Në thelb | Të Drejtat e Grave

Në mungesë alimentacioni, barra bie te nënat vetushqyese

Nga - 17.12.2020

Gjyqësori dështon t’u sigurojë mirëqenie nënave vetushqyese dhe fëmijëve të tyre.

Pas një dite të përditshme pune tetë-orëshe, lodhja e Marigona Bujës vërehet në zërin e saj, në pauzat e shpeshta dhe të gjata teksa i lidh fjalitë, e në mënyrën sesi është zhytur në kolltukun e verdhë prej nga flet. Në zyrën e Shoqatës së Prindërve të Ndarë në Prishtinë, ajo dhe shumë prindër të tjerë, shumica nëna, mblidhen shpesh për të shkëmbyer përvojat rreth shkurorëzimeve, si dhe për t’u njoftuar më shumë rreth të drejtave ligjore që u takojnë. 

Buja, nga fshati Bujan i Lipjanit, punon në një kompani ndëmjetësimi për organizim ngjarjesh në kryeqytet, teksa gjatë kësaj kohe e lë të bijën pesë vjeçe nën përkujdesjen e prindërve të vet në Bujan, ku jetojnë së bashku.

“Boll zor”, thotë 29-vjeçarja Buja, teksa flet për vështirësitë që t’i mbulojë shpenzimet financiare për vajzën të cilën po e rrit vetë. “Unë e kam vajzën të diagnostifikume me astma. Ajo merr terapi dy herë në ditje. Duhet me pasë shumë kujdes me to, për to. Shumë zor, sidomos në kohën e pandemisë”. 

Pas një viti martesë, Buja dhe bashkëshorti i saj kishin vendosur të ndahen më 2016. Që nga nëntori i atij viti, kur gjykata e Prishtinës, dega e Lipjanit, vendosi për alimentacion të përkohshëm, ajo thotë se ish-bashkëshorti nuk i ka paguar detyrimet për bijën e tyre. Fillimisht gjykata ia kishte caktuar 250 euro, e pastaj e kishte zbritur detyrimin në 150 sosh. Sipas Bujës, edhe pas vitit 2019, kur ndarja ishte finalizuar dhe proceset gjyqësore kishin përfunduar, ish-bashkëshorti i ishte shmangur detyrimit.

Përkundër vendimit të gjykatës, Marigona Buja asnjëherë nuk ka pranuar alimentacionin nga ish-bashkëshorti i saj — një përvojë e përbashkët ndërmjet shumë nënave vetushqyese. Foto: Uran Krasniqi.

“Asnjëherë [nuk ka paguar alimentacionin]; asnjë muaj”, thotë Buja. “Kemi ba ankesë [në gjykatë]. Ka ba edhe ai ankesë që iu ka dokë shumë. U kthy prapë në rishqyrtim, prapë në rigjykim. Prapë është caktu alimentacioni, tani 150 euro. Prapë ka bo ankesë. Iu ka refuzu ankesa prapë edhe tash është metë alimentacioni 150 euro prej nëntorit 2016”.

Të njëjtin hall për fëmijën e saj e ka edhe 43-vjeçarja Arjeta Gashi nga Prishtina, e cila ishte ndarë me bashkëshortin pas dhjetë vjetësh martesë. Ajo divorcin me burrin e kishte finalizuar më 2013 kur djali i saj, fëmijë i vetëm, kishte qenë vetëm 10 vjeç. 

“Që nga viti 2013 kur edhe është obliguar babai i fëmijës të paguajë alimentacionin, ai asnjë herë nuk e ka paguar atë”, thotë Gashi, e cila e shtyrë nga përvoja personale, në vitin 2018 themeloi Shoqatën e Prindërve të Ndarë, përmes së cilës synohet sigurimi i mirëqenies për fëmijët e prindërve të ndarë si dhe fuqizimi ekonomik i prindërve vetushqyes.

Sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, zbatimin e të cilës Kosova e ka të paraparë nëpërmjet Kushtetutës, shtetet palë duhet të marrin “të gjitha masat e duhura për të siguruar marrjen e pensionit ushqimor të fëmijës nga prindërit e tij ose nga personat e tjerë që kanë përgjegjësi financiare ndaj tij, qoftë brenda ose jashtë vendit”. Për më tepër, përgjegjësia për këtë detyrim financiar është e sqaruar te Ligji për Familjen i Kosovës, ku thuhet se “prindit të cilit i është hequr përgjegjësia prindërore nuk lirohet nga detyrat për t’i mbajtur fëmijët e tij”.

