Pikëpamje | Shoqëria

Duhet të flasim për dhunën

Nga - 26.09.2017

Reagimi ndaj vrasjes së fundit të një të riu po e shpërfill një shoqëri shumë të dhunshme.

Së fundmi u krye një krim shumë i dhunshëm nga disa të rinj (dy adoleshentë tashmë janë duke u hetuar nga policia) në Kosovë. Krimi në fjalë është vrasja e të riut Aulon Zeka, i cili u godit me katër plumba në shpinë. Si reagim ndaj këtij lajmi, pati shumë reagime në rrjete sociale duke shprehur habi e tronditje.

Ky krim gjithandej u përshkrua si i pashembullt. Gjithsesi se është krim tronditës; megjithatë, krimi dhe dhuna në Kosovë nuk janë diçka e re, e as nuk janë diçka që e kemi marrë ‘nga jashtë’ pas luftës, qoftë nga diaspora, qoftë nga ndonjë vend tjetër. Përkundrazi, krimi dhe dhuna në Kosovë jo vetëm që kanë qenë të pranishme përgjatë historisë, por kohë pas kohe janë lëvduar dhe kanë qenë të gjithëpranishme, të qëndisura në tapicerinë e shoqërisë, historisë, kulturës dhe shtetit.

Padyshim dëshmitë tregojnë se krimi dhe dhuna në Kosovë dhe për kosovarët e shqiptarët janë diçka sistematike, strukturore dhe kulturore, dhe ju ftoj që ta dëshmoni të kundërtën.

Kurrsesi nuk po konsideroj se krimi dhe dhuna janë të llojit të vet në Kosovë dhe tek shqiptarët. Historia e të gjitha kombeve dhe kulturave është e zhytur në dhunë, siç është dhe e Kosovës. Unë po them se në këtë rast, dhe në raste të ngajshme, mënyra si kanë reaguar shumë njerëz lë të kuptohet se nuk kanë dëgjuar lajme të tilla në të kaluarën, e kjo nuk është e vërtetë.

Shpeshherë shoqëritë e dhunshme janë të zhytura në struktura kriminale sociale të cilat janë të ngulitura thellë brenda strukturës shoqërore.

Në vend se të merremi me natyrën e krimit, në vend se të merremi me dhunën sistematike në shoqëri dhe në kulturë përgjatë epokave, pjesa më e madhe e atyre të cilët i kapi paniku po aludonin se ky është problem i ri dhe i padëgjuar më parë në Kosovë, problem që shënon një ndryshim në shoqërinë tonë. I tregova nënës sime për atë që u raportua në rrjete sociale dhe për reagimet, dhe ajo më tha: “Pse po çuditen, gjith jon’ therr e vra per femra?”

Bisedova gjatë me nënën time për ekzistimin e sjelljeve të tilla, duke ekzaminuar nocione të maskulinitetit dhe trimërisë të cilat kishin qenë të zhytura në historinë dhe traditat kosovare dhe shqiptare, por edhe në kultura tjera përgjatë epokave. Erdhëm në përfundim se shpeshherë shoqëritë e dhunshme janë të zhytura në struktura kriminale sociale të cilat janë të ngulitura thellë brenda strukturës shoqërore, dhe Kosova nuk është më ndryshe. Prandaj kur gjithçka rreth teje është e dhunshme dhe vetëm dhunën e njeh, vështirë është të veçosh sjellje jo të dhunshme ose struktura [më] të shëndosha për shkak të këtij mjedisi i cili çdo ditë është i zhytur thellë në dhunë.

Si duket kjo ndodhi me këtë lloj dhune – kur një djalë e merr një pushkë dhe e vret një djalë tjetër me të, gjoja për nderin e një vajze – pra ky dramatizim, e shtyn shumëkë të thotë se sjelljet e tilla të pështira dhe të paqytetëruara nuk kanë qenë më parë pjesë e shoqërisë dhe kulturës. Ndonëse disa janë përpjekur ta klasifikojnë këtë si veprim barbar që nuk i ngjan shoqërisë sonë, në fakt veprimet e tilla barbare gjithmonë kanë ekzistuar dhe në fakt kanë qenë të ndërthurura me tapicerinë e formuar, me historinë dhe identitetin e shoqërisë sonë.

Strukturat sociale si familja, në të cilën fëmijët dhe gratë shpeshherë i rrahin për t’i disiplinuar, janë zanafilla e dhunës, edhe asaj fizike edhe asaj seksuale. Kjo përcillet në institucionet sociale, prej çerdheve në shkolla – ku fëmijët i sulmojnë fizikisht në mënyrë sistematike, për t’i detyruar të sillen mirë – në universitete, ku ngacmimet seksuale janë të zakonshme, e deri në vende të punës, ku individët u nënshtrohen aq shumë veprimeve të dhunshme sa që e tepërt do të ishte t’i përmendnim një nga një këtu. Në këto rrethana duhet ta shtrojmë pyetjen: Pse po e shprehni gjithë këtë habi në rrjete sociale?

