Kritiku ynë i kulturës i zgjedh ngjarjet më të mira rajonale onllajn.
Praktikat e përditshme kulturore dhe artistike janë ndikuar shumë nga pandemia COVID-19. Kriza aktuale e ka pasur ndikimin më të madh në artet interpretuese për shkak se të gjitha format e ngjarjeve kulturore masive janë ndaluar gjatë izolimit aktual.
Megjithatë, për shkak se jetojmë në një kohë të mbizotërimit të internetit dhe rrjeteve sociale korresponduese, përhapja e virusit ka hapur plot mundësi për vazhdimin e prodhimit kulturor dhe artistik, veçse tani kjo po bëhet onllajn.
Një numër i madh i institucioneve kulturore rajonale, kolektivave të artit dhe platformave mediale kanë vendosur t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre në hapësirë virtuale, dhe kanë ofruar një sasi të bollshme të përmbajtjeve kulturore që tani janë në dispozicion pa pagesë.
Teatrot janë duke i transmetuar performancat e tyre në platforma onllajn, galeritë dhe muzetë po mbajnë ekspozita virtuale, festivalet e filmit dhe shtëpitë e produksionit po i ndajnë filmat e tyre, muzikantët po i performojnë komponimet e tyre, autorët po i lexojnë punimet e tyre në prozë e poezi. Një jetë kaq e gjallë kulturore tregon se prodhimi kulturor e ka gjetur një mënyrë për të rezistuar — pavarësisht të gjithave.
Të gjitha këto kanë krijuar hapësirë që shumëkush t’i rikonsiderojë format e shprehjes artistike dhe mediumet që janë në dispozicion, duke e rritur shumë disponueshmërinë e prodhimtarisë artistike, dhe njëkohësisht duke e demokratizuar atë.
Në anën tjetër, kjo krizë ka kthyer vëmendjen te një nivel i konsiderueshëm i solidaritetit ndërmjet artistëve dhe njerëzve anembanë rajonit, e kjo sigurisht është një prej premisave më të rëndësishme të përpjekjeve kreative.
Këto janë disa prej përmbajtjeve më interesante nga rajoni, në dispozicion onllajn, pa pagesë.
Teatri rajonal onllajn
Një grup në Facebook i titulluar Theater at Home 2020u krijua së fundmi nga dramaturgu Almir Imshireviq dhe kolegët e tij nga bota e teatrit. I mbledhi rreth 800 përcjellës në më pak se dhjetë ditë me përmbajtje të përditshme nga pjesët e ndryshme të rajonit.
“E xhirova veten duke e lexuar një fragment nga dorëshkrimi im dhe pastaj i ftova miqtë e mi ta bëjnë të njejtën gjë —- t’i recitojnë vargjet e tyre, të këndojnë, të vallëzojnë, të flasin. Reagimi ka qenë frymëzues dhe inkurajues. Unë gjithmonë kam besuar se teatri është shumë më shumë se këtu dhe tani”, thotë Imshireviq.
“Këto ditë ndihem si Dylan Dog [protagonist i një stripi të mirënjohur] në një prej episodeve më të dobëta të tij."
Almir Imshireviq, shkrimtar
Sa i përket punës në kushte të jashtëzakonshme, ai thotë se për të si shkrimtar kjo botë nuk dallon aq shumë nga ajo me të cilën është mësuar.
“Fatkeqësisht, mundohem ta transmetoj njohurinë time të “vetmisë” te tjerët, t’i mësoj të mos kenë frikë”, shton ai.
“Këto ditë ndihem si Dylan Dog [protagonisti i një stripi të mirënjohur] në një prej episodeve më të dobëta të tij. Fatmirësisht, jam në apartament me bijën time Hanan dhe qenin tonë husky. Këndojmë, flasim, lexojmë, gatuajmë dhe herë pas herë ndahemi nëpër dhoma të ndryshme”, thotë autori dhe skenaristi për rutinën e izolimit të tij.
“Më duket se ishte Anton Çehovi ai i cili e shkruajti një tregim shumë të mirë për një burrë i cili në një bast pajtohet të bëhet i burgosur, dhe pastaj — pasi i kalon disa vite në vetmi — ai heq dorë nga çmimi. Mund të mësosh gjëra të mrekullueshme në vetmi, mund t’i njoftosh mendjet më të urta”.
