Në një ditë të nxehtë fundjave të gushtit 2018, Prishtina është e zbrazët sa duket sikur edhe zogjtë marrin pushim dhe mbushen energji për të hënën.
Në oborrin e një shtëpie njëkatëshe në rrugën “Bajram Kelmendi”, një qen gjen strehë nga dielli i shtrirë nën hijen e një peme dhe nga dritaret e hapura, ku perdja valëvitet nga puhia e lehtë, dëgjohet muzikë turke me zë të ulët nga radioja.
Brenda dritareve, në njërin nga muret që kishin marrë ngjyrë qumështi prej tymit të cigares, varen dy goblena me korniza ngjyrë ari, me imazhe vajzash me fustane të gjata. Tepihu me dizajn lulesh dhe formash gjeometrike, ngjan me modelin e tekstilit që vesh divanët. E gjithë dyshemeja është me dërrasa; kur ec, dëgjohen hapat, por njëherë për njëherë është qetësi.
Brenda, në fotele të dhomës së ditës është ulur Qerkica dhe pi kafe turke, ndërsa miku i saj, Mustafa, i mbuluar me një çarçaf të hollë, po bën një sy gjumë në divan.
Qerkica me një këmishë të hollë të zezë dhe xhinse, vë këmbën mbi këmbë, ndez një duhan të mbështjellë dhe me një nervozë në zë fillon të tregojë për incidentin që kishte ndodhur para disa ditësh në lagje.
“‘Pse po dokesh kështu, ti s’ki çka lyp në këtë mahallë, na s’dojna kësi me pasë afër’”, i kujtonte Qerkica fjalët drejtuar asaj, nga një grup djemsh të lagjes në të njëzetat e moshës.
Qerkica, 42-vjeçare, është grua transgjinore. Ajo është edhe pjesëtare e komunitetit ashkali dhe ky kombinim ka rezultuar në një jetë me diskriminim të dyfishtë, të cilit ka tentuar t’i ikë disa herë, por ka dështuar.
“Gjithë i kam ndi këto fjalë, po çdoherë jam mundu me i injoru”, thotë Qerkica. “Mas një kohe u mësova, po tash në këtë moshë, ja kam nisë me u tutë ma shumë për veti. Më duket kanjiherë se nji ditë njani ka me nxjerrë thikën edhe unë qaq e pata. Nuk kam çka lypi ma në Kosovë”.
Diskriminimi ndaj komunitetit ashkali është i vazhdueshëm dhe raporte të ndryshme tregojnë se si komuniteti ka qenë historikisht në pozicion të disfavorshëm shoqëror, ekonomik dhe politik, që i ka shtyrë pjesëtarët e tij shpesh të izolohen në lagje me infrastrukturë më të pazhvilluar, duke e ulur edhe mundësinë e edukimit.
Foto: Dardan Zhegrova.
Pjesën e parë të jetës Qerkica e kaloi në Fushë Kosovë. Kishte qenë vetëm dy vjeçe kur familja ishte shpërngulur aty nga Mitrovica. Edhe pse kjo komunë ka numrin më të madh të komunitetit ashkali në Kosovë, që përbën 10 për qind të popullësisë komunale, diskriminimi ende mbizotëron.
Si transgjinore, ajo ballafaqohet edhe me nënçmim e mungesë të pranimit në shoqërinë kosovare, në të cilën mbizotërojnë rolet tradicionale gjinore dhe përgjithësisht janë mënyra e vetme që pranohet për t’u identifikuar.
E lindur me anatomi mashkullore, Qerkica është identifikuar si grua që në fëmijëri.
“Gjithë jam ndi si gru, prej kur i kam pasë nëntë vjet; emrin e pata lonë Valentina, krejt menojshin që jam gru”, tregon Qerkica, duke mbajtë në duar disa fotografi, ku dukej me shoqet e saj, të gjitha të veshura me fustane të mbrëmjes e të lyera me makiazh. “Tek kur u rrita e ja nisi me më dalë mjekrra e me më ndryshu zani, njerëzit ia nisën me ditë që isha fizikisht mashkull”.
