U largova për herë të parë nga Kosova për të jetuar jashtë kur isha 21 vjeçare, kur shkova në Belgjikë si pjesë e programit të shkëmbimit për një semestër. Në atë kohë isha e entuziazmuar që e kisha mundësinë jo vetëm të jetoja në një kulturë tjetër, por specifikisht të provoja një sistem tjetër të arsimit, të eksploroja vende të ndryshme dhe ta sfidoja veten.
Kjo përvojë e parë e të studiuarit jashtë më mësoi shumë gjëra, duke përfshirë se çka doja të vazhdoja të studioj më tutje.
Por krejt kjo përvojë pati edhe një ndikim tjetër të madh tek unë. Edhe pse nuk e kisha kuptuar në atë kohë, ishte një veprim që do të shkaktonte një tërheqje të vazhdueshme në vetëdijën time –një ndjenjë përherë e pranishme e të qenit e ndarë mes shkallës së mundësisë dhe të zbulimit “atje” dhe dëshirës për të përdorur gjithçka që kisha mësuar për të ndihmuar në përmirësimin e vendit tim.
Në periudhë afatshkurtër, një gjë u bë e qartë për mua: E dija që nuk doja t’i filloja studimet e magjistraturës në Universitetin e Prishtinës. Kur u përballa me një sistem “të duhur” të arsimit evropian, sistemi në shtëpi dukej jashtëzakonisht me të meta dhe nuk doja të rrija aty më shumë sesa duhej.
Në Oksford, mendimi kritik jo vetëm që lejohej por edhe inkurajohej.
Pasi diplomova prej Fakultetit Juridik, e dija që doja ta vazhdoja masterin në kriminologji, por gjithashtu e dija se nuk doja ta vazhdoja në Kosovë –kisha nevojë të studioja siç duhet dhe nuk mund ta bëja këtë gjë në Kosovë.
Prandaj, punova për disa vjet deri sa doli njoftimi për bursë për Magjistër të Shkencave në Kriminologji dhe Drejtësi Penale në Universitetin e Oksfordit, ku aplikova dhe pata sukses.
Studiova dhe punova në Oksford një vit në 2013-2014 dhe asgjë nuk ishte e njëjtë si në Universitetin e Prishtinës. As afër bile. Puna e madhe që kërkohej nuk ishte askund e ngjashme me atë që kisha parë deri më tani, duhej t’i lexonim qindra faqe për lëndë çdo javë, dhe duhej të shkruanim punime vazhdimisht. Provimet zgjasnin 3-4 orë.
Mbi të gjitha, mendimi kritik jo vetëm që lejohej por inkurajohej.
Kjo ishte ajo që më habiti më së shumti sepse ishte e paparë për mua marrë parasysh vendin nga vija. Në Fakultetin Juridik në Prishtinë, në shumicën e lëndëve duhej të mendonim njëjtë si profesorët tanë. Kaq për mendimin kritik.
Është ende veç diplomë’
Pas studimeve të masterit u ktheva në Kosovë plotë me energji dhe e etur për të punuar në “ndryshimin e sistemit.” Sistemi siç e dija ishte i mbushur me nepotizëm dhe korrupsion prandaj po shpresoja se ndoshta duke i ndjekur disa hapa të vegjël do të ndihmoja në ndryshimin e kësaj gjendje.
Të gjeja një punë brenda sistemit mund të ishte fillim? Me t’u kthyer u ballafaqova me njerëzit që më shihnin me përçmim dhe nuk e miratonin faktin se kisha vendosur për të studiuar diku tjetër e jo në UP.
Në një mënyrë, më mbanin përgjegjëse që mendoja se vendet e tjera kanë një arsim më të mirë për të ofruar. Më mbanin përgjegjëse që mendoja se vendi im nuk ofronte mjaftueshëm dhe se duhej të kërkoja më shumë diku tjetër.
Vazhdimisht jam ballafaquar me konspiracione të pabaza, në vend se të lejohesha të punoj me të dhëna reale.