Duke folur per Theater at Home 2020, ai thotë se është një group i rëndësishëm pasi që njerëzit nuk kanë nevojë për lexim sa kanë nevojë për të folur.
Si një nga festivalet më të vjetra të teatrit në rajon, MESS ka vendosur t’i postojë disa prej veprave më të mira nga 59 edicionet e fundit në kanalin zyrtar në YouTube.
Nisma u lajmërua në një konferencë për shtyp për Ditën Botërore të Teatrit, që mbahet çdo vit më 27 mars. Më vonë atë ditë, ata zbuluan se edicioni i 60-të i festivalit do të mbahet në Sarajevë në fillim të tetorit. Temë qendrore e edicionit të sivjetëm është “Nostalgjia për të Ardhmen”, një dëshirë për ta “realizuar një ëndërr të sigurisë, paqes dhe solidaritetit”, sipas MESS.
Një tjetër projekt virtual i zhvilluar nga MESS është Memory Module, një ekspozitë onllajn nga fotografi Velija Hasanbegoviq e titulluar “Migrant Abas”. Ekspozita përcjell një djalë 9-vjeçar që aktualisht jeton në një prej qendrave [të migrantëve] në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Pavarësisht pandemisë, frikës dhe problemeve për të cilat do të mbahet në mend viti 2020, nuk ka dyshim që ne do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur MESS në anën pozitive të historisë — historisë së njerëzve të mirë, solidaritetit, empatisë, rëndësisë që e kanë arti dhe liria në çdo shoqëri”, tha drejtori i festivalit Nihad Kreshevljakoviq në konferencën për shtyp të Ditës Botërore të Teatrit.
“Përvoja jonë shërben gjithashtu si shtysë për atë që pritet të ndodhë në mënyrë që të shkojmë përtej të kaluarës së rëndësishme dhe fillimit të shekullit të ri. Të shikojmë përpara është sikur të nisim një jetë të re, një kërkim nostalgjik për diçka joreale”.
Fondi Heartefacte ka lansuar Heartrospective, një program onllajn që i transmeton shfaqjet e tyre më interesante çdo të premte.
Disa prej shfaqjeve të prodhuara nga Fondi Heartefact kanë pasur ndikim të qëndrueshëm në skenën kulturore rajonale në 20 vitet e fundit; programi onllajn të cilin e ka lansuar tani nisi me “Hipermnezija”, me regji të Selma Spahiq.
Një program i ngjashëm është lansuar nga Teatri Jugosllav i Dramës, me shfaqje çdo të enjte në uebfaqen dhe kanalin e tyre në YouTube. Përveç transmetimit të performancave, teatri bën thirrje që audienca të rrijë në shtëpi, dhe u ndihmon atyre ta kalojnë më lehtë kohën në izolim.
Një projekttjetër i rëndësishëm drejtohet nga Shoqëria e Shkrimtarëve Kroatë. Si pjesë e serisë Ditari nga Karantina, vepra të shkruara dhe/ose video kontribute – të krijuara për këtë aktivitet prej shkrimtarëve, pjesëtarëve të Shoqërisë, por mbi të gjitha, artistëve të pavarur – postohen online çdo ditë.
Tekstet e dorëzuara përbëhen prej shënimeve të ditarit, poezisë dhe prozës, me tema që lidhen me rrethanat aktuale të jetës, qoftë direkt apo indirekt.
Në projekt janë bashkuar aktorët nga Teatri Rinor i Zagrebit të cilët i xhirojnë dhe ndajnë interpretimet e tyre të shkrimeve të Ditarit nën titullin “Aktorë nga Karantina”.
Teatri Kombëtar i Kosovës, i bazuar në Prishtinë, bashkë me teatrot tjera në Kosovë janë bërë bashkë për t’i transmetuar shfaqjet e tyre çdo fundjavë në muajin e prillit. Duke lajmëruar një program interesant, drejtori artistik i Teatrit Kombëtar, Adrian Morina, theksoi se ai personalisht shpreson që performancat onllajn të mund të ndalen sa më shpejtë që është e mundur “në mënyrë që t’u kthehemi jetëve tona normale dhe që qytetarët ta kenë lirinë që e meritojnë”.
