Në thelb | Politika

Ngecja e votimit për president çon në krizë të re politike

Nga , - 04.04.2021

Dy ditë të lojërave të rrezikshme politike shtojnë klimën e pasigurisë.

Kosova gjendet në prag të një krize tjetër politike ndërsa përpjekja për zgjedhjen e presidentit të ri dështoi në natën e së shtunës.

Një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit pritet të mbahet sërish të dielën (4 prill), në orën 17:00, pasi dy tentime për të votuar për pozitën e presidentit nuk e arritën korumin e kërkuar.  

Partia në qeveri Vetëvendosje (VV) e thirri seancën e jashtëzakonshme në mbrëmjen e së shtunës kur shpresuan ta zgjedhnin Vjosa Osmanin si presidente. Megjithatë, me tre deputetë të LDK-së — përfshirë ish-kryeministrin Avdullah Hoti — që kundërshtuan qëndrimin zytar të partisë dhe refuzuan të votonin, i gjithë procesi ngeci në pasiguri.

Ekspertët e Kushtetutës kanë paralajmëruar se nëse presidenti i ri nuk mund të zgjidhet së shpejti, do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në tentimin e parë për votim, vonë në natën e së shtunës, votuan vetëm 78 deputetë — dy më pak se kuorumi i nevojshëm. Rundi i parë u përsërit shpejt, por sërish vetëm 79 deputetë votuan.

Partitë opozitare, PDK-ja dhe Lista Serbe, refuzuan të merrnin pjesë në votim, siç bënë edhe të gjithë deputetët e AAK-së përveç njërës, ndërsa deputeti i vetëm i Iniciativës Rome gjithashtu nuk ishte pjesëmarrës.

Duke folur për media pas ndërprerjes së seancës, pak pas orës 23:00, ushtruesja e detyrës së kryesueses së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, tha se anëtarë të caktuar të LDK-së duhet të dëshmojnë se janë institucionalistët që gjithmonë kanë pretenduar të jenë.

“Në rrethanat e krijuara, e konsiderojmë të nevojshme shtyrjen e votimit për të nesërmen në orën 17:00, që të sigurohemi se i kemi kushtet dhe mundësitë të kalojmë nga rundi i parë në rundin tjetër”, tha Kusari Lila. “Kemi pasur kontakte [me deputetë] nga të cilët kemi marrë përgjigje jopërfundimtare dhe në fund u tërhoqën ose nuk morën pjesë në votim. Në këto rrethana, nuk mund t’i them të gjitha detajet sepse nuk i kam, për mospjesëmarrjen e tyre”.

Ekspertët e Kushtetutës kanë paralajmëruar se nëse presidenti i ri nuk mund të zgjidhet së shpejti, do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme — të tretat me radhë brenda 18 muajve.

Nën kërcënimin e zgjedhjeve të reja

Tensioni politik ka arritur kulmin gjatë 48 orëve të fundit ndërsa politikanët luanin lojë të rrezikshme politike në prag të afateve kushtetuese që po afrohen.

Kosova ka pasur presidente në detyrë që prej 5 nëntorit 2020, kur Hashim Thaçi dha dorëheqje për t’u përballur me akuzat për krime lufte në Dhomat e Specializuara në Hagë. Meqenëse Kushtetuta e lejon presidentin në detyrë të shërbejë më së shumti për gjashtë muaj, ekspertët e Kushtetutës kanë thënë se deri më 5 maj duhet të zgjidhet presidenti i ri në mënyrë që të shmanget mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Mirëpo shumë interpretime kushtetuese kanë sugjeruar se zgjedhjet mund të shkaktohen qysh të hënën (5 prill). Kjo për shkak të një dispozite tjetër të Kushtetutës që thekson se zgjedhja e presidentit të ri duhet të ndodhë jo më larg se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Ushtruesi i detyrës së Presidentit, Glauk Konjufca, lëshoi një deklaratë mëngjesin e së dielës ku tha se besonte se Kuvendi “do të duhej ta fillonte procesin” e zgjedhjes së presidentit të ri deri më 5 prill, duke e kthyer në fakt rëndësinë e seancës të së shtunës për votim, pasi u duk se do ta largonte afatin e menjëhershëm dhe do ta shtynte kërcënimin për zgjedhje për një muaj.

