Blogbox | Rinia2020

Një kartolinë e sinqertë nga Kroacia

Pasaportat, tërmetet, kultura dhe e ardhmja.

Nga - 05.09.2020

Nuk e di se si kosovarët e imagjinojnë jetën në Kroaci, por prej bisedave që kam pasur me njerëz nga Ballkani Perëndimor kam vërejtur se një gjë përmendet më së shumti nga ta: pasaporta evropiane.  

Kroatët kanë të drejtë të lëvizin në BE vetëm me letërnjoftim, dhe nuk kanë nevojë për vizë apo leje të punës, për dallim nga shtetet fqinje juglindore.  

Në 30 vitet e fundit, dëshira për ta lënë Ballkanin është rritur dhe njerëzit kanë filluar të shohin se diaspora është duke ikur për arsye të ndryshme. Më parë njerëzit largoheshin për shkak të vështirësive personale financiare, por tani të rinjtë nuk ikin për t’i shpëtuar varfërisë. Ata largohen nga mendje-ngushtësia, konformizmi politik dhe korrupsioni.

Duhet ta pranojmë se Kroacia nuk është aq larg standardeve evropiane, mirëpo ka përjetuar të njëjtën rënie demografike si pjesa tjetër e rajonit.

Imazhi i një force punëtore të re dhe progresive është bërë trend — përkufizim i vetiniciativës, kurajos dhe shkathtësisë.  

Njerëz me profesione të ndryshme, përfshirë ata në fushën e kulturës, vendosin të provojnë fatin dhe aftësitë e tyre jashtë vendit të tyre të lindjes. 

Por  çka nëse jeni një i ri apo e re me dëshirë të flaktë për të punuar në sektorin e kulturës në Kroaci? 

Jeta në Zagreb 

Zagrebi mund të shihet si udhëkryq mes Evropës Qendrore dhe asaj Lindore, një metropol me potencialin për të ofruar vende të mira pune. Në sektorin e kulturës pothuajse nuk ka vende pune në pjesët e tjera të Kroacisë, përveç në Zagreb ku mund të punësoheni madje edhe si student.

Si një e re nga provinca, unë shfrytëzova mundësinë për të ngjitur shkallët e suksesit në karrierë. Shpejt u gjenda në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Zagreb si udhërrëfyese dhe asistente në menaxhimin e vizitave. Për mua kjo ishte fantastike.

Bari nuk është gjithmonë më i gjelbër në pjesën perëndimore të Ballkanit.

Ishte vendi më i mirë ku mund të ndodhesha në atë kohë. Më pëlqente puna ime studentore dhe vazhdoja të rrija në muze jashtë orarit të punës vetëm për të përmirësuar cilësinë e vizitave të mia.

Në të njëjtën kohë, punoja në Art Pavilion — një hapësirë e një galerie të vjetër ku shfaqen ekspozita të ndryshme — si staf mbrojtës që kujdeset për t’iu thënë njerëzve të mos i prekin pikturat.   

Bari nuk është gjithmonë më i gjelbër në pjesën perëndimore të Ballkanit. Me rritjen e numrit të rasteve të COVID-19, të gjitha vizitat u anuluan. Të gjithë e dimë pjesën tjetër: izolimi, maskat dhe dy muaj reflektimi. Vendi i punës u mbyll, por kjo është në rregull.

Në vjeshtë, gjithçka do të bëhet mirë.

Tërmeti

22 mars, ora 6:10 e mëngjesit. Toka poshtë meje po dridhet ashpërsisht. “Të lutem mos u shemb, të lutem mos u shemb!”, përsëris me frikë ndërsa hidhem nën kornizën e derës.

Papritur u bëra besimtare ndaj çdo lloj hynije që kishte fuqinë ta ndalte këtë kaos. Zemra po më ushtonte në vesh, këmbët po më dridheshin dhe po mbahesha fort për të dashurin tim. 

Kur toka nuk po dridhej më, zhurma e alarmeve të veturave dhe të lehurat e qenve vinin nga rrugët.

Zagrebi u godit nga një tërmet me magnitudë 5.5 shkallë. Muzeu Arkeologjik si dhe Muzeu i Artit dhe Zejeve u dëmtuan rëndë. Të dy akademitë e artit pothuajse u shembën dhe ende nuk janë të sigurta për asnjë formë të studimit. Veprat e papërfunduara të artit mbetën në mure të copëtuara, sallat e pluhurosura ishin plot me tulla, dhe konstruksioni i drunjtë shihej nga çatitë e prishura. 

Art Pavillon është mbyllur të paktën për një vit, bashkë me institucionet e tjera kulturore. Institucionet e skenës së pavarur lokale janë prekur më së rëndi, në veçanti AKC Medika.  

Të rinjtë spontanisht filluan të mblidheshin rreth Teatrit Kombëtar, pjesërisht për shkak se çdo mundësi tjetër ishte e pamundur si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Mendova me vete: në vjeshtë, e gjitha do të bëhet mirë.

Sa i përket situatës së tanishme urbanistike, nuk mund të bëhet shumë. Pjesa më e madhe e vendimeve për renovimin e ndërtesave të dëmtuara është në duart e kryetarit aktual i cili njihet për intervenimet e këqija kulturore të kryera në bashkëpunim me kompanitë ndërtimore.

Restauruesit, konservuesit, teknikët e urbanizmit dhe pozitat e tjera të vlefshme janë të nënvlerësuara, dhe zëri i tyre është pak i rëndësishëm kur ka të bëjë me vendimet për ndërtesat e dëmtuara.   

Pak rreth së ardhmes

Kroacia mbajti zgjedhjet parlamentare në fillim të muajit korrik dhe për këtë arsye plani i rimëkëmbjes është shtyrë. Punëtorët e kulturës janë të tmerruar nga humbja e vendeve të punës, dhe studentët shpejt po përshëndeten me pagat e çmuara prej 4 eurosh për orë.

Tani janë dy mundësi: largimi nga vendi për në Irlandë, Austri, e Gjermani, apo vazhdimi i kësaj lufte të dhimbshme burokratike plot korrupsion dhe konformizëm politik.

A duhet të punoj për vite të tëra si vullnetare para se të bëhem punonjëse e pakënaqur e kulturës?

A duhet ta ndërroj profesionin tim?

Vizioni im utopik për kurimin e ekspozitave të jashtëzakonshme u shemb bashkë me tërmetin.

Vizioni im utopik për kurimin e ekspozitave të jashtëzakonshme u shemb nga tërmeti. Unë do të vazhdoj të punoj në temën e diplomës rreth vështrimit perëndimor mbi kulturën e Ballkanit dhe atë se çfarë do të thotë të jesh nga ky rajon.

Kam dëshirë të mësoj se si të bashkëpunoj me agjenci ndërkombëtare për të ringjallur skenën kulturore të rajonit dhe për të krijuar bashkëpunim rajonal i cili do të na ndihmonte të mësojmë nga njëri-tjetri se si të përballemi me çështjet e njëjta dhe të përbashkëta që ndodhin në të njëjtën kohë.

Kjo është arsyeja pse kontaktova me Kosovo 2.0 dhe pse po shkruaj në anglisht.

Do të doja ta përdor pasaportën me mençuri — jo për të ikur, por për të mundësuar ndërtimin e urave.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.