Sezona e koncerteve në internet
Virusi madje e ndali edhe Dubioza Kolektivin, një prej bendeve më të njohura në rajon. Si kundërpërgjigje ata e nisën Quarantine Show. Çdo të hënë prej orës 20:30, performancat e tyre 20-minutëshe përcjellen prej dhjetëra mijëra njerëzve anembanë botës.
“Në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për t’i bërë këto ditë të gjata të izolimit më të shkurtra dhe më interesante për neve dhe njerëzit, kemi vendosur ta krijojmë serinë Dubioza Kolektiv Quarantine Show”, thanë pjesëtarët e bendit në profilin e tyre në Facebook.
“Secili pjesëtar i bendit do të performojë prej shtëpisë dhe njerëzit do të kenë mundësi ta shikojnë në kanalin tonë në YouTube dhe në faqet tona në rrjete sociale. Nëse nuk mund të vijmë në qytetet tuaja për të performuar — do të vijmë te kompjuterat, tabletat dhe telefonat e juaj”, shpjegojnë ata, duke i ftuar të gjithë ta rrisin zërin dhe të kërcejnë e këndojnë së bashku me ta.
“Nëse fqinjët bëjnë problem, dërgojani linkun që të bashkohen edhe ata”, shtojnë ata.
Duke e përvetësuar një qasje pak më ndryshe, bendi sarajevas Letu Shtuke e kanë nisur një program të izolimit të quajtur Quarantine Antenna, me të cilin synojnë të sjellin një frymë të re në video klipet më interesante që i kanë krijuar gjatë periudhës së vetizolimit.
“Në këtë kohë të pandemisë dhe karantinës, e ndjejmë nevojën për të komunikuar me fansat tonë”, thotë frontmeni i Letu Shtuke, Dino Sharan.
“Prandaj po i ngrisim antenat tona për t’i transmetuar disa këngë më të vjetra me klipe më të reja. Të ndalemi një moment dhe të reflektojmë për botën tonë dhe veten dhe pastaj të kthehemi kah jeta dhe thelbi i saj. Gjithçka vjen për të kaluar, e kështu edhe kjo pandemi. Të kujdesemi për veten dhe tjerët. Të jemi përgjegjës”.
Edhe Orkestra Filarmonike e Beogradit (BGF) po i transmeton koncertet e veta dhe po e përditëson çdo ditë repertorin e saj onllajn. Orari i koncerteve është në dispozicion në faqen e tyre në Facebook, i shoqëruar me një mori përmbajtjesh tjera.
"Korona na ka ndarë prej njëri-tjetrit, por paramendoni si do të ishte izolimi pa internet."
Ivan Tasovac, Orkestra Filarmonike e Beogradit
Çdo ditë ka përmbajtje speciale, kështu që vizitorët onllajn mund të shohin performues të ndryshëm, por gjithashtu kanë mundësinë — çdo të martë – të flasin me të ftuarit e BGF: Muzikantët dhe dirigjentët që tani nuk kanë mundësi t’i bashkohen Filarmonisë për koncertet që i kishin të planifikuara më parë.
“Po të më kishte thënë dikush para dy muajve se gjëja e parë që do të më vinte në mend kur përmendet “corona” do të ishte epidemia në vend se një term muzikor që tregon se një notë apo pauzë duhet të zgjatet, apo madje një birrë pas koncertit, nuk do t’i kisha besuar”, tha drejtori i BGF, Ivan Tasovac.
“Kjo koronë na ka ndarë prej njëri-tjetrit, por paramendoni si do të ishte izolimi pa internet. Pra në këtë oqean të përmbajtjeve cilësore dhe të disponueshme, ne jemi në pozitë për t’iu ofruar gjërat për të cilat dëgjohet muzika, për të cilën adhurohet Filarmonia e Beogradit. Ky është misioni ynë”, shton Tasovac.