Arsyeja pse pretendojmë se jemi kaq të habitur e të tronditur lidhet me madhësinë e traumës me të cilën përballemi tani.

Për më tepër, në një shoqëri e cila vazhdimisht i trajton njerëzit më të ndieshëm me egërsi të pështirë dhe sistematike, gjithçka kuptohet thjesht duke e parë gjendjen e vështirë të qenve të rrugës, çështje për të cillën kam shkruar në të kaluarën; pse të befasohemi nga fakti që një fëmijë e ka vrarë një fëmijë tjetër me gjakftohtësi?

Për mendimin tim, ndonëse kam studiuar historinë e dhunës në kulturën shqiptare dhe kosovare dhe vet jam sulmuar fizikisht – veçanërisht kur isha fëmijë në një çerdhe të Kosovës, ku na rrihnin çdo ditë – arsyeja pse pretendojmë se jemi kaq të habitur e të tronditur lidhet me madhësinë e traumës me të cilën përballemi tani. Pra kjo është përpjekje për të mohuar, për t’u shfajësuar nga faji të cilin duhet ta ndjejmë të gjithë në një farë mënyre, faj ky që është i vështirë të përballohet, faj që nuk mund ta përballojmë si individë.

Megjithatë, ne jemi njerëzit të cilët janë pjesë e një kulture në të cilën gjakmarrja vlerësohet, abuzimi seksual fshehet – meqë gjoja lidhet me turpin – dhe Kanuni nderohet. E vështirë do të jetë, por duhet të ecim përpara, sepse puna që e nisi Anton Çeta dhe falja e gjakut nuk janë të mjaftueshme për t’u marrë me shkallën e dhunës me të cilën përballemi në shoqërinë dhe kulturën tonë.

Duhet të nisim hetime për krimet dhe abuzimet aktuale dhe ato historike, të së kaluarës, prej atyre që ndodhën fillimisht në çerdhe, në shkolla dhe në institucione shtetërore, në mënyrë që të kërkojmë llogari nga ata të cilët i kryen këto veprime të dhunshme. Për këtë do të duhet të dalin viktimat dhe autorët e krimeve, sepse vetëm nëpërmjet këti procesi do të kemi mundësi të merremi publikisht me këto çështje, dhe të demonstrojmë se nuk është sjellje e pranueshme, dhe nuk do të jetë më.

Në të kundërtën do të vazhdojmë të sillemi në mënyra që legjitimojnë dhe pranojnë dhunën. Hetimet, e ndoshta edhe ndjekjet penale për krimet e tilla, mund ta forcojnë besimin që e ka shoqëria në sundimin e ligjit, dhe të bëjnë që fëmijët të mos i marrin në duart e veta këto çështje.

Tani ka kaluar më shumë se gjysmë dekade prej kur u vra Diana Kastrati nga ish-bashkëshorti i saj në mes të Prishtinës, pavarësisht faktit se kishte kërkuar mbrojtje nga policia, dhe familja e saj ende nuk e ka gjetur drejtësinë. Shumë gra të tjera janë vrarë nga partnerët e tyre që nga ajo kohë.

Ndoshta së shpejti dhuna e përditshme që me sa duket është ngulitur në jetën tonë të përditshme pa menduar dy herë nuk do të normalizohet, por do të theksohet si diçka e ligë.

Edhe policia duhet t’u ofrojë trajnim pjesëtarëve të saj në mënyrë që ata ta kuptojnë se të gjitha rastet e dhunës duhet të hetohen, pa marrë parasysh se sa të zakonshme dhe sa thellë janë të ngulitura në shoqërinë tonë, aq sa të duken banale. Megjithatë, duhet t’u bëjmë thirrje për këtë, dhe duhet ta hetojmë edhe policinë dhe praktikat e tyre kur veprimet e tilla të dhunës nuk ndiqen penalisht.

Duhet ta pranojmë gjithashtu se jemi individë të cilët e formojnë këtë shoqëri kolektivisht të dhunshme. Kur themi ‘unë nuk jam kështu, unë nuk jam pjesë e kësaj’ ua mohojmë drejtësinë të gjithë këtyre viktimave: fëmijët tanë të cilët i çuam në çerdhe e në shkollë, burrat apo gratë tona të cilët abuzohen në punë, vajzat tona, e më shumë djemtë tanë, të cilët ngacmohen në universitet, kolegët tanë të cilët abuzohen në punë.

Shpresoj se postimet në rrjete sociale do të kenë të paktën një ndikim pozitiv. Ndoshta së shpejti dhuna e përditshme që me sa duket është ngulitur në jetën tonë të përditshme pa menduar dy herë nuk do të normalizohet, por do të theksohet si diçka e ligë. Shpresojmë se më shumë njerëz do t’i pranojnë dhe t’i theksojnë këto veprime të liga të dhunës të cilat janë rrënjosur aq thellë sa që po anashkalohen.

Por, mos gaboni: Kjo ngjarje nuk është e veçuar, nuk është e re dhe nuk ka ardhur prej diku tjetër. Ajo u lind dhe u ngjall në mesin tuaj.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTO