Blogbox | LGBTQ+

Nga tabu në tabloid: eksploatimi i kulturës queer në botën e humorit

Nga - 05.10.2023

Përse shoqëritë po e pranojnë artin që përjashton e po e refuzojnë atë që fton për barazi?

Kultura queer, përmes së cilës shumë individë LGBTQ+ dhe mbështetësit/et, shprehen dhe rezistojnë, shpesh përballet me papranueshmëri në shoqëritë që mbizotërohen nga një kulturë patriarkale dhe heteronormative. 

Shpesh, këto shoqëri përpiqen që këto manifestime të kulturës t’i vënë në hije, t’i shtypin e t’i përçmojnë. Por njerëzit nuk zmbrapsen dhe përdorin artin e kulturën si forma thelbësore të aktivizmit të tyre kundër shtypjes e për të bërë zërin e tyre të dëgjohet. 

Një prej këtyre formave janë edhe shfaqjet drag. Shfaqjet drag nuk janë veç formë argëtimi. Përgjatë viteve, kanë shërbyer si mjet i fuqishëm për të ndërgjegjësuar shoqërinë, për të thelluar kuptimin dhe respektin për të drejtat dhe lirinë e shprehjes të të gjithë individëve, pavarësisht seksualitetit ose identitetit gjinor. 

Pra, përveç elementit estetik e artistik, shfaqjet drag kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shtyrjen përpara të kauzës për një shoqëri më të drejtë e më të barabartë.

Kam marrë pjesë në shumë shfaqje drag në Kosovë, performanca të cilat më kanë shtyrë të hulumtoj më tutje për historinë e kësaj forme të të bërit art. Gjatë këtij hulumtimi, kam vënë re një fenomen interesant dhe kundërthënës. Publiku në Kosovë është pranues ndaj humoristëve, që përdorin elemente të kulturës queer dhe/ose të drag, por tejet i vrazhdë ndaj vetë artistëve, qoftë queer, apo drag

Një ilustrim të kësaj e pamë sidomos në dhjetor të vitit 2022, kur në reality show Big Brother VIP Kosova (BBVKS) hyri aktori Edon Shileku. Aktori, hyrjen e tij e bëri në personën e tij drag — Victoria Owns. Midis mospranimeve për Shilekun/Victoria Owns, aktori tjetër, Vedat Bajrami, i cili dhjetëra herë në skeçet e tij ka luajtur rolin e gruas, u prit ndryshe, krahëhapur. 

Performacat drag mes aktivizmit dhe spektaklit

Shfaqjet drag kanë rrënjët larg në histori, duke filluar me aktorët burra që visheshin si gra për të interpretuar rolet femërore në teatro klasike, siç ishin ato të Greqisë së lashtë dhe periudhën e Shakespeare. 

Megjithatë, drag, si një formë arti, që i shërben ndërgjegjësimit për të drejtat LGBTQ+, filloi të fitojë popullaritet në shekullin XX, sidomos gjatë viteve të ‘20-ta dhe ‘30-ta në zonat metropolitane si New York dhe San Francisco. Disa prej pionerëve/eve përfshijnë artistë/e si Marsha P. Johnson, aktiviste trans dhe një figurë qendrore e kryengritjes Stonewall dhe Divine, persona drag e aktorit amerikan Harris Glenn Milstead. Këta pionierë ndihmuan në formimin e skenës drag si një platformë për rezistencë, shprehje dhe art.

Shfaqjet drag janë një bërë formë e fuqishme e artit dhe rezistencës edhe në Kosovë. Ndonëse për shumë mund të tingëllojë si diçka e re, drag ka qenë këtu qëmoti. Në vitet e ‘90-ta, ndejat drag organizoheshin kryesisht nëpër në shtëpi dhe ambiente tjera private. Përditë e më shumë, ato po zënë hapësirat publike. Tash e një vit, këto performanca kanë edhe një shtëpi të re, në qendër të Prishtinës, pubin e parë LGBTQ+ në Kosovë — Bubble.   

Sado që ato ndodhin, hapësira mediale për performancat drag e kulturën queer mbetet e ngushtë. Por, një vit më parë, në dhjetor 2022, ndodhi diçka monumentale. Publiku kosovar, në një televizion nacional, pa një performancë drag.  

Aktori Shileku (me personën drag Victoria Owns) u bë pjesë në edicionin e parë të këtij spektakli me një hyrje të veçantë. 

Derisa ky shënoi moment të rëndësishëm për dukshmërinë e artit dhe kauzës queer , performanca dhe vetë pjesëmarrja e Shilekut/Victoria Owns, shpejt u bënë subjekt i komenteve të ashpëra, fyese e kërcënuese në rrjetet sociale. Në faqet e rrjeteve sociale të televizionit Klan Kosova, në gati çdo postim dedikuar mbretëreshës drag, Victoria Owns, kemi parë thirrje për përjashtimin e tij, për bojkotimin e këtij edicioni dhe moslejimin e fëmijëve ta shohin atë, duke e quajtur degjenerim për rininë tonë. 

