Në hyrje të fshatit piktoresk të Lubeniqit pranë bjeshkës me të njëjtin emër, mbi 65 emra të renditur në një memorial përkujtimor shënojnë jetët e humbura më 1 prill të vitit 1999.
Në orët e hershme të asaj dite pranverore, forcat serbe kishin rrethuar tërë fshatin e ndodhur 10 kilometra larg Pejës, në skenarin e paraparë të ndërmarrjeve të spastrimit etnik. I morën burrat e fshatit, i grumbulluan në një pikë dhe i vranë, ndërsa gratë dhe fëmijët i detyruan të ecnin në drejtim të kufirit të Gjakovës me Shqipërinë. Për banorët e mbijetuar kjo ishte hera e dytë që u bënë dëshmitarë të krimeve të rënda të luftës. Më 25 maj 1998 Lubeniqi ishte vatër e një masakre tjetër të kryer nga forcat serbe.
Trupat e shumicës së viktimave të masakrave të Lubeniqit u gjetën në lokacione të ndryshme të fshatit, në varrezat në Pejë, dhe shumë të tjerë në varrezën masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit. Por mbi 10 banorë lokalë vazhdojnë të jenë të zhdukur, përfshirë bashkëshortin e Kumrije Jahmuratajt i cili u vra në masakrën e 1 prillit. Ndërsa mbetjet mortore të vjehrrit të saj pushojnë në varrezën e fshatit që prej vitit 2005, kur i kthyen prej Batajnicës bashkë me ato të mbi 800 personave të tjerë, viktima të masakrave të ndryshme gjatë luftës.
Nga shtëpia e saj në Lubeniq, Kumrija rrëfen për K2.0 rreth orvatjeve të saj, humbjes dhe mbijetesës gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Autore: Dafina Halili / K2.0.
Miksimi i zërit: Studio 11.
Imazhi i ballinës: K2.0.
Produksioni: Dibran Sejdiu / K2.0.
—
Ky podcast është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e tij i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian