Në thelb | Shëndetësia

Lutje publikut për ta paguar trajtimin

Nga - 05.06.2018

Fushatat e mbledhjes së fondeve për financim të kujdesit shëndetësor, të zakonshme në Kosovë.

“Hey Jude, don’t make it bad. Take a sad song and make it better”.

Kjo ishte kënga që Rebeka Rexhepi po e këndonte deri sa po kthehej nga spitali, siç tregon nëna e saj e përlotur, Xheraldina Rexhepi. Rebeka ishte diagnostikuar për herë të tretë dhe të fundit me kancer. “Ishin pika të shumta fokale”, thotë Xheraldina Rexhepi. “As nuk u lodha të mësoja më shumë. Ishte e qartë atëherë”.

Në një qosh të errët të një kafeneje të quajtur Ora afër statujës së Bill Clintonit në Prishtinë, Rexhepi përpiqet t’i rikujtoj disa pjesë të periudhës emocionale prej dy vitesh e gjysmë, që kur e bija e saj u diagnostikua me kancer, e deri në momentin që ajo i referohet si “koha kur na ka lënë”.

Ajo thekson se e vetmja arsye që po e kujton dhe diskuton përsëri këtë tragjedi është se K2.0 janë të interesuar për procesin e mbledhjes së fondeve për trajtim. Ajo shpreson që të “tjerët do të mësojnë diçka nga rasti ynë. Kjo sëmundje është e përhapur në gjithë botën, jo vetëm këtu. Por të tjerët nuk i kanë problemet me financat që i kemi ne”, thotë Rexhepi.

“Vetëm për fonde qante ajo. Ajo e vuante shumë atë pjesë".

Xheraldina Rexhepi për vajzën e saj, Rebekën.

Për qytetarët e Kosovës, vuajtjes nga problemet serioze shëndetësore mund t’i bashkohen disa faktorë të tjerë. Mungesa e kapacitetit të sistemit të shëndetësisë për të ofruar trajtime të caktuara, shpeshherë i detyron qytetarët të përpiqen të udhëtojnë për në spitale jashtë vendit, e këto udhëtime shoqërohen me ndërlikime në formë të vizave dhe kostos së lartë të faturave mjekësore.

“Vetëm për fonde qante ajo”, kujton Xheraldina Rexhepi, plot emocione. “Ajo e vuante shumë atë pjesë, sepse ishte e bindur se ishte në një spital ku mund të shërohej, por nuk dinte se a do të arrinim t’i mbledhnim fondet”. Ajo pushon për një kohë, pastaj thekson përsëri: “Atë pjesë e vuajti shumë”.

Rebeka kishte qenë e sëmurë për tre muaj para se të diagnostikohej. Ndoshta është gripi, i kishte thënë një doktor, apo ndoshta pankreasi, një doktor tjetër. Nënë e bijë u endën nëpër salla të spitalit deri sa e morrën lajmin e tmerrshëm. “Momenti kur ma komunikuan diagnozën e të bijës sime, unë i kisha vetëm 70 euro, madje në dollarë, sepse më kishin mbetur nga një dhuratë 100 dollarëshe që e dha babai i saj”, thotë Rexhepi.

Pavarësisht tmerrit, Rexhepi morri thirrje nga disa prej miqve të saj të cilët i thanë mos të merakoset për para dhe të përqendrohet ta gjejë një spital të përshtatshëm për trajtimin e të bijës. “Por sigurisht se isha e shqetësuar!”, thotë Rexhepi. “Ishte një prej frikave më të mëdha dhe pasi e gjeta spitalin, e vetmja frikë”.

Rebeka Rexhepi kishte nevojë për trajtim të shtrenjtë jashtë vendit. Miqtë e nënës së saj, Xheraldinës, e nisën një fushatë të mbledhjes së fondeve për t’i ndihmuar familjes që t’i mbulojë faturat mjekësore, që në fund arritën një total prej 300,000 euro. Foto nga Xheraldina Rexhepi.

Por miqtë e saj nuk u ndalën me kaq. Ata e nisën një fushatë të mbledhjes së fondeve, të cilën Rexhepi e përcjelli kohë pas kohe. “Po ta dija në fillim sa para do të më duheshin, ndoshta nuk do ta kisha patur kurrë fuqinë për të filluar”, thotë ajo. Totali për trajtim në spital, faturën e së cilit e morri së fundmi, “ishte rreth 300,000 euro”.

Fushatat për mbledhje të fondeve për trajtim të Rebekës jashtë vendit u nisën nga shumë njerëz, të rinj dhe të vjetër, të njohur dhe të panjohur, kompani dhe individë, por të gjithë e kishin një të përbashkët: Të gjitha paratë dërgoheshin në një llogari bankare zyrtare. Paratë nuk ipeshin në dorë.

