Pikëpamje | Kulturë

Monumenti Newborn është në rrezik konceptual

Nga - 14.12.2020

A e ka humbur kuptimin moumenti i parë për shtetësinë e Kosovës?

Ka diçka të çuditshme në evolucionin e monumentit Newborn dhe, sipas mendimit tim, është e dyshimtë. Që nga pavavësia, Newborn-i ka shërbyer si ikonë pamore dhe simbolike e shtetit të ri të Kosovës.

Skulptura, si dizajn dhe si vepër arti, funksionon në mënyrë simbolike dhe të mençur për publikun vendor si dhe për atë ndërkombëtar. Si grafikë, forma është e dizajnuar përmes Modernizmit universalisht neutral. Format e shkronjave janë të stiluara nga shkronjat e llojit FF DIN, një derivativ i fontit të famshëm Helvetica, tashmë i përdorur globalisht e që përbën të gjitha gjërat industriale, të qarta, universale, sterile dhe të sigurta dhe — si objekt formal — prandaj pa asnjë shije etnike, kombëtare apo subjektive. 

Është një formë e shkrimit që është dizajnuar për të qenë ndërkombëtare dhe universale, pa devotshmëri ndaj etnisë, politikave apo dekadencës. Në të njëjtën kohë, është një deklaratë, “Newborn” si komunikim, një fjalë angleze që sfidon antonimin e vet “Stillborn” (foshnjë që lind e vdekur), dhe premton jetë të re, jetë të ndryshuar, shfaqje, një mundësi tjetër.

Newborn-i si monument është thirrje triumfuese që lejon për këtë eksplorim të një jete të re dhe ofron reflektim të asocuar me fuqinë e shpengimit. Jo aq shumë sa t’ia ndiesh krenarinë, dhe jo aq dukshëm në sentimentin e përbashkët siç ceket në këtë analizë, por si një imazh në gjuhë dhe në formë.

Kjo është një zgjedhje e menduar mirë për aspiratat e një kombi ish-Jugosllav, të vogël gjeografikisht dhe të depresionuar ekonomikisht; në udhëkryqet e Ballkanit, duke kërkuar atëherë si tani të krijojë lidhje të reja me aleatë të fortë në Amerikë, Evropë dhe rreth botës.

Artistit Robert Indiana i atribuohet popullarizimi i idesë së skulpturave grafike me fjalë. Foto nga Daniel Cosentino.

Kur shikohet si vepër arti, një skulpturë në formë të shkronjave e prodhuar nga çeliku cor-ten mund të t’kujtojë artistë të tjerë inspirues dhe forma nga fushatat e marketingut për Pop Art. Për shembull, skulptura “LOVE” nga Robert Indiana, e njohur dhe e admiruar globalisht dhe që shpiu përfundimisht, në kohën e saj, në një lloj zhanri të përsëritur dhe të kopjuar nga artistë rreth botës. 

Edhe nëse lidhja është indirekte, koncepti shërben si lidhje pozitive me idealet kolektive, dhe jo, siç do të frikësohej, me një ndjenjë etnike ose nacionaliste të lidhur në formë, material ose ndërtim me një estetikë antike ose të vdekur.

Si plan marketingu ngjan me fushatën e famshme holandeze të vitit 2004 “I Amsterdam” (Unë jam Amsterdami), nga e cila Fisnik Ismaili padyshim është ndikuar kur ka krijuar Newborn-in për shpalljen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në 2008. 

Një artist/ dizajner i mirë është i vetëdijshëm për këto histori dhe trende të estetikave dhe i përvetëson ato për t’i shkrirë me pulsin kolektiv të kohërave historike. Kosovës i duhej një shprehje ngjitëse që përfaqëson një mesazh formal, shpresëdhënës dhe tërheqës dhe e ka fituar këtë me Newborn.

Kosovës gjithashtu i duheshin simbole dhe monumente për t’u përdorur si mjete marketingu, një vend për mbledhje (dhe fotografime), një destinacion turistik për vizitorë vendorë dhe të huaj i cili nuk fokusohet në heronj (apo anti-heronj) të luftës, apo në tragjeditë e luftës. Si një zgjedhje kreative, këto ndërlidhje pozitive dhe të suksesshme në koncept dhe formë kanë shërbyer qëllimin e vet duke pasur parasysh vendndodhjen e largët të Kosovës nga skena politike ndërkombëtare.

