Në dekadën e fundit Kina ka shtuar dukshëm praninë e saj në Ballkan, duke forcuar marrëdhëniet me qeveri të ndryshme, synuar sektorë të veçantë të bashkëpunimit dhe duke ofruar stimuj ekonomikë në formë qasjeje në treg, financimit të zhvillimit dhe investimeve. Megjithatë, një vend ka mbetur vërejtshëm i pa përfshirë në këë model: Kosova. Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka krijuar lidhje diplomatike me të.
Pozicioni zyrtar i Kinës është se e respekton integritetin territorial të Serbisë dhe media shtetërore kineze ende e përshkruan Kosovën si “krahinë autonome” nën sovranitetin serb. Pavarësisht linjës zyrtare partiake, shumë në Kinë janë të vetëdijshëm se “pavarësia e Kosovës si shtet është tashmë një fakt i pakthyeshëm”.
Teksa pozicioni i Kinës për Kosovën ka qenë konstant përgjatë gjithë viteve, ndryshimi i peizazhit gjeopolitik dhe polarizimi në rritje mes Lindjes dhe Perëndimit mund të ndikojë që Kina të angazhohet më shumë lidhur me Kosovën për një sërë arsyesh.
Së pari, rritja ekonomike e Kinës dhe rritja e ndikimit botëror ka çuar në një politikë të jashtme më këmbëngulëse. Së dyti, ngjashmëria e supozuar e statuseve ndërkombëtare të Kosovës dhe asaj të Tajvanit mund të ndikojë që Kina ta rrisë rezistencën e saj ndaj rritjes së njohjes ndërkombëtare të Kosovës si përpjekje për ta penguar Tajvanin të arrijë përfitime të ngjashme. Së treti, gjersa lufta në Ukrainë po vazhdon, ekziston mundësia që Serbia të kërkojë partnerë të tjerë ndërkombëtarë përveç Rusisë në përpjekjen e saj për ta kundërshtuar futjen e plotë të Kosovës në institucionet ndërkombëtare; Qartazi, Kina do të ishte një zgjedhje. Dhe si arsye e fundit, opinioni i brendshëm kinez ndaj Kosovës nuk është pozitiv dhe në masë të madhe favorizon Serbinë.
Deri vonë, Kina e perceptonte Kosovën si problem evropian dhe ishte e lumtur që Bashkimi Evropian (BE) do ta udhëheqë ndërmjetësimin, duke deklaruar se ishte e gatshme të pranonte çdo zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët. Ndryshe nga Rusia, për të cilën dëshmitë sugjerojnë se ka mbështetur në mënyrë aktive Serbinë në lobimin nëpër vendet e treta për ta tërhequr njohjen e tyre ndaj Kosovës, Kina e ka shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë në këtë çështje. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që Kosova të bëhet një mjet pazaresh për Pekinin në përpjekjen e tij për ta fituar kontrollin mbi Tajvanit ose në aspektet e ardhshme të marrëdhënieve të Kinës me Shtetet e Bashkuara (ShBA) ose BE.
Lidhjet me Tajvanin
Ndonëse Tajvani e njohu menjëherë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, Kosova ka hezituar të lejojë edhe marrëdhënie diplomatike joformale me Tajvanin. Sipas disa diplomatëve kosovarë, qëndrimi i vendit ishte aq i kujdesshëm sa që janë përjashtuar edhe marrëdhëniet ekonomike dhe llojet e tjera të shkëmbimeve joformale, të cilat mund të kishin qenë të dobishme për Kosovën dhe jo-kundërthënëse për Kinën.
Zgjedhjet e vitit 2021 në Kosovë dhe shumica parlamentare që erdhi pas tyre mund të çojnë në ndryshime rreth kësaj politike. Në dhjetor të vitit 2021, grupe parlamentare të miqësisë u krijuan si në kuvendin e Tajvanit ashtu edhe në atë të Kosovës me qëllim “rritjen e shkëmbimeve parlamentare, përmirësimin e mirëkuptimit të ndërsjellë midis popullit të Tajvanit dhe Kosovës dhe zgjerimin e hapësirës ndërkombëtare të dy vendeve”. Nëse qeveria e Kosovës vendos ta rrisë edhe më tej bashkëpunimin e saj me Tajvanin, apo edhe të shkojë deri në vendosjen e marrëdhënieve zyrtare, këto mund ta shtyejnë tërthorazi Kinën që të marrë një qëndrim edhe më të ashpër ndaj Kosovës.
