.
Synimi ishte ta përzgjidhnim një “listë të lehtë verore leximi”, por ka kufij në atë se sa të lehta mund të jenë rekomandimet e gazetarëve dhe të redaktorëve. Sidoqoftë, shpresojmë që disa prej këtyre librave mund t’ju shërbejnë gjatë arratisjes së kufizuar nga realiteti, dhe që janë mjaft të “lehta” për t’i procesuar truri në mes të nxehtësisë vdekjeprurëse të verës.
Iliriana Banjska, Redaktore Menaxheriale: “Blue Monday” nga Amon Grunberg
Rekomandimi im është “Blue Monday” nga Amon Grunberg (autor holandez). Ai ka një stil shumë unik. Është një përzierje ndërmjet “realizmit” dhe “brutalizmit” në stilin e Bukowski-t, por proza e tij rrjedh shumë më butë. Interesante është që ai e shkroi këtë roman në moshën 22 vjeçare për shkak të një basti, dhe u bë shumë i suksesshëm në Holandë (në atë kohë ai nuk ishte autor i arrirë).
Më pëlqen shumë, sepse e thyen idenë që romanet duhet të kenë madhështi në tregimet e tyre. Tregimi është për një adoleshent shumë të thjeshtë dhe normal që jeton një jetë bajate dhe të rëndomtë në Amsterdam. Lexuesi shkon në një udhëtim të rëndomtë, dhe herë pas here të çuditshëm me personazhin, sepse Grunberg përdor një gjuhë aq të thjeshtë sa është romantike në autenticitetin dhe banalitetin e saj. Mendoj se kjo është përgjigjja moderne ndaj “Nausea” të Sartre-it apo “Factotum” e Bukowski-t, por version që është zhveshur nga elementet letrare.
Nidžara Ahmetašević, Redaktore Rajonale: “Under Pressure” nga Faruk Šehić
Autori boshnjak Faruk Šehić është poet dhe veteran i luftës, i pagëzuar prej disa kritikëve letrarë si “Hemingway boshnjak” për shkak të stilit të shkrimit dhe temave për të cilat shkruan. Në këtë libër të tregimeve të shkurtra, Sahić shkruan për luftën e viteve ‘90, kur ishte ushtar aktiv dhe komandant i njërit prej njësiteve të ushtrisë së Bosnjes dhe Hercegovinës. Pas luftës, i thyer dhe duke vuajtur nga Çrregullimi i Stresit Posttraumatik, ai është duke e kuptuar luftën, popullin dhe Bosnjen. Libri ishte i shkruar mirë dhe dallonte nga shkrimet e tjera tipike për luftën dhe Bosnjen. Libri është përkthyer dhe shtypur në gjuhën angleze falë një fushate në Kickstarter të një shtëpie botuese speciale nga Ballkani, Istros Books.
Sindre Langmoen, Redaktor: “Moominpappa at Sea” nga Tove Jansson.
Ndonëse shumë njerëz janë të njohur me The Moomins nga seria televizive, librat janë pasuria e vërtetë dhe duhet të lexohen si nga të rriturit, ashtu edhe nga fëmijët.
“Moominpappa at Sea” shihet prej shumëkujt si libri i kësaj serie i cili shënon një transicion. Librat e kaluar ishin specifikisht për fëmijë, ndërsa tregimet e mëvonshme morën një thellësi të shtuar të karakterit dhe të kompleksitetit në temat e trajtuara.
Në tregim, Moominpappa shkon me familjen në një udhëtim te një fener deti, i zhgënjyer nga jeta e lehtë, me të cilën është i papërmbushur, dhe për shkak të të cilës ndihet i pavlefshëm. Feneri del të jetë vend i ftohtë dhe i shkretë, prandaj ata e kanë të vështirë të ndihen si në shtëpi. Të gjithë anëtarët e familjes përjetojnë udhëtime individuale medituese të rritjes. Moominpappa përpiqet të gjejë përmbushje duke përpiluar projekte të cilat gjithmonë dështojnë, duke e lënë atë me fytyrë kah deti; Moominmamma kërkon shpëtim duke i pikturuar të gjitha lulet që i kanë në shtëpi, the Moominvalley; Moomintroll ballafaqohet me Groke, i cili është mishërimi i vetmisë, ftohtësisë dhe vdekjes.
Libri i kushtohet babait të vdekur të Tove Jansson dhe shëben si portretizim i një burri kompleks, si dhe si lamtumirë e përzemërt.
Trëndelina Halili, Video Asistente: “Art and Visual Perception: A Psychology of the Creative Eye” nga Rudolf Amheim
‘Art and Visual Perception’ është një libër psikologjik për syrin kreativ. E rekomandoj këtë libër nëse kërkoni ta kuptoni gjuhën pamore. Eksplorohet në të se si i kupton dhe i lexon truri sendet si vijat dhe format. Meqë gjysma e trurit i kushtohet procesimit të informatave pamore, ky libër do t’ju ndihmojë me zhvillimin e perceptimit të sendeve. E ndihmon shikuesin të krijojë mprehtësi pamore.