Nuk do ta harroj kurrë çka më tha njëherë një profesor i imi:
“Furtuna, gjithmonë ke qenë studente e mirë, nuk do ta kuptoj asnjëherë pse ke vendosur të ndjekësh një master jashtë e jo këtu? Kujt i intereson ku e kryen masterin –është ende veç diplomë, prandaj pse të mundohesh?”
Këto fjalë ende më kanë mbetur në mendje dhe akoma më bëjnë për të qeshur.
Kam punuar për disa vjet në Kosovë në projekte të ndryshme, duke refuzuar shumë oferta për punë me reputacion të lakmueshëm, për t’i pranuar ato që besoja se do ma mundësonin të ndihmoj në ndryshimin e sistemit, sado pak.
Por sistemi ishte aq me të meta saqë nuk na lejoi kurrë të ndryshojmë ndonjë gjë substanciale. Vazhdimisht jam ballafaquar me konspiracione të pabaza, në vend se të punoja me të dhënat reale që i kishim.
Të qenit këtu dhe atje
Eventualisht, gjithçka erdhi në një pikë ku fillova të ndjehem e lodhur dhe e gjeta veten në një udhëkryq. Të heqja dorë dhe të dilja jashtë që të ndryshoja pak perspektivën ishte gjëja e vetme që do të ma mundësonte të isha në Kosovë –edhe nëse kjo do të nënkuptonte të largohesha për pak kohë.
Vendosa të vazhdoja doktoraturën. Kisha nevojë të isha prapë kreative dhe të gjeja diçka që më sfidonte. Kisha interesa të mëdha dhe doja të hulumtoja më shumë, por kisha nevojë për para për ta bërë këtë.
Pas gati dy vitesh duke kërkuar financim dhe duke shkruar propozimin për hulumtim dhe gjetur profesorë që ishin të interesuar të më mentoronin, në vitin 2016 më në fund fitova financim të plotë për të filluar studimet e doktoraturës në Leuven, Belgjikë.
Sa herë kthehem ballafaqohem me rezistencë prej sistemit, por gjithmonë vërej edhe ndryshime pozitive.
U zhvendosa në Leuven, por vendosa në atë moment që nuk do ta humbja kontaktin me Kosovën. Në mënyrë që t’i përmbahesha kësaj, e shpërndava punën time në terren përgjatë tri viteve të doktoraturës që të mund të isha e pranishme në Kosovë sa më shumë që mundja.
Në tri vitet e kaluara, jeta ime ishte e ndarë mes dy vendeve; kryesisht duke jetuar në Belgjikë, por duke ardhur në Kosovë së paku tre muaj në vit për të kryer punë në terren, ndërsa edhe kur jam në Belgjikë, prapë provoj të jem aktive me çështjet në Kosovë duke shkruar analiza ligjore në çështje të ndryshme për entitete të ndryshme.
Kjo ndarje ishte (dhe është akoma) tepër e vështirë për mua sepse i kam ndërruar banesat e veturat, librat, dhe rrobat çdo tre muaj që kur kam filluar; por e dija çmimin që do ta paguaja kur fillova, prandaj veç e vazhdova.
Sa herë që kthehem ballafaqohem me rezistencë nga sistemi, por gjithashtu vërej edhe ndryshime pozitive.
Pyetja e famshme: ‘Pse vazhdon të kthehesh?’
Të qenurit një grua relativisht e re nga Kosova dhe të jetuarit jashtë dhe vetëm për kaq shumë vjet patjetër që i ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta, por sigurisht që të mëson shumë. Gjërat kryesore që i kam mësuar derisa isha jashtë më kanë ndihmuar të vendos që dua të kthehem në Kosovë.
S’ka rëndësi sa je e suksesshme–asnjë vend tjetër nuk mund të bëhet shtëpia jote. Është e vërtetë se Kosova nuk është vend i lehtë për të jetuar, Kosova është një tregim i ëmbël dhe i hidhur i dashurisë. Por, ka nevojë për krejt ndihmën që mund ta marrë.