Një frymëzim i qartë i monumentit “Newborn” është kjo skulpturë nga fushata turistike holandeze e vitit 2004. Foto nga Daniel Cosentino.

Si një monument kombëtar, Newborn është unik mes simboleve që shfaqen në identitetet post-Jugosllave. Një monument kombëtar sipas përkufizimit është një vend apo objekt i ruajtur që përkujton një person apo ngjarje historike dhe është në pronësi dhe kujdes publik ashtu që gjeneratat e tanishme dhe të ardhme ta shijojnë dhe studiojnë.

Kur një monument është skulpturë, shpesh merr formën e burrave ushtarakë, politikanëve apo shtetasve të cilët kanë dhënë kontribute domethënëse në formimin e shtetit apo më gjerë në kulturën rajonale apo botërore. Fakti që personat të cilët përkujtohen janë pothuajse gjithmonë burra (dhe jo gra) mund të qëndrojë, në një kontekst bashkëkohor, si simbole ndërhyrëse injorante ndaj zhvillimit shoqëror të bërë drejt barazisë gjinore dhe drejtësisë përfaqësuese, edhe nëse janë të paqëllimshme.

Në përmbledhje, fjala, simboli, dizajni dhe vepra e artit është krijuar dhe funksionon në kohë të duhur dhe me rëndësi simbolike kombëtare kuptimplotë për Repubikën e Kosovës në zhvillim dhe popullin e saj.

Si shembull, hedhim një vështrim të shpejtë në juglindje drejt Shkupit (rreth 90 km) dhe gjejmë një fontanë/skulpturë monstruoze dhe të njohur gjerësisht si problematike me Aleksandrin e madh të ndërtuar në stil barok të rrejshëm. Tashmë vepër famëkeqe mes kolegëve në fushat artistike dhe ato të humanizmit (dhe në masë të madhe te publiku) si vepër arti inferiore e paqëllimshme dhe që padyshim nuk ka karakter kombëtar modern.

Ta vendosësh Newborn-in si simbol të njohur universalisht në referencat bashkëkohore kreative dhe ato të marketingut, si dhe ta shënjosh si monument kombëtar, do të thotë të inspirosh dhe drejtosh aspiratat kolektive dhe politike të shtetit. E bën këtë pa iu nënshtruar natyrës sentimentale romantike të përafrimit të një estetike të largët historikisht dhe pa ideologjinë që e shoqëron. Newborn është zgjedhje e mençur që është dizajnuar mirë dhe shërben si vepër arti tërheqëse. 

Vendndodhja e mendimeve tona ka mundësi të bollshme të rikujtojë në rrethanat e vërteta të një deklarate të vendosur në kohë dhe vend të duhur në një moment historik, Ditën e Pavarësisë. Puna mbetet konceptualisht e lirë nga luftërat historike për relevancë që monumentet e afërta, vendore dhe ndërkombëtare, zënë, duke ofruar një koncept me të vërtetë neutral për publikun që ta vizitojë, shijojë, ruajë dhe studiojë.

Newborn vendos veten jashtë kufijve të mëparshëm, ish-Jugusllavisë, në ideale padyshim perëndimore, edhe pse lokaliteti mbetet i përfshirë në realitetet e historisë së vet. Në përmbledhje, fjala, simboli, dizajni dhe vepra e artit është krijuar dhe funksionon në kohë të duhur dhe me rëndësi simbolike kombëtare kuptimplotë për Repubikën e Kosovës në zhvillim dhe popullin e saj.

Ngjyrosje e re — skulptura si performancë 

Megjithatë, forca kreative pas një deklarate të tillë nuk ka përfunduar. Në Ditën e Pavarësisë dhe në vitet në vazhdim njerëzit vijnë te skulptura për të shkruar emrat e tyre, një shenjë e lidhjes personale dhe afërsisë së sinqertë me atë që ky monument deklaron dhe përfaqësimin simbolik që bart.

Ngjyra e verdhë/e artë origjinale u zbeh nën shënimet e aq shumë emrave prandaj pas kalimit të rreth pesë viteve, skulptura, tashmë monument i mbrojtur nga shteti, filloi të dukej e çrregullt dhe kishte mungesë të përkujdesjes dhe të një perspektive të re.