Mospranimi, si për shumë nga anëtarët e tjerë të komunitetit LGBTI, edhe për Qerkicën kishte filluar në vetë familjen e saj. Me katër vjet shkollë fillore, në vitin 1989 kur ishte 13-vjeçare, presioni që ndjente prej familjes për t’u përshtatur, e shtyu Qerkicën ta merrte një vendim që asnjë i ri nuk duhet marrë – ajo e la shtëpinë në kërkim të strehimit.
Mbasi u largua nga familja, diskriminimi veç sa bëhej më i keq. Ajo thotë se pjesëtarë të komunitetit ashkali shpesh i thonë: “Kjo po na merr fytyrën e tjerët po mendojnë që na jena qeshtu”; ndërkohë që shqiptarët i kanë thënë: “Po na e prish rininë”.
Në vitin 1993, Qerkicës iu ofrua bashkëjetesa në një familje në Pejë me anë të martesës tradicionale; ishte kombinimi i nevojës për strehim dhe ndjenjës së pranimit që e shtyu atë ta pranonte.
“Djali i kojshisë u patë dashuru shumë në mu, dhe një ditë më tha: ‘Valentinë, du me u martu me ty’”, thotë Qerkica.
Qerkica, atëherë 17-vjeçare, thotë se i kishte dyshimet se si do të reagonte ai kur ta kuptonte identitetin e saj gjinor. Për gratë transgjinore, shprehja e gjinisë në publik has mospranim më të madh sesa për burrat transgjinorë dhe Qerkica përballej vazhdimisht me paragjykime dhe diskriminime. Edhe pse martesa mes tyre dukej e pamundur, për befasi të saj, ai jo vetëm do t’i bëhej i shoqi, por edhe familja e tij e pranuan.
Në ditën e dasmës, ajo ishte veshur me fustan të bardhë nusërie. Në shtëpi e kishin pritur me defa, dhe në bazë të zakoneve të komunitetit ashkali, kishte vënë sherbet në dyer, që gjithçka në jetën e çiftit të martuar të shkojë mirë e ëmbël si sherbeti.
Por jeta bashkëshortore pati përfundim të hidhët. Vetëm pas nëntë muajsh, familja e vet e ktheu Qerkicën në Fushë Kosovë përkundër dëshirës së saj.
Hera tjetër kur do të ikte, do të ishte ajo që do t’ia formësonte gjithë pjesën tjetër të jetës.
Më 1995 Qerkica dhe shoku i saj Mustafa, me të cilin ishte takuar para disa vjetësh, u ritakuan dhe vendosën të gjenin një shtëpi së bashku. Këta të dy, jo vetëm që do të bëheshin kujdestarë të njëri-tjetrit e miq të pandashëm, por do ta ndanin kujdesin dhe ndjenjën e sigurisë e të pranimit me të tjerë të komunitetit LGBTI që përballen me të njëjtat vështirësi.
“Gjithmonë krejt kush na ka taku ka mendu që jam çika e Mustafës, e unë nuk u thojsha jo; nashtë, le të mendojnë që s’jam vetë”, thotë Qerkica, e cila gjeti një lloj sigurie te Mustafa, 16-vjet më i vjetër.
Dikur gjatë këtyre viteve, shoqëria e tyre e përbashkët filloi t’i referohej asaj si “qerka” e Mustafës, që në gjuhën serbe do të thotë “e bija”. Asaj i mbeti nofka Qerkica, në formën përkëdhelëse të fjalës.
Storja e Mustafës, sikurse ajo e Qerkicës, fillon në adoleshencë. Në vitin 1975, kur kishte qenë 15-vjeçar, në të përfunduar të shkollës fillore “Vuk Karadžić” (tani “Elena Gjika”) në Prishtinë, kishte filluar të ushqente ndjenja simpatie për një shok të klasës.
