Nuk e mbaj mend saktë sa vjeç isha, me siguri shtatë apo tetë. Isha në supermarket dhe babi donte të blinte një telefon të ri.
Ai ishte duke folur me shitësin dhe nuk mund t’i kuptonte disa gjëra teknike sepse kishte njohuri bazike të gjuhës italiane. Unë isha përkrah tij. E kuptoja se çfarë po ndodhte dhe hyra në bisedë mes tij dhe shitësit. Falë intervenimit tim, gjithçka shkoi mirë. Babi bleu telefonin e ri dhe u kthyem në shtëpi të lumtur.
Nga ajo ditë, fillova të besoj që jam superhero. Djali i vogël i cili mund të kuptonte dhe të ndërlidhej me të gjithë, shqiptarët dhe italianët. Një superhero i vogël i cili mund të ndreqte çdo situatë e cila kërkonte dikë që mund të përballonte këto dy gjuhë. Nuk ishte askush si unë rrotull. Kështu që po, isha superhero.
Kur rritesh si fëmijë i migrantëve duhet të përballesh me situata të tilla në përditshmëri. Bëhet aq normale sa mësohesh me këtë. Sa më shumë që rritesh, as më shumë e kupton që je një lloj ure. S’e përshkruaja më veten si hero dhe fillova të ndihesha si urë. Detyra ime ishte të ndërlidhja dy kulturat të cilave u përkisja.
Por kishte një problem: këto dy kultura ishin të vështira për t’i ndërlidhur.
Qëndrova pozitiv, i premtova vetes që do ta kryeja detyrën. I premtova vetes që do të bëja të gjitha gjërat që prindërit kërkonin prej meje; do të studioja, kurrë nuk do të shkaktoja probleme, do të gjeja një punë dhe do të arrija qëllimin që ata kishin për mua: një të ardhme më të mirë. Kam menduar që ajo është mënyra më e mirë për ta përfunduar detyrën.
Bëra gjithçka, i arrita rezultatet të cilat kurrë nuk mendoja që do të mund t’i arrija.
Por fatkeqësisht, në moshën 28-vjeçare, tash e kuptoj që shprehja “një e ardhme më e mirë” ishte vetëm shprehje — asgjë më shumë.
E kuptoj që për gjeneratën e prindërve tanë, gjëja më e rëndësishme është nderi i tyre, jo lumturia jonë. Sepse nuk ka arritje që do të të bëjë të ndihesh më mirë se sa një vajzë apo një djalë i cili ndjek kulturën shqiptare.
Një kulturë e cila do që ti të gjesh një partner shqiptar; një kulturë e cila do që ti të ndërtosh një familje. Një kulturë që të gjykon nëse nuk ke djalë e që shpie deri te disa aborte selektive. Në kulturë që pretendon se një grua është kolateral që së pari i takon babait të saj e më pas burrit të saj. Një kulturë që i jep një burri fuqi të plotë mbi gruan e tij. Një kulturë që të gjykon për çdo zgjedhje që ti bën.
Ti mund të bëhesh personi më i suksesshëm në glob por ata persona që janë duke bërë të njëjtën gjë si prindërit e tyre, thjesht duke qenë kopje e tyre, të cilët kurrë nuk kanë provuar të jenë diçka ndryshe apo diçka më mirë, epo, këta janë ata që i bëjnë gjërat “si duhet”. Personat për t’i marrë si shembull, sepse nderi dhe çka thonë të afërmit dhe personat e komunitetit janë më të rëndësishme se lumturia jote. Ti duhet të jesh si ata që ndjekin kulturën, jo të mundohesh të jesh vetvetja.
Duke folur me bashkatdhetarë dhe persona të kombësive të tjera të cilët janë rritur si unë, e kam kuptuar që askush kurrë nuk më ka pyetur se si ndihem. Si ka qenë të jetosh ashtu? Si ka qenë të mundohesh të jesh superhero apo urë? Askush nuk më ka pyetur, sepse askush nuk e ka kuptuar se çfarë isha duke bërë. Jam i sigurt që është njësoj për të gjithë ata që janë rritur si unë — dhe që është presion tejet i madh për ta mbajtur mbi supe.
Në vend të kësaj, fokusi gjithmonë ka qenë në një gjë: “Çfarë do të thonë njerëzit.”
Shumica e bashkatdhetarëve të mi rreth botës nuk ndihen të lirë të zgjedhin rrugën e tyre. Ata e dinë që një martesë mes kulturave të ndryshme, apo orientimi i tyre seksual, apo thjesht zgjedhjet e tyre jetësore do të konsideroheshin turp dhe prandaj do të shkatërronin nderin e familjes.
Është një ndjenjë të cilën e kam pasur ndonjëherë kur isha më i ri: Ideja ime mbi lumturinë ka ndërruar varësisht nga vendi se ku isha.
