Më kujtohet para disa viteve, bleva një lule nga një vajzë, e cila para se të largohej më falënderoi për lulet duke më përqafuar. Kjo i shkaktoi parehati shoqes me të cilën isha. Më kritikoi se përse e përqafova një vajzë që asaj i dukej se ishte nga një komunitet pakicë, me gjasë, komuniteti rom. Ky qortim më bëri të shoh se sa i thelluar është diskriminimi nga komuniteteve pakicë në Kosovë, madje nganjëherë edhe tek njerëzit prej të cilëve nuk do e prisnim.
Përpos kësaj, më bëri të mendoj për diskriminimin e gjithmbarshëm karshi këtyre komuniteteve. Ditëlindja e katërmbëdhjetë Kosovën e gjen me një mori problemesh që e vështirësojnë jetën tonë si qytetarë. Mirëpo, kjo mori e problemeve ndihet më shumë te disa qytetarë ndër ne, tek komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë.
Shpeshherë duke u mbështetur në argumentin se në aspektin legjislativ, komunitetet pakicë janë të mbrojtura dhe gëzojnë të drejta të barabarta, sikur vendoset në hije diskriminimi me të cilin përballen këta qytetarë në jetën e përditshme. Të thuash se Kushtetuta e Kosovës është në linjë me konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e të mburresh për kornizën ligjore ekzistuese nuk mjafton. Mjafton të dalësh në rrugë, të shkosh në lagjet ku jetojnë komunitetet pakicë, të flasësh me ta, për ta kuptuar se mburrjet me ligje janë vetëm aq –– mburrje pa ndonjë bazë.
Përditshmëria dhe ligjet
Komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë përballen me vështirësi që u pamundësojnë jetesën e dinjitetshme.
Pothuajse përditë dëgjojmë shprehje si “mos u bëj si maxhup”, “vjen maxhupi”. Shpeshherë kur përreth meje përdoret kjo shprehje, reagoj dhe njerëzit më përgjigjen me “ah, po nuk e kam për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë e kam për këtë apo atë”, “po kjo është shprehje që më ka mbetë në kokë”. Përpos që dëgjoj arsyetime e justifikime, dëgjoj edhe një tendencë për t’i konsideruar këto shprehje si të pandryshueshme. Ky është ndryshimi i parë që duhet ta bëjmë. Të reagojmë gjithnjë me kundërshti ndaj fjalëve denigruese e përçmuese si fillim dhe të refuzojmë ta vazhdojmë përdorimin e tyre.
Po ashtu, një sfidë tjetër është varfëria. Para disa vitesh, në një hulumtim të K2.0, policia e Kosovës kishte thënë që nga 351 lypës sa ishin identifikuar, shumica ishin fëmijë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë. Dëgjojmë vazhdimisht raste se si fëmijët nga këto komunitete detyrohen të braktisin shkollën, qoftë për të punuar e për të mbajtur familjet, qoftë nga pamundësia për t’i përballuar shpenzimet e nevojshme për shkollim.
Gjendja është poaq e rëndë nëse flasim për vendbanimet e këtyre komuniteteve. Sfidat e përditshme, edhe pse kanë arritur në njëfarë mase të bëhen publike, vazhdojnë të shpërfillen e të mos adresohen. Në “Lagjen 29” në Fushë Kosovë –– lagje e banuar nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë nuk ka ujë të pijshëm dhe ka një mori problemesh tjera që vazhdimisht shpërfillen.