Blogbox | Aktivizmi

Menstruacionet janë çështje politike

Nga - 04.11.2021

Varfëria menstruale duhet të jetë shqetësim për gjithë shoqërinë.

A janë menstruacionet çështje politike? Për aq kohë sa fjala ‘menstruacione’ thuhet me zë të ulët si pasojë e dramës dhe stigmës, përgjigja do të jetë po. Për aq kohë sa jetojmë në një botë androcentrike të përqendruar në nevojat e burrave teksa menstruacioneve u vendos taksë në shkallën më të lartë, përgjigja do të jetë po. Për aq kohë sa është problem të diskutohet në sferën publike për menstruacionet si ndodhi fiziologjike vetëm sepse ka të bëjë me një pjesë të publikut që nuk ka të drejtë ta kurojë diskursin përgjigja do të jetë po.

Megjithatë, në gjithë rajonin tonë, menstruacionet nuk janë trajtuar gjithnjë si çështje politike dhe nuk kanë arritur të jenë në qendër të vëmendjes. Deri së fundmi, propozimet në Kroaci për ta ndryshuar ligjin e taksave dhe për t’i ulur taksat për produktet menstruale dështuan pa dijeninë dhe më e rëndësishmja, pa interesin e publikut.

Tabutë dhe keqkonceptimet

Kur diskutohet për menstruacionet, është e nevojshme të trajtohet dhe po ashtu të çmitizohet shprehja “varfëri e ciklit menstrual”. Ekonomistja Ana Marija Sikirić Simčić shkruan se rëndësia e shëndetit menstrual është anashkaluar përgjatë historisë “kryesisht për shkak të tabuve dhe keqkonceptimeve në lidhje me menstruacionet, si dhe për shkak të androcentrizmit të pranishëm përbrenda korpusit të njohurive mjekësore dhe sistemeve të kujdesit shëndetësor në anembanë globit”.

Ilustrimi i Roberta Stanić. Arkivi i shoqatës PaRiter.

Sikirić Simčić është autore e një raporti të realizuar së fundmi me rekomandime politike për varfërinë e ciklit menstrual, në të cilin shkruan se “koncepti i androcentrizmit e ka trupin mashkullor si referencë, normë dhe shembull për të gjithë njerëzit, gjë që në kontekstin e mjekësisë, çon në padukshmërinë e trupit të femrës, grave dhe shëndetit të grave brenda shkencës mjekësore, politikës dhe praktikës”. Si rezultat, “çështja e ‘varfërisë së ciklit menstrual’, e cila u referohet pengesave ekonomike, sociale, kulturore dhe politike në qasje në produkte menstruale dhe edukim, është neglizhuar”, përfundon ajo.

Kështu që, për sa kohë që jetojmë në një botë patriarkale që në qendër ka burrat, ku nevojat e grave neglizhohen dhe shpërfillen, përqeshen dhe priten me përbuzje, menstruacionet do të jenë çështje politike që duhet të zgjidhet sipas kërkesës së atyre për të cilët ky është realitet biologjik.

Rezultatet e anketës tregojnë se menstruacionet janë luks për tepër shumë njerëz në Kroaci.

Fatkeqësisht, shumë pak hulumtime janë bërë rreth kësaj çështjeje në tërë rajonin. Megjithatë, në shkurt të viti 2021, PaRiter shoqatë e të drejtave të njeriut dhe pjesëmarrjes qytetare e ndodhur në Rijekë publikoi rezultatet e një ankete mbarëkombëtare mbi varfërinë e ciklit menstrual, i vetmi studim i këtij lloji që është kryer ndonjëherë në Kroaci.

Realizuar në fund të vitit 2020, anketa përfshiu 6000 njerëz, pavarësisht nga identiteti gjinor, të cilët kishin menstruacione në 12 muajt e mëparshëm dhe ishin të paktën 16-vjeç. Rezultatet e anketës tregojnë se menstruacionet janë luks për tepër shumë gra në Kroaci: një në tri prej tyre detyrohen t’i kursejnë pecetat menstruale sepse janë shumë të shtrenjta. Për shkak të çmimeve të larta, disa gra blejnë produkte menstruale me cilësi më të ulët, ndërsa më shumë se 10% e grave në Kroaci nuk kanë mundësi të furnizohen me peceta higjienike në sasi të mjaftueshme që t’ua mundësojë ndërrimin e pecetave rregullisht. Një përqindje e ngjashme e grave nuk mundet as t’i përballojë shpenzimet e pecetave higjienike.

Për më tepër, 10% e të anketuarve thanë se janë gjendur në situata ku nuk kanë mundur të blejnë ilaçe kundër dhimbjes menstruale, kurse 8,8% thanë se kanë pasur situata ku nuk e kanë ndërruar pecetën apo tamponin për më shumë se 6 deri në 8 orë ngase nuk ishin në gjendje t’i përballonin shpenzimet e produkteve menstruale.