Dëshira ime që vazhdoj të kthehem nuk buron nga mendja e re dhe naive që u kthye nga studimet e masterit. Jam rritur shumë që prej asaj kohe dhe jam e vetëdijshme për të gjitha kurthet e sistemit, për mënyrat vërtetë të vështira për të funksionuar në Kosovë, për sfidat që duhet t’i kalosh që të mbijetosh këtu, lëre më të jesh një faktor –i di të gjitha këto.
Por, është një arsye mbi të gjitha për shkak të së cilës gjithmonë kam vendosur të kthehem. S’ka të bëjë asgjë me krenarinë kombëtare apo me faktin se e dua vendin tim. Të dyja qëndrojnë, por nuk janë arsyet kryesore.
Kur bëhet fjalë për akademinë, ka gjithnjë e më shumë të rinj si unë që kanë dëshirë të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë.
Arsyeja kryesore është e ardhmja e gjeneratës sime dhe e atyre që do të vijnë më pas.
Dua të punoj për ditën kur të rinjtë nuk do ta ndjejnë nevojën ta lënë Kosovën sepse nuk po vlerësohen këtu. Dua të punoj për ditën kur studentët nuk kanë nevojë të studiojnë jashtë në mënyrë që të kenë qasje në cilësi. Dua të jem në gjendje që ta lë vendin vetëm kur dua të shkoj për pushime, dhe jo domosdosshmërisht për të kërkuar një jetë të mirë. Dua që ne këtu të kemi një jetë të mirë –ku jemi lindur dhe rritur.
Kushdo që ka qenë jashtë e di se në një mënyrë apo në një tjetër e kemi mundësinë për të qëndruar dhe punuar këtu dhe për të krijuar një jetë për vete. Dhe nuk mund të flas për të gjitha shtresat e diasporës, por kur bëhet fjalë për akademinë, ka gjithnjë e më shumë të rinj si unë që duan të kthehen dhe të kontribuojnë në Kosovë. Vitet e mia jashtë ma kanë mundësuar të krijoj një rrjet të njerëzve që janë të etur sa unë për ta ndryshuar sistemin.
A do të na ipet hapësira për ta bërë këtë?
Ka nxitës të ndryshëm që mund të hapin rrugën për angazhimin e njerëzve të aftë në Kosovë. Njëra nga këto mund të jetë prezentimi i kuotave në administratën publike dhe në universitete, përmes provizioneve ligjore që iu ipen të rinjve të shkathët nga Kosova që jetojnë jashtë bazuar në një set të kritereve të përcaktuara mirë.
Duhet të krijohet hapësirë për persona që kanë studiuar në universitete perëndimore me reputacion, për të siguruar angazhimin e tyre në fusha ku një ekspertizë e tillë nevojitet më së shumti, dhe të mos u ndjerë të detyruar ta braktisin vendin e tyre.
Ky është vendi ynë, dhe na takon neve që ta rregullojmë.
Ky mund të jetë vetëm fillimi i asaj që vendi mund të bëjë për ne. Dhe nuk po flas për qeveritë që na kanë qeverisur deri më sot, sepse, nëse ndonjë gjë, ato vazhdimisht kanë provuar të na mbajnë jashtë. Po flas për qeveritë që po vijnë e që janë serioze dhe duan të bëjnë një ndryshim të dukshëm.
Në fushatat e tyre zgjedhore këto javët e kaluara, partitë kanë thënë se duan të shohin më shumë njerëz të kualifikuar që po kthehen në Kosovë, dhe ata do të ndërmarrin veprime konkrete për ta kthyer trurin e diasporës -prandaj tani është koha që të tregojnë se a i kanë me të vërtetë ato që i kanë thënë.
Dikur besoja se të fortët largohen. Por, në këto vitet e fundit e kam kuptuar, se realisht për të qëndruar duhet të jesh bajagi i fortë. Ky është vendi ynë, dhe na takon neve që ta rregullojmë.
Për një të ardhme më të mirë, jo për përfitime personale.
Feature image: Arrita Katona / K2.0.