Përcaktimi për sistemin zgjedhor është nga vendimet më të rëndësishme të një vendi. Sistemi zgjedhor ndikon në mënyrën se si sillen partitë politike, si e bëjnë fushatën, dhe çfarë lidhjesh mbajnë me votuesit.
Që nga zgjedhjet e para të organizuara në Kosovën e pasluftës, në vitin 2000, janë mbajtur shumë palë zgjedhjesh si ato: lokale, parlamentare, të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, votime e rivotime, e që kanë shërbyer edhe për të identifikuar mangësitë si dhe për të zhvilluar alternativa për sistemin zgjedhor të cilin dëshirojmë ta kemi si shtet. Por, gjithsesi sistemi zgjedhor duhet rishikuar vazhdimisht për të parë nëse po u përshtatet kërkesave dhe zhvillimeve të reja shoqërore.
Përpjekjet për ndryshime të sistemit zgjedhor në Kosovë nuk kanë munguar. Kalimi nga listat e mbyllura të kandidatëve për deputetë në lista të hapura, dhe nga zgjedhja e kryetarit të komunës prej kuvendit komunal në zgjedhjen e drejtpërdrejtë prej votuesve, mund të konsiderohen arritje të mëdha. Liderët e partive politike, të shtyrë nga presioni i shoqërisë civile dhe institucioneve ndërkombëtare, u treguan mjaft të hapur për të pranuar ndryshimet e reja të cilat ua hiqnin një pjesë të kontrollit mbi atë se kush zgjedhet si deputet apo kryetar i komunës.
Ngecja e madhe ndodhi në vitin 2011, pikërisht atëherë kur reforma më ambicioze zgjedhore pritej të ndodhte. Kjo ngecje erdhi si pasojë e asaj që reforma zgjedhore asnjëherë nuk është parë si nevojë për ta përmirësuar aspektin e organizimit të zgjedhjeve apo për të siguruar përfaqësim më të mirë të qytetarëve.
Praktikat na tregojnë se reforma zgjedhore është përdorur sa për të dalë nga krizat politike si ajo e vitit 2011 – që nxori për presidente Atifete Jahjagën si kandidate të një koalicioni mes PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në atë vit – apo për ta shtyrë shkuarjen në zgjedhje siç ishte rasti me reformën zgjedhore të iniciuar nga Presidenti Thaçi, me arsyetimin se nuk bën të shkohet në zgjedhje pa reformë zgjedhore. Ç’është e vërteta, zgjedhjet kanë vazhduar të mbahen sa herë dhe kurdoherë që liderët e partive politike kanë dëshiruar apo kanë pasur nevojë për to.
Shumë prej elementeve të sistemit zgjedhor janë më shumë çështje politike sesa teknike. Partitë politike përpiqen që përmes reformës zgjedhore të marrin më shumë pushtet sesa që kanë mbështetje elektorale, apo të dobësojnë fuqinë e kundërshtarëve të tyre politikë.
E tillë është edhe praktika e njohur si “gerrymandering” që përdoret për përcaktimin e kufijve të zonave zgjedhore përmes së cilës synohet të krijohet avantazh politik për një parti politike. Për të evituar një skenar të tillë është e rëndësishme të ketë konsensus shoqëror lidhur me ndryshimet që duhet të ndodhin, të ketë përfshirje të të gjitha forcave politike dhe grupeve etnike.
Cilat çështje duhet t’i adresojë reforma zgjedhore?
Mundësimi i votimit me kusht për votuesit të cilët në ditën e zgjedhjeve nuk e gjejnë emrin e tyre në listën e votimit, kryesisht zbatohet në vendet që dalin nga konfliktet dhe kanë numër të madh të banorëve të zhvendosur brenda vendit. 17 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, numri i personave të zhvendosur brenda vendit është i vogël, dhe mundësitë për të ndryshuar vendvotimin ofrohen në mënyrë të lehtë dhe të shpejtë.
Prandaj, aplikimi i mëtejmë i votimit me kusht është i panevojshëm, pasi shërben si mundësi për manipulim, vonon procesin e shpalljes së rezultateve si dhe paraqet barrë të madhe në procesin e organizimit.