“Më kujtohet, një ditë me shi, një shok i klasës më erdhi në shtëpi që t’i bënim detyrat e shtëpisë, e babai im e ndali për drekë. Kur dolëm të përshëndeteshim vetëm unë dhe ai, u krijua një moment i çuditshëm; mua më pëlqente, por nuk doja t’ia thoja, ta pranoja”, thotë Mustafa. “Ai mu afrua, më përqafoi e më tha në vesh ‘edhe unë ndihem njejtë si ti Mustafë’. Aty e kuptova se çfarë ndjeja për meshkujt”.
Por, pas dy vjetësh, Mustafës do t’i ndryshonte jeta papritur kur humbi të pamit prej një aksidenti. Përveç kujdesit fillestar nga familja dhe një lidhjeje pesëvjeçare gjatë viteve 1988-1993, edhe Mustafës i duhej një mbështetje më e qëndrueshme.
Nga viti 1995, Qerkica dhe Mustafa filluan të jetonin së bashku në Prishtinë – fillimisht nëpër shtëpi të ndryshme të shoqërisë e pastaj në të tyret me qira. Por, kur familja shumanëtarëshe e Qerkicës, dy vëllezërit me bashkëshorte dhe fëmijë, migruan për në Gjermani gjatë luftës në maj të vitit 1999, ajo u kthye në Fushë Kosovë, kësaj radhe bashkë me Mustafën, për t’u kujdesur për shtëpinë njëkatëshe të braktisur.
Kujdesi që Qerkica dhe Mustafa kishin për njëri-tjetrin, si dhe përvojat e shumta të përjashtimit e të përçmimit i shtynë që t’i ndihmojnë të tjerët. Në vitin 2003 hapën dyert e shtëpisë së tyre për individë të komunitetit LGBTI, të mbetur pa strehë për shkak të dhunës psikike e fizike nga rrethi ku jetonin – qoftë për shkak të orientimit seksual ose të identitetit gjinor të tyre.
Fotot e marra nga Qerkica.
“Më kujtohet hera e parë [viti 2003] që dikush ka ardhë në shpi teme, ka qenë një shoqe prej Prizrenit, po nuk po du me ja përmend emrin se tash ajo ka familje”, thotë Qerkica. “Ka [lindë si] djalë hastreti … [por është grua transgjinore]. Edhe ajo ka pasë shumë probleme me familjen se e rrehshin për qatë arsye. Ajo i ka pasë katër motra, edhe asht detyru me ikë prej shpisë e me ardhë te unë”.
Qerkica thotë se shoqja e saj kishte qëndruar në shtëpinë e saj dy vjet e gjysmë, por se shtëpia do të vazhdonte të shërbente si strehimore për dy dekadat e ardhshme. Shtëpia e saj u shndërrua edhe në vend ku anëtarët e komunitetit LGBTI thjesht mund të mblidheshin për të qenë vetvetja – të visheshin ashtu si ndjeheshin, të organizonin ndeja me shoqërinë, të flisnin për përvojat në lidhje dashurie e madje edhe t’i ftonin partnerët për kafe e dreka.
“Më kujtohet që u mbledhshim e bojshim me hangër, kafe, llaf e muhabet, kqyrshim fall, kanjiherë bojshim edhe kanaxheçe, u ndreqshim, u lyjshim, kcejshim me muzikë”, thotë Qerkica. “Krejt janë ndi si në shpi të vet, bile ma mirë e ma shlirë se mujshin me bo çka të dojshin. Kanjiherë s’kishim shumë pare, po u gjindshim diqysh. Dikush punojke najsen; qashtu krejt bashkë”.
Por viti 2016 e gjeti Qerkicën sërish në situatë të njëjtë – familjarët e saj u riatdhesuan nga Gjermania dhe u kthyen në shtëpinë që njëherë e kishin braktisur. Përsëri, Qerkica me Mustafën u gjetën në një ambient ku ndjeheshin të papranuar dhe padëshiruar.
