S`fundmi | Të drejtat e njeriut

Mbi 70 raste të reja të ngacmimeve seksuale

Nga - 07.09.2017

Prishtina, sipas “EcShlirë” me numrin më të madh të raportimeve.

Ajo po e bënte rrugën e zakonshme deri në zyrën e saj në qendër të Prishtinës, pas pauzës së drekës, kur një burrë rreth të dyzetave i kishte dalur pëpara me biçikletë dhe i kishte thënë: “Ta ha cicën”. Me trishtim ajo u largua thuajse me vrap.

E ky është vetëm njëri prej 70 rasteve të reja të ngacmimeve seksuale të  raportuara këtë vit përmes aplikacionit  “EcShlirë”, qysh prej qershorit të kaluar. Këto raportime e ngrisin në 400 numrin total të atyre që ishin raportuar vetëm përmes këtij aplikacioni të lansuar në shkurt të vitit 2016. Numri më i madh i ngacmimeve seksuale, sipas “EcShlirë”, është raportuar në kryeqytetin kosovar – në Prishtinë.

I përkthyer tashmë në anglisht, serbisht, spanjisht, dhe hebraisht, “EcShlirë” është projekt i përbashkët i organizatave Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, Girls Coding Kosova dhe Open Data Kosovo. Si platformë e raportimit, ai ka arritur rreth 99 për qind të shtrirjes te përdoruesit kosovarë, derisa ka raportime që kanë nisur të bëhen edhe nga Shqipëria.

Mbi 55 për qind e ngacmimeve seksuale vijnë nga të panjohurit, ndërsa në vitin e fundit ka një rritje të raportimeve ku profesorët/mësuesit janë denoncuar si ngacmues seksual.

Komentet seksuale, ndjekjet, prekjet e fishkëllimat janë vetëm disa prej mënyrave të ngacmimeve seksuale që janë raportuar deri më tash. kzistojnë gjithsej 11 kategori  të ngacmimeve të cilat mund të zgjedhësh në aplikacionin që është në dispozicion për versionin android. Hapësirat publike janë ato që kategoriziohen si vendet ku kanë ndodhur ngacmimet si: shkollat, rrugët, universitetet, kafiteritë apo klubet e natës, vendet e punës, transporti publik etj.

Në një raport monitorimi të cilin e kanë bërë përfaqësuesit e “EcShlirë” thuhet se mbi 55 për qind të ngacmimeve seksuale vinë nga të panjohurit, ndërsa në vitin e fundit ka një rritje të raportimeve ku profesorët apo mësuesit janë denoncuar si ngacmues seksualë.

Sipa të njëjtit raport, kopjen e të cilit e ka K2.0, në rreth 2 për qind të raportimeve totale të ngacmimeve seksuale (400 raste), viktimat kanë thënë se janë ngacmuar nga profesorët/mësuesit. Ndërkohë, 6 për qind të viktimave kanë deklaruar se janë ngacmuar seksualisht prej punëdhënësve.

Kur ishte sajuar projekti, fillimisht ishte menduar që aplikacioni “EcShlirë” të përdorej për  grumbullimin e të dhënave rreth ngacmimeve seksuale, dhe nga ato të dhëna të niseshin projekte si masa parandaluese ndaj kësaj dukurie. Tashmë projektuesit e “Ecshlirë” po tentojnë ta shtynë përpara projektin, duke ua ofruar aplikacionin institucioneve shtetërore.

Zana Idrizi, koordinatore e projektit, thotë se raportimet që bëhen në aplikacion janë shqetësuese, dhe se nga këto raportime po bëhen përpjejet  që të arrihet një koordinim me Policinë e Kosovës. Ajo thekson se prej raportimeve është parë që numri i ngacmimeve është në nivel shqetësues.umri i ndjekjeve, në veçanti, është ajo që i ka shtyrë që projekti të kalojë në një fazë tjetër.

Idrizi beson se tashmë duhet të përfshihen edhe institucionet e sigurisë që raportimet të mos mbesin vetëm raportime, por të ndërmerren masat e nevojshme. Ata tashmë janë në kontakt me Policinë e Kosovës, dhe besojnë se që nga fundi i këtij viti do të duhej të arrihen rezultate konkrete.

“Aplikacioni që është i shkarkuar nga më shumë se 900 persona duket se nuk ka tërhequr vëmendjen e nevojshme të Policisë”, ka thënë ajo për K2.0. Idrizi megjithatë thotë se nuk ka parë gatishmëri nga ana e Policisë që të rritet bashkëpunimi dhe të ketë përdorim të këtij aplikacionit  nga ana e tyre në luftimin e ngacmimeve seksuale.

Në anën tjetër, një pengesë për organet e rendit në hetimin e rasteve që raportohen në platformë është fakti se ato bëhen në mënyrë anonime.

“Duke u nisur nga kjo, është menduar që aplikacionit t’i shtohen opsionet shtesë dhe nga kjo të nisë bashkëpunim i ri me Policinë, që do të mundësonte që ata të mund të reagojnë. Por, deri më tash rreth kësaj ideje është parë vetëm hezitim nga ana e organeve të rendit”, ka treguar Idrizi.

K2.0 ka kontaktuar Zyrën për Informim të Policisë së Kosovës për të pyetur rreth arsyeve të mungesës së bashkëpunimit me “EcShlirë’, megjithatë nuk ka marrë përgjigje.

Mungesa e gatishmërisë institucionale për ta institucionalizuar platformën, sipas Idrizit, vërehet edhe në instanca tjera.

Ajo ka treguar se organizatat kanë propozuar po ashtu që nëpër shkolla të mbahen seanca informative për funksionimin e aplikacionit, si dhe punëtori për të ngritur nivelin e ndërgjegjësimit. Megjithatë, as kjo nismë nuk ka marrë mbështetje konkrete nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknoligjisë.

Aplikacioni “EcShlirë’ ishte sajuar pas fushatës së njohur globale “Take back the night” (Ktheje natën), që u mbajt në vitin 2015 dhe vuri në pah se sa shumë ngacmime seksuale bëhen rrugëve të Kosovës.K

Feature image: Majlinda Hoxha / K2.0.