S`fundmi | Art

Një galeri e re alternative hapet në Mitrovicë

Nga - 11.07.2017

Ekspozita ‘Mitrovica Matter’ (Substanca e Mitrovicës) lanson një hapësirë të re të artit.

Të premtën e kaluar (7 korrik), një galeri e re, Kosovo Art Exchange (KAE), u hap në katin e dytë të një prej ndërtesave të larta përgjatë qendrës së Mitrovicës, në të cilën pjesë kanë qasje kryesisht vetëm këmbësorët. Drejtoresha ekzekutive e kësaj galerie është Jacqueline Dulin, artiste amerikane dhe fituese e shumë çmimeve. Ajo ka qenë anëtare e stafit të Muzeut Përkujtimor të Holokaustit në Shtetet e Bashkuara, si dhe në Muzeun e Artit në Karolinën Veriore.  

Para dy vite e gjysmë, Dulin arriti në Kosovë me bashkëshortin e saj, i cili punon për Akademinë e Lidershipit në Kosovë, si dhe qenin e tyre, i cili është i papunë. Në dy vitet e para, Dulin punoi përkrah bashkëshortit të saj në Akademinë e Lidershipit në Kosovë, duke dhënë mësim në lëndën e artit.

Gjatë kësaj kohe, ajo e vërejti që skena e artit në Kosovë sillej gati krejtësisht rreth kryeqytetit. “Të gjithë thonë Prishtina, Prishtina, Prishtina”, thotë ajo. “Kur shoh sende në Facebook, kur jam duke lexuar Kosovo 2.0, shoh që ndodhin shumë sende interesante atje. Por jo këtu!”.

Jacquelin Dulin e tregon me krenari një anë tjetër të Mitrovicës nëpërmjet galerisë së re në zemër të këtij qyteti. Foto: Valmir Mehmetaj / K2.0.

Dulin deshi që ta shpërndante këtë ngazëllim artistik edhe kah veriu. “E di që ky qytet ka nevojë për më shumë mundësi”, thotë ajo. “Dhe besoj se, për t’u rritur një kulturë e për të bërë progres, ata duhet të merren me art e t’i ekspozohen artit. Kur ke mundësi, ndryshohesh. Ke më shumë vetëbesim”.

Fokusi në këtë qytet shtrihet deri te ekspozita e parë që po mbahet në këtë galeri, e quajtur “Mitrovica Matter”, dhe synon identifikimin e asaj se si e shohin artistët qytetin e tyre, me fjalët e tyre: “I mirë, i keq, i bukur, i shëmtuar, shkurajues e frymëzues”.

Galeria KAE ka për qëllim që t’u ofrojë të gjithë njerëzve mundësi, pa marrë parasysh se a kanë kryer magjistraturë në lëminë e pikturës, apo nuk kanë përvojë fare. Punimet në ekspozitë zgjedhen krejtësisht në bazë të meritave. Juria nuk ka dijeni paraprake për atë se kush i ka punuar.

Për ekspozitën “Mitrovica Matter”, anëtarë të jurisë ishin Alban Muja, artist vizual i mirënjohur dhe i bazuar në Kosovë, dhe John Gordy, punëtor i muzeut dhe fotograf i shquar, si dhe ish-koleg i Dulin. Ata i zgjodhën punimet e katër artistëve: Aneta Hasani, Lulzim Hoti, Shend Stavileci dhe Arbnora Skuroshi. Për Skuroshin e Stavilecin, kjo ishte ekspozita e parë.

Kjo ekspozitë i ofroi mundësi Arbnora Skuroshit (majtë) dhe Shend Stavilecit (djathtë) për ekspozimin e punimeve të tyre para publikut për herë të parë. Foto: Valmir Mehmetaj / K2.0.

Nëpërmjet një prej punimeve të zgjedhura të saja, “Untitled” (Pa Titull), Skuroshi e eksploron një kënd më të qetë të qytetit, si dhe mungesën e privatësisë në Kosovë, veçanërisht për gra, të cilat ajo mendon se rrallëherë janë të lira me ndejtë vet. “E paraqita një dru që është te Lumi Ibër, pranë së cilit shpeshherë ulem për të pikturuar ose lexuar, por kurrë nuk jam e sigurtë”, thotë ajo. Mbi dru është një valë e madhe që mbulon gjithçka, përfshirë vajzën e ulur pranë drurit: “Me atë valë desha të mbuloja vetën, të krijoja privatësi, në mënyrë që të mos më pengojë askush”.

Një tjetër pikturë e Skuroshit, “Ibër”, pasqyron një aspekt tjetër të lumit – shkatërrimin dhe dëmin e shkaktuar ndaj bimësisë në brigjet e lumit, meqë Komuna bashkë me agjenci të huaja po përpiqen që ta ndërtojnë edhe një urë, një projekt arkitektural që ka për synim shërimin e plagëve të ndarjes.