Në rezistencë për ta pranuar, Shileku/Victoria Owns hasi edhe brenda shtëpisë. Pos personës drag, Shileku ndërkohë tregoi se është biseksual. Përveç komenteve urryese, që u shtuan në hapësirën online, edhe një numër i vetë bashkëbanuesve në shtëpinë e BBVKS manifestuan haptaz mospranimin e tyre, përmes bisedave, komenteve e veprimeve me nuanca të qarta bifobike, homofobike dhe transfobike. 

Pra, publiku duket më i gatshëm të përqafojë njerëz që përdorin elemente drag për të përqeshur sesa artistët drag që në fakt, përpiqen për pranueshmëri më të madhe.

Ironikisht, shumë njerëz që e kundërshtojnë artin drag, janë të njëjtit që gjejnë argëtim kur burrat vishen dhe aktrojnë si gra, por vetëm kur ato aktrime nuk e kanë emrin “drag” dhe fshihen nën petkun e “skeçeve humoristike”. 

Pjesë e të njëjtit edicion të BBVKS, por më vonë në kohë, u bë pjesë edhe aktori i njohur Vedat Bajrami, i cili gëzon shumë mbështetje. Hyrja e tij, disa javë para se të përfundonte edicioni, bëri bujë shumë të madhe dhe nxiti nivele të larta të larta shikueshmërie, përcjellur me komente mbështetëse ndaj tij nga jashtë, por edhe një mikpritje të jashtëzakonshme nga brenda. 

Bajrami gjatë karrierës së tij ka luajtuar shumë role i veshur si grua. Në ato role ai ka veshur dimija, fustane, ka vënë grim, ka vallëzuar — në pamje të parë, çka bëjnë mbretëreshat drag. Edhe gjatë BBVKS e ka luajtur këtë rol. 

Veç pse s’ia ka vënë emrin “drag” dhe e ka përdorur për qëllim komik, Bajrami u “shpëtoi” komenteve urryese. Madje, për shprehjen e tij artistike, ai përkrahet në masë të madhe nga shoqëria.

Edhe më keq, një formë specifike e të bërit art si shprehje e lirisë individuale dhe revoltës ndaj shtypjes së një grupi shoqëror keqpërdoret nga humoristë burra, që bëjnë skeçe humori ose publikojnë video të shkurtra nëpër rrjete sociale, të veshur si gra, shpeshherë edhe duke përqeshur qoftë gratë, qoftë njerëzit LGBTQ+.  

Pra, publiku duket më i gatshëm të përqafojë njerëz që përdorin elemente drag për të përqeshur sesa artistët drag që në fakt, përpiqen për pranueshmëri më të madhe.

A është ky një shembull i eksploatimit të drag dhe kulturës queer për qëllime komerciale dhe humoristike?

Si mund të jetë eksploatimi ndryshe, kur këta humoristë përvetësojnë këtë formë të artit si një mjet për të tërhequr audiencën dhe për të fituar të ardhura, pa pasur ndonjë lidhje të vërtetë me përvojat dhe sfidat e njerëzve LGBTQ+ apo të të bërit art queer. Ata veprojnë në një mënyrë që trivializon dhe shpeshherë falsifikon një kulturë të tërë. 

Ky akt i papërgjegjshëm jo vetëm që shton stigmatizimin dhe stereotipet, por edhe privatizon përfitimet monetare nga një kulturë, që ka luftuar për dekada për pranim dhe të drejta të barabarta. Kur një individ përfiton nga një kulturë pa i dhënë asgjë në këmbim, pa i njohur përvojat e vërteta të atyre që janë pjesë e atij komuniteti dhe pa i dhënë kredenciale apo mbështetje, ky akt bëhet një formë eksploatimi. 

Kjo praktikë i shndërron identitetet dhe shfaqjet queer në një objekt për tallje, teksa kulturat autentike queer mbeten të ndaluara, të urryera, rrjedhimisht të shtypura e në margjina.

Performuesit si Shileku/Victoria Owns, janë shembuj të forcës dhe guximit që nevojitet për të qenë ndryshe në një shoqëri që ende është pak e gatshme ta pranojë ndryshimin. Me gjithë reagimet e ashpëra, Shileku si aktor, si mbretëreshë drag e si burrë biseksual ka ndihmuar në shtyrjen e kufijve të asaj që është e pranueshme në shoqërinë tonë. 

Në një botë që është gjithnjë e më e ndikuar nga ndryshime të shpejta kulturore dhe sociale, është thelbësore që të respektojmë dhe kuptojmë thellësinë dhe pasurinë e çdo kulture. Ndërsa është një hap i mirë që për herë të parë kemi parë performancë ‘drag’ në një televizion kombëtar dhe është hapur debati rreth saj, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos lejuar që ky integrim të shndërrohet në eksploatim.

Humoristët dhe artistët, dhe në fakt të gjithë, duhet t’u qasemi kulturave tjera me ndjeshmëri, dhe respekt. Vetëm kështu mund të sigurojmë një botë më të barabartë dhe të ndërlidhur, ku çdo zë dhe përvojë është baraz e vlerësuar.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?