Por në Kosovë ekzistojnë arsye të ndryshme që ndikojnë në mospagesën e këtij detyrimi. Mes tyre janë mungesa e efikasitetit të zinxhirit gjyqësor, përfshirë zvarritjet e lëndëve të tilla në gjykata të cilat këto raste nuk i konsiderojnë prioritet apo edhe mangësi në implementimin e ligjeve, e deri te problemet e ndryshme që lindin ndërmjet çifteve të shkrurorëzuara për të evituar obligimet ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj kujdesit të fëmijëve. 

Të dyja Buja dhe Gashi i kanë përjetuar për së afërmi këto pasoja. 

Sistem gjyqësor pa drejtësi

Bashkëvuajtës të mospranimit të alimentacionit janë fëmija dhe prindi vetushqyes, e që në të shumtën e rasteve rezulton të jetë nëna. Sipas të dhënave të mbledhura nga K2.0 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, mes viteve 2010-2019, prej 3,637 fëmijëve të divorceve, 2,188 prej tyre iu kanë takuar nënave, 1,214 iu kanë takuar baballarëve, 196 të dy prindërve, dhe 38 fëmijë të tjerëve.

Në një hulumtim shkencor publikuar më 2014, ku është studiuar cenimi i të drejtave të fëmijëve edhe në ushqim, nga 30 raste ndarjeje sa ishin analizuar, në 24 prej tyre fëmijët i ishin besuar nënës dhe në gjashtë babait. Prej tyre, në vetëm tetë raste prindërit ishin obliguar që ta paguajnë ushqimin. Sipas këtij studimi, vendimi gjyqësor për pagesën e alimentacionit në disa raste nuk zbatohet, ndërkaq në disa raste të tjera has në pengesa të ndryshme.

Avokatja Merita Stublla-Emini është një nga profesionistët juridikë që dështimin e mbrojtjes ligjore të nënave vetushqyese e vë në mosefikasitetin e gjyqësorit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Sipas avokates Merita Stublla-Emini, e cila përfaqëson gra në procese divorci, problemet me alimentacionin si dhe thyerja e funksionimit të zinxhirit institucional fillojnë pikërisht te vendimet që i marrin gjykatat. Ajo thotë se në disa raste ose nuk e zbatojnë ligjin, e interpretojnë gabimisht atë, apo nuk hetojnë mjaftueshëm.

“Gjykatat e Kosovës përkundër që kanë bazë ligjore, shumë shpesh nuk i kushtojnë kujdes të shtuar interpretimit të drejtë të dispozitave ligjore dhe nuk bëjnë hetime me qëllim që të vendosin drejt dhe saktë lidhur me shumën e alimentacionit me të cilën fëmijës do t’i sigurohet mirëqenia”, thotë Stublla-Emini.

Mungesa e efikasitetit të gjykatave për të trajtuar rastet e alimentacionit është evidentuar edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), i cili specifikisht i konsideron shkelje të të drejtave të njeriut rastet e zvarritjeve të procedurave gjyqësore për të vendosur lidhur me caktimin e alimentacionit si dhe të ekzekutimit të tyre.

“Avokati i Popullit në disa raste ka konstatuar se ka pasur edhe shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe ka kërkuar nga gjykatat që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që rastet që kanë të bëjnë me fëmijë apo prekin të drejtat e fëmijëve të vendosen pa vonesa, brenda afateve të përcaktuara ligjore”, tha IAP-ja në përgjigje për K2.0.

Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes një raporti të vitit 2017 mbi efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore, kishte vlerësuar se ato nuk po menaxhohen me efikasitet, duke cekur midis tjerash edhe grumbullimin e lëndëve të vjetra, shtyrjet e seancave gjyqësore dhe numrin e lartë të rasteve që kthehen në rigjykim. Sa u përket specifikisht lëndëve të alimentacionit, sipas raportit vjetor të vitit 2019 nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të dërguar K2.0-së, në gjykata janë pranuar 96 lëndë të reja, duke e çuar në 258 numrin e përgjithshëm të këtyre lëndëve. Ndërkaq, nga këto 258 lëndë, vetëm 82 janë zgjidhur, ndërsa 176 të tjera kanë mbetur të pazgjidhura.

Buja i ka përjetuar vetë pasojat e kësisoj zvarritjesh.