Ismaili, siç është raportuar në artikullin e Alex Marshall për NY Times në 2018, ka luftuar me impulsin për të bërë ndryshime në skulpturë por përfundimisht ka vendosur të veprojë gjithsesi, pa leje nga shteti, për t’i dhënë jetë të re. Nuk u është kthyer ngjyrave paraprake por në vend të kësaj ka marrë ngjyra të reja, simbole dhe përfaqësime, si një lloj pune të performancës.

Monumenti Newborn ka qenë ide e dizajnerit Fisnik Ismaili për të festuar pavarësinë e Kosovës. Foto nga Daniel Cosentino.

Pas pauzës fillestare pesëvjeçare që nga zbulimi i monumentit Newborn, shtresa e jashtme e skulpturës lyhet apo ndryshohet dhe zbulohet në ditën e pavarësisë çdo vit për të shfaqur një mesazh shoqëror/politik që përfaqëson deri diku shqetësimet vendore të popullit të Kosovës. Megjithatë, në fund të fundit vendoset nga Ismaili, që vetë është ish-politikan.

Nëse ndërtimi konceptual dhe fizik ishte në fakt i vendosur në qendër të ndërlidhjeve të jashtme me kulturën dhe kryeqyteti u është përshtatur ambicieve të Kosovës si një lloj i ri i vendit duke iu bashkuar skenës botërore, pamja e jashtme e monumentit tashmë u përket në mënyrë unike shqetësimeve vendore dhe e ka transferuar atë në një skenë performance për artistin.

Ismaili, si shumë persona të tjerë me popullaritet të ngjashëm në Kosovën e pavarësuar rishtazi, filloi të rrisë përfshirjen e tij direkte në politikë dhe aktivizëm popullist. Ky pasqyrim i drejtpërdrejtë i shqetësimeve dhe ndjenjave të njerëzve i ka dhënë Newborn-it një estetikë të përditësuar dikamike post-moderne.

Ky përditësim ka shërbyer si zhvillim i guximshëm nga forma e ngurtësuar, e suksesshme, dhe tanimë e etabluar. Si një vepër arti, elementi i ri performues ka ofruar një balanc të mirë të projeksionit të jashtëm dhe reflektimit të brendshëm të punëve shtetërore shoqërore dhe politike të Kosovës. Për disa vite ky ndryshim ka qenë dinamik dhe kuptimplotë, edhe si vepër arti tërheqëse edhe si mjet marketingu. Kjo ka qenë deri para dy viteve — gjërat që kanë ndodhur prej atëherë i quaj “të dyshimta”.

Ri-përvetësimi

Ndryshimet vjetore të monumentit Newborn të orkestruara nga Ismaili, kanë marrë formën e një serie të komenteve shoqërore/ politike që reflektojnë ndjenjat e komunitetit të aktivistëve të rinj, progresivë. Kjo ka shërbyer edhe si rikujtim i rrethanave të tanishme politike dhe si rezistencë ndaj dështimeve dhe zhgënjimeve të përjetuara nën partitë udhëheqëse politike që nga pavarësia. Format janë bërë trend dhe trendi është bërë qendër e diskutimit përderisa monumenti ka mbajtur strukturën e vet formale dhe ndërlidhjet e kujtesës të përshkruara më lart.

Kjo formë e re tani sillet më shumë si vepër arti bashkëkohore postmoderne, e gjallë ndaj ndryshimeve dhe mundësive, se sa thjesht si monument i përdorur si sipërfaqe për mbishkrime.

Në vitin e parë të ri-përvetësimit, monumenti u zbukurua (me ngjyrë) nga vullnetarë të gatshëm vendorë, si veprim publik dhe intervenim, me të gjithë flamujt e shteteve të cilat e kishin njohur pavarësinë e Kosovës deri në atë ditë, një tribut i përshtatshëm për mbështetësit ndërkombëtarë dhe një mesazh pozitiv ndaj kombeve të tjera të cilat ende nuk e kishin njohur Kosovën. Një vit tjetër, secila letër e monumentit u ngjyros me kamuflazh, veshjet standarde ushtarake të forcave mbrojtëse të përzgjedhura (apo forcave okupuese varësisht nga pikëpamja juaj personale) nën mandatin e OKB-së. 

