Zgjohen herët, rregullohen, i krehin flokët. Gjallëria dhe buzëqeshjet e dalluara në këtë grup të linin përshtypjen se në atë mëngjes të ftohtë të nëntorit, ato nuk po shkonin në gjykatë në Travnik, por ishin zgjuar herët për të pirë kafe me fqinjët e tyre, të cilët i kishin miqtë më të afërt dhe më besnikë.
Njëzet prej tyre tashmë ishin mbledhur. Disa prej tyre i shikonin ftesat për gjykatë. Të gjitha ishin dënuar për “pengim të policisë gjatë ushtrimit të detyrës dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike” në fshatin e tyre, Krushqica, në mëngjesin e ngrohtë të 24 gushtit.
“Jam 62/vjeçare”, tha Amira Handanagiq. Si refugjate e luftës ajo kishte lëvizur nëpër shtete të ndryshme dhe kishte përfunduar në Amerikë, por më vonë u kthye në vendlindje. “Unë jetoj në Krushqica dhe e mbroj lumin. Kjo është hera e parë që po shkoj në gjykatë komunale. Do ta vdisja po t’i humbja tingujt e lumit”.
“Tash këta njerëz të panjohur duan t’na e marrin lumin. Kjo është tallja më e madhe që e kam dëgjuar ndonjëherë”, vazhdoi Handanagiq. “Nuk mund të besoj që na u lëshuan me shpejtësi aq shumë policë, neve, nënave”, kujtoi ajo derisa bisedonim në “selinë” e improvizuar të grave të Krushqicas, para se të shkonin në gjykatë.
Të buzëqeshura e duke bërë shaka, ato ngadalë largohen nga “selia për mbrojtje të lumit” dhe kalojnë përtej “urës së grave të guximshme të Krushqicas”, e cila lidh fshatin me thesarin e vet, lumenjtë e cektë dhe të bukur malorë, pranë të cilëve këto gra janë rritur.
Gratë nga Krushqica përfunduan në gjykatë pasi i rezistuan ndërtimit të hidrocentralit. Foto: Mirna Omercausevic.
Fqinjët e tyre i përqafuan, dhe fëmijët e tyre ishin të pranishëm gjithashtu. Handanagiq shtrëngoi dorën, e bëri grusht, e ngriti lart dhe bërtiti me krenari: “Nënë e dashur, do ta mbroj lumin”, e më pas iu bashkangjitën edhe të tjerat. Njëra prej tyre mbante një shami të bardhë tradicionale të muslimanëve dhe dimi karakteristike për atë zonë, por edhe një këmishë me mëngë të shkurta që mbante slloganin: “Jo ndërtimit të hidrocentralit në Krushqica!”
Rojtarët e lumit
Gratë nga Krushqica tani janë pjesë e një nisme të re në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila përbëhet prej qytetarëve të vetëorganizuar të cilët i mbrojnë lumenjtë nga ndërtimet e hidrocentraleve dhe format e tjera të shfrytëzimit të cilat e dëmtojnë natyrën.
Veprime të ngjashme u ndërmorën vitin e kaluar dhe po vazhdojnë ende në lumenjtë Una, Sana, Vrbas dhe Neretva, por më parë policia nuk kishte përdorur forcë ndaj qytetarëve.
Njerëzit në Krushqica pretendojnë se kjo është e vërtetë edhe në rastin e tyre. Ata i fajësojnë autoritetet rajonale të Kantonit Qendror të Bosnjës (SBK), me qendër në Travnik, qyteti në të cilin shkuan në gjykatë gratë e këtij fshati.
Nga viti 2004, qeveria e SBK-së u ka lëshuar 61 koncesione kompanive private për ndërtim të hidrocentraleve të vogla. 29 prej tyre tashmë janë ndërtuar, por kryesisht në lumenj të vegjël apo në ato me nivele të ulëta të ujit gjatë verës.
Koncesioni tridhjetëvjeçar nis nga momenti i ndërtimit – investitorët do t’i paguajnë 2 për qind të përfitimeve të tyre qeverisë kantonale gjatë tri dekadave të ardhshme.
Abdulah Burek, presidenti i Komisionit për lëshim të koncesioneve për hidrocentrale të vogla në Ministrinë e Bujqësisë në SBK, tha se nuk ka biznes më të mirë për kantonin.
“Investitori në fund ia jep krejt pasurinë shtetit. Parafytyrojeni situatën pas 30 vitesh. Edhe këto 15 do t’i kemi në pronësi për rreth 15 vjet. Secili hidrocentral prodhon rrymë, prodhon para. Dhe kjo është pronë shtetërore. [Qeveria kantonale] nuk e ka pasur asnjë cent, e tani fiton”, shpjegon Burek.