Ndonëse Skuroshi është ende duke eksperimentuar me stilin e saj të pikturimit, Stavileci veç se e ka zgjedhur saktësisht atë se si dëshiron që t’i paraqes idetë e punimet e tij – me markera. Ai i ka prezantuar dy vizatime në ekspozitë, e të dyja e eksplorojnë qytetin e tij të lindjes. Njëra, “Childhood Memories” (Kujtime të Fëmijërisë), e paraqet një skenë të trazirave sociale që ndodhën në Mitrovicë në vitin 2004, dhe e shpreh atmosferën e izolimit që ishte e pranishme në qytet në atë kohë, si dhe barrierat që ishin përreth.

Njëri prej vizatimeve të Shend Stavilecit në ekzpozitë, “Childhood Memories” (Kujtimet e Fëmijërisë). Foto: Valmir Mehmetaj / K2.0.

“Gjenerata ime ishin rreth 7 vjeç [në atë kohë] dhe vazhdimisht kalonim para policëve, ushtarëve, rrethojave me gjemba”, thotë Stavileci. Si fëmijë ne donim që t’i largonim [ato barriera], e këtë e kam përfaqësuar nëpërmjet kësaj pikture”.

Ndikimi negativ i jetës së përditshme në Mitrovicë mund të ndjehet edhe në fotografitë artistike të Lulzim Hotit, presidentit të organizatës kulturore “7 Arte” dhe entuziastit të kahmotshëm të botës së fotografisë. Një punim e përfaqëson një imazh topografik në të cilin paraqitet toka dhe një fushë e grurit e shtrirë nën qytet. “Për mua gruri është pasuri, burim kryesor i jetesës, por në këtë rast është në formë metafore”, thotë Hoti. “Nëntoka e Mitrovicës ka minerale, që do të thotë se jo vetëm Mitrovica, po e gjithë Kosova e ka nëj depo të drithrave në nëntokën e Mitrovicës”.

Punimet e Aneta Hasanit, “The Female in Space” (Femra në Hapësirë) dhe “The Human Body in Space” (Trupi i Njeriut në Hapësirë), u dalluan nga ato të artistëve tjerë sa i përket përmbajtjes dhe qasjes unike. Ishin portrete që inkorporojnë elemente të portretizimit nudo dhe grotesk. “Mendoj se e vërteta është e zhveshur, dhe zhveshuria është e vërteta”, thotë Hasani. “Sa më shumë që e mbulon punën tënde, aq më shumë i mbulon gënjeshtrat e fabrikimet. Sa më shumë që e hapë punën tënde, aq më e vërtetë është”.

Aneta Hasani ka ekspozuar punimet e saja disa herë, por gjithsesi është lumtur që po i sjell punimet e saja groteske e nudo për herë të parë në Mitrovicë. Foto: Valmir Mehmetaj / K2.0.

Ndonëse lakuriqësia pranohet më lehtë, Hasani mendon që elementet groteske kanë tendencë që t’i largojnë njerëzit nga punimet e saja. Sidoqoftë, ajo e përvetëson përzemërsisht procesin. “Gjithmonë më ka tërhequr arti grotesk”, thotë Hasani, duke shtuar se natyra e vërtetë e njerëzve mund të zbulohet nëpërmjet pikturave të saja. “Kur i sheh punimet e mija, e sheh realitetin tënd, pasqyrën tënde, të vërtetën tënde, dhe kur e sheh, ose je i lumtur, ose i mërzitur. Një pasqyrë unike”.

Shfaqja e punimeve më të pazakonshme i pëlqen veçanërisht Lulzim Hotit, i cili ka ekspozuar punime në këtë galeri dhe ka lidhje të fuqishme me skenën e artit në Mitrovicë. “Mitrovica ka nevojë për galeri si kjo, që janë alternative. Nuk duhet të jetë vetëm një galeri në këtë Komunë”, thotë ai. “I jep mundësi të rinjve dhe artistëve që të ekspozojnë punime alternative, jo vetëm piktura”.

Lulzim Hoti ka punuar gjerësisht në botën e artit të Mitrovicës dhe beson se krijimi i një hapësire të re për këtë qytet ishte jetik. Foto: Valmir Mehmetaj / K2.0.

Galeria KAE synon që të zgjerohet përtej pikturave e artit pamor, duke u zhvilluar më tej për të inkorporuar poezi slam, shfaqje të filmave nga DokuFest dhe ngjarje tjera të artit.

Përveç që është bërë vend për konsumim të kulturës, kjo galeri ka edhe ambicie tjera. Duan që të jenë lokacioni kryesor për lidhjen e komunitetit të artistëve vizual, si dhe të bëhen si një lloj qendre kulturore në të cilën njerëzit mund të kënaqen me arte të bukura, të njoftohen me artistë, të krijojnë lidhje miqësore e profesionale, e sigurisht – një zakon shumë kosovar – me pi kafe, e shoqëruar me një zakon shumë amerikan – biskota klasike me copëza çokollate.

Ekspozita Mitrovica Matter do të zgjatë deri me 27 gusht. Afati i fundit për dorëzim të punimeve për ekspozitën e radhës, “That Face” (Ajo Fytyrë), është me 28 korrik.

Foto kryesore: Valmir Mehmetaj / K2.0.