Teksa më shoqëron për në brendësinë e ndërtesës ikonike moderne, të projektuar nga arkitekti Miodrag Pecić, arkivistja e Arkivit të Brendshëm Shkencor të Institutit Albanologjik, Trashe Prelvukaj, thotë: “Këtu është shumë qetë”.
Në atë ndërtesë me muret e pjerrëta të bardha që rrinë palë-palë nëpër kate, shoqëruar prej fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, Instituti Albanologjik banon nga viti 1977. Ai u themelua së pari më 1 qershor 1953, në vazhdën e themelimit të instituteve të ngjashme nëpër Federatën Socialiste të Jugosllavisë.
Prelvukaj u punësua aty në vitin 1979, vetëm dy vjet prej kur Instituti ishte bartur prej ndërtesës një-katëshe ku ishte dikur, në ndërtesën e re, të projektuar me kujdes për të akomoduar nevojat dhe natyrën e qetë të punës së studiuesve e studiueseve të pesë degëve të tij — gjuhësi, letërsi, folklor, histori, etnologji.
Duke qenë institucion kërkimor-shkencor, i themeluar për t’u hapur dyert kërkimeve shkencore albanologjike, Instituti, pashmangshëm, ndër vite, u bë cak i menjëhershëm në çdo sulm ndaj kultivimit të kulturës dhe identitetit shqiptar përbrenda ish-Jugosllavisë.
Kështu, qetësia, që Prelvukaj përmend si karakteristikë të punës, vazhdimisht është prishur nga një mosqetësi, që është pjesë e rrëfimit të këtij institucioni që nga themelimi i tij shtatë dekada më parë. Ekzistenca dhe destinimi i Institutit u vunë në pikëpyetje, ndërkohë që Kosova dhe përkatësia e identiteti kombëtar i shqiptarëve kalonin nëpër kriza të njëpasnjëshme brenda ish-Jugosllavisë dhe edhe më vonë pas vendosjes së Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara — UNMIK.
Midis gjithë këtyre ndodhive, ka diçka magjepsëse në përjetimet e njerëzve, që fshihen pas mureve të ndërtesave, të cilat shpeshherë kapërcehen si të mirëqena nëpër qytetet e Kosovës. Përbrenda historive të mëdha, pjesë e të cilave është edhe Instituti Albanologjik, fshihen nuanca tregimesh e përjetimesh të vogla të njerëzve. Këta njerëz përjetuan entuziazmin e themelimit të këtij institucioni, ankthin e dëshirën rinore për t’u bërë pjesë e tij, frikën kur puna në të përbënte rrezik. Ata përjetuan edhe përzierjen e shpresës me zhgënjim kur ekzistenca e vendit të tyre të punës u vu në pikëpyetje në kohën e rikthimit e rimëkëmbjes, pas luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Më 1 qershor 2023, Instituti Albanalogjik shënoi 70-vjetorin e themelimit. Për ta kujtuar e shënuar përvjetorin, nëpër nëpër tregimin e vendit të tyre të punës, më shëtisin me shumë ngrohtësi disa nga punonjësit/et, të gjithë/a nga prapavija, breza e përjetime të ndryshme.
Në luftë me harresën
Shtëpia e parë e Institutit, të themeluar për të parën herë në vitin 1953, ishte në një ndërtesë një-katëshe në Prishtinë, përbri Bibliotekës së sotme Kombëtare. Aty e përjetoi edhe mbylljen e parë në vitin 1955, ende pa nisur punën mirëfilli.
Kjo mbyllje ndodhi në kohën e aksionit të mbledhjes së armëve nga pushteti jugosllav, i cili rezultoi në ndrydhje të mëtejme të lirisë së shqiptarëve të Kosovës. Instituti mbeti i mbyllur deri në vitin 1967, kur u rithemelua pas largimit të Aleksandar Ranković nga udhëheqja e shërbimit të sigurimit të Jugosllavisë dhe në valën e përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për të shfrytëzuar këtë momentum të ri politiko-shoqëror për të artikuluar kërkesat e tyre për autonomi, qasje në gjuhë e edukim.