Besim Ajanoviq gjithashtu jeton në Travnik. Deri në vitin 2009, ai ishte anëtar dhe sekretar i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) e cila ka qenë në pushtet në këtë kanton, por edhe në pjesën më të madhe të vendit, prej fundit të luftës në vitin 1995.
Ai ishte gjithashtu përfaqësues kantonal, dhe në atë kohë, sipas tij, ai u “përjashtua” nga partia pasi i “kundërshtoi politikat kriminale të Kryeministrit të atëhershëm dhe anëtarit të partisë, Salko Selman”.
Ajanoviq pretendon se gjatë mandatit të tij, nga viti 2004 deri në vitin 2012, Selman “e shpiku konceptin kriminal të ndërtimit të hidrocentraleve në SBK. Ai tregon disa dokumente të cilat thotë se i ka dorëzuar në prokurori disa herë, por hetimet nuk janë nisur.
Salko Selman, zëvendëskryetar i SDA-së dhe drejtor i Bankës për Zhvillim (institucion që ndan qindra miliona marka konvertibile në buxhet) prej kohës kur partia e tij i fitoi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2014, nuk pranon të flasë me mediat. K2.0 iu drejtua me letra elektronike dhe telefon për tridhjetë ditë dhe nuk mori kurrfarë përgjigje.
Në bazë të vlerësimeve të sinjalizuesve, prej rreth 30 hidrocentraleve në SBK, në 30 vitet e koncesionit investitorët kanë gjasa të fitojnë rreth 280 milionë euro, dhe kantonit apo komunës do t’i paguajnë vetëm 2 për qind, apo 5.6 milionë euro.
Sipas legjislacionit ekzistuese, shuma e lejuar për kompensim të koncesionit është deri në 10 për qind të përfitimeve, që do të thotë se kantoni mund t’i mbledhë deri në 28 milionë euro, nëse parashikimet janë të sakta.
Ndryshime të planifikimit hapësinor
Në rastin e lumit në Krushqica, lejet për ndërtim të hidrocentraleve u miratuan në vitin 2007 dhe 2012. Megjithatë, tek më vonë, në vitin 2015, u bënë ndryshime në planin hapësinor lokal nga mazhoranca udhëheqëse në komunën Vitez, e përbërë nga SDA-ja dhe Komuniteti Demokratik Kroat i Bosnjës dhe Hercegovinës (HDZ).
Në vend se të jetë zonë e mbrojtur, siç ishte planifikuar më parë, ndërtimi u miratua në lumin që buron nën malin e bukur të Krushqicas, dhe ushqehet nga disa përrenj të paprekur.
Pylli me gjelbërim të përhershëm dhe lumenjtë shërbejnë si vende për ekskursione, por edhe si vend ku mund të dalin njerëzit e asaj ane të cilët rrallëherë janë të punësuar. Foto: Marketa Sediva.
Tenderi për njërin nga dy hidrocentralet iu dha kompanisë Higracon d.o.o. nga Sarajeva. Armin Haxhialiq, pronari i Higracon-it, dha një deklaratë për Televizionin Federal, duke thënë se ai i ka “të gjitha dokumentet e nevojshme për të ndërtuar në Krushqica”, dhe se komuniteti lokal e kishte dhënë miratimin.
Vendasit të cilët po e kundërshtojnë projektin pretendojnë se diskutimet u zhvilluan vetëm me një përfaqësues të SDA-së dhe 40 njerëz nga një komunitet i përbërë prej më shumë se 400 njerëzve. Gjithashtu thonë se informatat e dhëna ishin të pamjaftueshme. Në bazë të atij miratimi, Higracon-it iu dha e drejta për të ndërtuar në atë vend.
Investitori lajmëroi nisjen e ndërtimit në gusht të këtij viti. Të pakënaqur me këtë rezultat – siç thanë edhe vet – me “vjedhjen e lumit pa leje”, qytetarët nuk i lejuan kamionët dhe ekskavatorët e Higracon-it të kalonin mbi një urë të gurit (10 metra e gjatë dhe 5 metra e gjerë) e cila të çon te lokacioni i ndërtimit të planifikuar, pesë kilometra më lart.
Prej gushtit, vendasit e Krushqicas kanë bërë roje përpara urës në një tendë të vogël, për të parandaluar kthimin e makinave.
Megjithatë, në fund të gushtit, ata morën vesh se Policia Speciale kishte për qëllim zhbllokimin e rrugës për t’u mundësuar kalimin kamionëve dhe ekskavatorëve. Siç tha një vendas i Krushqicas për K2.0, gratë vendosën të rrinin te ura, “ që burrat të mos nxisnin reagim nga policia, sepse disa prej tyre të cilët punojnë në institucione publike tashmë ishin kërcënuar me shkarkim nga puna”.
Meqë gratë morën pjesë në aktin e bllokimit, urës iu dha emri simbolik: “Ura e Grave të Guximshme të Krushqicas”. Foto: Marketa Sediva.