Programi i filmave në izolim
Restart — një “organizatë e bazuar në Zagreb që fokusohet në prodhim, distribuim dhe ekspozim të filmave dokumentarë kreativë” — ka vendosur t’i postojë onllajn 20 dokumentarënga rajoni dhe më gjërë; filmat do të mund t’i shikoni pa pagesë deri në fund të prillit, por me gjasë edhe më gjatë nëse vazhdon izolimi.
“Pasi që ne besojmë se pandemia COVID-19 pa dyshim do ta lërë një shenjë të përhershme në botën në të cilën jetojmë dhe me gjasë deri në atë masë që bota nuk do të jetë më kurrë e njëjtë, Restart ka vendosur t’ua lehtësojë izolimin të gjithëve që po e presin të ardhmen të vijë dhe ta lënë këtë pandemi në të kaluarën”, thanë ata.
Disa prej titujve që janë në dispozicion janë mrekullia kinematografike e Maqedonisë së Veriut “Honeyland”, “Leonard Cohen: Bird on a Wire” dhe “Citizenfour”, një dokumentar për Edward Snowden.
Filma pa pagesëpo ofrohen edhe nga Motovun Film Festival (MFF) si një prej partnerëve të festivalit online My Darling Quarantine. Ky i fundit është lansuar me nismën e Enrico Vannucci, kurator i filmave të shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venedik.
Si pjesë e programit të tyre, çdo javë MFF i zgjedh dhe transmeton shtatë filma të shkurtër distopianë, si dhe u jep mundësi shikuesve të votojnë për filmat e preferuar të tyre.
Është themeluar edhe një fushatë për mbledhje të fondeve — gjysma e fondeve të mbledhura do të ndahen për mbështetje të skenës së pavarur kulturore dhe gjysma tjetër për bamirësinë mjekësore Médecins Sans Frontières(Mjekët pa Kufij). Kjo organizatë punon pa pushim për ta frenuar përhapjen e virusit në kampe të refugjatëve dhe në mesin e popullsive më të prekshme në Greqi dhe rrugën e Ballkanit.
"Do të jetë interesant dhe një sfidë e vërtetë për neve ta testojmë një seri të tërë të mundësive të reja."
Marina Buriq, ZagrebDox
Pula Film Factory i është bashkuar MFF-së duke e vazhduar programin e saj pa tubime publike. Ekipi i Pula-s e kanë themeluar Digital Film Quarantine, një koncept të ri që mundëson shfaqjen e filmave, meditime dhe diskutime për filmat që trajtojnë tema aktuale me ndërveprim nëpërmjet rrjeteve sociale onllajn.
Edicioni i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar ZagrebDoxështë shtyer për shkak të pandemisë, por programi ZagrebDox Pro për profesionistët e filmit është mbajtur online nga 15 marsi.
“Ndonëse u detyruam ta ndryshojmë formatin e festivalit për shkak të këtyre ngjarjeve fatkeqe, do të jetë interesant dhe një sfidë e vërtetë për neve ta testojmë një seri të tërë të mundësive të reja që do të vijnë si rrjedhojë e kësaj qasjeje inovative, duke u zgjeruar edhe më tej me mjete dhe formate të reja”, tha producentja e ZagrebDox Pro, Marina Burić.
Edhe DokuFest— festivali më i madh i filmit në Kosovë — e përcjelli trendin me programin Sweet and Short Quarantine, ku shfaqet çdo ditë nga një film i prodhuar nga Qendra e Filmit Dokumentar DokuFest.
Ndërkohë, Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) po transmeton filma kosovarë në faqen e tyre në Facebooknë bashkëpunim me RTK-në, transmetuesin publik të Kosovës.
Udhëtime në muze virtuale
Muzetë gjithashtu po e ndjekin trendin e institucioneve tjera kulturore sa i përket reagimit onllajn ndaj pandemisë.
Një fushatë e quajtur “Let’s Live Culture #stayhome” është nisur nga Ministria e Kulturës e Malit të Zi me synim që t’i ofrojë popullit të Malit të Zi përmbajtje kulturore dhe artistike nëpërmjet kanaleve të komunikimit që i kanë në dispozicion në shtëpi gjatë periudhës së izolimit.