Atëbotë, Zymer Neziri, i cili deri në pensionim punoi si studiues i Degës së Folklorit në Institut, ishte në vitin e parë të shkollimit në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren. Ëndërr e kishte të punësohej në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Nga tregimet e rënduara për situatën e turbullt politike të kohës, Neziri, me buzëqeshje që duket sikur e huazon për pak çaste nga koha për të cilën flet, hapë derën për në një kujtim të djalërisë së tij në fillimet e punës si asistent në Degën e Folklorit, që atëbotë udhëhiqej nga folkloristi dhe profesori Anton Çetta.
“Kanë qenë krejt ndërtesa një-katëshe të dikurshme, të ndërtume në kohën kur këtu [kampusi i sotëm universitar] ka qenë kamp ushtarak”, nis rrëfimin e tij Neziri. Për shkak që ai kishte studiuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren e jo në Prishtinë, ai tregon se askush nuk e njihte as e mbante mend si student. “Bile mu mas motmoti punë këtu [në Institut] ka ardhë [profesori e kolegu, Idriz Ajeti] më ka trokitë në derë, më tha, ‘Ku është Antoni?’, thashë: ‘Ka shku me pi kafe’. E msheli derën, shkoi, mas pak u kthy tha: “Çka po bon ti këtu?” A unë isha nji motmot asistent”, kujton Neziri.
Tregimet e këndshme nga vendi i tij i punës mbaruan shpejt për të. Në vitin 1973, vetëm dy vjet pas punësimit, Nezirin e përjashtuan nga vendi i punës që dikur e ëndërronte, për shkak të angazhimit të tij politik në protestat studentore të vitit 1968 ku morën vrull edhe më tej kërkesat për universitet e kushtetutë për shqiptarët e Kosovës brenda ish-Jugosllavisë. Në vendin e vjetër të punës ai u kthye tek pas dy dekadash, në vitin 1992.
Gjatë atyre viteve, Kosova po kalonte nëpër një momentum të ri për shkak të problemit të vjetër. Autonomia e Kosovës si krahinë e ish-Jugosllavisë, e garantuar me Kushtetutën e miratuar në vitin 1974, ishte suprimuar në vitin 1989. Derisa luftërat që i paraprin shpërbërjes së Jugosllavisë nisën një nga një në Slloveni, Kroaci e Bosnjë e Hercegovinë, kampanja për dëbimin e përjashtimin e shqiptarëve në Kosovë përshkallëzoi tashmë nën udhëheqjen e Slobodan Milošević. Atyre po u mohohej për vit e më shumë jeta publike – arsimi, shëndetësia, kultura – të cilën, për ta ruajtur, e bartën nëpër hapësira private, në atë që njihet si sistemi paralel.
As Instituti Albanologjik nuk i shpëtoi dëbimit nga puna e ndërtesa e vet. Në vitin 1994, ai u bë ndër institucionet e fundit që u përjashtuan nga jeta publike. Arkivistja Prelvukaj, e cila deri në këtë moment flet me dashuri për ngrohtësinë e ambientit të punës dhe mënyrën se si për të, si punonjësja më e re në moshë në Institut, çdo ditë e punës ishte e mbushur me zan e elan, ngryset tek tregon për kujtimin e hidhur të vitit 1994. “Na e morën Institutin. Na kanë rrahë e maltretu krejtve, na kanë qitë tu bërtitë: ‘Dilni jashtë!’”, thotë ajo.
Për atë kohë, ngjashëm flet edhe Arbnora Dushi, sot drejtuese e Degës së Folklorit. Ajo tregon se anipse kishin shpresuar të mos dëboheshin nga puna, megjithatë punëtorët e Institutit ishin përgatitur. Si pjesë e kësaj përgatitjeje, të gjithë arkivin e Institutit atëbotë, e kishin bartur vetë nëpër shtëpitë e tyre dhe shtëpitë e të tjerëve, që kishin ofruar vullnetarisht ta strehojnë arkivin.