Votimi jashtë vendit mundëson që qytetarët me të drejtë vote të cilët në ditën e zgjedhjeve ndodhen jashtë vendit, të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre. Kosova gjendet në mesin e 115 vendeve që kanë dispozita ligjore që zgjedhësve të saj u mundëson të votojnë jashtë vendit. Vende të ndryshme aplikojnë forma të ndryshme të votimit nga jashtë, varësisht prej specifikave të vendit dhe kostos. Prej metodave më të përhapura të votimit nga jashtë, votimi personal që organizohet në misionet diplomatike apo vende të caktuara është më i përhapuri (49.5%). Kosova duhet ta aplikojë këtë formë votimi duke e zëvendësuar me votimin përmes postës, pasi është më i sigurtë dhe nuk e vonon procesin e numërimit.
Zgjedhja e kryetarëve të komunave bëhet për mandat katërvjeçar. Nëse kryetari humb mandatin duhet të organizohen zgjedhje të reja. Mandati i kryetarit të ri është i lidhur me mandatin e kuvendit komunal. Prandaj, zgjedhja e kryetarit të komunës duhet të bëhet së bashku me nënkryetarin për të evituar shkuarjen në zgjedhje për shkak të humbjes së mandatit nga kryetari. Po ashtu, nëse ka konsensus për heqjen e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave atëherë zgjidhja më e mirë do të ishte aplikimi i votimit alternativ të kufizuar deri në tri preferenca. Votuesit mund t’i japin preferencat e tyre edhe për kandidatin e dytë dhe të tretë, në rast se zgjedhja e tyre e parë nuk merr shumicën e votave të nevojshme.
Tejet i rëndësishëm është edhe qartësimi i disa dispozitave kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Interpretimet e Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë të drejtën e propozimit të kandidatit për Kryetar të Kuvendit vetëm subjektit politik që ka dalë i pari nga zgjedhjet e kanë çoroditur sistemin politik dhe po prodhojnë bllokada të vazhdueshme. Të drejtën për t’u nominuar si kandidat duhet ta ketë secili deputet që arrin të marrë përkrahjen e një të tretës së të gjithë deputetëve. Kështu ka më shumë alternativa, shmangen bllokadat dhe, ç’është më kryesorja, shmanget nevoja për koalicione parazgjedhore sa për të dalë i pari.
Dizajni i fletëvotimit që është i ngarkuar dhe i paqartë mund të ndikojë në shpalljen e votave të pavlefshme apo t’i ngatërrojë votuesit. I tillë ka qenë edhe rasti në Palm Beach të Floridës në vitin 2000, ku ishte përdorur fletëvotimi i tipit “flutur”, që kishte ngatërruar votuesit më të moshuar duke votuar për Pat Buchanan-in në vend se të votonin për Al Gore-n. Të ngjashme janë edhe rastet në Kosovë, ku kandidatët të cilët kanë numrin e njëjtë me atë të subjektit politik arrijnë të marrin poste. Një zgjidhje për këtë mund të jetë që numrat për kandidatët në fletëvotim të jenë nga 1 deri në 110, kurse për subjektet politike të fillojnë nga 111, në mënyrë që kandidati dhe subjekti të mos jenë me numër të njëjtë .
Përveç kësaj, dizajni i fletëvotimit po ndikon edhe në shpalljen e një numri të madh të votave të pavlefshme që shkon deri në 8%. Në një auditim që KQZ-ja i ka bërë fletëvotimeve të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, ka gjetur se 45.83% e fletëvotimeve të pavlefshme kanë ardhur pasi që votuesit kanë votuar vetëm kandidatët por nuk kanë zgjedhur edhe subjektin politik. Arsye për këtë është edhe fushata tejet agresive e kandidatëve të cilët u ofrojnë votuesve vetëm numrat e tyre, pa u shpjeguar mirë se duhet të shënohet fillimisht subjekti politik.
Viti 2017 ishte vit i zgjedhjeve në Kosovë. Në qershor i mbajtëm zgjedhjet parlamentare dhe vazhduam me zgjedhjet lokale në muajin tetor dhe nëntor, për ta përmbyllur vitin me rivotim në Istog në muajin dhjetor. Katër palë zgjedhje të organizuara brenda një viti janë të mjaftueshme për të kuptuar se çka nuk po funksionon në sistemin aktual zgjedhor dhe cilat elemente duhen ruajtur. Mësimet i kemi të freskëta, prandaj vitin 2018 duhet ta shfrytëzojmë si vit të reformës zgjedhore. Demokracinë në vend mund ta zhvillojmë duke zgjedhur që të na përfaqësojnë politikanë të përgjegjshëm, të dijshëm dhe energjikë. Për ta bërë këtë na duhet sistemi adekuat në të cilën nuk përvidhen gabime.
Foto kryesore: K2.0.