Libri merret me ato që i shohin njerëzit, por na ndihmon t’i qasemi dhe t’i shohim më mirë punimet artistike.
Ky libër është për ata që duan të shkojnë përtej bazës dhe t’i hyjnë shkencës së të menduarit pamor. Por ju paralajmëroj se nuk është libër i lehtë për t’u lexuar në plazh.
Nerina Guri, Gazetare: “23 Things They Don’t Tell You About Capitalism” nga Ha-Joon Chang
Jua rekomandoj “23 Things They Don’t Tell You About Capitalism” nga Ha-Joon Chang – një libër jokonformist për ekonominë në plot aspekte, i cili trajton tema si: sa është i lirë me të vërtetë tregu i përbashkët dhe a ekziston realisht ashtu siç shpjegohet shpeshherë nga politikanët dhe ekonomistët e kryerrymës; si mund të mos i shtiem në një thes ekonomistët dhe politikanët, por nuk mund ta ndajmë në të vërtetë ekonominë nga politika; pse makina e larjes mund të shihet si zbulim më revolucionar për ekonominë se vetë interneti, etj.
Duke ndjekur një qasje shumë autentike, libri ndërtohet parimisht duke prezantuar eksplorimet kryesore të koncepteve dhe temave kyçe ekonomike, të cilat ndikohen shumë nga dogma neoliberale, dhe pastaj duke i shpjeguar të njejtat nëpërmjet disa lenteve heterodokse dhe pragmatike. Struktura e tij është e ndërtuar ashtu që lexuesi të ketë mundësi ta lexojë gjithë librin, të zgjedhë kapituj të posaçëm për ta kuptuar një temë, apo ta zgjedhë cilindo kapitull dhe prapëseprapë ta kuptojë. Për fund, stili dhe gjuha e bëjnë të lehtë për t’u lexuar dhe të qasshëm për një audiencë më të gjerë, jo vetëm për njerëz me përvojë në ekonomi.
Fitim Salihu, Gazetar: “The Sirens of Baghdad” nga Yasmina Khadra
Yasmina Khadra është pseudonimi i përdorur nga shkrimtari algjerian Mohammed Moulessehoul. Ai ishte oficer në Algjeri në kohën kur i shkroi librat e parë, ndaj për ta shmangur censurimin, vendosi të shkruante qëllimisht nën një pseudonim gruaje.
“The Sirens of Baghdad” është romani i fundit i trilogjisë së tij që trajton ndikimin e fundamentalizmit religjioz në jetën e përditshme të qytetarëve të Lindjes së Mesme. Tregimi zhvillohet në Irak në fund të regjimit të Saddam Hussein dhe në vitet e para pas pushtimit amerikan. Shtylla e romanit qëndron te efektet që mund t’i ketë fundamentalizmi religjioz në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm.
Në këtë roman, Khadra merret edhe me dilemën ndërmjet jetës në një regjim autoritar dhe diktatorial, i cili ofron mirëqenie sociale dhe siguri, por ka mungesë të lirisë dhe të jetës në një regjim me liri të fjalës dhe të zgjedhjes, e nuk ka siguri e as mirëqenie ekonomike.
Në fakt, të gjitha romanet e Khadra-s janë pasqyrë shumë e saktë e shoqërive arabe dhe përmes tyre mund të mësojmë shumë për jetën e përditshme në këto vende.
Arian Lumezi: Gazetar: “The Moment of Lift: How Empowering Women Changes the World” nga Melinda Gates
Si njëri prej drejtuesve të Bill dhe Melinda Gates Foundation, Melinda punon shumë me projekte të cilat kanë për synim të arrijnë më shumë përparim dhe barazi duke i fuqizuar gratë. Duke udhëtuar, zhvilluar hulumtime gjithëpërfshirëse dhe kryer punë humanitare, dhe gjithashtu duke jetuar me njerëz që vuajnë prej këtyre problemeve për shumë vite, ajo ofron një tregim të rëndë por të sinqertë për vuajtjen dhe argumenton se barazia ndikon në mirëqenien dhe mbarësinë e familjeve dhe të ekonomisë në përgjithësi.
Libri fokusohet edhe në raste frymëzuese, si vajza e cila bëri marrëveshje me babain që të pranonte t’i nënshtrohej synetisë së gjenitaleve femërore, me kusht që ta vazhdonte edukimin.
Interesante është edhe se disa prej shembujve në libër në lidhje me mungesën e barazisë gjinore duken të ngjashëm me ata që hetohen në shoqëri të tjera, si në Kosovë; për shembull tradita e disa shteteve të caktuara afrikane, ku gruaja dhe fëmijët duhet të presin të hajë burri, para se t’i hanë mbetjet në tryezë. Mendoj që të gjithë duhet ta lexojnë.