“Mbahen 12 seanca ku unë shkoj, ai [ish-bashkëshorti] nuk vjen”, thotë Buja, ish-bashkëshorti i së cilës jeton kryesisht në Gjermani. “Ai vjen në Kosovë, nuk vjen në gjykatë. E refuzon ftesën, s’vjen edhe nuk jep asnjë përgjegjësi, asnjë përgjigje për këtë send”. 

K2.0 ka kontaktuar dy avokatë, Naser Gashin dhe Fehmi Shalën, të cilët e përfaqësonin ish-bashkëshortin e Bujës, por asnjëri nuk pranoi ta komentonte rastin pasi nuk e përfaqësojnë më atë.

Në fakt, një ndër shkaqet e zakonshme se përse lëndët zvarriten në gjykata është mungesa e palës së paditur, ku zakonisht mungon avokati i ish-bashkëshortit apo ish-bashkëshortes. Kjo, sipas Gashit është strategji nga ana e prindërve të paditur në mënyrë që të zvarritet procesi, marrë parasysh edhe që në këtë mënyrë nuk bëhet pagesa me retroaktivitet pra pasi gjykata vendos për alimentacion, prindërit nuk detyrohen ta paguajnë alimentacionin edhe për muajt para aktgjykimit.

Të mospaguarit e alimentacionit me retroaktivitet, sipas Gashit, bën që prindërit kujdestarë të lodhen dhe pastaj nënat, si raste më të shpeshta, pranojnë edhe një shumë fare të vogël vetëm që çështja të përmbyllet.

Yll Zekaj, përfaqësues i organizatës joqeveritare Instituti për Drejtësi i Kosovës (IDK), thotë që përpos kohëzgjatjes së procedurave gjyqësore të cilat marrin vite të tëra derisa një aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm, problem tjetër është edhe moszbatimi i Ligjit për Ndërmjetësim. 

Sipas këtij ligji, rastet e alimentacionit hyjnë në kategorinë e rasteve të ndërmjetësimit të detyrueshëm pra pasi të inicohet padia, gjyqtari fillimisht e dërgon rastin në procedurë të ndërmjetësimit ku një ndërmjetësues i licencuar, i zgjedhur dhe paguar nga vetë palët, tenton që ta zgjidhë rastin me anë të pajtueshmërisë ndërmjet dy palëve. Nëse kjo nuk arrihet brenda 90 ditësh, atëherë lënda kthehet në gjykatë për procedurë të rregullt.

Zekaj thotë që edhe pse ky ligj ka hyrë në fuqi më 2018, gjyqtarët nuk respektojnë këtë dispozitë ligjore dhe lëndët e kësaj natyre kryesisht nuk referohen në procedurën e ndërmjetësimit.

Problematikë tjetër është edhe mospërmbarimi gjyqësor, apo thënë më thjesht, ekzekutimi i vendimeve gjyqësore në rastet e alimentacionit pasi që gjykata duhet të sigurohet që obligimet që dalin nga aktgjykimi të kryhen ose vullnetarisht, ose dhunshëm.

Ylli Zekaj nga Instituti për Drejtësi i Kosovës thotë që prokuroria duhet të jetë proaktive në ndjekjen penale të atyre që shpërfillin vendimet gjyqësore për pagesë të alimentacionit. Foto: Uran Krasniqi.

Në Qendrën për Ndihmë Juridike Falas të krijuar nga IDK-ja, Zekaj rrëfen se ka pasur raste kur ndonëse ekzistonte aktgjykimi i plotfuqishëm me të cilën përcaktohej alimentacioni, pala e cila kishte përfituar këtë të drejtë nuk kishte arritur ta realizojë atë edhe pas pesë vjetësh të nxjerrjes së këtij aktgjykimi.

“Përmbarimin e vendimeve nga marrëdhëniet familjare ligji e ka përcaktuar në kompetencë të gjykatës e jo të përmbaruesve privatë”, thotë ai. “Kjo ka ndikuar që të kemi zvarritje të procedurës në rastet kur alimentacioni nuk paguhet vullnetarisht dhe e njëjta duhet të procedohet përmes procedurës së përmbarimit”.

Zekaj potencon se moszbatimi i Kodit Penal përbën një tjetër problem, dhe thotë që prokuroria duhet të jetë proaktive në ndjekjen penale të atyre që shpërfillin gjykatën duke mos i ekzekutuar vendimet gjyqësore.