“Ne menduam se gjithçka do të përfundonte qetë, se nuk do t’i sulmojnë gratë”, tha Neliha Ahmiq, e cila përkrah 30 grave tjera, erdhi për ta mbrojtur lumin nga “interesat e disa njerëzve”.
Veprimet e banorëve ishin të motivuara pjesërisht nga përvojat e vendasve të fshatrave Gojeviq dhe Bakoviq në të njëjtin kanton në vitin 2012. Nëpërmjet protestave, ata korrën sukses sepse e detyruan qeverinë kantonale ta bllokonte një investitor privat për të mos ndërtuar në lumin Zheljeznica në komunën Fojnica. Me mbikëqyrje dhe me trupat e tyre, ata e mbrojtën lumin me vite të tëra, madje edhe tani po e udhëheqin një betejë ligjore për mbrojtjen e tij.
Ahmiq tha për K2.0 se në Krushqica, situata u tensionua më shumë. “Një komandant i tyre erdhi dhe na tha se i kemi tre minuta kohë për t’u larguar, dhe po të mos i bindeshim kërkesës së tij, do të na gjobisnin të gjithave me nga 200 euro”, shpjegoi ajo. “U thamë: ‘na gjobisni, e paguajmë disi’. Por as dy minuta nuk kaluan dhe policia filloi t’na tërhiqte, t’na shtynte e t’na fyente. Kjo zgjati për 30 minuta. Shumë prej grave u lënduan dhe vuajnë nga pasojat edhe sot e kësaj dite”.
Pasi policia e “zhbllokoi rrugën kryesore”, makinat e Higracon-it e kaluan urën. Xhirime të dhunës së kryer në urë u shpërndanë atë ditë gjithandej nëpër rrjete sociale, në YouTube e në media.
“Vendasit të cilët e gjetën veten në këtë rrugë publike u urdhëruan ligjërisht ta zhbllokonin rrugën, por ata e injoruan këtë urdhër”, tha për gazetën e përditshme Avaz një përfaqësues i Ministrisë për Punëve të Brendshme të SBK-së.
Institucioni i Avokatit të Popullit për të Drejtat e Njeriut në Bosnjë dhe Hercegovinë u përfshi gjithashtu, duke njoftuar se do ta rishikonin procedurën për marrje të lejeve për hidrocentrale të vogla nga pikëpamja e interesave të popullsisë lokale dhe mjedisit. Institucioni do ta zhvillojë një hetim, dhe nëse vendoset që janë shkelur të drejtat e njeriut gjatë procesit, do të veprojë në përputhje me kompetencat e tij.
Nëse dëshmojnë se është shkelur ndonjë e drejtë, ky institucioni mund të japë rekomandime jo të detyrueshme për autoritetet kompetente që ato t’i zbatojnë masat për t’i korrigjuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e dobët të shtetit.
Përdorimi i trupave për ta mbrojtur lumin
Falë interesimit të mediave, atë ditë opinioni i gjerë më në fund mësoi se shumë vendas të Krushqicas nuk duan t’i humbin lumenjtë e tyre për interesat e disa personave, se duan ende të pijnë ujë të pastër nga lumi, ta zhvillojnë turizmin dhe të peshkojnë në pellgje. Meqë gratë morën pjesë në veprimin e bllokimit, urës iu dha emri simbolik: “Ura e Grave të Guximshme të Krushqicas”.
Në gusht, makineria e Higracon-it e kaloi lumin për te lokacioni në pyll, ku filluan gërmimin e tokës dhe të shkëmbit rreth lumit – me gjerësi tre metra në atë pjesë. Megjithatë, të nesërmen, qytetarët e Krushqicas i ndalën përsëri.
“Përsëri erdhi makineria, por ne i ndalëm. Rastësisht morëm lajmin se Gjykata Komunale e Travnikut i kishte ndaluar të gjitha llojet e ndërtimeve deri në përfundim të procesit të auditimit”, tha për media lokale Muris Xheliloviq, një prej kundërshtarëve më të përkushtuar të projektit të ndërtimit.
“Për ne, kjo është jeta”, tha 60-vjeçari Rasim Livnjak, ndërsa përkulej për të pirë ujë nga lumi në vendin ku është planifikuar ndërtimi i hidrocentralit Krushqica 2.
Tash e sa muaj, grupe të qytetarëve po qëndrojnë në detyrë në një seli të improvizuar në fund të lumit Krushqica. Foto: Marketa Sediva.
“Nga ky vend, dhe për 1,200 metrat e tjerë, lumi do të kalonte nëpërmjet gypave – aty do montohej një turbinë”, shpjegoi Livnjak. “2,200 metra më poshtë përgjatë lumit, një turbinë tjetër, dhe një hidrocentral tjetër. Asgjë nuk do të mbetej në shtrat. As për njerëz as për kafshë. E shihni që edhe tani janë të ulëta nivelet e ujit”.