Dilema për garantimin e votimit të suksesshëm për president mbetet të siguruarit se mjaftueshëm deputetë marrin pjesë në votim.

Pas dështimit të dy tentimeve për votim të shtunën, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, i cili gjithashtu ka qenë një nga autorët origjinalë të Kushtetutës, tha për televizionin T7 se votimi duhet të përmbyllet suksesshëm deri më 5 maj. Këtë e pohoi edhe Ministrja e Drejtësisë nga radhët e VV-së, Albulena Haxhiu, e cila tha se kishte kohë deri më 5 maj për vazhdimin e mbajtjes së seancës për votim.   

Megjithatë, dilema për garantimin e votimit të suksesshëm për president mbetet të siguruarit se mjaftueshëm deputetë marrin pjesë në votim.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2011 theksoi se duhet të jenë dy të tretat e deputetëve në sallën e Kuvendit në kohën e votimit të presidentit, që nënkupton së paku 80 nga 120 deputetë gjithsej. Kjo kërkon një formë konsensusi ndërmjet qeverisë dhe opozitës, që shpesh ka qenë vështirë të gjendet në dy vitet e fundit.

Nëse arrihet kuorumi, atëherë mbizotërimi parlamentar i VV-së nënkupton se me shumë gjasë Osmani — e cila garoi si pjesë e listës së VV-së në zgjedhjet e fundit të përgjithshme — do të ketë mjaftueshëm vota për t’u zgjedhur presidente.

Ndërsa një kandidati i duhet një shumicë prej dy të tretave të votave në dy rundet e para të votimit, në rundin e tretë dhe të fundit kërkohet vetëm shumica e thjeshtë. Nëse asnjë kandidat nuk zgjedhet në tri rundet e votimit, zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme shpallen automatikisht brenda 45 ditësh.

Taktikë e rrezikshme politike

Votimi për presidentin fillimisht u prit të ndodhte të premten (2 prill). Por, partia në qeverisje VV-ja — e cila më vonë pranoi se kishte konfirmuar mbështetje të mjaftueshme për ta garantuar kalimin e votimit — thirri një seancë tjetër të jashtëzakonshme në përpjekje për të çuar përpara ndryshimet e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kuvend, përmes një procesi të përshpejtuar.

Kjo u pa nga analistët si “paralajmërim” për partitë opozitare që mos të provonin mbajtjen e zgjedhjeve të reja përmes shmangies së procesit të votimit për president, meqë shumë nga ndryshimet e ligjit kishin të bënin me lehtësimin e procesit të votimit për votuesit nga diaspora të cilët në vitet e fundit e kanë mbështetur fuqishëm VV-në.

Po ashtu, doli se një nga ndryshimet e propozuara do ta ndryshonte nenin që pengoi liderin e VV-së, Albin Kurtin, të garonte si kandidat në zgjedhjet e fundit për shkak të një dënimi gjyqësor në tri vitet e fundit.

Propozimi për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për ligjin dështoi të siguronte mbështetjen e dy të tretave të deputetëve gjatë votimit në natën e së premtes, me partitë opozitare të cilat e cilësuan lëvizjen si “shantazh” dhe LDK-në që kërcënonte ta tërhiqte mbështetjen për votimin për president në rast se VV-ja vazhdonte me ligjin. Organizatat e shoqërisë civili gjithashtu kërkuan nga VV-ja të tërhiqej nga kjo nismë, duke thënë se një qasje e tillë u shërben vetëm interesave politike të partisë.

Ambasadorët e huaj ritheksuan se të gjitha palët duhet të sigurojnë shmangien e zgjedhjeve të reja, veçanërisht gjatë pandemisë dhe krizës ekonomike.

Në mëngjesin e së shtunës, ushtruesi i detyrës së Presidentit, Konjufca, la të kuptohet se ishte hequr dorë nga loja politike e mbrëmjes së djeshme duke njoftuar se pas një takimi me kryeministrin Kurti dhe Osmanin, qeveria kishte vendosur të mos vazhdonte njëanshëm me ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme pa kontributin e opozitës.  

“Nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos të bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentit, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”, shkroi Konjufca në deklaratën zyrtare.

Edhe pas kësaj, situata vazhdoi të mbetej në tehun e thikës gjatë së shtunës, pasi LDK-ja thoshte se nuk do ta mbështeste seancën e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit derisa VV-ja zyrtarisht t’i tërhiqte ndryshimet nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe VV-ja thoshte se nuk do t’i tërhiqte ndryshimet derisa LDK-ja të garantonte se do ta mbështeste seancën.