“Ministria e Kulturës i është bashkuar fushatës #stayhome me kapacitet të plotë duke krijuar një platformë të përbërë prej disa kanaleve të komunikimit ku të gjithë qytetarët mund të kenë qasje në mediume që lidhen me artin, muzikën, teatrin dhe kinematografinë malazeze, si dhe një bollëk programesh të devotshme”, lajmëroi ministria.
Edhe Muzeu Kombëtar i Malit të Zi po merr pjesë duke organizuar vizita virtualenëpërmjet katër muzeve të tij: Muzeu i Mbretit Nikola, Muzeu i Artit, Muzeu i Historisë dhe Bijarda e Njegošit.
Për ta çuar një nivel më lart, Muzeu Historik i Bosnjës dhe Hercegovinës vendosi ta përkujtojë 6 prillin — ditën e çlirimit të Sarajevës në Luftën e Dytë Botërore — duke e hapur një ekspozitë onllajn të quajtur “Was Ist Walter?” Titulli është aluzion për kërkimin e heronjve bashkëkohorë që na kujtojnë Vladimir Periq Valter, i cili mori pjesë në çlirimin e qytetit.
E lajmëruar si “një udhëtim kritik nëpër historinë e Sarajevës”, ekspozita u planifikua të mbahej në oborrin e muzeut, por situata ndryshoi pas përhapjes së COVID-19.
“Ekspozita nuk do të na ndihmojë ta gjejmë një vaksinë apo shërim për sëmundjen Coronavirus. Megjithatë, me shpresë do të na ndihmojë t’ia kujtojmë vetes të gjitha vlerat që e kanë ruajtur frymën e Sarajevës gjatë historisë pavarësisht të gjitha krizave. Një frymë e solidaritetit dhe rezistencës, mishërim i së cilës është vetë Valteri”, thanë bordi i muzeut.
Damir Martinoviq, basisti i bendit Let 3nga Rijeka, dhe Ivanka Mazurkijeviq, u bashkuan nën pseudonimin Mr. Lee & IvaneSky për ta krijuar “Rain Jollies”, një album për fëmijë që u publikua në formatin audio dhe si libër për ngjyrosje.
Dhe diçka unike dhe interesante vjen nga Shqipëria. Dizajneri i arteve grafike Renato Tata bashkë me partneren kreative të tij Stefania Esposito i kanë dizjanuar disa screensavers që na kujtojnë t’i pastrojmë telefonat dhe duart. Screensaver #AntiCOVID19është një shembull i kontributit të artit në këtë çështje, por edhe e vendosjes së artit në duart e audiencës.
Kjo është vetëm një pjesë e vogël e një sasie të konsiderueshme të përmbajtjeve që po ofrohen për publikun rajonal nga institucionet kulturore dhe ato të artit, si dhe nga artistët individualë.
Pyetja e pashmangshme është ajo se a është njëjtë ta shohësh një shfaqje teatrale nga shtëpia apo një koncert nga ballkoni, sikur të jesh në teatër apo në një koncert me njerëz tjerë?
Sigurisht që jo, dhe sigurisht që nuk ka zëvendësim për atmosferën specifike të ndarjes së një përvoje teatrale apo një koncerti. Prapë se prapë — falë reagimit të shpejtë të artistëve dhe institucioneve kulturore — këto përmbajtje tani janë në dispozicionin tonë, të paktën pjesërisht. Kjo do ta luajë një rol të rëndësishëm gjatë ditëve të kota të izolimit.
Megjithatë, një pyetje jetike mbetet: Si do t’i vazhdojnë institucionet kulturore aktivitetet e tyre pas përfundimit të pandemisë? Disa ministri të kulturës në rajon veçse kanë premtuar ta mbështesin kulturën dhe artet gjatë kësaj periudhe të vështirë, por mbetet të shihet se a do t’i realizojnë këto premtime.
Pa marrë parasysh shtrirjen e trazirave të shkaktuara nga situata aktuale ekonomike, duhet ta kemi parasysh se pa prodhime kulturore dhe artistike, çdo shoqëri e ka të shkruar errësirën dhe mungesën e shpresës.