Në vitin 2015, kur antropologu Matthew Rosen takoi Ataol Kason dhe Arlind Novin nga shtëpia botuese e pavarur “Pika pa sipërfaqe”, menjëherë pati ndjenjën se “ky mund të jetë fillimi i një projekti të ri”. Shtatë vjet më vonë, pas plot ditësh vere që i kaloi duke bërë etnografi rreth praktikave të leximit dhe lidhjen e tyre me jetën shoqërore në Shqipëri, këto biseda tash kanë marrë formën e një libri, “Tirana Modern: Biblio-etnography on the Margins of Europe” (Vanderbilt University Press , 2022), (shq. Tirana Modern: Biblio-etnografia në margjinat e Evropës).
Libri ndjek zhvillimin e “Pika pa sipërfaqe” në një hapësirë letrare alternative dhe gjurmon se si qarkullimi, leximi, përkthimi dhe botimet e librave krijojnë marrëdhënie shoqërore në Shqipërinë post-socialiste. Rosen, i cili është profesor në Universitetin e Ohajos, ndoqi këtë “biblio-etnografi” për ta shqyrtuar se çka bëjnë njerëzit me librat dhe çka bëjnë librat me njerëzit.
K2.0 u takua me Rosen për të diskutuar idenë e biblio-etnografisë, historinë e “Pika pa sipërfaqe” dhe çka na tregojnë për të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit, shitjen e librave në rrugë të Tiranës.
K2.0: Në “Tirana Modern” e përdorni termin biblio-etnografi për të përshkruar atë që bëni si antropolog. Na trego më shumë për këtë frazë.
Matthew Rosen: Nga marrëdhënia ime me Arlindin dhe Ataolin nga “Pika pa sipërfaqe”, formova idenë e kësaj fjale biblio-etnografi. Është thjesht etnografi, por një etnografi që ka të bëjë konkretisht me marrëdhëniet midis librave dhe njerëzve. Fjala më erdhi si mënyrë për ta përshkruar atë që po bëja me këta botues: po përpiqesha të kuptoja jetën shoqërore në kohën dhe vendin e tyre përmes marrëdhënieve që ata krijojnë me njerëzit dhe institucionet përtej kufijve, nëpërmjet librave.
Si ratë në kontakt me “Pika pa sipërfaqe”? Çka ju shtyri të vendosni ta bëni një etnografi të rrugëtimit të tyre si shtëpi botuese?
Interesi im fillestar, të cilin e kam zhvilluar qe një kohë të gjatë, është në etnografinë e leximit, duke kuptuar se si praktika e tanishme e leximit krijon marrëdhënie shoqërore dhe bën që gjërat të ndodhin në jetët e njerëzve.
Vendi i parë që e shtjellova këtë ide ishte në shkollën pasuniversitare, për kërkimin tim të doktoraturës në Indi, në një qytet të quajtur Pune, në Maharashtra. Përfundova duke bërë etnografi rreth një rrjeti të bibliotekave të gazetave nepër rrugë dhe llojeve të komuniteteve që krijohen për shkak të atyre hapësirave.
Në atë kohë isha në programin e antropologjisë në New School for Social Research (shq. Shkolla e Re për Kërkime Sociale). Aty u takova me Smoki Musaraj, e rritur në Tiranë. E krijuam një lidhje, një martesë. Kështu, pasi mbarova këtë projekt në Indi, e kuptova se derisa e kisha të vështirë të kthehesha dhe të bëja më shumë punë terreni në Indi, shkoja në Tiranë çdo vit sepse Smoki ka familje atje.
Biblio-etnografia për Tiranën shtjellon se si librat dhe botimet krijojnë lidhje të reja shoqërore e intelektuale. Fotografia: Nga Matthew Rosen.
Isha në kërkim të një mënyre për ta zhvilluar këtë etnografi të leximit në Shqipëri. Smoki më tregoi për një librari, “E Për7tashme”. Kjo ndodhi rreth vitit 2015. Kërkova faqen e tyre në Facebook, e pëlqeva dhe në një mëngjes hapa faqen dhe në të ishte një njoftim, ku shkruhej: “Panairi i librit sot — libra të rinj dhe të përdorur”.
Atë ditë shkova duke menduar se do të ishte një ditë e mirë për t’ia filluar punës në terren për projektin e ri. Nuk e dija se “Pika pa sipërfaqe” ekziston. Thjesht shkova [në “E Për7tashme”] dhe pashë që kishte shumë aktivitet. Kishte gjallëri, shumë njerëz.
Çka më la përshtypje menjëherë ishin librat e “Pika pa sipërfaqe”. Smoki ishte me mua atë ditë dhe më ndihmoi t’i krijoja kontaktet. Dhe filluam të flasim.