Ambasadorët e huaj gjithashtu shtuan presionin duke ritheksuar deklaratat që insistonin se të gjitha palët duhet të sigurojnë shmangien e zgjedhjeve të reja në një kohë kaq të afërt me zgjedhjet e shkurtit, veçanërisht gjatë pandemisë dhe krizës ekonomike.  

VV-ja përfundimisht konfirmoi se e kishte tërhequr kërkesën për ndryshimet e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, duke hapur rrugë për seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, e cila filloi pak para orës 20:00.

Por, drama ende nuk kishte marrë fund.

Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj nga radhët e LDK-së qëndruan vendosmërisht në ulëset e tyre.

Gjatë seancës, kryetari në detyrë i PDK-së Enver Hoxhaj — i cili nuk qëndroi në sallë për votim — akuzoi Kurtin për sjellje prej autokrati. Ai tha se veprimet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme konfirmuan se Kurti përbën kërcënim për demokracinë dhe se PDK-ja më parë do të shkonte në zgjedhje se sa të ishte pjesë e një teatri të tillë politik.

“Jam takuar me kryeministrin Kurti dhe me Osmanin, dhe qytetarët duhet ta dinë se nuk kishte interes për konsensus politik, partiak apo shoqëror”, tha ai. “Ata po zbatojnë politikën e shtypjes, jo të kompromisit”.

Më pas erdhi votimi.

Teksa lexoheshin emrat e deputetëve një nga një, gjatë thirrjes për të shkuar dhe hedhur votën e tyre përmes një fletëvotimi të fshehtë, Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj nga radhët e LDK-së qëndruan vendosmërisht në ulëset e tyre. Albena Reshitaj e AAK-së votoi përkundër bojkotimit të seancës nga pjesa tjetër e partisë, mirëpo kjo nuk mjaftoi që të arrihej kuorumi për votim.    

Gjatë përsëritjes së rundit të parë, doli edhe një votë më shumë — e një deputeteje të LDK-së e cila kishte arritur vonë në sallë për të votuar në tentimin e parë. Megjithatë, sërish nuk ishte e mjaftueshme për ta përmbyllur rundin.

Pas një pushimi gjatë të cilit deputetët u orvatën të gjenin një zgjidhje, kryetari i Kuvendit Konjufca njoftoi se do të mblidheshin pasditen e së dielës për të provuar sërish.

Përllogaritja e aritmetikës parlamentare

VV-ja ka 58 deputetë në parlament, ndërsa mund të llogarisë po ashtu në mbështetjen nga shumica e 10 deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo-serbe, shumë nga të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës.

Kjo nënkupton se ndërsa qeveria ka shumicën, ende kërkohet që deputetët e opozitës të votojnë ashtu që të arrihet kuorumi i nevojshëm prej 80 deputetësh për votimin për president.

Megjithatë, edhe PDK-ja, partia më e madhe opozitare me 19 ulëse, edhe AAK-ja e cila ka tetë ulëse, tashmë kanë thënë se nuk do të jenë pjesë e votimit.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Osmani është “figurë përçarëse” e cila nuk e përfaqëson “unitetin e popullit”, ashtu siç e kërkon roli i presidentes sipas Kushtetutës. “Duke qenë e motivuar partiakisht dhe duke përfaqësuar interesat e vetëm një partie dhe liderit të saj, znj. Osmani nuk mund të jetë aspak e denjë për pozitën e presidentes”, shkroi Hoxhaj së fundi në një postim në Facebook.

Kjo e la Osmanin të varur në bashkëpunimin e partisë së saj të kaluar, LDK-së.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili vetë ka synime për t’u bërë president, ka thënë gjithashtu në një konferencë për media se VV-ja nuk i ka kërkuar partisë së tij bashkëpunim.

Refuzimi i Listës Serbe — partisë së përkrahur nga Beogradi — për të treguar paraprakisht qëndrimin e tyre, e la Osmanin të varur në bashkëpunimin e partisë së saj të kaluar, LDK-së, e cila ka 15 ulëse në legjislaturën e tanishme.

