Ndryshimet klimatike janë shumë të dukshme. Pak pjesë të botës kanë mbetur të paprekura nga pasojat e drejtpërdrejta apo të tërthorta të procesit.
Valë të zgjatura të të nxehtit, temperatura rekorde, thatësira dhe përmbytje më të gjata e më të rënda, stuhi të forta, zjarre, ngritje të nivelit të detit, degradim i mjedisit… Këto janë vetëm disa nga efektet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Ekstremet shkatërruese të motit tani dëbojnë njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe me një shpejtësi në rritje janë drejtpërdrejt përgjegjës për vdekje.
Këto ekstreme të reja po bëhen përditshmëria jonë. Është logjike që kësaj “normaleje të re” po i referohen gjithnjë e më shumë jo si ndryshim klimatik, por si krizë klimatike.
Një arsye vjen nga fizika e thjeshtë, ose ligjet fizike që përcaktojnë klimën e Tokës për të qenë më të saktë. Përveç substancave të tjera, atmosfera jonë përmban të ashtuquajturat gazra serrë. Efekti serrë ngujon një pjesë të energjisë së marrë nga dielli, duke e mbajtur sipërfaqen e Tokës të ngrohtë. Ky optimum i temperaturës është një nga kushtet themelore që jeta të lulëzojë; pa gazrat serrë, planeti ynë do të ishte 30°C më i ftohtë.
Është fakt i njohur se përqendrimi në rritje i gazrave serrë prish këtë ekuilibër, gjë që në anën tjetër e bën planetin tonë të nxehet. Që nga Revolucioni Industrial, sasi të mëdha të qymyrit, naftës dhe gazit natyror janë djegur për të prodhuar energji. Djegia e karburanteve fosile prodhonte pjesën më të madhe të energjisë që na duhej historikisht — shërbeu si shtyllë për zhvillimin e vazhdueshëm dhe të përshpejtuar të shoqërisë.
Duke lënë mënjanë prodhimin e energjisë, djegia e lëndëve djegëse fosile lëshon gazra dhe grimca në atmosferën e Tokës, disa prej të cilave e ulin cilësinë e ajrit. Të tjerat ndikojnë minimalisht në cilësinë e ajrit, kurse ndikojnë ndjeshëm në efektin serrë. Njëri prej tyre është dioksidi i karbonit (CO2) — gazi i dytë më i rëndësishëm serrë në Tokë.
Krahasuar me epokën para-industriale, temperatura e sipërfaqes së planetit është rritur për 1 °C.
Përgjatë shekullit të kaluar apo aty diku, veçanërisht në dekadat e fundit, emetimet tona të CO2 kanë qenë aq të larta saqë përqendrimi në atmosferë është rritur për më shumë se 50%. Ky përqendrim rezulton në ngrohjen globale. Krahasuar me epokën para-industriale, temperatura e sipërfaqes së planetit është rritur për 1 °C.
Ndryshe nga gazrat dhe grimcat e tjera ndotëse të ajrit të emetuara nga djegia e karburanteve fosile, CO2 ka një “pengesë” tjetër — pasi të lëshohet në atmosferë, qëndron aty pothuajse përgjithmonë.
Largimi i CO2 nga atmosfera përmes proceseve natyrore lëvizë ngadalë. Nis me marrjen e gazit nga bimët përmes fotosintezës dhe përfundon me mbetjet e tyre që formojnë lëndë djegëse fosile.
Për shembull, shndërrimi i pemëve të thara në qymyr është proces që ndodh gjatë shkallëve kohore gjeologjike që zgjasin sa jetë të panumërta njerëzore. Për ta thjeshtuar, pasi karboni nëntokësor lëshohet në atmosferë me anë të djegies, ai do të qëndrojë aty për një kohë të gjatë.
Duhet të përsëritet: Nëse përqendrimi i CO2 në ajër rritet aq sa të rrisë temperaturat globale, Toka do të mbetet e ngrohtë për mijëra vjet, pavarësisht nëse do të pushojmë së emetuari ndërkohë. Me pak fjalë, s’ka kthim mbrapa.