Nëse Kosova zgjedh ta shtojë bashkëpunimin me Tajvanin në vend të Kinës, ajo mund t’i forcojë lidhjet me demokracitë liberale që ndajnë të njëjtin mendim, pasi Tajvani po përpiqet t’i përtërijë dhe freskojë marrëdhëniet e tij me një numër vendesh në Evropë dhe në mbarë botën. Megjithatë, meqenëse Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, BE-së, NATO-s apo institucioneve të tjera të ngjashme, nuk do të mund të llogarisë në vendet e tjera për t’i lehtësuar tensionet me Kinën dhe për t’i zbutur pasojat potencialisht negative të kundërshtimit të qëndrimit zyrtar të Kinës, i cili e konsideron Tajvanin si pjesë të Kinës.
Politika e Kinës lidhur me Kosovën
Deri më sot nuk ka asnjë dëshmi se Kina ka mbështetur ndonjë aktivitet që synon pengimin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Nëse Kina do të fillonte të përpiqej ta nënvlerësonte shtetësinë e Kosovës, kjo mund të përkeqësonte tensionet midis Kinës dhe Perëndimit, veçanërisht me ShBA-të.
Roli i Kinës lidhur me Kosovën do të varet kryesisht nga marrëdhëniet midis Pekin-Washington. Nëse të dyja palët arrijnë të vendosin kufij për mosmarrëveshjet e tyre dhe të fillojnë të kërkojnë mënyra për t’i tejkaluar ato, mund të jetë e mundur që të diskutojnë për Kosovën dhe të arrijnë marrëveshje lidhur me çështje të tjera të hapura me interes reciprok dhe botëror. Nëse tensionet kineze-amerikane vazhdojnë të përhapen në çështje që në dukje nuk ndërlidhen (siç është lufta në Ukrainë), në një moment, Kosova mund të bëhet dëm kolateral.
Fati i Kosovës do të varet edhe nga marrëdhëniet e Serbisë si me Kinën ashtu edhe me Perëndimin. Për sa kohë që Serbia afrohet me Kinën, ajo do të përdorë vullnetin e mirë të Kinës për mesazhe politike të brendshme. Vetëm nëse Serbia drejtohet nga më shumë Perëndimi, mund të privohet nga mbështetja e heshtur e Kinës sa i përket Kosovës.
Drejtimi tjetër për autoritetet kosovare do të ishte që të përpiqen dhe të angazhohen joformalisht me Kinën, në mënyrë bilaterale përmes zyrës së saj ndërlidhëse në Prishtinë ose në mënyrë shumëpalëshe në organizatat ku të dy vendet janë anëtare dhe përmes ndërmjetësve — para së gjithash Shqipërisë. Megjithatë, kjo kushtëzohet nga marrëdhënie më të forta kineze-shqiptare, të cilat për momentin janë kryesisht në nivel ceremonial.
Strategjitë alternative diplomatike janë gjithashtu një opsion. Ato mund të jenë në formën e lidhjeve të forcuara mes njerëzve ose diplomacisë kulturore dhe sportive si mjete për ta ndryshuar perceptimin kryesisht negativ të brendshëm kinez për Kosovën. Duke pasur parasysh preferencën e Kinës për të zhvilluar diplomaci ekonomike, ajo mund të ishte e interesuar ta gjente një mënyrë për t’u angazhuar ekonomikisht me Kosovën. Megjithatë, duke pasur parasysh qëndrimin e fortë pro-perëndimor të Kosovës, është e paqartë se deri në çfarë mase do të ishte e gatshme të pranonte përfshirjen ekonomike të Kinës.
Roli i Kinës në çështjen e statusit ndërkombëtar të Kosovës nuk varet vetëm nga Kosova apo Serbia, por është i lidhur me peizazhin më të gjerë gjeopolitik global. Pra, duke pasur parasysh ndërlikueshmërinë e shahut të skenarëve të mundshëm, autoritetet kosovare duhet të mendojnë kujdesshëm për të gjitha opsionet e mundshme dhe pasojat e mundshme të zgjedhjeve të tyre në politikën e jashtme.
Imazhi i ballinës: AK Rockefeller via CC.