Të braktisur nga ligji
Sikurse Qerkica dhe Mustafa, shumë anëtarë të komunitetit LGBTI në Kosovë janë dëbuar nga familjet dhe janë larguar nga shtëpia në moshë të re. Kjo është veçanërisht e vështirë kur mungon pranimi në nivel shoqëror.
Në këto rrethana, përgjegjësia duhet të bjerë mbi institucionet, për t’i mbrojtur të drejtat themelore të këtyre individëve dhe ofruar zgjidhje. Por në Kosovë, strehimore të mbështetura institucionalisht për personat LGBTI pothuajse nuk ekzistojnë.
Për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale, për ata që përballen me diskrimin për shkak të identitetit ose të orientitmit seksual është bërë jetike t’i hapin dyert për njëri-tjetrin.
Kur një grup i tërë i shoqërisë ndihet i rrezikuar, atëherë solidariteti mes individëve të grupit rritet ndjeshëm.
Arbër Nuhiu, CSGD.
Arbër Nuhiu nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) – organizatë joqeveritare e cila mbështet, mbron dhe avokon për të drejtat e personave LGBTI – thotë se është në kontakt me Qerkicën që nga viti 2003, kur për herë të parë ajo hapi dyert e shtëpisë së vet. Nuhiu tregon se viktima të dhunës në familje shpesh kanë kërkuar ndihmë dhe strehë në shtëpinë e saj. “Disa janë ndjerë më të lirë dhe më vetvetja kur kanë qëndruar aty”, thotë ai.
Sipas Nuhiut, kur një grup i tërë i shoqërisë ndihet i rrezikuar, atëherë solidariteti mes individëve të grupit rritet ndjeshëm. Ai thotë se kjo ka shtyrë shumë persona të komunitetit LGBTI nëpër Kosovë, e sidomos në Prishtinë, të hapin dyert për njëri-tjetrin, e posaçërisht në raste të ikjes prej dhunës.
Në një hulumtim të vitit 2015 nga National Democratic Institute (NDI), për të cilin janë intervistuar 1,221 persona LGBTI mbi 18 vjeç në Kosovë, rreth 80 përqind thonë se kanë përjetuar diskriminim dhe abuzim psikologjik nga familja dhe rrethi shoqëror, si shaka mizore, komente poshtëruese, ofendime e kërcënime për shkak të orientimit seksual; 29 përqind kanë përjetuar edhe abuzim fizik.
Pavarësisht kësaj, që nga viti 2012, vetëm rreth 20 raste të kërcënimeve dhe të sulmeve fizike janë raportuar në polici. Aktivistë për të drejtat e njeriut thonë se shumica e sulmeve ose incidenteve që ndodhin nuk raportohen. Nëse raportohen, rrallëherë përfundojnë në gjykata. Një raport i vitit 2016 i CSGD-së thotë se “Kjo ndodh për shkak të frikës se mos emrat e tyre publikohen dhe frikës se rastet e tyre do të injorohen, si dhe për shkak të një mosbesimi gjeneral në forcat e rendit”.
Kjo u dëshmua edhe në nëntor sivjet, kur portale të ndryshme online publikuan një video të incizuar brenda stacionit policor në Prishtinë. Në video, shihen dy qytetarë të arrestuar, dhe përderisa njëri pretendon se kishin rënë dakord për të kryer marrëdhënie seksuale në këmbim të parave, tjetri e mohonte, gjë që rezultoi me nxerrjen e një thike.
Në video, pesë oficerë të policisë shihen dhe dëgjohen duke i ofenduar dhe tallur dy burra të cilët i kishin arrestuar.
“A bon një gotë uje?” thotë njëri qytetar.
“Jo”, i përgjigjet njëri nga policët.
“Po nuk po muj me folë”, ia kthen qytetari.
“A të ka q* a nuk të ka q*?”, vazhdon ta pyes polici. “A të ka zhvallit?”
Policët e tjerë dëgjohen duke qeshur në prapavi.
Video tërhoqi vëmendjen e mediave më 16 nëntor dhe një ditë më pas Inspektorati Policor i Kosovës mori vendimin për suspendimin e pesë policëve. Ata tani janë nën hetime për dyshim të keqpërdorimit të detyrës dhe regjistrim videoje të paautorizuar.