Livnjak është punëtor i Sistemit të Ujësjellësit në Zenica. Ai punon te burimi i lumit Krushqica, prej ku furnizohen me ujë rreth 10,000 banorë në Zenicas.
“Kur u ndërtua sistemi i ujësjellësit, 70 për qind e lumit tashmë na e kishin marrë. Qëllimisht po harrojnë se tani jemi në minimumin biologjik”, shpjegonte ai derisa ecte buzë lumit – sikur po fliste me veten. “Ne nuk do ta lejojmë këtë kurrë, madje edhe nëse e humbim jetën”.
Viktor Bjeliq është zëvendëskryetar i Qendrës për Ambient në Banja Llukë dhe është një kundërshtar tjetër i madh i ndërtimeve të hidrocentraleve në Bosnjë dhe Hercegovinë. “Deri më tani nuk kemi parë asnjë shembull pozitiv, ku një hidrocentral sjell diçka të mirë për komunitetin lokal, dhe ku lumi nuk është tharë”, tha ai për K2.0. “Nuk ka kuptim të flasim për zhvillim të qëndrueshëm, por vetëm për interesa private. Çdo hidrocentrali i nevojitet një pendë që e ngadalëson rrjedhën e lumit. Kështu përkeqësohet cilësia e ujit, humbet oksigjeni, dhe e bën ujin të vdekur”.
Bjeliq është aktivist që punon për të mirën e mjedisit. Ai përpiqet t’i përdorë këshillat e tij për t’u ndihmuar lëvizjeve nga Bosnja dhe Hercegovina në luftën e përbashkët për mbrojtje të lumenjve.
Fitoret e para të Grave të Krushqicas
Para nëntë orëve, gratë nga Krushqica dolën të buzëqeshura nga minibusi. Me ta ishte Mehmedi, i cili ecte ngadalë me shkop. Ai u ndal për ta ndezur llullën para se të hynte në ndërtesën e sapolyer të Gjykatës Komunale. Nga ky moment, vetëm dy kamermanë u lejuan të xhironin para se të fillonte procesi, ndërsa pjesa tjetër e gazetarëve mund të merrnin shënime me shkrim.
23 karrige ishin të vendosura për të pandehurat, por vetëm 22 u ulën. Njëra grua nuk kishte mundësi t’u tregonte shefave se duhej të shkonte në gjykatë.
Disa përfaqësues ligjorë të policisë i përfaqësuan tre komandantët e policisë të cilët e menaxhuan “zhbllokimin e rrugës publike” si dëshmitarë. Ata i përshkruan versionet e tyre të ngjarjeve, duke deklaruar se protestueset i shpërfillën urdhrat e tyre për ta liruar rrugën, prandaj u dha urdhri për një veprim të parapërgatitur 25 ditë më parë.
“E kisha dhënë urdhrin për t’i kapur e për t’i çuar një nga një nga ura në autobus pa përdorur forcë”, tha komandanti i Stacionit Policor të Travnikut, Dragan Skulj.
Në fund, gjykata i shfajësoi të paditurat nga Krushqica. Në vendim u tha se “nuk ka dëshmi të mjaftueshme për t’i përcaktuar përgjegjësitë individuale të secilit person të regjistruar”.
Vendasit e Krushqicas festuan vendimin e gjykatës, si dhe fitoren në zgjedhjet e Komunitetin Lokal, pranë lumit të tyre. Foto: Marketa Sediva.
Para kësaj, një kandidat i mbështetur nga grupi në garën për kryetar të Komunitetit Lokal korri një fitore bindëse kundër kandidatit të SDA-së, i cili e kishte miratuar ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla. Ata i fituan gjithashtu të gjitha ulëset – gjithsej gjashtë – në Këshillin e Komunitetit Lokal.
“Padia jonë për brutalitet policor kundër qytetarëve ka shkuar në Gjykatën Supreme dhe është nisur procesi për rishikim të lejes mjedisore. Nuk do të dorëzohemi për lumin tonë”, tha Helina Ahmiq për K2.0.
“Ne do të luftojmë për drejtësi sepse e dimë se ajo është në anën tonë. Sepse ne jemi Gratë e Guximshme të Krushqicas. Sepse ne jemi krenaria e Bosnjës dhe Hercegovinës”, thotë ajo, duke buzëqeshur, ndërsa lumi i ftohtë malor shkëlqente mbrapa saj në diellin e pasditës së nëntorit.
Gratë nga Krushqica vazhdojnë ta ruajnë lumin e tyre dhe ende organizojnë roje për ta parandaluar kthimin e mundshëm të investitorëve dhe makinave të tyre.K
Foto kryesore: Zene Kruscice.