“Nga praktika jonë e monitorimit nuk kemi hasur në asnjë rast kur është iniciuar procedurë penale për raste të tilla”, thotë ai.

Ligjëruesi i së Drejtës Familjare dhe Trashëgimore në Universitetin e Prishtinës, Bedri Bahtiri, tregon që gjykata gëzon autoritet të mjaftueshëm që në mënyrë ex officio, apo sipas detyrës zyrtare, të iniciojë hetime lidhur me ndonjë rast kur dyshohet se njëri prind nuk po i përmbush detyrimet financiare ndaj fëmijës, e e cila përbën vepër penale sipas Kodit Penal. Mirëpo, sipas tij, deri më tani nuk është identifikuar ndonjë rast kur gjykata civile ka njoftuar prokurorinë lidhur me mospërmbushjen e detyrimeve lidhur me alimentacionin. 

“Një gjë e tillë i mbetet palës së dëmtuar”, thotë Bahtiri. “Në këtë rast gjykata civile do të duhej të inicionte procedurën penale duke njoftuar prokurorin e shtetit lidhur me këtë vepër penale, e cila do të ndikonte pozitivisht si preventivë dhe pastaj si masë ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që i shmangen detyrimit ligjor të pagesës së alimentacionit”.

Obligim për monitorimin dhe marrjen potenciale të masave ndaj gjykatave dhe prokurorive kur ato nuk e kryejnë punën si duhet, e kanë përkatësisht Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës. Sa i përket Këshillit Gjyqësor, raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit i vitit 2017 tregon që ky institucion nuk është treguar efikas në monitorimin e progresit të gjykatave, pasi ka krijuar mekanizma të përgjithësuar, jo të matshme dhe jo konkrete të cilat e vështirësojnë procesin monitorues. Mes problemeve të potencuara të gjykatave në këtë raport janë edhe zvarritja dhe numri i lartë i rasteve që mbeten të pazgjidhura, shpërndarja jo uniforme e lëndëve civile te gjyqtarët, parregullsitë në kompletimin dhe precizimin e lëndëve, vonesat e shqyrtimit të tyre në Gjykatën e Apelit si dhe numri i lartë i lëndëve që kthehen në rigjykim në Gjykatën Themelore. 

Por raporti cek që monitorimi i progresit të gjykatave nga Këshilli Gjyqësor është kryesisht i bazuar në statistikat e lëndëve që janë raportuar nga gjykatat themelore.

Në përgjigje për K2.0, Këshilli Gjyqësor thotë se ky raport është tri vjet i vjetër dhe tani gjendja është rregulluar pasi ata arrijnë të monitorojnë përmes organizatave joqeveritare me të cilat kanë lidhur memorandum përfshirë BIRN, Instituti për Drejtësi i Kosovës si dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Mirëpo këto memorandume nuk janë domosdoshmërisht të dobishme sa u përket rasteve të kontesteve nga marrëdhëniet familjare pasi ato seanca janë të mbyllura për publikun.

Mungesa e mekanizmave efektivë për monitorimin e gjykatave dhe gjyqtarëve lë pak hapësirë për ndonjë ndryshim përmbajtësor që do t'u garantonte nënave vetushqyese trajtim të drejtë në sistemin gjyqësor.

Një mënyrë tjetër e monitorimit të punës së gjykatave është nëpërmjet vlerësimit të performancës së gjyqtarëve, përfshirë mundësinë e paraqitjes së ankesave dhe ngritjes së hetimeve disiplinore ndaj tyre. Ankesat nga personat fizikë dhe juridikë dorëzohen te kryetari i Gjykatës Themelore, i cili nëse e vlerëson ankesën si të bazuar, kërkon nga Këshilli Gjyqësor fillimin e hetimeve disiplinore. Këta të fundit pastaj themelojnë një panel hetimor që duhet t’i kryejë hetimet brenda tre deri pesë muajve, dhe nëse raporti i tyre tregon që ka shkelje nga gjyqtari, atëherë këshilli vendos sanksione nga vërejtja jopublike me shkrim e deri te propozimi për shkarkim.