Organizatat për të drejta të komunitetit LGBTI e shohin rastin e lartpërmendur si tregues të diskriminimit dhe si nxitje të urretjes.
Çfarë vendimi pëfundimtar do të ndërmarrë Inspektorati Policor i Kosovës mbetet të shihet. Dispozitat e tanishme të Kodit Penal të Kosovës vështirë se do t’i kontribuojnë ndonjë vendimi të drejtë. Kodi Penal e njeh orientimin seksual si rrethanë rënduese në rastin e kryerjes së veprës penale, dhe po ashtu në rastet e asgjësimit dhe dëmtimit të pasurisë. Por neni 147, ku parashihet dënimi për këdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje ndaj grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike, e përjashton orientimin seksual si dhe identitein gjinor. Identiteti gjinor nuk është i përfshirë askund në Kod.
“Përderisa identiteti gjinor nuk përfshihet fare në kodin penal dhe orientimi seksual hyn vetëm tek asgjësimi dhe dëmtimi i pronës [dhe si rrethanë rënduese], rastet e krimit ose të gjuhës së urrejtjes pak e më pak do të paraqiten në polici a gjykata, sepse komuniteti ndihet i pasigurt dhe nuk sheh ndonjë rezultat kur po dënohen kryesit e asaj vepre penale”, thotë Rina Kika, avokate në Prishtinë, që trajton raste të të drejtave të njeriut.
Organizatat për të drejtat e personave LGBTI janë duke avokuar dhe lobuar që orientimi seksual dhe identiteti gjinor të përfshihen në nenin 147 si arsye për rastet e nxitjes së urrejtjes ose krimit të urrejtjes.
Një rast i këtillë ndodhi në vitin 2016 në Ferizaj, kur dy aktivistë ishin sulmuar ndërsa po shpërndanin broshura që avokonin për promovimin dhe respektimin e të drejtave të komunitetit LGBTI. Në trajtinim gjyqësor të rastit, prokuroria e përdori nenin 147 të Kodit Penal, dhe si rezultat, Gjykata Themelore në Ferizaj nuk e mori parasysh motivin e këtij sulmi kriminal që ka të bëjë me orientimin seksual të viktimave dhe në vend të kësaj e trajtoi si rast të zakonshëm diskriminimi.
Ky rast nuk tregon vetëm se prokurorisë i mungoi ekspertiza për trajtimin e krimeve të tilla në sistemin ligjor, meqë nuk ia doli të insistonte që sulmi të trajtohej si krim i urretjes. Ai tregon edhe se mungesa e orentimit seksual dhe identitetit gjinor në atë nen do të vazhdojë të ndikojë në mënyrën se si do të trajtohen raste të ngjashme në të ardhmen.
Që nga ai vit, organizatat për të drejtat e personave LGBTI janë duke avokuar dhe lobuar që orientimi seksual dhe identiteti gjinor të përfshihen në nenin 147 si arsye për rastet e nxitjes së urrejtjes ose krimit të urrejtjes. Ndërkohë që kodi pritet të miratohet në fillim të 2019-ës, tani për tani aktivistët nuk kanë informacion nëse janë përfshirë ose jo kërkesat e tyre në versionin e ri.
Mosnjohja e diskriminimit në Kodin Penal është vetëm një ilustrim se si institucionet dështojnë për ta mbështetur komunitetin LGBTI. Përtej kësaj është edhe mungesa e të kuptuarit dhe njohjes institucionale që në një mjedis ku abuzimet dhe ngacmimet shtrihen nga familja në rrugë e në lagje, hapësirat alternative të jetesës, siç janë strehimoret, marrin rëndësi jetike.
Por, hapësirat e tilla janë joekzistente. Për ta trajtuar këtë problem, në vitin 2016, OJQ-ja Qendra për Barazi dhe Liri të komunitetit (CEL), e bazuar në Prishtinë, ka filluar bashkëpunimin me strehimoren “Streha” në Tiranë, e cila ishte çelur para një viti.
