Pikëpamje | Politika

Në Kushtetutë pesë gjuhë, ama në shtëpi veç shqip

Nga - 26.03.2021

Deputetët në Kosovë duhet t’i njohin fëmijët si qytetarë shpesh të shtypur e të shkelur.

Në seancën për votimin e qeverisë së re të Kosovës, deputetë nga opozita morën fjalën për të ndarë kritikat e tyre ndaj qeverisë në ardhje. Në mesin e tyre, ishte veçanërisht një fjalim që nxiti reagime në seancë e tjetërkund, përgjatë tërë javës. 

Ganimete Musliu, deputete për të pestën legjislaturë, duke iu drejtuar edhe Albin Kurtit, të posazgjedhur kryeministër i Kosovës e edhe qytetarëve, tha:

“Për fund, e keni dëshirë t’ju quajmë kryeministër shqiptar, do të mbeteni në histori si kryeministri i parë, të cilit fëmijët e tij nuk i flasin shqip në Kosovë dhe në shtëpinë e tyre”. 

Deputetja Musliu nuk ishte e para që tentoi të përcaktojë fëmijët e mirë dhe të këqinj. Ajo veç i shtoi ide të reja kolegut të saj në Kuvend e parti, Mërgim Lushtaku. Teksa fëmijë të këqinj për deputetin Lushtaku ishin fëmijët që rriten nga prindërit homoseksualë, për deputeten Musliu, po del që fëmijë të këqinj janë ata që nuk flasin shqip. Po ashtu, të dy flasin për prindër të këqinj. Për të kthjellur kujtesën, deputeti Lushtaku prindër të këqinj i vlerësonte prindërit homoseksualë, teksa deputetja Musliu, prindër të padenjë i konsideron ata, të cilëve fëmijët nuk iu flasin shqip në shtëpi.

Pra, në mendësinë e deputetes Musliu, Kurti është më pak shqiptar sepse sipas saj, atij nuk i flet fëmija shqip në shtëpi. Ajo synon të ofendojë me këtë. Kjo i bie që për të, meqë kryeministri Kurti është më pak shqiptar, ai është më pak patriot e kështu më pak legjitim për ta bartur postin. 

Sidoqoftë, në demokraci legjitimiteti nuk duhet të përcaktohet nga mendësia fisnore se kush i kujt është, as se kush sa shqiptar është, por nga zgjedhjet. 

Nëse deputetja Musliu njëmend ka zgjedhur ta luftojë betejën e gjuhëve, atëherë le të dalë e të kërkojë të ndërrohet Kushtetuta e Kosovës. Le të kërkojë vota në emër të ndalimit të përdorimit të gjuhëve tjera pos shqipes. Të kërkojë që qasja në gjuhë amtare nga kushdo që nuk flet shqip të çnjihet si e drejtë e njeriut. 

Nuk ka standarde të dyfishta. Në fushatë gojën plot me të drejta të pakicave e integrime evropiane e në parlament me racizëm e nacionalizëm. 

Pra, cila është deputetja Musliu? Ajo e fushatës apo ajo e foltores së parlamentit? Ndërrimi i qëllimtë prej të parës në të dytën është mashtrim.

Kur iu dha hapësira ta sqaronte atë që tha, deputetja Musliu shtoi: “[…] ju kam thanë disa herë, kujdes kur prekni fëmijët e dikujt, fëmijët e liderëve tanë, të cilët janë etiketu këtu në këtë foltore, a i ka sjellë lejleku ata, apo janë ata prej jetimoreve? Prandaj këtë standard e keni bo ju dhe mësohuni se do të përballeni me këtë standard”.

Në vend se të ankohet nëse dikush s’i thotë bukës, bukë, a shkollës, shkollë, le të gjejë zgjidhje që të gjithë të kenë bukë e shkollë.

Fillimisht deputetja Musliu pajtohet që retorika e kapjes së fëmijëve është gabim, por prapëseprapë nuk reziston dot pa e përsëritur vetë të njëjtën. Deputetja Musliu kontribuoi që kjo retorikë të shndërrohet në standard, sepse standardi formohet pikërisht përmes përsëritjes. Jo që nuk duhet të mësohemi me këtë standard, por duhet që aktivisht ta refuzojmë atë. Nuk duhet të mësohemi me brenga të paqena. Duhet të mësohemi me zgjidhje të brengave reale. Ky duhet të jetë standardi i vetëm. Standardi për të cilin prej saj dhe kolegëve të saj do kërkojnë llogari edhe të rriturit e edhe fëmijët.

Deputetja Musliu nuk kërkoi falje. Edhe sikur të kërkonte, nuk mjafton një kërkimfalje sa për sy e faqe. Në vend të kërkimfaljes, deputetja Musliu të punojë që fëmijët të kenë qasje në të drejtën e shumëgjuhësisë, të cilën ua garanton Kushtetuta, në funksion të së cilës do duhej të ishte deputetja Musliu dhe çdo deputet e deputete tjetër.