Pas disa takimesh me Osmanin, lideri i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku — i cili e zëvendësoi Isa Mustafën në mars pas rezultateve zgjedhore më të dobëta ndonjëherë të LDK-së — pati njoftuar më 30 mars se udhëheqësia kishte vendosur me një shumicë absolute që do të merrte pjesë në votim.  

“Me forcën politike që kemi, i kishim dy mundësi: ta zgjidhnim obstruksionin dhe ta pengonim shumicën të merrte një vendim apo të ishim pjesë e zhvillimeve duke respektuar nevojën e qytetarëve për stabilitet politik”, tha ai. “Ne zgjodhëm të dytën”.

Megjithatë, raportimet se një numër i deputetëve të LDK-së po planifikonin ta kundërshtonin vendimin e partisë  e lanë aritmetikën parlamentare të paqartë teksa afati fillestar i 5 prillit për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme afrohej.  

Lojë me ligjin?

Dita e premte filloi me një seancë të rregullt të parlamentit gjatë së cilës u formuan komisionet parlamentare të legjislaturës së re.  

Gjithashtu, Kurti iu drejtua deputetëve duke u thënë se për shkak të rrethanave të pazakonta në të cilat votimi për president pason pak kohë pas formimit të qeverisë, qeveria do ta prezantonte planin e punës pas përfundimit të votimit për president.  

Kishte pritje të gjera se më vonë atë ditë VV-ja do ta thërriste për t’u mbajtur seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri. Megjithatë, kur Mimoza Kusari doli para mediave për të njoftuar se VV-ja po thërriste seancë të jashtëzakonshme, e vetmja pikë e rendit të ditës ishte ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme përmes procedurës së përshpejtuar.   

Gjatë fushatës zgjedhore të shkurtit, Kurti kishte premtuar se një nga ligjet e para që qeveria e tij do të sillte në Parlament do të ishte mundësimi i diasporës për të votuar në ambasada, pas kundërthënieve që përcollën votimin me postë dhe akuzave për shtypje të votës.

“Me vendimet e sotme, VV-ja ka përjashtuar opozitën, shoqërinë civile — veprimet e sotme janë një formë e shantazhit.”

Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së

Megjithatë, meqenëse VV-ja kishte siguruar shumicën e votave të diasporës në të dy zgjedhjet e kaluara, natyra e përshpejtuar si dhe koha e propozimit çuan në kritika të shumta.

Kusari Lila sygjeroi se VV-ja dëshironte ta kalonte ligjin brenda një dite dhe më pas të shkohej në votim për presidentin, ndërsa deputeti i listës GUXO Haxhi Avdyli më vonë u tha gazetarëve që pyesnin për ngutinë e vërejtshme se “mundësia për dështimin e votimit të presidentit është e madhe”.

Duke reaguar ndaj kësaj nisme, Abdixhiku tha se partia udhëheqëse kishte vepruar në “mënyrë të pashembullt”, pa u konsultuar me partitë opozitare.

“Ky ligj duhet të jetë pjesë e reformës zgjedhore; këso reformash bëhen me përfshirjen dhe nën udhëheqjen e opozitës”, tha ai. “Me vendimet e sotme, VV-ja e ka përjashtuar opozitën, shoqërinë civile — veprimet e sotme janë një formë e shantazhit”.

Abdixhiku shtoi se LDK-ja gjithmonë e ka mbështetur reformën zgjedhore por beson se çdo reformë duhet të jetë më e thellë se këto të propozuarat. “nëse nuk tërhiqet ky ndryshim, kryeministri Kurti do të na dërgojë në zgjedhje dhe do të krijojë vakum institucional”.

Ndërsa situata u tensionua, Konjufca i VV-së u kundërpërgjigj në Facebook se nëse vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme partia e tij nuk do të ishte përgjegjëse. “Gjithçka është e qartë: Kosova shkon në zgjedhje vetëm dhe VETËM nëse ata të cilët mungojnë në seancën e zgjedhjes së Presidentes janë më shumë se 40. Vetëm ATA e marrin përgjegjësinë e zgjedhjeve të reja dhe askush tjetër”.

Në të njëjtin postim, Konjufca e mirëpriti “qëndrimin shumë të pjekur e racional” që LDK-ja kishte treguar së fundi duke u zotuar se do të qëndronte në sallë gjatë votimit për presidentin, por i kundërshtoi akuzat për shantazh. “Të drejtat e domosdoshme të mërgatës sonë nuk janë shantazh për askënd. Është për të mirën e popullit tonë që jeton jashtë Kosovës”, shkroi ai.

