Sot (4 gusht), edicioni i 16 i DokuFest do të hapet te Lumbardhi, zemra shpirtërore e festivalit. Lumbardhi, po të huazojmë fjalët e Aslihan Demirtas, arkitektja e bazuar në Stamboll dhe Nju Jork e që aktualisht është e përfshirë në renovimin e kësaj ndërtese, “është hapësirë dhe institucion që nuk ka një karakter të fiksuar apo një identitet të ngurtë. Evoluon me kohë, në bazë të përdorimit, me njerëzit; i jep vetës mjaft kohë për të menduar për proceset, dhe për ta rishikuar vetën përsëri”.
Lumbardhi është ndryshuar gati krejtësisht disa herë prej kur u ndërtua në vitin 1948, e vendosur përballë urës së vjetër të gurit që të çon deri te fontana antike e ujit në qendër të Prizrenit, që njihet si Shadërvani. Tek tre vjet më vonë u shfaq filmi i parë në sallën brenda, e kjo ndodhi njëkohësisht me miratimin e një ligji të ri që ndalonte mbajtjen e shamive apo mbulesave tjera në këtë qytet që dikur i përkiste osmanëve. Kishte nisur një epokë e re e socializmit, dhe filmat po shfaqeshin për “familje nukleare”, direkt për fytyrat “e zhveshura” me flokë të rrahura prej frymës.
Disa vite më vonë, shteti përvetësoi edhe oborrin përpara si pjesë të kinemasë, dhe prej 1958 u krijua edhe ‘salla në ambient të hapur’. Kaluan disa vite dhe ky vend u bë pikëtakimi i preferuar i miqve e dashnorëve. Për puëntorët e Prizrenit u bë më shumë se kinema. Ishte shtëpi larg shtëpisë. Njerëzit prisnin në rend për ta parë botën nëpërmjet kinemasë: filma jugosllav, westerns (të Perendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës) dhe të Hollywood, drama turke, dhe filma të ndryshëm të shkurtër e artistik që vinin prej vendeve të ndryshme të botës.
Siç ishte zakon në ato kohë, filmat zakonisht përcjelleshin me mesazhe prej partisë komuniste, dhe me video raporte të shkurtëra me lajme për zvhillimet e reja në Jugosllavi. Deri në fillim të viteve të 80-a, kjo kinema ishte gjithmonë e mbushur, dhe sipas drejtorit ekzekutiv të fondacionit Lumbardhi, Ares Shportës, operonte madje edhe një treg i zi për ridistribuim të biletave.
Me kohë Lumbardhi u bë më shumë qendër kulturore sesa kinema – ishte lokacion në të cilin mbaheshin koncerte dhe mbledhje tjera. Në vitin 1986 u themelua “Zambaku i Prizrenit”, festival për këngë, balada dhe serenada tradicionale shqipe i cili vazhdon të mbahet edhe aktualisht.
Por me shpërbërjen e Jugosllavisë, përhapja e shpejtë e televizorëve familjarë, dhe ndryshimeve të tjera në botën e zbavitjes publike dhe në stilin e jetës në përgjithësi, Lumbardhi ngadalë ra nga piedestali i përlëvduar i tij si fanar i kulturës. Në vitet e 90-a, kjo kinema filloi të stigmatizohet në qytet, meqë formë kryesore e zbavitjes audiovisuale u bënë materialet pornografike, siç ndodhi në shumë kinema të Jugosllavisë së atëhershme. Me shpërthimin e luftës së fund shekullit në Kosovë, kinemaja ndërpreu të gjitha aktivitetet e saja.
Gjatë epokës së pasluftës, kjo ndërtesë nuk u mbështet nga institucionet dhe ishte kryesisht e lënë. Kohë pas kohe frekuentohej prej disa ish-punëtorëve të kinemasë dhe miqve të tyre, të cilët e përdornin si pikëtakim, e në të cilën luanin lojëra dhe mbanin ndonjëherë koncerte dhe festivale verore.