Jashtë shtëpisë, unë mund të provoja të arrija çfarë doja dhe të isha me të vërtetë i lumtur. Sapo shkelja brenda shtëpisë më duhej të ndërroja idenë e lumturisë dhe ta përshtasja me kulturën time. Kjo do të thotë të pranosh që ka gjëra të cilat kurrë nuk do t’i kem. Është sikur të jesh i varfër dhe ta dish që nuk ta mban xhepi ndonjë gjë.
Jam i vetëdijshëm që është vështirë për gjeneratën e prindërve tanë. Është e vështirë të imagjinosh që një vajzë apo një djalë nuk dëshiron të ketë familje, apo vendos të martohet me dikë që nuk është pjesë e kulturës apo thjesht dëshiron një jetë që është tërësisht ndryshe nga jeta tyre.
Për gjeneratën tonë patjetër që është më e lehtë të mos i ndjekim rregullat. Ne jemi rritur në një periudhë historike plotësisht ndryshe. Asnjëri nga ne nuk ka jetuar nën ndonjë regjim siç kanë jetuar prindërit tanë.
Gjithashtu mund të imagjinoj përvojat si të pyesësh fëmijët e tu të përkthejnë një dokument apo një diagnozë të mjekut për ty, mund të kenë efektin që i bëjnë disa njerëz të ndihen të paaftë apo të turpëruar — nuk dua t’i harroj të gjitha sakrificat që gjenerata e prindërve tanë i ka bërë dhe të gjitha përvojat e vështira të cilat janë dashur t’i kalojnë për ne.
E di si të afërmit gjykojnë familjen me një vajzë apo një djalë që është duke i bërë gjërat ndryshe. E di sa e vështirë është për prindërit tanë t’i dëgjojnë dhe t’i pranojnë këto gjykime. Mund të ndiej që gjenerata e prindërve tanë nuk mund ta përballojë atë lloj të “turpërimit”.
Megjithatë, jam gjithashtu i vetëdijshëm që është punë guximi kur bëhet fjalë për zgjedhjet jetësore të fëmijës.
Nëse ëndrra ka qenë thjesht ta kenë një fëmijë që përsërit gjithçka që ata kanë bërë, atëherë të gjitha sakrificat e bëra për ne nuk kanë shumë kuptim. Nëse “një e ardhme më e mirë” ishte vetëm një shprehje për t’u përdorur rreth të afërmëve dhe të ftuarve, pyes veten pse duhet t’i pranoj të gjitha vështirësitë që ata i kanë përjetuar.
Kur e kupton që kultura, nderi, krenaria vijnë para lumturisë tënde, kjo në mënyrë të qëndrueshme fshin të gjitha shpresat dhe dëshirat që ke për të ardhmen. Jam rritur duke ndryshuar nga të qenët superhero në të qenët urë. Kam arritur një moment kur kam menduar se kam punuar kaq shumë dhe kaq mirë në vete saqë jam bërë urë e fortë, në gjendje të lidhë këto dy kultura në mënyrë perfekte. Kam qenë shumë krenar.
Por kjo nuk ka zgjatur gjatë. Ajo ndjenjë veç është zhdukur dhe tash jam lodhur. Nuk ndihem si një urë e fortë më. Ndihem sikur jam duke u rrëzuar mes dy botëve të mia teksa ura që kam ndërtuar zhduket në distancë dhe nganjëherë më duket që asgjë nuk mund të më ndalojë.
Nuk mendoj që do të provoj të rindërtoj urën ndonjëherë — nuk e kam fuqinë sepse ndërtimi i asaj ure merr energji dhe merr nga një copë të vetes tënde secilën herë. Tash, jam i vetëdijshëm që kur mundohem thjesht të jem i lumtur, të krijoj më të mirën nga jeta ime dhe ta gjej një qëllim, vendimet e mia vetëm do ta lëndojnë dikë.
Vazhdoj të mendoj për ato ditë kur ndihesha si superhero. I marr lakmi vetes. Sa i lumtur dhe krenar që isha. Tash, thjesht ndihem sikur kam humbur aq shumë kohë për asgjë. A ka qenë gjithçka e pavlerë? Ndoshta thjesht është dashur ta zgjedhja anën shqiptare. Ndoshta gjithçka do të kish qenë më e lehtë dhe ndoshta tash do të isha më i lumtur.
Në vend se të jem në mes të një krize identiteti, pa ditur apo kuptuar më se kush jam. I vetëdijshëm që me gjasë kurrë nuk do të arrij idenë time të lumturisë.
Mos vuaj në vetmi
Nëse je duke luftuar me ndjenja të dëshpërimit apo depresionit, mos vuaj vetëm.
Në Kosovë mund të telefonosh Linjën e Jetës mes orës 18:00 dhe 02:00, në mënyrë anonime dhe pa gjykime në 0800 12345.
Mbështetje e ngjashme ofrohet në Gjermani, Zvicër, Itali, Mbretëri të Bashkuar dhe shtete të tjera në Evropë (shih këtu), Shtetet e Bashkuara (shih këtu), Kanadë (shih këtu) dhe plot shtete tjera rreth botës (shih këtu).
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.