Në një rast, Rexhepi dëgjoi se një burrë i ri e kishte marrë fëmijën për dore dhe po shkonte derë më derë duke kërkuar para në emër të Rebekës. “Ai nuk ishte djalë i keq, por thjeshtë i varur nga droga”, thotë Rexhepi. Ajo e kuptoi se kush ishte ai, i shkroi, dhe më pas ai u ndal.

“Neve na ndihmoi e gjithë Kosova, duke i mbledhur rreth 50,000 euro”, thotë Rexhepi. “Por duhet të them se, kryesisht na ndihmuan miqtë dhe familjarët. Për shembull, nëse në Evropë janë mbledhur 3000 euro, 2800 u dhanë nga miqtë dhe familjarët tanë”.

Shteti i Kosovës e ka themelaur një program të quajtur Programi për Trajtim Mjekësor Jashtë Shërbimit Publik të Shëndetësisë, ku një panel i përbërë nga tre doktorë vendos për të dhënë ndihmë financiare për trajtim në klinika private, në Kosovë apo jashtë vendit si dhe përqindjen e fondeve të ndara.

“Herën e parë i morrëm 100 përqind të fondit [që ishte në dispozicion, domethënë 30,000, e herën e dytë i morrëm 60 përqind, domethënë 18,000”, kujton Xheraldina. “Por shtytja e parë erdhi nga personat të cilët i kam shumë të afërt, të cilët më dhanë fonde dhe më thanë të mos i tregoja askujt”.

Mbledhja e fondeve s’ndalet kurrë…

Ndonëse pjesa më e madhe e mbledhjes së fondeve për Rebekën u zhvillua para gati pesë viteve, ky proces i mbledhjes së fondeve në bazë publike për të ndihmuar me pagesa për trajtim mjekësor është ende i zakonshëm në ditët e sotme. Në muajt e parë të vitit 2018, kemi parë disa fushata publike të cilat kishin për synim mbështetjen e personave që ballafaqohen me fatura të shtrenjta mjekësore.

Një rast i tillë, e ka marrë formën e disa ngjarjeve të organizuara nga komuniteti artistik për mbledhje të fondeve për Bekim Lumin, regjisor i teatrit dhe profesor në Akademinë e Arteve. Në këtë fushatë janë përfshirë disa organizime, ankande me punime artistike, shfaqje teatrale dhe një fushatë online e përqendruar rreth një faqes Gofundme.

“Tani kanë kaluar gati dy vite që Bekimi po ballafaqohet me kancer, dhe për një kohë të gjatë ai nuk deshi ta publikonte”, thotë Jeton Neziraj, koleg dhe mik i Lumit, dhe gjithashtu anëtar i një grupit të vogël të artistëve të cilët po mundohen ta drejtojnë fushatën e mbledhjes së fondeve. “Deri në janar, ai u ballafaqua vet me sëmundjen, me ndihmë dhe mbështetje nga familja dhe miqtë të cilët ofruan ndihmë vullnetare”.

Lumi së fundmi e nisi një program më intensiv të kimioterapisë, të cilin Neziraj e përshkruan si “super të shtrenjtë”, duke zbuluar se kosto është rreth 10,000 euro në muaj. Me gjithë këtë situatë të zymtë financiare, Lumi ngurroi ta publikonte rastin dhe Neziraj pranon se ata vepruan pa miratimin e tij.

Përveç që mbledhi fonde për trajtim, fushata për t’i ndihmuar regjisorit të teatrit, Bekim Lumit, gjithashtu ndihmoi me bashkimin e skenës së artit, e cila ndonjëherë karakterizohet nga konfliktet. Foto nga Bekim Lumi.

“E nisëm fushatën në mënyrë më të brendshme, domethënë duke dërguar email individualisht”, kujton Neziraj. Ndonëse reagimi për këtë fushatë të lokalizuar nuk sjelli shumë të hyra, lajmi për problemet shëndetësore me të cilat po përballej drejtori u përhap në media, dhe kështu fushata “pothuajse aksidentalisht shkoi në drejtimin e duhur”.

Në këtë periudhë, edhe pse Lumi ende nuk e miratonte fushatën, ai pa dashje e bëri një kontribut tjetër të madh në botën e artit të Kosovës, duke e bashkuar komunitetin artistik, që ndonjëherë karakterizohet nga konfliktet, për një synim të përbashkët.