Por siç thotë fjala e urtë, plagët e qytetit janë stimuj për mendjen. Edhe pse logjike do të kishte qenë që institucionet shtetërore ta dallojnë këtë ndërtesë të bukur dhe të preokupohen me restaurimin e saj, kjo nuk ndodhi në Kosovën e pasluftës. U dallua së pari në vitin 2007 kur Kryetari i Komunës së Prizrenit deshi që ta rrëzonte, por shoqëria civile, veçanërisht ekipi i DokuFest dhe OJQ Ec Ma Ndryshe, të cilët mblodhën tetë mijë nënshkrime nëpërmjet së cilave protestuan kundër shkatërrimit të saj.
Disa muaj më vonë kryetari e humbi pozitën e tij në zgjedhjet lokale, por Lumbardhi u rrezikua sërish në korrik të vitit 2014 kur ra në radar të institucioneve shtetërore përsëri, këtë herë në atë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Agjencia morri një vendim tipik për ta, për ta likuiduar atë si pronë publike, e me gjasë që ta shndërrojnë këtë trashëgimi kulturore në parking.
Përsëri kjo kërkesë u kundërshtua me ngulm nga ekipi i DokuFest, i cili e kishte përdorur atë si kinema për festival që prej vitit 2002, dhe nuk ishin ende të gatshëm që t’i parkonin veturat aty ku dikur shndriste një fener i emancipimit dhe zbavitjes. Ata e ngritën zërin për të shprehur pakënaqësinë e tyre në ceremoninë hapëse të edicionit të 13 të DokuFest në 2014.
“Vendi ku jemi mbledhur është vend i cili nuk do të vdes kurrë”, deklaroi drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari. “Të lindur e të rritur këtu, kujtime më të bukura na lidhin përgjithmonë me këtë vend – me Prizrenin. Kino Lumbardhin, kinemanë e parë të Prizrenit, po na e marrin. Keni dëgjuar, keni lexuar, dhe është e vërtetë. Ne nuk e kemi për qëllim dorëzimin e saj. Do ta ndryshojmë këtë së bashku, e prandaj së bashku po e shpallim të hapur DokuFest me një film i cili do të na bind se sa të fuqishëm jemi kur jemi të bashkuar. Ndrysho! Mos u fsheh!”
Fjalimi hapës i Nurkollarit u përcjell me një film dokumentar, “Everyday Rebellion”, për protesta jo të dhunshmë dhe mosbindje civile nëpër botë. Kështu nisi lufta për Lumbardhin.
Duke e marrë përsëri fuqinë
E gjithë kjo u pasua me formimin e një nisme për analizimin e legjislacionit ekzitues, me synim për të gjetur mundësi për ta shpëtuar Lumbardhin. Në fund, në janar 2015, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e konfirmoi se kjo kinema do të hynte në listën e trashëgimisë, dhe AKP lajmëroi se ishte pezulluar procesi i likuidimit. Rrjedhimisht edhe u krijua mundësia për një program kulturor, prandaj u themelua Fondacioni Lumbardhi, dhe Ares Shporta u zgjodh si Drejtor Ekzekutiv.
Siç tha Shporta në një intervistë të mëhershme me K2.0, aktualisht kinemaja vazhdon të jetë nën juridiksionin e Agjencisë së Privatizimit, por ky fondacion ka arritur që ta bind Ministrinë e Kulturës që ta dërgojë një kërkesë për shpronësim, në mënyrë që Lumbardhi të bëhet pronë shtetërore nën administratën e Ministrisë së Kulturës.
Edhe pse çështja e pronësisë aktuale ende nuk është rregulluar, kjo nuk e ka ndalur fondacionin, i cili tashmë i kishte filluar punimet aty. Prej një ndërtese që nuk kishte furnizim me ujë dhe energji elektrike, dhe që ishte gati e rrënuar, u bë një hapësirë e rregulluar dhe evoluese. Tash kur hyn në “kompleksin” Lumbardhi e ndien një erë të fortë të bojës së freskët.
Një frymë e re jete për Lumbardhin
Lumbardhi si hapësirë filloi të bëhej më së shumti aktive në vitin 2015 pas themelimit të Fondacionit Lumbardhi, i cili e mbajti një program të shkurtër të ngjarjeve në pjesën e jashtme të kinemasë. Për një sezonë të shkurtër tremujore pati shfaqje të filmave, koncerte, festivale, ligjërata; Shporta thotë se ishte kryesisht program ad hoc, si provë për potencialin e hapësirës.