“Natën kanë bajtë libra me karroca punëtorët e Institutit”, tregon Dushi për një nga një kujtimet që ia kanë rrëfyer kolegët e saj më të moshuar në Institut.
Kështu, prej vitit 1994 deri në vitin 1998, Instituti funksionoi në shtëpinë dy-katëshe të doktorit Musa Haxhiu në lagjen “Bregu i Diellit”, shtëpi e cila, siç e përshkruan Dushi, ishte e madhe për shtëpi private, por e vogël për Institut Albanologjik.
Instituti Albanologjik u strehua në shtëpinë private të Musa Haxhiut midis viteve 1994-1998. Fotografia: Arkivi i Institutit Albanologjik.
Bash në këtë kohë, në moshën 24-vjeçare, Dushi filloi punën në Institut. Bashkë me trazirat politike e shoqërore, përtëriheshin breza të rinj, që ëndërronin të punojnë në Institut. Ajo kujton 1 janarin e vitit 1997, ditën e saj të parë të punës. “Gëzimi ish shumë i madh, nuk e ki idenë sa shumë. Të pakta emocione të këtilla të gëzimit që i kom pasë atë ditë në jetë që i kujtoj, se shumë ka qenë arritje e madhe me mbërri. Institutin, të gjithë studentat e letërsisë dhe gjuhës e idealizojshin prej jashtë”, thotë ajo.
Të vetëdijshëm mirë për gjithçka që ndodhte përreth, Dushi dhe bashkëmoshatarët e saj megjithatë gjenin vend për entuziazëm “E kujtoj që [paga] ka qenë më duket fillimisht 40 marka, që mbledhej tre përqindëshi, viti ‘96. Mirëpo kush e menojke atëherë paren? Ku me ardhë me hy në institut? Se parja… Atëherë të gjithë ishin të varfër. Prindërit i kishim pa puna, kishin dalë të gjithë me dhunë prej punës”, kujton Dushi. Shqiptarët e Kosovës, të përjashtuar prej jetës publike, nisën ta mbanin jetën tashmë paralele në hapësira private përmes atij që njihet si Fondi i Tre Përqindëshit. Në të derdhnin fonde qytetarët e Kosovës dhe të diasporës, për të siguruar kompensime minimale financiare për punëtorët që vazhdonin punën në këto hapësira, sidomos ata të shëndetësisë dhe edukimit.
Zhvillimi i jetës publike nëpër hapësira tejet private nuk ishte diçka e re për brezin e Dushit, e cila edhe shkollimin e lartë e përfundoi në rrethana të ngjashme. “Ishim brezi që u përballëm qysh në fillim me këtë formë të dhunës edhe rezistencës prej anës tonë, që na nxitke edhe ma shumë me mësu, edhe ma shumë me u ba studenta të mirë edhe mos me i nalë studimet. Në ‘91-shin neve na kanë nxjerrë prej objektit të fakultetit. […] I vazhdum studimet mandej në objekte private në Vranjevc edhe ku kishin ofru njerëzit shtëpi private. Po entuziazmin edhe dëshirën për punë e kemi pasë shumë ma të madhe,” thotë ajo.
Dushi i takon brezit të studiuesve/eve që iu bashkuan Institutit Albanologjik në të ‘90-tat e turbullta — i pari grup studiuesish që iu bashkua këtij institucioni që nga brezat më të hershëm, që ishin bërë pjesë e tij në fillet e themelimit në të ‘50-at.
Institutin e ëndërronin si vend pune brezat e rinj të studiueseve/ëve. Në fotografi: punonjëse shkencore dhe të administratës së Institutit. Ndër to, e para nga e majta, në këmbë: Arbnora Dushi. E treta nga e majta, në këmbë, Trashe Prelvukaj. Fotografia: Arkivi i Institutit Albanologjik.
Në këtë grup prej nëntë studiuesish/esh ishte edhe drejtori i tanishëm i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, i cili midis kujtimeve të entuziazmit e gëzimit për fillimin e punës, i mban në mend kthjelltësisht rrethanat e pazakonta të punës në atë kohë.
“Pranimi im edhe qasja ime në këtë institucion ka qenë në disa rrethana shumë specifike, në nji ambient shumë të ngushtë të punës, në kushte shumë të vështira të punës. Po krejt këto vështirësi, në anën tjetër, kanë rezultu në diçka tepër interesante për mua edhe besoj për brezin tim në përgjithësi sepse e gjetëm një ngrohtësi, një afërsi të kolegëve që ishin tashmë studiues të njohur të Albanologjisë, të cilët na pritën, na ndihmuan, na udhëzuan që të punojmë në projekte shkencore”, thotë Matoshi.
Në atë kohë, në 40 metrat katrorë të sallonit të shtëpisë së vogël për Institut, Matoshi mban mend që megjithatë të jenë organizuar aktivitete shkencore. Kur këto ishin më të mëdha në përmasa dhe kur në sallonin e shtëpisë së Musa Haxhiut s’kishte vend për të gjithë të interesuarit, hapësirat ofroheshin edhe nga njerëz tjerë.
Me gjithë përpjekjet dhe vullnetin për të imituar një jetë normale në këto rrethana krejt jo normale, puna kërkimore në ato vite pothuajse u paralizua. Ndër ato që u prekën më së shumti, ishte puna në terren, pjesërisht për shkak të mungesës së fondeve e më shumë për shkak të represionit policor.
“Për shembull arkeologët po të dilnin të gërmonin diku, të vinte policia dhe iu kërkonte lejen pse po gërmojnë, çka po bajnë aty…Pastaj ishte vështirë të sigurohej literatura, biblioteka e Institutit nuk funksiononte në atë kohë”, thotë Matoshi.
Ndërkohë, teksa ec nëpër kujtimet e saj për vitet e ‘90-ta, te arkivistja Prelvukaj spikasin tregimet që në qendër kanë raportin e saj të çmuar me materialin arkivor dhe ruajtjen e tij. Kjo e përcaktoi për gjatë punën e saj.
“Kur erdha [1979] e gjeta krejt të gatshme, me nji arkiv poshtë e kish bajtë krejt Anton Çetta. Kur erdha unë Anton Çetta u kanë [në arkiv] edhe kom punu me to deri vonë, derisa hyna në rrjedha të degëve. […] Tash për momentin [2023], arkivi është pasiv. Gjatë luftës s’e kanë prekë bibliotekën hiç, vetëm arkivin krejt na e kanë marrë”, thotë ajo, teksa përbrenda kësaj kujtese të saj përthekohet tregimi i orvatjeve të Institutit.
Për shkak të këtyre orvatjeve, materiali i vyer arkivor i Institutit Albanologjik, që përbëhej nga dokumente, materiale folklorike, etnografike, etnomuzikologjike si dhe mjete të ndryshme si kamera, bobina, e pajisje tjera ndihmëse për hulumtim në terren, u dëmtua në masë të pariparueshme.
Përgjatë historisë së hapjeve e mbylljeve, përpos nga hulumtimi në terren, një pjesë e materialit ishte mbledhur në të ‘50-tat, kur punëtorët e parë kishin kërkuar përmes gazetës “Rilindja” nga qytetarë e studiues të ndryshëm, të dorëzojnë materialet që i kishin në pronësi, për ta pasuruar Arkivin e Brendshëm Shkencor të Institutit.
Ky material arkivor, që ishte ruajtur nëpër shtëpi private, u kthye pjesërisht me rikthimin e punëtorëve në objektin e tanishëm më 1 prill të vitit 1998, si rezultat i një marrëveshjeje për kthimin e shqiptarëve të përjashtuar në objektet arsimore, të nënshkruar në shtator të vitit 1996, nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe atëherë presidenti i Serbisë, Milošević, ndërmjetësuar prej komunitetit katolik Shën Exhidio.
Punëtorët e Institutit Albanologjik e çuan arkivin e Institutit nëpër shtëpi private për ta ruajtur, përballë mbylljes së vitit 1994. Fotografia: Arkivi i Institutit Albanologjik.
Atë moment e ka të kristaltë në kujtesë Matoshi. “I kthym në të ‘98-tën se edhe njerëzve ju ishin zanë shtëpitë. […] Kishte njerëz që gjysmën e shtëpisë e kishin nxanë me libra dhe nuk e përdornin dot”, thotë ai. Ky rikthim u takua shpejt me një dëbim të ri.
Pasi e kthyen materialin arkivor, e vendosën, e rregulluan dhe funksionalizuan, në vitin 1999 forcat e armatosura serbe i dëbuan me dhunë nga vendi i tyre i punës.
Arkivi, i cili edhe ashtu ishte mbledhur në rrethana tejet kufizuese, kurrë nuk u kthye në gjendjen e tij të mëparshme. Koha, që është qenësore për studime albanologjike, sidomos ato të folklorit, duke qenë se një pjesë e madhe e materialit mblidhet përmes inçizimeve të elementeve folklorike, të cilat janë bartur ndër breza, po u vidhej.
Teksa kjo ndodhte, shuheshin edhe ata që i mbanin në mend këto përmbajtje të çmuara. Në një përpjekje për të shpjeguar se çfarë ndikimi ka në punën shkencore gjithë koha e humbur e nëpër turbullira historike e politike, Neziri përmend sfidën e mbledhjes së këngëve të Drenicës.
“Tash [pas luftës] kur e bana hulumtimin e fundit në Drenicë, u gjetën vetëm 12 kangë. 104 katune të Drenicës, vetëm 12 kangë. S’është e vërtetë, po 12 janë mbledhë. Sepse me u marrë me epikën ka qenë frikë, ka qenë problem”, thotë ai. Mbledhja e materialit folklorik shpesh varet kryekput nga mbamendësit e vargjeve folklorike, të cilët i interpretojnë ato për studiuesit që i dokumentojnë përmes incizimit.
Kështu, mbijetesa e jo puna e tyre studiuese, ishte imponuar në qendrën e vëmendjes së punonjësve të Institutit Albanologjik, që e njohin mirë përpjekjen për rimëkëmbje, të një institucioni që ironikisht asnjëherë nuk u lejua të çohet në këmbë si duhet.
Kthim i prerë shkurt
Kthimi i prillit të vitit 1998 shënoi një kohë kur gjithçka ishte në frymën e një përpjekjeje për të kapur kohën e humbur e për të ndërtuar diçka që i ngjasonte normalitetit — gjë që qartazi më vonë do të dëshmohej si diçka e largët.
Rikthimi po ashtu përbënte herën e parë kur Matoshi dhe Dushi u futën në objekt si të punësuar, meqë vitin e parë të punës e kishin kaluar në shtëpinë dy-katëshe të Haxhiut. Atë ditë, Dushi e mban mend si çast të gëzimit kolektiv se më në fund, shtypja po niste të zbehej. “Krejt populli ka qenë në rrugë e me duartrokitje, se u konsideru një hap lehtësimi kundrejt asaj dhune edhe represioni që ka mbizotëru në atë kohë”, tregon Dushi.
Pos pranisë së tyre kur u hapën dyert e objektit, qytetarët u përfshin në bërjen e Institutit një vend më të përshtatshëm për punë. “U gjetëm disi, shumë njerëz sollën edhe karrige, sollën edhe pajisje. Disa ndihmun që pak të gëlçerosen muret, pak të rregullohet. […] Ka pasë një mbështetje të jashtëzakonshme për institutin në atë periudhë, një vullnet shumë të madh. Vinin pastaj të na ndihmonin ta pastrojmë, ta rregullojmë objektin. Për atë periudhë sa e përdorëm”, kujton Matoshi solidaritetin e asaj kohe.