Dafina Halili, Gazetare: “The Woman Destroyed” nga Simone de Beauvoir
“Në tri tregime shumë inteligjente për prishjen e pasionit, Simone de Beauvoir na çon në jetët e tri grave, të gjitha në moshë madhore, që ballafaqohen me kriza të papritura… E mbushur me mendimet e jashtëzakonshme të de Beauvoir për gratë, “The Woman Destroyed” na jep një shkrimtare legjendare në formën më të mirë të saj”, shkruante The Sunday Herald Times (Londër) pas botimit të librit në vitin 1969 në gjuhën angleze, koment të cilin e shoh si të mirëfilltë dhe të saktë për këtë vepër të jashtëzakonshme në prozë nga de Beauvoir.
E mora si dhuratë para disa muajsh dhe tani s’po mund të mos ia rekomandoj secilës shoqe. Tri tregimet e gjata i shtyjnë lexuesit të reflektojnë, nëse jo t’i vënë në dyshim, idetë e tyre për lirinë, varësinë, besnikërinë, seksin dhe marrëdhëniet, mes të tjerash. Nëse keni lexuar “The Second Sex”, vetëm imagjinoni se si filozofja, feministja dhe aktivistja politike e mirënjohur i ka inkuadruar teoritë sociale të saj në një prozë, dhe në jetët e tri grave që padyshim janë të njohura për ne.
Ngadhnjim Avdyli, Gazetar: “Terxhuman” nga Idlir Azizi
Ngjarja vendoset në Tiranë, në shtatorin e vitit 2004, kur Kombëtarja Shqipatare e Futbollit luante kundër asaj të Greqisë, pak muaj pasi kjo e fundit fitoi Kampionatin Evropian të Futbollit. Për të mbuluar këtë ngjarje, vjen gazetari i Financial Times të Londrës, mirëpo për ta kryer punën, gazetari ka nevojë për një vendas i cili do t’i përkthejë, t’ia gjejë kontaktet ose t’ia sqarojë kontekstin.
Personazhi tjetër është ‘‘fikseri’’, apo ‘‘terxhumani’’, prej tNgjarja vendoset në Tiranë, në shtatorin e vitit 2004, kur Kombëtarja Shqipatare e Futbollit luante kundër asaj të Greqisë, pak muaj pasi kjo e fundit fitoi Kampionatin Evropian të Futbollit. Për të mbuluar këtë ngjarje vjen gazetari i Financial Times të Londrës, mirëpo për ta kryer punën, gazetari ka nevojë për një vendas i cili do t’i përkthejë, t’ia gjejë kontaktet ose t’ia sqarojë kontekstin gazetarit.
Personazhi tjetër është ‘‘fikseri’’, apo ‘‘terxhumani’’, prej të cilit merr emrin edhe romani. Terxhumani pranon punën për shkak të një pagese të mirë në krahasim me atë që është zakonisht në Shqipëri, por që nuk krahasohet me atë të gazetarit: ani pse ky e ka të pamundshme të kryejë punën pa ndihmën e terxhumanit, dhe e gjithë puna intelektuale është e ‘‘fikserit’’.
Pavarësisht kësaj, është gazetari ai që mban primatin në raportin mes tyre, e shpeshherë shfaq arrogancë kundrejt terxhumanit, por edhe i mban ligjërata për shkencat poskoloniale, për progresin ose barazinë, por veprimet e tij nuk përkojnë me ato që i thotë.
Në anën tjetër, Terxhumani është plot kritika ndaj gazetarit, por ato i mban për vete, edhe në rastet kur gazetari kërkon tema ‘‘ekzotike’’ për Shqipërinë, që të japin idenë se kështu mirëmbahen steriotipet karshi shoqërisë shqiptare (dhe përtej shoqërisë shqiptare) që mbizotërojnë në mediat ose tek eksponentët evropianë.
Tensioni rritet edhe më shumë pas takimit të gazetarit me personazhin tjetër, ish-profesorin e Universitetit të Tiranës. Një figurë komplekse, cinik, kontestues, e denoncues i shoqërisë shqiptare. Ai dekonstrukton shoqërinë shqiptare, të cilën e quan ‘‘jo të hapur, por këmbëhapur’’. Nuk lë pa u kapur me intelektualët, politikanët e OJQ-të, që, sipas tij, janë të interesuar vetëm të ruajnë status quo-në, e pasurimin e kanë prioritet. Profesori vazhdimisht tenton të dekonstruktojë ligjërimet dominuese në Shqipëri.
Përkundër kësaj, gazetari është indifirent karshi profesorit.
Me anë të këtij romani, autori Azizi tenton të analizojë shoqërinë shqiptare, raportin me ndërkombëtarët, pafuqinë politike të Shqipërisë, mbijetësen dhe jo jetesën, si dhe ligjërimet dominuese në shoqërinë shqiptare.K
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.