Sipas psikologut të strehimores, Elvis Popaj, personat nga Kosova të strehuar në Qendrën “Streha” në Tiranë kanë raporte të mira me pjesëtarët LGBTI pasi si komunitete përballen me diskriminim të njëjtë. Deri më tani, aty janë strehuar shtatë persona nga Kosova.
Sipas Popajt, pasi një person të vlerësohet nga ekipi multidisiplinar se është në nevojë, në rrezik ose në vështirësi, ai ose ajo strehohet dhe fillon të marrë një sërë shërbimesh si: strehim, ushqim, këshillim psikologjik dhe social, negocim për punësim dhe shërbim shëndetësor. Kështu, personi jo vetëm se nxirret nga situata e vështirë, por edhe riaftësohet për të pasur qasje më të lehtë në shoqëri.
“Personat mund të qëndrojnë në strehë nga gjashtë muaj deri në një vit, bazuar në nevojat që kanë”, thotë Popaj. “Për ne është me rëndësi mirëqenia sociale dhe psikologjike e individit e për këtë arsye edhe pasi që ata persona dalin nga strehimorja, vazhdojnë të asistohen me shërbime psikologjike ose shërbime të tjera që ndihmojnë në gjetjen dhe mbajtjen e një vendi pune, pavarësimin financiar dhe integrimin në shoqëri”.
Edhe pse CEL ka drejtuar shumë nga viktimat në strehimoren e Tiranës, Qerkica dhe Mustafa nuk kanë përfituar nga ato shërbime.
“Strehimorja në Kosovë duhet me qenë e pavarur nga donatorët apo fondet. Nuk mundemi m. e iu thënë viktimave se sot e keni strehimoren, por pas gjashtë muajve mbyllet për shkak të fondeve”.
Blert Morina, CEL
“Qerkica dhe Mustafa nuk janë raste që munden me shku në Tiranë për disa muaj dhe të kthehen përsëri në Kosovë”, thotë drejtori i CEL-it, Blert Morina. “Mustafa ka nevojë për përkujdesje për shkak të shëndetit si dhe bashkë me Qerkicën kanë nevojë për një strehim më afatgjatë – prandaj strehimi i tyre në Tiranë nuk është pa aspak si i përshtatshëm për ta”. Në vitin 2003, Mustafa pësoi një sulm në tru, që e la gjysmë të paralizuar.
Ndërkohë, CEL është duke kërkuar fonde dhe mbështetje nga institucionet e vendit për të krijuar një strehimore që do të ishte vetëfunksionale nga të strehuarit, e që në të njëjtën kohë do të shërbente si qendër rehabilituese në rastet kur të strehuarit kanë përjetuar dhunë mentale dhe fizike.
“Strehimorja në Kosovë duhet me qenë e pavarur nga donatorët apo fondet”, thotë Morina. “Nuk mundemi me iu thënë viktimave se sot e keni strehimoren, por pas gjashtë muajve mbyllet për shkak të fondeve”.
Një gjë e tillë, për shembull, ndodhi me Qerkicën, e cila jo vetëm që humbi shtëpinë, por edhe një komunitet i njerëzve të tjerë përreth asaj përjetuan të njëjtën humbje.
Ndërkohë, në aspektin institucional, nuk ka politika specifike që parashohin zgjidhje për situata të tilla. Në fakt, vetëm në maj të vitit të kaluar, Zyra për Qeverisje të Mirë (ZQM) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit – që ka rol mbikëqyrës, këshillon ministritë dhe zhvillon politikat, si dhe siguron udhëzime për fushat e qeverisjes së mirë, të të drejtave të njeriut dhe të barazisë gjinore, – përmbushi detyrimin e saj që rrjedh nga Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të hartuar legjislacionin dytësor për theksimin e përgjegjësive, koordinimin dhe raportimin e mekanizmave për mbrojtje kundër diskriminimit në nivel ministror dhe komunal.