Sa i përket programit, Shporta ka qenë shumë i zënë duke u munduar që. ta kuptojë se çfarë i përshtatet audiencës së Prizrenit, dhe gjatë këti procesi, ta krijojë gjithashtu një identitet për këtë hapësirë. “Synimi është që të shndrrohet Lumbardhi në një qendër shumëfunksionale kulturore”, thotë ai. “Gradualisht po bëjmë prova, dhe ky është procesi. Duam që të jetë hapësirë që vazhdimisht prodhon jetë kulturore në Prizren. Platformë për debate dhe diskutime për çështje të rëndësishme sociale dhe publike, të cilat i prekin të gjithë. Të jetë një institucion që mendon, prodhon dituri, kritikon dhe përfshinë njerëz”.
Shporta thotë se ekipi i tij po mundohet që ta arrijë këtë duke e pasë një hapësirë të hapur për njerëz, dhe duke lansuar nisma për përdorimin e saj, e njëkohësisht duke kontribuar në të. “E shohim Lumbardhin si platformë shumë të rëndësishme e cila do të punojë drejtë të ardhmës më të mirë për qytetin – vend i cili do të sjell organizime dhe do të bashkojë grupe e komunitete të ndryshme”.
Sipas Demirtas, arkitekti i parapërmendur, fasada do të jetë e hapur për prodhime artistike, grafike dhe sociale. “Lumbardhi është ndërtesë interesante, bash pranë lumit. Është hapësirë publike shumë afër qendrës, por çuditërisht ia ka kthyer shpinën”, thotë Demirtas. Ajo mendon se një strukturë e hapur, e gjallë dhe e bukur si kjo duhet të flet me qytetin në shkallë urbane, e me shpresë edhe “në shkallë botërore”.
Prandaj ekipi po punon për ta bërë fasadën kanavacë në të cilën mund të projektohen, printohen ose pikturohen vepra artistike. Kuratorët e fasadës ndërrohen çdo tre deri në gjashtë muaj, ose ndonjëherë edhe çdo vit, në mënyrë që të ketë ndryshim të vazhdueshëm. “Asgjë nuk duhet të mbetet e fiksuar. Gjërat duhet ta zëvendësojnë njëra tjetrën, e pastaj duhet të akumulohen”, shton Demirtas.
Fondacioni gjithashtu ka bërë marrëveshje me shoqërinë Kulturore Artistike Agimi, për t’i lejuar pesë seksione artistike të tyre që të ushtrojnë e mbajnë prova të Lumbardhi. Gjithashtu janë duke biseduar aktualisht me Orkestrën e Qytetit, me grupe të ndryshme amatore teatrale, dhe me të rinj tjerë të talentuar. Ky fondacion ka për synim që t’ua sigurojë të gjitha këtyre grupeve një vend të cilin mund ta quajnë shtëpi, e në të cilin mund ta praktikojnë zanatin e tyre, e t’i shprehin talentet e tyre.
Por Fondacioni Lumbardhi nuk ka për qëllim që t’u ofrojë strehim vetëm individëve dhe nismave që merren me arte. Shporta thotë se kanë mbajtur takime edhe me grupe si Open Space Community dhe FloSSK, dhe se po synojnë që të krijojnë një ekip prej këtyre organizatave, i cili do të operojë në një pjesë të ndërtesës e do të punojë për të gjetur zgjidhje teknologjike për probleme praktike në sferën publike.
Hulumtimet, ose faza hulumtuese që synon krijimin e identitetit të Lumbardhit, do të vazhdojë edhe për një vit e gjysmë, thotë Shporta. Mundësitë për Lumbardhin janë të shumta, dhe aktualisht ata kanë plane që të vazhdojnë me programin e filmit, muzikës dhe arteve performuese.
Ka gjithashtu plane për disa koncerte të ëmbla dimërore, sepse Shporta thotë “kurrë në jetë nuk kam qenë në një koncert gjatë dimrit në Prizren”. Me shpresë këtë dimër Prizreni do ta ketë një vend për të mbajtur performanca muzikore, por nëse jo sivjet, populli i Kosovës është mësuar të pres vitin e ardhshëm, e të ardhshëm, e të ardhshëm… Më mirë vonë se kurrë.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.