Për shembull, në vitin 2019, nga 135 ankesa disiplinore ndaj gjyqtarëve në mbarë Kosovën, 92 janë hedhur poshtë si të pabazuara nga kryetarët e Gjykatave, ndërkaq në 16 prej tyre janë bërë kërkesa për hetime disiplinore në Këshillin Gjyqësor. Në fund, vetëm katër rastë nën hetime disiplinore janë shqyrtuar, ku një gjyqtar është liruar nga përgjegjësia disiplinore, njërit i është zvogëluar paga mujore për 30% për tre muaj si masë disiplinore, ndërkaq në dy rastet e tjera janë shqiptuar vetëm vërejtje jopublike me shkrim.

Këto të dhëna nuk përfshijnë gjyqtarë të përfshirë në çështje të alimentacionit, pasi sipas Këshillit Gjyqësor nuk ka pasur ankesa për vendimet e gjyqtarëve në rastet e këtij lloji.

Mirëpo, sipas Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2019 nga Komisioni Evropian, përderisa procedurat disiplinore ndaj gjyqtarëve janë në fuqi, ato “përballen me vonesa të gjata dhe janë vërtetuar të mos jenë efikase”. Raporti i vitit 2020 vuri në dukje “ca përparim në zbatimin e kornizës ligjore” por theksoi se “ende duhen përpjekje për të siguruar zbatim më të qëndrueshëm dhe efektiv të procedurave disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Dhe kombinimi i këtyre dy faktorëvë — mungesa e ankesave në rast të alimentacioneve dhe mekanizmave efektivë për monitorimin e gjykatave dhe gjyqtarëve — lë pak hapësirë për ndonjë ndryshim përmbajtësor që do t’u garantonte nënave vetushqyese trajtim të drejtë në sistemin gjyqësor.

T’i bësh hile sistemit

Një konflikt që lind shpesh ndërmjet çifteve në shkurorëzim është edhe identifikimi i burimeve të të ardhurave, e që pastaj pasqyrohet te mospajtimet për alimentacion. Disa prindër bëjnë edhe mashtrime financiare në mënyrë që ta paguajnë një shumë më të vogël të mbajtjes e cila nuk korrespondon me të ardhurat e tyre reale. Ata gjejnë mënyra të ndryshme të shmangies, si tjetërsimi i pasurive të paluajtshme dhe deklarimi i rrejshëm i të dhënave financiare.

Për shembull, Gashi pretendon që ish-bashkëshorti kishte fshehur të hyrat e vërteta nga gjykata. Dhe përkundër që ajo kishte mohuar kontratën e punës të prezantuar nga ish-bashkëshorti, sipas saj gjykata pa marrë mundin e verifikimit ia kishte caktuar atij alimentacionin prej 130 eurosh.

I kontaktuar për këtë çështje, Gani Hoxha, avokati i ish-bashkëshortit të Gashit, Lulzim Rrmoku, nuk pranoi të flasë mbi pretendimet e ngritura nga ajo. Ndërkaq, K2.0 nuk ka arritur të vihet në kontakt me ish-bashkëshortin e Gashit.

Bazuar në hulumtimin e vitit 2019 të organizatës joqeveritare INJECT Pasuria e Përbashkët dhe Mbajtja Financiare lidhur me të drejtat e grave të divorcuara , 70% e grave të intervistuara kishin vendim të gjykatës për alimentacion, por vetëm 25% prej tyre kishin deklaruar se e marrin alimentacionin me rregull. Për më tepër, prej të intervistuarave në këtë hulumtim, INJECT kishte nxjerrë që në 70% të këtyre rasteve gratë kanë rënë pre e mashtrimit ekonomik kur vjen puna te pagesa e alimentacionit.

“Gjykata kur na i ka kërku dëshminë, rrogën e krejt, ai nuk ka sjellë kurrgjo”, thotë Buja. “As nuk është ndëshku, as nuk ka marrë vërejtje, një diçka çka unë e kam pritë”.

Ligji për Familjen i Kosovës parasheh që shtrirja e mbajtjes financiare të jetë “adekuate me kushtet në të cilat ka jetuar personi që ka të drejtë në mbajtje financiare”, dhe që detyrimi për të dhënë mbajtje financiare ose alimentacion përcaktohet në proporcion me të gjitha mjetet e të paditurit dhe brenda kufijve të nevojave të paditësit.

Në hulumtimin e lartpërmendur të INJECT-it thuhet që gjykatat shpesh e caktojnë alimentacionin në bazë të standardit mesatar jetësor në Kosovë dhe jo në bazë të statusit martesor, diçka që sipas Stublla-Eminit është e paligjshme.