Në vitin 1998, Instituti u rikthye në punë pas një mbylljeje katër-vjeçare. Hapja u prit me entuziazëm kolektiv. Fotografia: Arkivi i Institutit Albanologjik.
Megjithatë, ky entuziazëm i rikithimit përplasej përditë me një situatë të rënduar në Kosovë. “U mundum me u kthy, edhe pse situata në Kosovë rëndohej për ditë e më keq. Vijshim në punë, i dëgjojshim granatimet rreth Prishtinës, tregime, rrëfime, ngjarje, lajme, panika, ishin të përditshme”, kujton Dushi vitet 1997-1998.
Prapëseprapë, ajo vazhdon tregimin e saj, sepse edhe në ato kohë rrëfimi i Institutit vazhdoi. Studiuesit, në frymë të një shprese e vendosmërie për punën e tyre, kishin tentuar edhe të dilnin në terren për të hulumtuar.
“Në qato rrethana u mundojshim me punu. Bile më kujtohet, patëm organizu me dalë edhe në terren. E patëm kontaktu Tahir Drenicën si rapsod i asaj kohe, e shkojshim si tinëz me 1,000 punkte të policisë, kishe po shkojmë me taku një mik. Shkojshim i incizojshim rapsoditë e tij”, thotë ajo.
Edhe ky rikthim u pre shkurt. Qysh në vitin 1998, nëpër fshatrat e Kosovës, sidomos në Drenicë veç kishte nisur agresioni ushtarak e vrasjet e shqiptarëve — në shkurt atë vit, 24 shqiptarë u vranë në Qirez e Likoshan, teksa në qendrat urbane nisi të shpeshtohej dhuna edhe fizike tashmë. Lufta, të cilën tashmë shqiptarët filluan ta shihnin e ndienin, shpërtheu në vitin 1999. Si rezultat, Instituti u mbull dhe në punën e tij u shkaktuan dëme të pariparueshme. Edhe ajo pjesë të arkivit të cilën kishin mundur ta shpëtonin gjatë përjashtimeve e hapje-mbylljeve të njëpasnjëshme u shkatërrua.
Në vendin e punës së studiuesve u pozicionuan dhunshëm trupa të armatosura të Ushtrisë Jugosllave, teksa punonjësit u shpërdanë secili nëpër fatet e veta në përpjekje për të mbijetuar e shpëtuar teksa prisnin lirinë e me të edhe hapjen e re, për të cilën shpresonin se nuk do të përfundonte me një mbyllje tjetër.
Pas luftës
Rikthimi në punë, pas përfundimit të luftës, ishte i mbushur me besim se ndoshta kjo do të ishte hera e fundit kur Instituti do të duhej të niste gjithçka nga e para. Por edhe kjo periudhë u përcoll me pasiguri e kërcënime ndaj vetë ekzistencës së tij.
Me të mbaruar të luftës, qytetarët e Kosovës u gjendën midis entuziazmit për lirinë dhe sfidës së re të ndërtimit të shtetit. Kur mbaroi lufta në vitin 1999, Kosova u vendos nën protektorat të UNMIK. Thirrjet e autoriteteve të atëhershme të UNMIK, Dushi i mban në mend si argumente për zhbërjen e historisë së Institutit dhe përfshirjen e tij përbrenda një projekti që nuk komunikonte me atë që punëtorët e institutit ndër dekada ishin munduar të ndërtojnë.
Nën UNMIK, Kosova trajtohej si projekt, arritja e qëllimeve të së cilit shpeshherë synohej edhe përmes veprimeve e vendimeve që nuk kishin ndjeshmëri për vazhdimësinë historike të institucioneve me të cilat menaxhonin e as për kontekstin shoqëror në të cilin udhëhiqnin.
Kështu, përpjekjet për të rikonceptuar idenë e Institutit Albanologjik për të akomoduar qëllimet e Kombeve të Bashkuara, Dushi i cilëson si të painformuara e arbitrare.