Në kuadër të këtij legjislacioni, u miratua edhe rregullorja që detyron ministritë dhe komunat të caktojnë njësi ose zyrtarë për mbrojtje ndaj diskriminimit. Roli i tyre do të përfshijë: ofrimin e mbështetjes në hartimin dhe zbatimin e politikave lokale dhe të strategjive të ministrisë për promovimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi; zhvillimin e një dialogu të rregullt me institucionet, organizatat joqeveritare dhe grupet e ndjeshme në lidhje me çështjet e diskriminimit; dhënien e rekomandimeve për çfarëdo lloj çështjeje që lidhet me diskriminimin, e të tjera.
Sipas raportit të CSGD-së, edhe pse ZQM ka deklaruar se shumica e këtyre institucioneve tashmë i kanë emëruar zyrtarët përkatës, ato ende nuk e kanë listën e këtyre zyrtarëve. Për më shumë, ndërsa ZQM në kuadër të mandatit mbërthen programe për trajnime të shërbyesve civilë në nivel komunal dhe të ministrive, përfshirë edhe për çështje që ndërlidhen me mbrojtjen nga diskriminimi për komunitetin LGBTI, trajnime nuk ka pasur në tri vitet e fundit.
“Nga komuna e Novobërdës [në vitin 2017] kanë thënë se trajnimet nuk janë mbajtë për shkak se ky komunitet nuk ekziston në komunën tonë,” thotë Rina Braimi, menaxhere e programit në CEL. Përgjigjja e komunës është e përfshirë edhe në raportin e vitit 2018 të Equal Rights for Coaliton, për avancimin e të drejtave të LGBTI.
“Në bisedë me ta u kemi thënë se duhen me e njoftë komunitetin që është brenda komunës, sepse LGBTI gjendet në çdo komunë”, tha Braimi.
Sipas saj, ajo përgjigje shpalos mosinteresimin e institucioneve që të njohin komunitetet brenda komunës. Me qasje të tillë, adresimi i çështjeve thelbësore e jetësore për komunitetin LGBTI, mbetet peng i institucioneve që nuk ua kuptojnë nevojat.
Cikle të shpresës
Kur Qerkica humbi shtëpinë për shkak se familja biologjike iu kthye nga Gjermia, të gjithë që ishin strehuar me të, e humbën shtëpinë po ashtu. Të ballafaquar me kërcënimin se do të përfundonin në rrugë, Qerkica dhe Mustafa iu drejtuan për ndihmë komunitetit, për të cilin kishin bërë shumë ndër vite.
Në prill 2018, kolektivi artistik Haveit, i njohur për intervenimet artistike si formë proteste kundër padrejtësive shoqërore, vuri fokusin në solidaritetin që ekziston në mesin e komunitetit LGBTI përmes historisë së Qerkicës dhe Mustafës. Qëllimi i projektit “Tash nashta po bohet shpia” – pjesë e “Konkursit për artistët që punojnë në Kosovë” e mbështetur nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë në bashkëpunim me Universitetin e Artit (UAL) në Londër – u kthye në gjetjen e fondeve për të ndihmuar në blerjen e një apartamenti apo për pagesë të qirasë për një kohë më të gjatë për Qerkicën dhe Mustafën.
Foto: Dardan Zhegrova.
Me slloganin #çelezemrën, Haveit gjatë periudhës prill dhe maj të këtij viti organizoi ndeja me muzikë nëpër hapësira të ndryshme të qytetit, në bare dhe hapësira kulturore me qëllim që të mblidheshin fonde shtesë.
Pas dy muajsh, në qershor 2018, Qerkicës dhe Mustafës iu sigurua një shtëpi me qira në Prishtinë. Rreth 2,000 euro u mblodhën në mbështetje të tyre.