Më tutje, u ngritën pyetje për çështje procedurale të kalimit të ligjit në mënyrë të tillë të përshpejtuar.

thuhej se është “i pjesshëm” dhe se kalimi i tij në këtë mënyrë kishte mundësi të shkaktonte kaos institucional.

“Në rast të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur Presidentin dhe si rrjedhojë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, zbatimi i ndryshimeve të propozuara do të haste në vështirësi për shkak të afateve të shkurta për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës jashtë vendit,” thuhej në letër. “Në këtë mënyrë do të komprometohej i gjithë procesi zgjedhor”.

Më tutje, u ngritën pyetje për çështje procedurale të kalimit të ligjit në mënyrë të tillë të përshpejtuar, me kritikët të cilët thoshin se kjo formë nuk lejon për shoshitje të duhur të ndryshimeve të një ligji kaq të rëndësishëm.

VV-ja theksoi faktin se procesi i paraqitjes së ndryshimeve të ligjit përmes procedurave parlamentare veçse kishte filluar vitin e kaluar.

Sipas faqes së Kuvendit, projektligji fillimisht u propozua në qershor 2020. Një vendim i qeverisë së udhëhequr nga Hoti në gusht 2020 vlerësoi se ndryshimet e propozuara në ligj ishin “të paplota”.

Versioni i projektligjit të shpërndarë te deputetët të premten gjithashtu është ndryshuar nga versioni që hyri në procedurë parlamentare vitin e kaluar. Ndër dispozitat e tjera të ndryshuara, versioni i ri përfshiu ndryshimin e nenit 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që kishte penguar Kurtin të garonte si kandidat për deputet në zgjedhjet e mbajtura në shkurt.

Kritikët e akuzuan VV-në për propozimin e ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme që synonin veçanërisht ta ndihmonin liderin e partisë. Foto: Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme (prill 2021).

Sipas ndryshimeve të propozuara, neni i cili aktualisht ia ndalon të kandidojë secilit që është shpallur fajtor për vepër penale në tre vitet e fundit, do të ndryshohej për të specifikuar se sanksioni vlen vetëm për ata që janë dënuar me një apo më shumë vite burgim gjatë asaj kohe.

Duke iu përgjigjur akuzave se VV-ja kishte propozuar këtë ndryshim për t’u siguruar se Kurti do të mund të garojë si kandidat në zgjedhjet e ardhshme, Adnan Rrustemi nga VV-ja tha për KTV-në se ky nuk ishte ndryshim por “harmonizim” i ligjit me nenin 70 të Kushtetutës.

Neni 70.3 (6) i Kushtetutës thekson se: “Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim”.

"Ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen VETËVENDOSJE!.”

Albin Kurti, kryeministër

Ndërsa situata ishte ende e tensionuar në mëngjesin e së shtunës, Kurti postoi një deklaratë në Facebook duke thënë se kishte pritur të kishte njerëz të cilët nuk do ta pëlqenin projektligjin “por ky panik histerik për votimin e mërgatës është befasues”.

“Ne nuk mund dhe nuk duam ta çojmë vendin në zgjedhje të sërishme sepse ne duam ta zgjedhim Presidenten e re”, shkroi ai. “Ata që nuk e duan zgjedhjen e Presidentes, ata që nuk e duan Presidenten, që kanë bërë e po bëjnë luftë speciale kundër saj, mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Me zgjedhjen e tyre ata i kanë zgjedhjet në dorë: ose mbi 80 vota në kuti për Vjosa Osmanin, ose mbi 500 mijë vota në kuti për Lëvizjen VETËVENDOSJE!”.

Të shtunën në mbrëmje, u duk se ishte gjetur një zgjidhje, pasi deputetët e LDK-së u ulën në vendet e tyre në seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit. Mirëpo, gjatë orëve pasuese doli se drama politike ende nuk kishte përfunduar.

Pavarësisht nëse Osmani përfundimisht bëhet ose jo presidente, pas ngjarjeve përçarëse të 48 orëve të fundit, detyra e përfaqësimit të “unitetit të popullit” duket të jetë bërë pak më e vështirë.

Imazhi i ballinës: K2.0.

Me raportim shtesë nga Dafina Halili.