Këto mantele që i vishen monumentit prezantohen çdo vit si vendbanime të përkohshme të ndjenjave të popullit. Fokusi është kthyer nga vetëm pavarësia në ndërtimin e shtetit dhe dëshirën e individëve që shteti të jetojë idealet e lirive të reja personale që pavarësia ka premtuar. Shtresa e jashtme e lyer e Newborn-it tashmë çdo vit mund të interpretohet si tribut apo protestë e koduar në simbolin origjinal të monumentit. Ka marrë formë të re si një vetëdije e vendosur e problemeve të brendshme me dhe kundër pikërisht aleancave dhe proceseve të cilat i kanë premtuar Kosovës një të ardhme të re dhe të ndryshme.

Çdo vit monumenti ngjyroset nga vullnetarët me një motiv të përzgjedhur nga Fisnik Ismaili për të përfaqësuar motivet shoqërore/ politike që i tërheqin kosovarët. Foto nga Daniel Cosentino.

Pa marrë parasysh se ku qëndrojnë shtetet, partitë politike apo individët në lidhje me këto probleme të Kosovë, monumenti Newborn mbetet dhe merr një qëllim tjetër si skenë performace për protestë dhe vetëdije. Kjo formë e re silletmë shumë si vepër arti bashkëkohore postmoderne, e gjallë ndaj ndryshimeve dhe mundësive, se sa thjesht si monument i përdorur si sipërfaqe për mbishkrime. Në këtë formë të re, Newborn ka ripërtërirë praninë e vet si simbol dhe skenë për fotografi të panumërta dhe portrete dhe, bashkë me të, ka mbajtur vëmendjen vendore dhe ndërkombëtare. Kjo ka qenë një llogaritje tjetër interesante dhe e mençur nga pikëpamja e artit dhe aktivizmit si dhe ajo e marketingut, e udhëhequr nga qendra kreative e Ismailit. 

Kjo ka ndryshuar dukshëm në formë dhe në funksion në 2019, kur monumenti është zbukuruar me çfarë dukeshin të ishin grafika vektoriale me pamje gjenerike të dizajnuara me softuer kompjuterik, të cilat përmbanin mesazh dhe estetikë dukshëm institucionale. Ky ndryshim ka shenjuar momentin kur vepra e artit Newborn ka humbur agjencinë e vetë dhe është shndërruar në billbord për aktivizëm shtetëror.

Përderisa mesazhi i promovimit ka përmbajtur një thirrje për veprim pozitiv dhe të domosdoshëm, hapja e monumentit ndaj aktiviteteve të sponsorizuara nga shteti e zvogëlon efikasitetin dhe autencitetin e tij. Motivi i zhvillimit të qëndrueshëm është shfaqur me pjesëmarrjen e dytë të Kosovës si shtet në “Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm Evropian” (KSDW), një “Iniciativë e mbarë Evropës për të stimuluar qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm (SDGs).”  BE-ja ka udhëhequr përpjekjen për të prodhuar pamjen e re tash, jo Ismaili, dhe e ka bërë këtë vetëm pasi ka interpretuar promovimet e viteve paraprake të suksesshme (autentike) të Newborn-it si një vend për të promovuar agjendë populliste.

Mishërimi i fundit i Newborn-it u është dedikuar viktimave të dhunës seksuale në luftëra. Foto nga Daniel Cosentino.

Kur ky version është shfaqur, Newborn-i ka humbur agjencinë e vet si moument/vepër arti e njerëzve dhe ka marrë një formë të re si billbord për aktivizëm të organizuar dhe të sponsorizuar nga shteti. Kjo, propozoj, po ndodh për shkak të një keqkuptimi të rolit të monumentit si vepër arti, brenda kontekstit të vet si reklamë promocionale. Me këtë edicion të KSDW-së, Newborn-i është shkëputur nga bota e artit dhe është vendosur në qendër të “clip artit” gjenerik, zhanrit të artit të korporatave.