Gjëja e parë që vura re në raftet e tyre ishte kopertina e romanit të Kurt Vonnegut, “Slaughterhouse Five”, (shq. Thertorja Pesë), sepse kishin përdorur të njëjtin lloj modeli ikonik të kopertinës nga kopja që kisha lexuar në anglisht sa isha adoleshent në shkollë të mesme. Folëm se si rrëfimtari i “Thertorja Pesë” është antropolog dhe studioi antropologji në Universitetin e Çikagos. Edhe Kurt Vonnegut studioi antropologji në Universitetin e Çikagos dhe e kanalizon përvojën e tij në jetën e narratorit.
Patëm një bisedë shumë të mirë, u lidhëm menjëherë. Isha shumë i lumtur, mendova se ky do të ishte fillimi i një projekti të ri. Kështu fillova të shkoj çdo ditë në “E Për7tashme”. [Duke folur me Arlindin], fillova të mësoja për këtë shtëpi botuese, si e kishin formuar dhe çka kishin në plan. Vazhdoja t’i bëja pyetje Arlindit për librat, botimet dhe përkthimet. Përgjigjet e tij gjithmonë shumë shpejt iknin nga tema e librave kah një kritikë sociale e përditshmërisë në Tiranë, për dhunën dhe korrupsionin.
Ky ishte fillimi i një marrëdhënieje që është ende vazhdon, ku e kam përdorur këtë nocion të biblio-etnografisë për të folur për librat dhe autorët/et si një mënyrë për të bërë një analizë sociale të asaj që ka më së shumti rëndësi për njerëzit, si e shohin dhe përjetojnë jetën e tyre.
Në librin tuaj flisni për “të lexuarit pranë [reading nearby]” si reflektim për leximin si një aktivitet shoqëror kolektiv.
Një ndjenjë e të të lexuarit pranë është përdorimi i leximit si mënyrë për të krijuar marrëdhënie shoqërore dhe jetë shoqërore — si teknikë e etnografisë. Mënyra tjetër nënkupton të gjitha llojet e projekteve dhe partneriteteve që shtrihen jashtë nga një praktika e të lexuarit. Historia se si u formua kjo shtëpi botuese është shembull tipik se çka nënkupton kjo ide e të lexuarit pranë. Kështu në libër unë e tregoj sërish historinë që ma kanë treguar Arlindi dhe Ataoli se si janë takuar.
Arlindi përherë ka qenë i fiksuar pas librave. Është nga Elbasani. Filloi të punonte në një librari në Elbasan para se të zhvendosej në Tiranë. Sa ishte në Tiranë ai iu kthye disa lidhjeve që i kishte nga Elbasani. Pjesë e idesë së të lexuarit pranë është t’i kushtosh vëmendje të gjitha llojeve të lidhjeve që kalojnë nëpër kanale letrare. Pra, puna e tij në librarinë e Elbasanit erdhi përmes lidhjes së tij me Pëllumb Zekthin, vëllain e Rudian Zekthit, që është një lloj partneri i poetit Ervin Hatibi, përmes një reviste letrare të krijuar në vitet e ’90-ta në Tiranë, që quhej “E Për7tashme” — që është edhe emri i librarisë ku takova për herë të parë Arlindin dhe Ataolin.
Ataoli lëviz në një rreth tjetër në Tiranë, por gjithmonë ishte i interesuar të gjente kopje fizike të vjetra të kësaj reviste “E Për7tashme”, që kishte vetëm katër botime në vitet e ’90-ta. Ishte në kërkim nëpër të gjitha vendet e ndryshme ku mund të shkosh në Tiranë për të kërkuar një ditar të vjetër të viteve të ’90-ta. Kështu, shkon në “E Për7tashme”.
Libra të rinj nga Tirana “që qarkullojnë, në vende si Prishtina, gjen lexues/e të rinj/reja dhe krijon lloje të reja të realitetit shoqëror”, tha Rosen.
Aty takohet me Arlindin, i cili mbrëmjeve punonte në librari, sa ishte duke ndjekur studimet. Ataoli i thotë: “A e keni këtë ditar?” Arlindi i përgjigjet: “Jo, nuk e kemi”. Por pastaj nisin e bisedojnë: “Oh, ti ke njohuri për atë ditar”. Kjo hap një marrëdhënie të re që pas shumë vitesh kthehet në një partneritet biznesi. Ideja e krijimit të kësaj shtëpie botuese në të vërtetë nis nga hiçi — thjesht një takim mes dy shokësh, që po flasin për një libër që duan ta përkthejnë në shqip dhe pastaj janë në kërkim të dikujt që ndoshta dëshiron ta botojë dhe nuk gjejnë një të tillë që është shumë i interesuar ta botojë, por që pastaj thonë, mund ta bëjmë vetë.