“Ka raste që përkundër dëshmisë që i është dhënë gjykatës për shpenzimet familjare të cilat kanë qenë me mijëra euro, gjykata ka vendosur në bazë të standardit jetësor në Kosovë dhe ka caktuar për fëmijët alimentacion në shumë prej 150 eurove”, thotë ajo, duke sqaruar që kjo është në kundërshtim me nenin 305 të Ligjit për Familjen, sipas të cilit vëllimi i ushqimisë varet nga standardi jetësor në martesë.

Sipas Bahtirit, ky ligj i familjes i jep shumë mundësi si dhe një rol aktiv gjykatës që të zhvillojë hetime në rastet kur vendoset për besimin e fëmijëve dhe alimentacionin.

“Në këtë kontekst, Gjykata, bazuar në dispozitat respektive të Ligjit për Procedurën Kontestimore, është e autorizuar që të kërkojë nga bankat dhe institucionet tjera financiare që të zbulohet realisht se sa janë mundësitë dhe cilat janë kushtet reale të prindërve, andaj edhe mbi bazën e të dhënave të fituara nga këto hetime të gjykatës, ajo vendos edhe mbi lartësinë e pagesës së alimentacionit”, thotë Bahtiri.

Ngajshëm edhe në rastin e Bujës, gjykata ka vendosur alimentacionin për vetëm 150 euro përderisa ajo pretendon që sipas kushteteve financiare të bashkëshortit, një shumë më e madhe do të duhej të ndahej për vajzën e tyre. 

“Po gjykata kur na i ka kërku dëshminë, rrogën e krejt, ai nuk ka sjellë kurrgjo”, thotë Buja. “As nuk është ndëshku, as nuk ka marrë vrejtje, një diçka çka unë e kam pritë”. 

Kodi Penal i Kosovës parasheh burgim tre muaj deri në pesë vjet për dikë që i shmanget kujdesit material ndaj fëmijës përmes raportimeve të rrejshme. Ndonëse pretendon që ish-bashkëshorti i saj gëzon të ardhura shumë më të mëdha në krahasim me alimentacionin që i është caktuar, Buja ka hequr dorë nga kërkesa e mundshme për hetimin e tij.

“Jo, aq jam lodhë saqë nuk e kisha ba atë hap hiç”, thotë ajo. “Isha nda e knaqne edhe me 150 euro. Nëse kam pritë unë katër vjet për me e marrë një vendim të plotfuqishëm, nuk po du me e pritë edhe 14 vjet tjera derisa t’bohet çika jem n’moshë madhore edhe atëherë me thanë ‘jo s’po paguj qëtash se i ka bo 18 vjet’”.

Drejtësia e munguar bashkon prindërit vetushqyes

Buja dhe Gashi janë vetëm dy nga afro 120 prindër, përfshirë tre baballarë, që takohen në zyrat e Shoqatës së Prindërve të Ndarë në Prishtinë, ku ndajnë hallet rreth barrës dhe vështirësive që të vetëm t’ua sigurojnë mirëqenien fëmijëve të tyre përgjatë sfidave me ushqimin, strehimin, përballimin e shkollimit dhe shpenzimeve mjekësore.

Për Gashin, ka qenë pikërisht përvoja personale ajo që e ka shtyrë që më 2018 ta themelojë këtë shoqatë. Tani shoqata angazhohet që t’iu ndihmojë prindërve vetushqyes në këshillim dhe fuqizimin e tyre ekonomik.

Përvoja e Arjeta Gashit, e cila asnjëherë nuk e ka pranuar alimentacionin nga ish-bashkëshorti, është e ngjashme me shumë nëna vetushqyese që mblidhen në shoqatën e themeluar nga ajo. Foto: Uran Krasniqi.

Ligji për Familjen, i cili rregullon obligimet për alimentacionin, ka hyrë në fuqi në vitin 2006. Megjithatë, moszbatimi i tij dhe pasojat e shkaktuara për prindërit vetushqyes, është diçka që shumica e tyre e ndajnë si brengë të përbashkët. Shoqata po tenton ta adresojë këtë në mënyrë specifike përmes një iniciative me të cilën kanë nxitur Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale të shikojë mundësinë e pagesës së alimentacionitvetë, dhe pastaj prindi që nuk paguan alimentacion i borxhli ndaj shtetit.

Një iniciativë përfshin shqyrtimin e krijimit të mundësisë së pagesës së alimentacionit nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale e që pastaj prindi që nuk e paguan alimentacionin t’i detyrohet shtetit.