Shkëputja e lidhjes

Rezultati ka ftohur rolin performues të Newborn-it dhe lidhjen e veprës me popullin e Kosovës drejt një estetike shumë më pak efektive me grafika gjenerike vektoriale të krijuara për hir të dekorimit dhe një mesazh për të “udhëzuar” njerëzit e Kosovës. Kjo e kthen monumentin, në esencë, në një billbord për shtetin dhe agjendat e sponsorizuara nga institucionet. 

Edhe nëse mesazhi për ngrohjen globale dhe aktivizmin vepron si temë brenda një trendi botëror, ky është viti i parë që monumenti është dukur të jetë i zënë nga përmbajtja neutrale, një ndjenjë e imazheve vektoriale të gjetura në stok, dhe një ton institucional i cili është në trend. Kjo vlen edhe për grafikat e vendosura në skulpturë dhe për fokusin e mesazhit të cilin e ka shfaqur.

Cila është vlera e një monumenti kombëtar, e këtij monumenti kombëtar, dhe çfarë pranie i shërben më së miri Kosovës?

Pastaj erdhi përsëritja e fundit, ajo e 2020-tës, një tribut ndaj dhe solidaritet me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftërave rreth botës, e përmbushur me një hashtag dhe një fushatë të rrjeteve sociale. Mesazhi është përçuar në monument në gjuhën angleze dhe shqipe, duke braktisur gjuhën e dytë zyrtare të Kosovës, serbishten, për shkak të, më së qarti, përpjekjeve të vazhdueshme për të persekutuar kriminelët e luftës dhe për të adresuar efektet e shumta dhe jetëgjata të dhunës seksuale të kryer nga serbët ndaj shqipëtarëve gjatë konfliktit.

Si simbol “kombëtar” në një shtet që ka potencialin të zhvillojë një shoqëri multi-etnike, të fokusuar në të rinjtë, të vetëdijshme për drejtësi shoqërore, të lirë dhe të hapur, mesazhi i portretizuar fokusohet drejtpërdrejt në disa nga aspektet më të urryera të konfliktit më të fundit — duke përjashtuar pakicën më të madhe. 

Newborn-i është bërë këtë vit Never-ending Wars Bring Opression, Rape and Neglect (Luftërat pambarim sjellin shtypje, përdhunime dhe neglizhim) duke krijuar kështu një akronim të ri për emrin. Rishfaqja gjithashtu, për herë të parë, është prezantuar nga gruaja me rangun më të lartë të koalicionit të atëhershëm qeverisës, Vjosa Ismani, vetë kandidate e popullore për kryeministre në zgjedhjet më të fundit dhe momentalisht Presidente në detyrë e Kosovës.

Përderisa mesazhi në vetvete, si ai i KSDW-së, është kuptimplotë dhe me qëllim të mirë, rezultati ndan komponentët multi-funksionalë të monumentit (vepër arti, monument, reklamë) në pjesë të komponentëve të cilat nuk veprojnë më në mënyrë të përbashkët. Në vend të kësaj, Newborn-i rrezikon të humbë autencitetin e vet, të zëvendësuar me “clip art” apo edhe më keq, propagandë, duke vepruar jo si reklamë bashkëkohore kombëtare për popullin e Kosovës por si një billbord i zënë nga shteti dhe forcat institucionale. 

Përderisa asnjë person i kujdesshëm apo i arsyeshëm nuk do të duhej ta mohonte dhimbjen e dhunës seksuale të luftës të një viktime që ka përjetuar krime të tmerrshme, metoda e manifestimit ngrit pyetje mbi kuptimin e vërtetë të përpjekjes — a ka qenë për të shënuar pikë politike apo për të qenë të kujdesshëm ndaj viktimave individuale të krimeve? A është monumenti Newborn vendi për të mishëruar këtë përpjekje? Cila është vlera e  një monumenti kombëtar, e këtij monumenti kombëtar, dhe çfarë pranie i shërben më së miri Kosovës? Cila është më autentikja?

Rezultati i aktivizmit mund të bart suksesin fillestar në shërbimin ndaj rolit të vet kryesor, atë të agjendës politike. Por ka efektin përfundimtar fatkeq të zbehjes së fuqisë dhe agjencisë së monumentit të vetëm bashkëkohor autentik të Kosovës — si shtet i ri që ende është duke u përpjekur ta afirmojë praninë e vet në skenën botërore.

Imazhi i ballinës nga Daniel Cosentino.