Një arsye tjetër pse planeti jonë vazhdon të ngrohet ka të bëjë me mënyrën se si funksionojnë shoqëritë — se sa të ndërlikuara janë ato si sisteme, ku vendimmarrja kolektive ndikohet nga gjëra që shkojnë përtej të dhënave faktike që posedojmë tash për tash.
Jemi të vetëdijshëm prej dekadash që planeti ynë po vazhdon të bëhet më i nxehtë, si dhe se ngrohja globale vetëm sa rrit përkeqësimin e klimës dhe rrit shpeshtësinë e ngjarjeve ekstreme të motit. Kemi qenë gjithashtu shumë të vetëdijshëm se duhet ta ndalojmë lirimin e CO2 në ajër nëse duam ta ndalojmë procesin. Megjithatë, përkundër gjithë kësaj, pak përpjekje janë bërë për t’i frenuar në mënyrë efektive ndryshimet klimatike.
Thjesht mund ta pranojmë se gjithçka që shkenca ka parashikuar dikur, është bërë realiteti ynë sot.
Pikërisht për këtë arsye zhvillimet aktuale që ndërlidhen me klimën nuk janë befasi për klimatologët dhe të tjerët që janë të informuar për këtë çështje. Thjesht mund ta pranojmë se gjithçka që shkenca ka parashikuar dikur, është bërë realiteti ynë sot. Për t’i kuptuar më mirë dekada mosveprimi të pakapshëm, t’ia nisim prej fillimit.
Edhe shkencëtarët e fillimit të shek. XIX e kuptuan se planeti ynë është i ngrohtë falë efektit të serrës. Nga mesi i shek. XIX u përcaktua se cilat gazra kontribuojnë në këtë fenomen, gjë që shkaktoi spekulime se Toka do të fillonte të ngrohej nëse ndonjë prej tyre — si CO2 — do të kishte një përqendrim më të lartë në atmosferë. Ky supozim në fakt kishte kuptim pasi lëndët djegëse fosile tashmë kishin hyrë në përdorim.
Studimi i parë që tregoi se sa i ngrohtë mund të bëhet planeti ynë nëse përqendrimi i CO2 në ajër dyfishohet u botua rreth fundit të shekullit. Në gjysmën e parë të shek. XX, shkencëtarët fillimisht arritën ta bënin një vlerësim të temperaturës mesatare të sipërfaqes së Tokës, e cila shfaqte prirje për t’u ngrohur. Lajmi i parë mbi këtë problem u bë publik rreth së njëjtës kohë.
Nga fundi i viteve të ’60-ta dhe fillimi i viteve të ‘70-ta dolën hulumtimet e para shkencore që dëshmuan me siguri se emetimet e mëtejshme të CO2 do të çonin në rritje të temperaturës. Pritej që pasojat të bëheshin qartazi të dukshme dekadave në vijim.
Suki Manabe, një meteorolog japonez, ishte bashkë-laureat i çmimit Nobel për fizikë 2021 për shqyrtimin e këtij zinxhiri ngjarjesh. Në njërin nga projektet e tij, ai shpjegon në hollësi se si do të zhvillohet procesi i ngrohjes globale.
Nga fillimi i viteve të ’80-ta, shkencëtarët/et e klimës njoftuan publikisht se çdo rritje e mëtejshme e temperaturës do ta destabilizonte në mënyrë të pashmangshme sistemin klimatik të Tokës. Ata bënë thirrje për veprim të menjëhershëm, marrë parasysh se gjetja e alternativave të qëndrueshme të energjisë ndaj qymyrit, naftës dhe gazit natyror është detyrë e mundimshme që mund t’i nevojiten dekada për t’u realizuar.
Konsultimet ndërkombëtare se si të trajtohen këto sfida nisën në fund të viteve të ’80-ta. Kryesuar nga Angela Merkel, konferenca e parë ndërkombëtare ku vendet e botës negociuan zgjidhjet e mundshme për ndryshimin e klimës u mbajt në Berlin në vitin 1995. Në vitin 1997, traktati i parë ndërkombëtar për klimën u përfundua në Kioto, por ishte e qartë se vetëm disa vjet më pas kjo marrëveshje do të dështonte.