“Interesi jonë si artiste nuk ka qenë vetëm artistik, me kriju videon edhe me u distancu prej rastit. Në këtë situatë ne e kemi kriju një raport më të ngushtë me vetë subjektin, që janë Qerkica edhe Mustafa”, thotë Lola Sylaj, anëtare e Haveit. “Çka na ka ndiku shumë, ka qenë se sa herë jemi taku edhe kemi xhiru ose diçka tjetër, Qerkica edhe Mustafa e kanë kuptu atë anë artistike, mirëpo kanë pasë nevojë për strehim, kështu që gjithë kohës kanë thënë ‘tash ndoshta po bëhet edhe shpija’, e kjo na ka shty shumë me u pozicionu për me e zgjidhë problemin, të paktën për një kohë”.
Zgjidhja u gjet në shtëpinë në rrugën “Bajram Kelmendi”, ku Qerkica, ulur në mesin e goblenave po pinte kafe turke atë ditë vere gushti. Por siç është vërtetuar vazhdimisht për ta, nuk shkon shumë gjatë para se diskriminimi dhe urrejtja t’i detyrojnë të largohen nga një vend në tjetrin.
“Pse keni ardhë këtu? Çka po na bini kësi njerëzish në mahallën tonë?,” rikujton Qerkica komentet e kojshive. “Nuk dojmë me pasë afër kësi njerëzish; nuk kanë çka lypin në këtë mahallë”.
Gjendja e rënduar ekonomike i shkaktonte një barrë të madhe shtesë. Qerkica nuk kishte të ardhura të rregullta apo punë të përditshme; punonte ndonjëherë kur e thërriste dikush për të pastruar apo asistuar në punët e shtëpisë, që së bashku me pensionin e Mustafës prej 100 eurosh nga Shoqata e të Verbërve ishin të ardhurat e vetme për ta.
Pas katër muajsh e gjysmë që qëndruan në shtëpinë me qera, Qerkica nuk përballej vetëm me vështirësi financiare, por edhe me problemet me pronarët e shtëpisë. E lodhur dhe duke u ndjerë e detyruar për t’u larguar nga pronarët, ajo mori vendimin për të ikur nga vendi.
Mustafa shkoi në shtëpinë në Fushë Kosovë dhe qëndroi me familjen e Qerkicës nën kujdesin e vajzave të vëllait të saj, ndërsa Qerkica u nis për në Gjermani, me synimin që mandej të dilte në Francë tek një shoqe, për të kërkuar azil.
U nis pa vizë, me një shok, drejt Suboticës së Serbisë, për të kaluar që andej kufirin me Hungarinë. Por, tentativa për ikje i dështoi dhe e kthyen në Kosovë.
Foto: Dardan Zhegrova.
Muajin pasues, Qerkica u kthye në Fushë Kosovë në shtëpi me Mustafën, ku gjërat vazhdonin të ecnin në modelin torturues, herë me copëza shprese se situata do të përmirësohej, e herë ktheheshin në gjendjen e njëjtë të pesimizmit.
“Ndjenja jeme se çka jam, identiteti jem, nuk ka me ndërru kurrë”, thotë Qerkica. “Çka munet me ndërru është sjellja e njerëzve me mu, me dashtë njani-tjetrin e me pranu”.
Tani, gati dy dekada më vonë, Mustafës i kujtohen fjalët e ish të dashurit të tij drejtuar Qerkicës: “Ky ka me të kqyrë, ki me mbetë në duart e tij”. Në vitet ‘90 Mustafa përkujdesej për Qerkicën e re kur ajo haste në paragjykime e përjashtim. Tani Qerkica thotë se është radha e saj të kujdeset për të.
“Mustafës i kam thanë që deri sa jam në kambët e mia, kam me të kqyrë”, thotë ajo. K
Redaktuar nga Leurina Mehmeti.
Redaktim shtesë: Besa Luci, Dafina Halili.
Redaktim i gjuhës: Gazmend Bërlajolli.
Foto kryesore: Pamje nga filmi i Haveit “Tash nashta po bohet shpia”.
Ky artikull është shkruar si pjesë e programit të K2.0, Bursa në gazetari për të drejtat e njeriut, 2018.
Kthehu prapa tek Monografia