“Thojshin, ‘ju tash nuk jeni shtet, ma përpara keni pasë të drejtë me pasë Institut Albanologjik për shkak se ka qenë si e drejtë e minoriteteve, mirëpo tash nuk jeni shqiptarët si minoritet në Kosovë, edhe kështu që tash nuk keni nevojë për një institut të këtillë, por baheni tash institut i kombeve dhe gjithë minoriteteve që i ka Kosova domethanë largoni tërësinë kombëtare po kthejeni në tërësi shtetnore”, kujton Dushi.
Në këtë kontekst, Dushi thotë se u paraqit një nevojë e re për rezistencë, sepse sipas saj, qëndrimi i UNMIK ishte që vetë albanologjia nuk ishte shkencë e që vetë Instituti nuk duhej as të quhej më “Institut Albanologjik”.
“Sadriu [Fetiu, drejtori i Institutit atëbotë] s’ka pranu, ka qenë rezistent ndaj kësaj. Edhe thojnë ata që ‘ma nuk kemi mundësi me ju financu sepse na nuk financojmë institucione një-nacionale’, edhe na ndërprenë financimin për tre muaj, nuk kemi pasë financim hiç. Kjo ka ndodh në 2000-shin, domethanë se ish koha kur tek u rikthejke Kosova në binarët e punës”, thotë Dushi.
Hapësirat e Institutit Albanologjik u dëmtuan rëndë si rezultat i luftës së vitit 1999. Qytetarët, në baza vullnetare, ndihmuan ta kthenin atë në këmbë. Fotografia: Arkivi i Institutit Albanologjik.
Orvatjet e Institutit Albanologjik për të zënë vend, edhe fizikisht, një herë e mirë në tregimin kolektiv të Kosovës vazhduan edhe më tutje me betejat e njëpasnjëshme. Teksa pushtetet në Kosovë ndërroheshin, Instituti nuk u çlirua prej përpjekjeve për ekzistencë.
Instituti Albanologjik, prej vitit 2004 funksionon në kuadër të Ministrisë së së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ndërsa prej vitit 2008, viti kur Kosova shpalli pavarësinë, ka një linjë të veçantë buxhetore përbrenda buxhetit të ministrisë. Përgjithësisht, për punonjësit e vet, funksionimi përbrenda ministrisë është ngulfatës për natyrën dinamike të punës kërkimore e shkencore. Duke mos e pasur buxhetin vetë nën menaxhimin, puna e studiuesve në terren jo rrallë mbetet peng i procedurave burokratike e administrative të aprovimeve.
Po ashtu, përkundër përpjekjeve të punonjësve të Institutit për të shtyrë përpara rregullimin e punës përmes një dokumenti, që i merr parasysh specifikat e punës, për Institutin Albanologjik nuk ka një ligj të veçantë dhe funksionimi i tij rregullohet me Ligjin për Institucionet Kërkimore-Shkencore.
Ndërkohë, Instituti me gjithë vështirësitë që e kanë përkufizuar rrëfimin për të, vazhdon të jetë vend i ëndërruar i punës. Zana Hoxha, hulumtuese e pavarur shkencore në Institut dhe arkeologe e periudhës së hershme të tij, thotë se i është bashkuar vendit të saj të punës me besimin se ai është institucioni i duhur për arritjen e vizionit akademik të një studiuesi. “Prej pozitës që ndodhem sot, e kuptoj pse është ëndërr e shumë studentëve e studiuesve të jenë pjesë e këtij institucioni”, thotë ajo.
Megjithatë, sipas saj, marrë parasysh kohën e vonë të themelimit të institucioneve arsimore e shkencore në Kosovë, studiuesit nga Kosova janë një hap prapa për sa i përket studimit të materies albanologjike. Materia albanologjike, e cila është subjekt i studimit të studiuesve të pesë degëve të Institutit është materie që duhet trajtuar e rishqyrtuar në vazhdimësi, sepse ajo kultivohet vazhdimisht. Kësisoj, me kohën e humbur, përpos që puna kërkimore e Institutit nevojitet të jetë e shpejtë ajo kërkon të përtërihet vazhdimisht, teksa kohët ndërrojnë.