Një marrëveshje e re që ngjalli shpresë, parashihej të nënshkruhej në Kopenhagë në vitin 2009. Megjithatë, Samiti i Kopenhagës në mënyrë anti-klimatike dështoi ta prodhonte një marrëveshje të shkruar. Vetëm gjashtë vjet më vonë bota miratoi një traktat që është ende në fuqi edhe sot — Marrëveshja e Parisit. Të gjitha vendet e botës e nënshkruan marrëveshjen — vetëm tri parlamente kombëtare nuk e kanë ratifikuar atë ende.
Më vonë gjatë këtij viti, do ta kemi të shkruar përmbledhjen e parë se si po ecën zbatimi i Marrëveshjes së Parisit. Fatkeqësisht, ndonëse raporti i zbatimit është ende në pritje, e dimë se jemi larg arritjes së qëllimeve tona. Jemi të vetëdijshëm gjithashtu se jo të gjitha kombet janë të gatshme ta zbatojnë marrëveshjen në përputhje me atë për të cilën janë pajtuar.
Kjo seri e zymtë e dështimeve dhe gjysmë-dështimeve në frenimin e ndryshimeve klimatike ndikon në këtë situatë po aq sa ndikojnë ligjet e fizikës, që i përmenda më lart. Kjo është arsyeja pse kemi arritur në pikën ku jemi dëshmitarë të efekteve shkatërruese të ngrohjes globale.
Një nga gjërat më të rëndësishme për t'i kujtuar kur flasim për “shikimin drejt së ardhmes” është se ajo nuk është e paracaktuar, por në mënyrë të konsiderueshme varet nga ne dhe zgjedhjet që ne bëjmë.
Me të gjithë këto në mendje, përfshirë faktin që shkencëtarët parashikuan ndryshimet klimatike dekada më parë, a mund ta shohim përpara dhe ta parashikojmë se çka na pret dekadave të ardhshme? Përgjigja është po. Një nga gjërat më të rëndësishme për t’i kujtuar kur flasim për “shikimin drejt së ardhmes” është se ajo nuk është e paracaktuar, por në mënyrë të konsiderueshme varet nga ne dhe zgjedhjet që ne bëjmë sot.
Për t’iu kthyer Marrëveshjes së Parisit të vitit 2015, të gjitha vendet u pajtuan që jo vetëm ta kufizojnë rritjen mesatare të temperaturës globale — e cila aktualisht është pak mbi 1°C — deri në 2°C, por po ashtu për të bërë përpjekje shtesë për ta parandaluar ngrohjen e planetit për më shumë se 1.5°C.
Nëse planeti ngrohet edhe për një tjetër 1°C, kufiri më i lartë prej 2°C u vendos në mënyrë që sistemi klimatik i Tokës të mbetet mjaftueshëm i qëndrueshëm me shpresë që shoqëria dhe natyra të përshtaten me kushtet e reja.
Sipas studimeve të ndryshme, nëse klima bëhet 2°C më e ngrohtë se në kohët para-industriale, ndikimet negative të motit ekstrem do të jenë edhe më të rënda dhe më të përhapura, por ne do të jemi ende në gjendje t’i zbutim ato me anë të qëndrueshmërisë dhe përshtatjes. Megjithatë, nëse ky prag tejkalohet, do të jetë më e vështirë të përshtatemi dhe do të përballemi gjithashtu me një rrezik më të lartë për t’i arritur pikat e kthesës — pika ku një sistem i tërë përkeqësohet në atë masë saqë nuk ka më gjasa t’i arrijmë rezultatet e dëshiruara nëpërmes veprimeve tona.
Për ta thjeshtuar, nëse arrijmë disa nga pikat kthyese, ndryshimi i klimës do të dalë jashtë kontrollit tonë.
Kjo është arsyeja pse Marrëveshja e Parisit vendos një kufi tavan dhe një kufi edhe më ambicioz prej 1.5°C. Në rast se qëndrojmë brenda këtij intervali të synuar, pasiguria dhe sfidat e mundshme do të jenë shumë më të lehta për t’u trajtuar. Megjithatë, për ta frenuar rritjen e temperaturës, do të na duhet ta ndalojmë lirimin e CO2 në atmosferë — duhet të heqim dorë nga qymyri, nafta dhe gazi natyror si burimet tona kryesore të energjisë brenda tre deri në katër dekadave të ardhshme.