Ajo pikë çelë krejt këtë univers ku sot ke një shtëpi botuese me një regjistër prej mbi 120 librash. Secili prej atyre librave që qarkullon, në vende si Prishtina, gjen lexues/e të rinj/reja dhe krijon lloje të reja të realitetit shoqëror që përndryshe nuk do të ekzistonin kurrë.
Më trego më shumë për tregjet ambulante të librit të Tiranës.
E kam këtë ide që qarkullimi i librave në rrugë është një lloj indeksi, njësoj si indeksi në pjesën e pasme të një libri. Ndiej se librat nëpër rrugë kanë vlera indeksuese. Kur endesh atypari, nuk mund të mos e vësh re praninë e tyre dhe më pas e shikon një libër të veçantë dhe mendon: çka tregon ai?
Disa tregojnë historinë e komunizmit shumë të ashpër, nga viti 1944 deri në 1991. Kur shikon se cilët janë titujt rrugëve të Tiranës sot, e sheh Enver Hoxhën, Stalin, Lenin, Marx, Engels dhe libra të shkruar në stilin shqiptar të realizmit socialist. Këta janë librat që ende qarkullojnë nëpër rrugë sepse janë botuar me bollëk kur nuk lejohej të botohej asnjë libër tjetër.
Në kohën e komunizmit ekzistonte ky projekt i madh botues, që synonte të krijonte një formë të re të ndërgjegjes, moralin e klasës punëtore. Pra, ke një shtëpi botuese shtetërore që boton mijëra kopje të këtyre librave dhe këta janë të vetmit libra që janë në dispozicion. Pas rënies së sistemit, njerëzit thonë: “Çka do të bëj unë me këto libra?”
Një tjetër indeks që tregohet është migrimi masiv gjatë viteve të ’90-ta. Kur njerëzit ikin jashtë vendit në kërkim të diçkaje tjetër, një nga gjërat që nuk e marrin me vete është një kuti e madhe me libra të rëndë. E gjejnë një librashitës për t’ia shitur ose thjesht i hedhin në mbeturina. Kjo tregon për indekse të tjera se si librat përfundojnë duke u shitur në rrugë përmes rrjeteve të komunitetit rom e egjiptian në Tiranë, të cilët kalojnë nëpër çdo vend të mbeturinave të qytetit dhe gjejnë gjithçka me vlerë që mund të shitet dhe pastaj e çojnë në treg në periferi, ku shkojnë shitësit e librave dhe i mbledhin ato libra me çmim shumë të vogël dhe më pas i fusin sërish në qarkullim.
Këta janë librat që ende qarkullojnë nëpër rrugë sepse janë botuar me bollëk kur nuk lejohej të botohej asnjë libër tjetër.
Pra, ne mund të fillojmë t’i shohim të gjitha format e marrëdhënieve shoqërore, tregjet joformale dhe shitësit. Kjo është njëra nga gjërat për të isha shumë i interesuar. Si e siguron jetesën prej kësaj? Çka të bën të vish në park që të shesësh libra? Dhe kjo hap përvoja të ndryshme. Ndoshta ke hyrë në epokën e re të realitetit shqiptar me një disavantazh strukturor, sepse ke qenë i/e persekutuar gjatë komunizmit. Ose ke pasur një punë të mirë dhe ke qenë i/e respektuar sepse ke qenë anëtar/e i/e Partisë Komuniste, të cilën e humbe gjatë tranzicionit.
Këto janë tregimet që i nxjerr duke parë ato libra në rrugë. Dhe e zbulova po ashtu se është një lloj komuniteti, pothuajse si familje që ekziston mes shitësve dhe mbledhësve, njerëzve që kërkojnë çdo ditë për të mbledhur libra. Në njëfarë mënyre, është një familje jofunksionale sepse ka konflikte.
Një mënyrë tjetër se si librat përfundojnë në rrugë është kur njerëzit vdesin. Ata lënë pas një raft me libra dhe njerëzit nuk dinë çka të bëjnë me ta. Familja shpesh thjesht dëshiron t’i heqë qafe librat, i shesin në rrugë, i hedhin në plehra, por pastaj ata libra gjejnë rrugën për në koleksionin e dikujt si Arlindi. Dhe tani disa prej tyre gjenden në bibliotekën e këtij komuniteti të ri leximi.
Sipas jush, cili është dallimi mes mënyrës se si njerëzit angazhohen me libra gjatë periudhës socialiste dhe tani?