“Një komunitet i cili është i copëtuar, i tjetërsuar, e madje edhe mjaft i ashpër, u bashkua për një kauzë humane”, thotë Neziraj. “Ishte magjepsëse për mua kur pashë jo vetëm artistë, por edhe njerëz të tjerë, duke u bashkuar për të kontribuar, dhe për të menduar mënyra se si të organizojnë ngjarje të ndryshme, të cilat ishin pjesë e fushatës së mbledhjes së fondeve”.

Neziraj e konsideron fushatën të ketë qenë shumë e suksesshme. Ai beson se janë mbledhur fonde të mjaftueshme, dhe nëse ka nevojë, ai është i sigurt se një tjetër fushatë do ta sjellë rezultatin e dëshiruar.

Solidariteti mbulon kostot

Fushatat e sukseshme nuk janë vetëm për personat që janë të njohur në shoqëri. Dy fushata të cilat u zhvilluan së fundmi për të mbledhur fonde, tregojnë se pa marrë parasysh kush është pacienti, solidariteti që e mbajti shtetin paralel në Kosovën e viteve të 90-a ende është i gjallë dhe i pranishëm.

Më herët gjatë vitit, një burrë i ri nga Vushtrria, Qëndrim Aliu, kishte nevojë për një ndërhyrje të shtrenjtë kirurgjike në Turqi, për shkak se vuante nga një formë e rrallë e kancerit e cila ishte manifestuar në fytyrën e tij, duke shkaktuar deformime. Në fillim të majit, familja Aliu e publikoi një lutje nëpër portale të lajmeve, dhe ajo u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale. Brenda tri ditëve, familja i mbledhi të gjitha fondet e nevojshme, rreth 200,000 euro. Dy ditë më vonë, Aliu fluturoi për në Turqi për ta kryer trajtimin.

Një rast tjetër është ai i Sara Hana Kitmir, një vajzë 11 vjeçare nga Prizreni e cila ka nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjike në ijë dhe kurriz. Babai i saj, Hilmisellasi Kitmir, kujton historinë e fatkeqësisë së të bijës dhe përpjekjet e tij për të gjetur zgjidhje e për t’i dhënë fund vuajtjes së saj.

“E kam ditur që vajza ime ka problem mjekësor prej kur ishte 3 muajshe. Kur e vendosëm në rrethin për ecje [për fëmijë] pamë se njërën këmbë e kishte më të shkurtër”, kujton Kitmir. “Kur shkuam te doktori, ai tha se njërën këmbë e ka 3 centimetra më të shkurtër”. Ndërhyrja kirurgjike kushtonte 4000 euro në atë kohë, e familja nuk i kishte këto të holla.

Duke u rritur e duke ecur, Sara i bënte presion këmbës tjetër, dhe kështu filloi të ndjente dhimbje në ije, nyje dhe shpinë. Kitmir thotë se, gjatë viteve shëndeti i saj është përkeqësuar në mënyrë progresive. Tani ajo nuk mund të ecë më shumë se 10 metra pa pushuar, për shkak se shpina e saj po deformohet gjithnjë më shumë.

Nevoja urgjente e Sara Kitmir për një ndërhyrje kirurgjike bëri që të nisej një fushatë tjetër për mbledhje të fondeve, e përqendruar në Prizren. Foto nga Hilmisellasi Kitmir.

Përveç problemeve financiare, Kitmir kishte arsye të tjera që nuk e operoi vajzën e tij më herët. Para tetë viteve atë e paralajmëruan se operacioni i ndërlikuar dhe i domosdoshëm vjen me rrezikun e shkaktimit të paralizës nëse zhvendoset ndonjë nerv në boshtin kurrizor. Kitmir ka përvojë me vuajtjet që shkakton paraliza, për shkak se vëllai i tij ishte i paralizuar nga lindja. Ai kishte frikë se i njejti fat po e pret të bijën e tij.

Megjithatë, tani ekziston mundësia për ta kryer operacionin në Turqi, me teknologji më të përparuar, që e ulë rrezikun për ndërlikime, por me kosto më të lartë, deri në 16,000 euro. Kitmir aplikoi në Programin për Trajtim Mjekësor Jashtë Shërbimit të Shëndetësisë Publike, ku fitoi fonde. Por atë e paralajmëruan se mund të kalojë një periudhë kohore deri sa të materializohen këto fonde, për shkak të listës së gjatë të pritjes.

Për shkak se nevoja për ndërhyrjen kirurgjike po rritet çdo ditë e më shumë, Kitmir kërkoi mënyra tjera për të mbledhur fonde për të bijën e tij. Gjatë këtyre përpjekjeve, ai u takua me Nora Bajraktarin.

“Kur e njoftova për herë të parë, ai vajtonte për vajzën e tij dhe ndjeva keqardhje sepse po endej duke mos ditur tek cila derë duhet të trokas”, kujton Nora Bajraktari, e cila bashkë me burrin e saj Bleron Haxhifazliun dhe shoqen e saj Deha Emiri, vendosën ta organizojnë një fushatë për mbledhje të fondeve për Sarën.

“Deha, Bleroni dhe unë vendosëm ta postonim këtë kauzë në një grup në Facebook të quajtur Prizrençe, ku pjesëtarë janë vetëm njerëzit e Prizrenit. Ne i njohim 90 përqind prej tyre”, thotë Bajraktari.

Ajo nuk priti shumë, por reagimi ndaj fushatës ishte një befasi e këndshme. “Për shkak se nuk kisha mundësi të mbledhja para derë më derë, e lamë një kuti në kafenenë e babait tim”, thotë ajo. “Kutia u mbush shumë shpejtë”.

“Sinqerisht, nuk kam pritur kurrë një reagim të tillë prej njerëzve. Kurrë nuk do ta kisha përfytyruar se do të vepronin kaq shpejtë”.

Hilmisellasi Kitmir

Përveç njoftimeve në grupin në Facebook, ajo po i njoftonte të gjithë personat që i njihte për fatkeqësinë e Sarës, prej nënës së saj tek kushërirët dhe miqtë, kudo që ishin në këtë fshat global. Kam kushërirë në Evropë dhe ata dërguan shumë para. Disa miq të mi në Norvegji ndërmorrën nisma duke shitur keksa dhe biskota dhe pastaj i dërguan paratë e fituara në llogarinë bankare të këtij zotëriut”, thotë Bajraktari.

Që të tre, gjithashtu e mësuan Kitmirin se si t’i përdorë rrjetet sociale dhe ja hapën një faqe në Facebook. “Nora më ka ndihmuar me Facebook dhe Instagram dhe gjithçka. Ajo më mësoi se si të kyçem dhe shkroi gjithçka, sepse unë nuk di ta përdori mirë internetin”, thotë Kitmir.

“Sapo e publikuam në Facebook, njerëzit filluan të na ndihmonin dhe kështu mblodhëm shumë fonde, gati gjysmën. Sinqerisht, nuk kam pritur kurrë një reagim të tillë prej njerëzve, sepse mendoja se ka shumë njerëz të tjerë të cilët janë në gjendje shumë më të keqe se e bija ime. Kurrë nuk do ta kisha përfytyruar se do të vepronin kaq shpejtë”.

Fushata veç se ka sjellë një rezultat pozitiv. Tani një kirurg turk do ta vizitojë Prizrenin për ta operuar Sarën në spitalin Ortomedica në Prizren në fillim të qershorit. Për shkak se nuk kanë kosto të udhëtimit dhe spitali ka ofruar zbritje në koston e operacionit, fushata veç se ka mbledhur fonde të mjaftueshme për ta mbuluar faturën.

Këto raste të mashtrimit janë vetëm një nga aspektet e pakëndshme të krijuara nga një situatë në të cilën qytetarët detyrohen të mbledhin fonde për t’i mbuluar nevojat shëndetësore.

Ndonëse vite më vonë, zemërgjërësia që e përjetoi Xheraldina Rexhepi, ende është e pranishme në shoqëri, njëlloj është edhe fenomeni i shfrytëzimit të fushatave për përfitime personale – shpeshherë raportohen raste të mashtrimit. Në bisedë me Kohën Ditore muajin e kaluar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se në vitin 2017 policia i trajtoi rreth 40 raste të fushatave mashtruese të bazuara në mbledhje të fondeve për kosto mjekësore.

Këto raste të mashtrimit janë vetëm një nga aspektet e pakëndshme të krijuara nga një situatë në të cilën qytetarët detyrohen të mbledhin fonde për t’i mbuluar nevojat shëndetësore, e përveç asaj duhet t’i publikojnë problemet e tyre shëndetësore dhe të përballen me stresin e shkaktuar nga pasiguria e përpjekjeve të tyre për mbledhje të fondeve.

Ndonëse zemërgjërësia dhe solidariteti i njerëzve brenda dhe jashtë vendit kanë bërë që ata të ofrojnë fonde për të garantuar trajtimin për shumë qytetarë të Kosovës, kjo situatë ka një kosto të lartë dhe duhet të adresohet urgjentisht.

Foto kryesore nga Hilmisellasi Kitmir.

Redaktuar nga Jack Robinson.

Kthehu në Monografinë e Shëndetit