Dhe në vend se të ankohet nëse dikush s’i thotë bukës, bukë, a shkollës, shkollë, le të gjejë zgjidhje që të gjithë të kenë bukë e shkollë. 

Brenga reale në vend të atyre fiktive

Ja disa çështje të njëmendta me të cilat mund t’i zëvendësojë shqetësimet momentale deputetja Musliu, apo cilido deputet tjetër në Kuvend. 

Deputetja Musliu duhet të brengoset se përse të gjithë fëmijët në Kosovë nuk mund të flasin gjuhën e tyre apo të mësojnë në gjuhën e tyre. Ajo duhet të flasë për shkollat që nuk ofrojnë mësim në gjuhën rome për shembull. Të na e shpjegojë se përse disa fëmijë gëzojnë të drejtat e garantuara nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e disa jo. Të flasë për sistemet paralele të edukimit për fëmijët serb.

Të flasë se si, në fakt, përcaktimi i superioritetit dhe inferioritetit midis njerëzve në bazë të gjuhës që ata flasin përveç që është raciste në Kosovë e kudo tjetër, është antikushtetuese. Në bazë të së njëjtës Kushtetutë as në parlament nuk flitet veç shqip, lëre më nëpër shtëpitë tona. 

Në Kushtetutën e Kosovës përmenden pesë gjuhë, ajo rome, turke, boshnjake (nivel lokal); serbe dhe shqipe (nivel shtetëror). Deputetja Musliu nuk po e kriminalizon të folurit norvegjisht a anglisht, ajo po kriminalizon të folurit e çfarëdo gjuhe tjetër që nuk është shqip. Kështu duhet ta kuptojmë deklaratën e saj.

Racizmi nuk ndahet me thikë. Nuk mund të mos jesh racist karshi dikujt që flet serbisht, romisht, a turqisht e të jesh racist karshi dikujt që flet të themi norvegjisht. Kjo tregon që deputetja Musliu nuk e ka të përbrendësuar pranimin as ndaj gjuhëve të para e as ndaj të dytave. Joracizëm me zor ndaj gjuhëve të para dhe racizëm me zgjedhje ndaj të dytave.

Deputetja Musliu duhet të flasë për stigmën ndaj folësve të gjuhëve tjera e jo ta përforcojë atë. Le të flasë edhe për bullizmin nëpër shkolla, në vend se ta nxisë atë. Po, kur të mosfolurit shqip ajo e konsideron si dobësi, atëherë tërthorazi inkurajon bullizmin, tashmë të pranishëm, karshi atyre që nuk flasin shqip. 

Bullizmi është problem real. Një hulumtim i Institutit Pedagogjik të Kosovës, i kryer në vitin 2015 në nëntë komuna dhe që ka përfshirë 380 nxënës të shkollave të mesme, tregon se gjysma e nxënësve të anketuar kanë deklaruar se janë thirrur me emra fyes dhe përqeshur nga të tjerët në baza ditore, javore, mujore apo vjetore.

Deputetja Musliu duhet të flasë për fëmijët që nuk mund të shkojnë në shkollë sepse janë të varfër.

Deputetja Musliu duhet ta njohë një tjetër problem real e që është përballja e fëmijëve me probleme të shëndetit mendor dhe atyre me aftësi të kufizuara me vështirësi të përditshme që vijnë si rezultat i harresës së shtetit.  Në vitin 2020, Sebahate Hajdini Beqiri nga shoqata Down Syndrome Kosova kishte treguar për K2.0 se si shoqata e saj rrezikonte mbylljen e funksioneve për shkak të jostabilitetit financiar. Në po të njëjtin hulumtim, Rasmije Krasniqi, nga shoqata Hadër, qendër për fëmijët me aftësi të kufizuara, tregon se si qendra mbahet me donacione nga jashtë teksa thërret që institucionet qeveritare ta ndihmojnë që të vazhdojë operimin e saj. Derisa deputetja Musliu e ka hallin se si fëmijët nuk flasin shqip, të na tregojë pak se çka saktësisht do të bëjë ajo në mandatin e saj për këta fëmijë.  

Deputetja Musliu duhet ta dijë edhe që fëmijët nuk kanë qasje në edukim parashkollor. Le të na tregojë deputetja Musliu se cili është programi i saj për t’u mundësuar fëmijëve qasje në edukim parashkollor, kur sipas Koalicionit të OJQve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, vetëm rreth 6% të fëmijëve të moshës së nivelit parashkollor 0-4 vjeç janë të përfshirë në edukimin parashkollor. Rezultatet e dobëta në PISA, raporti i Komisionit Evropian në 2020 ia faturon pikërisht kësaj mospërfshirje të fëmijëve në arsimim parashkollor. 

 Deputetja Musliu duhet të flasë për fëmijët që nuk mund të shkojnë në shkollë sepse janë të varfër. Le të flasë për varfërinë ekstreme. Për fëmijërinë që u mohohet fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptianë, pasiqë ata, si fëmijë bartin mbi supe përgjegjësinë për të mbajtur familjen. 