Nëse po mendon për idenë e leximit si një mënyrë për të krijuar një komunitet të imagjinatës, mënyra se si e shoh unë, vetëm nga bisedat me njerëz, është se gjatë socializmit, ekzistonte një komunitet shumë i definuar i imagjinatës, ku pothuajse të gjithë ata/o që lexonin libra, lexonin të njëjtit libra. Kushdo që ishte lexues/e, lexonte këtë grup kanonik të letërsisë që u përkthye gjatë socializmit, sepse nuk kishte shumësi të zgjedhjeve. Nëse ke qenë lexues/e, atëherë ke lexuar Don Kishotin të përkthyer nga Fan Noli dhe pastaj e ke diskutuar Don Kishotin të përkthyer nga Fan Noli me shoqërinë tënde.
Mendoj se tani zgjedhjet e leximit janë bërë aq të fragmentuara dhe për shkak të kësaj ka komunitete të ndryshme të imagjinatës që ekzistojnë. Pra, ekziston një komunitet i imagjinatës që qarkullon rreth llojeve të librave të botuar nga “Pika pa sipërfaqe” apo “Zenit Editions”. Ata kanë krijuar një lloj të caktuar të komunitetit të imagjinatës që kalon në Kosovë dhe në mbarë botën.
Megjithatë, nëse flas me njerëz në librari të tjera të Tiranës dhe përpiqem ta zbuloj se çka po lexojnë njerëzit, është krejt ndryshe.
Botimi i librit të Lea Ypit, “Të lirë: Të rritesh në fund të historisë” në Shqipëri shkaktoi një vorbull reagimesh polarizuese. E keni përcjellë debatin në Shqipëri për librin e saj?
Nuk e kam përcjellë nga afër. Por jam i vetëdijshëm për të. Mendoj se kjo është simptomë e një fushe jashtëzakonisht të politizuar e prodhimit kulturor në Shqipëri.
Po e krahasoj atë me Shtetet e Bashkuara ku diskutimit publik nuk i intereson njëmend një libër i tillë. Njerëzit nuk zhvillojnë debate dhe fraksione për një përmbledhje kujtimesh të botuar nga një studiuese si kjo. Nuk iu le përshtypje.
Por në Shqipëri, çka po bëjnë artistët/et, shkrimtarët/et dhe poetët/et bashkëkohorë/e me të vërtetë tregon shumë pasion. Por për shkak se jam i jashtëm në këtë botë sociale, gjithmonë më duket se është një fushë shumë e rrezikshme për t’u futur. Ndihem i përgjegjshëm kur shpreh mendimin tim për librat dhe autorët/et, sepse nxit reagime të tilla të thella te njerëzit.
Gjatë gjithë librit e theksoni se “Pika pa sipërfaqe” ka vazhduar veprimtarinë e saj botuese pavarësisht pasigurisë financiare të vazhdueshme.
Po, ky element më tërhoqi menjëherë. Pikërisht për faktin se janë shokë të rinj, në të 30-at, që formuan një shtëpi botuese dhe tani kanë krijuar një regjistër po aq mbresëlënës dhe po aq të pabesueshëm sa lista e librave që është sjellë në botë nga “Pika pa sipërfaqe” mund të gjendet në biblioteka anembanë botës dhe kjo do të vazhdojë të qarkullojë shumë kohë pasi të kemi vdekur.
M’u duk se duhet të ishin persona të rëndësishëm. Ata duhet të kenë apartamente të bukura dhe të udhëtojnë në Paris, Londër dhe New York. Por realiteti i jetës së tyre është shumë ndryshe. Janë duke e prodhuar këtë vepër, e cila mendoj se duhet vlerësuar njësoj si një botues i njohur ndërkombëtarisht, por Arlindi, Ataoli dhe familjet e tyre janë në nivelin e shqiptarëve të zakonshëm të Tiranës dhe përballen me vështirësi çdo ditë. Po ia dalin edhe pa mbështetjen e shtetit, pa asnjë kapital, që mendoj se duhet investuar në atë që po bëjnë. Vlera që ata po krijojnë është e pamasë. Por po e bëjnë atë me minimumin absolut të buxhetit.
A ke menduar ta përkthesh librin në shqip?
Botuesi im, “Vanderbilt University Press”, ka dhënë një miratim entuziast rreth kësaj ideje. Redaktori i blerjeve me të cilin kam punuar për këtë libër tha se botuesi do t’i jepte të drejtat “Pika pa sipërfaqe” për ta përkthyer librin në shqip. Ai e di se nuk kanë tepricë të madhe kapitali për të investuar në blerjen e të drejtave të këtij libri.
Por Arlindi dhe Ataoli kanë një kod shumë të rreptë të etikës. Mund ta konsiderojnë të papërshtatshme që shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe” ta botojë përkthimin një libri rreth “Pika pa sipërfaqe”. Kështu që, në atë rast, do të më duhe ta gjej një tjetër shtëpi botuese.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.