Tranzicioni i energjisë kërkon kohë, sepse vetë procesi është shumë i ndërlikuar — në shkallë botërore, është e pamundur të zbatohen alternativa efikase në pak vite. Megjithatë, edhe pse shumica e njerëzve nuk besojnë në të, duhet ta kemi parasysh se procesi është i realizueshëm dhe se zgjidhjet teknologjike me kosto efektive tashmë ekzistojnë.
Një botë ku të gjitha nevojat tona për energji plotësohen nga burime të ripërtëritshme, jo vetëm që është teknologjikisht e mundur, por justifikohet edhe ekonomikisht.
Një botë ku të gjitha nevojat tona për energji plotësohen nga burime të ripërtëritshme, jo vetëm që është teknologjikisht e mundur, por justifikohet edhe ekonomikisht. Justifikimet e kahershme për të mos kaluar drejt burimeve të ripërtëritshme kanë qenë se këto teknologji janë ende në fillimet e tyre dhe se ka pengesa ekonomike për zbatimin e tyre, gjë që nënkupton se burimet e ripërtëritshme janë të pabesueshme dhe shumë të shtrenjta.
Asnjëra nga këto justifikime nuk pi më ujë. Është bërë shumë e qartë se burimet e ripërtëritshme të energjisë kanë kapacitet të mjaftueshëm potenciali për t’i plotësuar nevojat tona dhe se ato tani janë më ekonomike.
Prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme në kohën e sotme kushton më pak sesa të bësh një gjë të tillë nga ato konvencionale. Përparësitë ekonomike të kësaj janë edhe më lehtësisht të dukshme nëse marrim parasysh humbjet dhe dëmet që mund t’i pësojmë në rast se temperatura globale rritet për më shumë se 2°C.
Rezultati më optimist do të ishte një botë pa lëndë djegëse fosile, ku temperatura globale është rritur me një tjetër 1°C. Edhe ky do të përfaqësonte një kompromis që vjen si rezultat i përtacisë tonë. Në skenarin më të mirë, rritja shtesë e temperaturës prej 1° do të ndodhte gjatë tre dekadave të ardhshme, por s’do të kishte ngrohje të mëtejshme.
Një rezultat i kundërt do të ishte një botë ku lëndët djegëse fosile mbeten burimi ynë mbizotërues i energjisë edhe në të ardhmen.
Si skenar i fundit, humbjet dhe dëmet që shkaktohen nga ngjarjet ekstreme klimatike dhe moti do ta tejkalonin aftësinë tonë për t’u përshtatur. Prandaj, njerëzimi do të vazhdonte thjesht të arnonte problemet, në vend se të ushqejë një zhvillim që do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve ekzistuese si lufta, uria, varfëria dhe pabarazitë shoqërore.
Fatkeqësisht, bota ka më shumë se mjaftueshëm probleme kështu siç është, kështu që duket krejtësisht e panevojshme ta rëndojmë atë me një sfidë tjetër serioze si ndryshimi i klimës.
Ndryshimet klimatike shpesh përmenden vetëm pasi efektet shkatërruese të përmbytjeve, stuhive, zjarreve dhe valëve të të nxehtit na zënë në befasi edhe një herë, gjë që shprehet posaçërisht nga mediet. Këto debate priren të shoqërohen me portretizime të zymta të së ardhmes, megjithëse asgjë nuk është e gdhendur në gur.
Momenti në të cilin ndodhemi është kritik për vendimmarrjen tonë. Kemi një zgjedhje dhe duhet ta kuptojmë se ne nuk jemi të dënuar — as brezat e ardhshëm — të jetojmë një jetë ku ekstremet e sotme bëhen rregull dhe jo përjashtim. Kështu që, zgjedhja është e jona — vendimi që do ta marrim përfundimisht do të ndihmojë në shndërrimin e krizës klimatike në një mundësi që bota përballë nesh të bëhet një vend më i mirë dhe më i sigurt për të gjithë.
Imazhi i ballinës: Michele Cooper/DPIE via CC
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.