Puna e fëmijëve është e ndaluar me ligj dhe Konventa Ndërkombëtare. Përse po punojnë fëmijët dhe përse pikërisht fëmijët rom, ashkali dhe egjiptianë? Të na tregojë deputetja Musliu se përse në vitin 2018, sipas Rezultateve të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijëve lëshuar po nga KOMF, shteti ka ndërrmarrë vetëm 16% të veprimeve potenciale që organizata i ka konsideruar si masa efektive në luftimin e formave negative të punës së fëmijëve dhe të punës në rrugë.

Më tej, në vitin 2017, për K2.0 Policia e Kosovës pati identifikuar 351 lypës. Prej tyre më së shumti kishte fëmijë e prej këtyre fëmijëve shumica ishin të minoriteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Le të flasë për këta fëmijë, të cilët nuk mund të jenë as fëmijë. Edhe këtu, po del që ka raport të zhdrejtë midis të mosfolurit shqip dhe shtypjes — sa më pak që flet shqip, aq më i shumë i shtypur je.

Meqë brengoset për fëmijët, le të brengoset si duhet për ta. T’i njohë si qytetarë që shkelen e shtypen e jo si instrumente të shfrytëzueshme për të lënduar a matur ego. Na duhet pjekuri politike e jo qeverisje fisnore. 

Fëmijët janë qytetarë të shtetit

Të gjithë fëmijët janë fëmijë. Ata nuk duhet të jenë të dikujt, as të deputetëve, që të njihen si të tillë. Ata janë qytetarë të vendit dhe si të tillë duhet të njihen nga të zgjedhurit e qytetarëve. 

Të mos presim derisa fëmijët e sotëm të rriten për ta treguar kundërshtinë e tyre. Ta kundërshtojmë sot atë që u tha në seancën e 22 marsit. Fëmijët le të rriten me shumanësinë e çështjeve dhe të paktën diku, ta kenë të shënuar që ajo që u tha në parlament nuk duhej të thuhej në radhë të parë, por meqë u tha — po kundërshtohet.

Të rriturit e parlamentit që u bëjnë gjyq nacionalist e racist fëmijëve, harrojnë që fëmijët do të rriten duke ditur që përveç se nevojat dhe mirëqenia e tyre shpërfillen, për ta flitet vetëm kur synohet t’i preket ‘teli’ dikuj. 

Jemi ne, fëmijët e dikurshëm, që nuk duhet të hyjmë në lojën e nacionalizmit e racizmit, por ata që e kundërshtojmë atë nga themeli.

Tash për tash, ne të rriturit që jemi fëmijët e një kohe jo shumë të largët duhet të jemi dëshmia që fëmijët e lënë anash, mbajnë mend. Që fëmijët dikur të përjashtuar, sot nuk përjashtojnë. Dëshmia që fëmijët dikur të instrumentalizuar, sot nuk instrumentalizojnë. Dëshmia që jemi fëmijët që për gjuhë amtare nuk e kemi veç shqipen. Që jemi fëmijët e dikurshëm që e njohim, dimë, pranojmë për të mirëqenë që teksa ka fëmijë shqiptarë, ka edhe fëmijë rom. Fëmijë serb. Fëmijë boshnjakë. Fëmijë egjiptianë. Fëmijë norvegjezë. Fëmijë kosovarë. Fëmijë edhe shqiptar edhe serb. Edhe rom edhe boshnjak. 

Ne duhet të jemi fëmijët që pëçarjen që ndillet në parlament e refuzojmë me zë të lartë, në gjuhët tona të shumta e me fjalët tona të zgjedhura. Ne i zgjedhim fjalët para gjuhëve. E kur gjuhët tona cenohen e veçohen, përbashkohemi. 

Ne jemi fëmijët e atëhershëm, që sot duhet ta çnormalizojmë retorikën përjashtuese, që fëmijët e sotëm të kenë beteja tjera për të luftuar. Ne jemi e tashmja që duhet të jetë më e hapur, më e mirë.

Jemi ne, fëmijët e dikurshëm, që nuk duhet të hyjmë në lojën e nacionalizmit e racizmit, por ata që e kundërshtojmë atë nga themeli. Kundërshtia e themeltë nuk bëhet duke kërkuar prova që dikush që akuzohet se nuk flet shqip, në fakt flet shqip. Ky është veç vazhdim i gjyqit dhe rreth vicioz që e riprodhon retorikën përçarëse.

Duhet t’i çelim udhë një diskursi që fëmijët i njeh përbrenda përpjekjeve për jetë të mirë për ta si qytetarë e jo një diskursi që i mbyll ata në kontura patetike e në thelb, raciste. Racizmit nuk duhet t’i përgjigjemi me racizëm. 

Është e rëndësishme që të mos i lëmë fjalët të rrëshqasin. Gjuha ka rëndësi. Sidomos kur gjuha e dikujt bëhet arsye për ta shtypur dikë apo për ta lartësuar dikë tjetër.  

Imazhi i ballinës: K2.0.