Për Hoxhën, nevojitet qasje e re në studimin e kësaj materieje. “Materiale të pastudiuara ka shumë, por ka edhe materiale të studiuara nga të tjerët që janë keq të interpretuara. Prandaj, Albanologjia, në të gjitha sektorët duhet të studiohet dhe identiteti shqiptar të studiohet në hap me kohën,” thotë Hoxha. Sipas saj, mënyra e duhur për t’iu qasur kësaj materieje, si asaj ekzistuese edhe asaj që vazhdon të kultivohet, është përmes ndërthurjes së disiplinave dhe metodave të ndryshme hulumtuese e shkencore që zotërohen nga studiuesit e Institutit.
Relevanca kohore e dijes dhe studimit albanologjik, për shumë mund të jetë e diskutueshme e Instituti mund të përjetohet si një institucion që funksionon në vete, i lidhur me një pjesë të tregimit të kësaj shoqërie, e cila jo domosdoshmërisht komunikon me pyetjet e dilemat identitare, të cilat i sjellin kontekstet e reja kohore e shoqërore, me të cilat ka nevojë të ballafaqohet shoqëria e sotme e Kosovës e ndaj të cilave ka nevojë të ketë përgigjje. Njëlloj ishte edhe për mua para se t’i futesha kësaj odiseje takimesh e bisedash me punonjësit e Institutit.
Për këtë çështje, që duhet të bëhet brengë e së tashmes e së ardhmes së Institutit, Arben Hoxhaj, Këshilltar Shkencor në Institut, thotë se kontekstet historike nuk janë entitete amorfe dhe jashtë qenies njerëzore — ato janë të mundshme me njeriun dhe përmes njeriut.
”Në këtë kuptim, edhe materiet albanologjike dhe metodat e të prodhuarit të dijeve albanologjike, ndryshojnë dhe, sipas tij për të mos e humbur kuptimin e ekzistencës së vet, dijet albanologjike duhet të rimendojnë veten brenda kontekstit të ri të krijuar në këtë milenium.”, thotë Hoxhaj.
Dhe kur e mendon të ardhmen, Hoxhaj sheh domosdoshmëri për ndryshim. “Dijet albanologjike sot, në radhë të parë dhe para së gjithash, kërkojnë një konstruksion të ri mendor për të menduarit e vetes sonë në raport me mundësitë e ndërveprimit me të tjerët dhe me botën, por edhe përballë cenimeve që asaj i bëhen”.
Në këtë përvjetor të 70-të të themelimit të tij të parë, Instituti Albanologjik i Kosovës duket se nuk është ende në pozitë për të rimenduar vetveten në raport me kontekstet e shoqërinë vazhdimisht në ndryshim.
Teksa materia për studim e Albanologjisë është kokë e këmbë subjekt i kohës — një pjesë e rëndësishme e saj humbet me kalimin e kohës e një pjesë tjetër vazhdimisht zhvillohet e ndryshohet me kalimin e kohës — Instituti Albanologjik orvatet në një cikël vicioz të betejës për mbijetesë, duke iu imponuar që shkencën, dokumentimin e prodhimin e dijes, ta vendosë në rend të dytë.
Shënim i redaksisë (6 shkurt 2024): Në versionin origjinal, në artikull nënkuptohej se marrëveshja për kthimin e shqiptarëve të përjashtuar në objektet arsimore ishte nënshkruar në mars të vitit 1998, teksa, në fakt marrëveshja është nënshkruar në shator 1996, kurse protokoli për implementim të saj, në mars 1998. K2.0 ka ndryshuar atë pjesë për të reflektuar drejt faktet.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla, me fotografitë nga arkivi personal i Trashe Prelvukajt dhe nga arkivi i Institutit Albanologjik / K2.0