Për drejtoren e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, janë pikërisht këso politika të ndjeshme gjinore që mungojnë dhe pamundësojnë adresimin e nevojave të nënave vetushqyese për fuqizimin e tyre. Ajo thotë që moszbatimi i alimentacionit është posaçërisht sfidë shtesë, marrë parasysh pozitën e tyre më të disfavorshme në tregun e punës. 

“Nënat vetushqyese janë në stres për të arritur punën në kohë, për të dërguar fëmijët në shkollë apo çerdhe dhe për të arritur të gjitha afatet e fëmijëve me kohë, duke përfshirë ushqimin dhe veshjen”, thotë ajo. “Mundësitë e limituara për të gjetur punë me gjysmë orari dhe mungesa e fleksibilitetit në punë janë po ashtu faktorë që e diskriminojnë gruan në tregun e punës. Sëmundja e papritur e fëmijëve është një problem që mund të paraqitet në punën sepse ajo duhet të mungojë”.

"Alimentacioni nuk ka vetëm funksion monetar, por siguron një mjedis të qëndrueshëm për zhvillim kognitiv, emocional e social të fëmijës",

thotë psikologia Natyra Agani

Një pjesë e madhe e këtyre brengave dhe vështirësive, po ashtu, barten e ndikojnë në mirëqenien e fëmijëve të tyre. Psikologia Natyra Agani e sheh rëndësinë e mbështetjes financiare në kuadër të ndikimit që i tërë procesi i shkurorëzimit mund të ketë te fëmija, përfshirë që të kalojë në distres emocional apo pasiguri për të ardhmen.

“Pasiguria financiare limiton mundësitë për planifikim të aktiviteteve siç mund të jenë festimi i ditëlindjes, blerja e lodrave apo pajisjeve shkollore, vijimi i kurseve ekstrakurrikulare, ose realizimi i pushimeve verore e të cilat më pas prodhojnë ndjenja të pakujdesit, braktisjes, dhe të qenit i padashur nga prindërit”, thotë Agani. “Prandaj, alimentacioni nuk ka vetëm funksion monetar, por siguron një mjedis të qëndrueshëm për zhvillim kognitiv, emocional e social të fëmijës, duke mundësuar vazhdimësinë e rutinës të cilën fëmija e ka pasur para shkurorëzimit të prindërve”.

Sipas Aganit, mospërmbushja e detyrimeve financiare nga njëri prind bie si barrë edhe mbi prindin tjetër që ka fëmijën nën kujdes.

“Kjo e rëndon edhe më shumë gjendjen e përgjithshme të prindit tjetër duke qenë se duhet të gjejë alternativa të tjera për sigurimin e mjeteve financiare”, thotë ajo.

Në rastet e Gashit dhe Bujës, ato janë mbështetur edhe në përkrahjen financiare të familjeve të tyre. Por pa marrë parasysh këtë ndihmesw, vështirësitë dhe brengat për to dhe fëmijët e tyre vazhdojnë. 

Buja thotë që duhet t’i lë shumë gjëra anash për veten në mënyrë që t’i mbulojë shpenzimet për vajzën e saj.

“Nuk muj me e marrë asnjë kredi, asnjë kurrgjo për me e pasë jetën pak ma të lehtë për me ble një veturë ose një banesë”, thotë ajo. “Nuk guxoj se dikund 100 euro mu më shkojnë [vetëm për] terapi për vajzën”. 

Buja tregon që presioni dhe stresi me të cilin është ballafaquar ka ndikuar edhe në gjendjen e shëndetit të saj mendor. 

“Kom pasë edhe psikoterapi, prej stresit e kam pasë, prej ankthit që e kam pasë se çka do të bohet. Unë tash qysh me e majtë çikën?”

Përderisa sistemi gjyqësor po dështon që t’i mbrojë nënat vetushqyese si Buja dhe Gashi, pagesa e alimentacionit po mbetet kryesisht në vullnetin e ish-bashkëshortëve të tyre. E përderisa në raste të shumta ata po zgjedhin të mos kontribuojnë te mirëqenia e fëmijës së tyre, barra kryesore po mbetet te vetë nënat vetushqyese.K

Imazhi i ballinës: CC0.

Ky publikim është pjesë e ciklit të tretë të Programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Programi bashkëfinancohet nga National Endowment for Democracy. Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL). Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.