Ndryshimi

Përpos disponueshmërisë së produkteve menstruale dhe qetësuesve të dhimbjes, anketa prek edhe çështjen e higjienës menstruale, siç janë kushtet në shtëpi, në punë, në shkollë apo universitet që e bëjnë të (pa)mundur mbajtjen e higjienës menstruale si dhe stigmën dhe turpin lidhur me vetë menstruacionet.

Pas publikimit të anketës, e cila ndonëse u prit me tallje dhe duket se i ka mahnitur dhe argëtuar njerëzit, ndodhën ndryshime.

Së fundmi, qyteti i Rijekës njoftoi se produktet menstruale do të jenë në dispozicion falas në të gjitha shkollat publike vendore.

Pse me tallje? Sepse një pjesë e popullsisë e ka problem ta kuptojë se çështja e higjienës, pastërtisë publike dhe menstruacioneve është çështje politike për më shumë se gjysmën e njerëzve që jetojnë në vend dhe paguajnë taksa.

Megjithatë, mungesa e mirëkuptimit të individëve nuk i pengon organet e vetëqeverisjes lokale dhe bordet e shkollave në Kroaci të veprojnë. Kohët e fundit, qyteti i Rijekës njoftoi se produktet menstruale do të jenë falas dhe në dispozicion në të gjitha shkollat ​​publike lokale. Në Varaždin, autoritetet e qytetit do të sigurojnë produkte menstruale falas për nxënësit në nevojë, ndërsa pesë shkolla të mesme kroate kanë siguruar qasje në furnizimet menstruale falas me vetë-iniciativë, ose janë në proces të zhvillimit të një modeli qasjeje. Përpos këtyre, iniciativa kundër varfërisë së ciklit menstrual kanë filluar në vendet si Split-Dalmatia, Međimurje, Bjelovar-Bilogora dhe Istria.

Megjithëse disa banorë dhe individë të qeverisjes vendore dhe institucioneve arsimore e njohin problemin dhe duan t’i japin fund varfërisë së ciklit menstrual me burime vetanake, qeveria kroate nuk po e kupton rolin që e bart. Në vend të kësaj, po i injoron provat empirike dhe po pohon se mbledhja e taksave përmes tamponëve të lyer me gjak është më e rëndësishme sesa lehtësimi i barrës së buxheteve familjare. Të premten e 29 tetorit 2021 pas vendimit të qeverisë për ta refuzuar projekt-ligjin e ndryshimit të ligjit tatimor, i cili do t’i kishte ulur taksat për produktet menstruale po i njëjti projekt-ligj po ashtu u rrëzua nga parlamenti kombëtar me 68 vota kundër 47. 

Ilustrimi i Roberta Stanić. Arkivi i shoqatës PaRiter.

Megjithatë, anketës që u përmend më parë, përpos sjelljes së diskutimeve dhe zhvillimeve pozitive në Kroaci; ndikimi mund t’i shihet edhe në Serbi, ku Fakulteti Filozofik i Novi Sadit është bërë institucioni i parë arsimor në vend që ofron produkte higjienike falas për studentet femra, e gjithë kjo falë grave të guximshme dhe iniciativës së studentëve femra të cilat e njohin dhe e kanë adresuar çështjen në mënyrë adekuate.

Përpjekjet proaktive

Menstruacionet dhe varfëria e ciklit menstrual mbeten çështje politike. Përveç faktit që publikut të gjerë iu prezantuan rezultatet e anketës, të cilat nxitën veprim nga pushteti vendor dhe shkollat, gjetjet iu dërguan edhe Komisionit të Parlamentit Kombëtar për Barazinë Gjinore. Komisioni nxori disa përfundime. I pari është që të ulen taksat për furnizimet menstruale, i dyti është që të fillojë edukimi rreth menstruacioneve dhe i treti është që të inkurajohen shkollat që të ofrojnë furnizime për menstruacionet falas për nxënësit e tyre.

Çfarë mund të bëni brenda komunitetit tuaj vendor për ta ndihmuar zgjidhjen e kësaj çështjeje? Mund të ndërmerrni hapa proaktivë — mobilizimin e sektorit civil dhe individëve që janë të gatshëm të dhurojnë produkte menstruale për ata që nuk mund t’i përballojnë, t’u bëni presion qeverive vendore që të ofrojnë qasje në furnizimet menstruale në shkolla ​​dhe t’i bëni thirrje qeverisë kombëtare t’i ulë taksat e vendosura për furnizimet menstruale në shkallën më të ulët të mundshme.

Në fakt, buxhetet nuk mbushen me peceta të gjakosura apo me legjislacion diskriminues e seksist, por me politika të mençura ekonomike. Është koha që ta thyejmë heshtjen për këtë çështje. Mjaft i shpërfillëm nevojat e më shumë se gjysmës së popullsisë vetëm sepse jemi më rehat kështu.

Imazhi i ballinës: Arkivi i shoqatës PaRiter.