S`fundmi | COVID-19

Numërimi i të sëmurëve dhe të vdekurve në Sanxhak

Nga - 02.07.2020

Autoritetet mohojnë se ka krizë, mirëpo qytetarët po vdesin.

Kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, vizitoi Novi Pazarin më 10 prill, me vete solli dhjetë respiratorë klinikë dhe tre lëvizës, 22,000 maska kirurgjike dhe 3,000 epidemiologjike, dorëza dhe 250 veshje mbrojtëse. Me atë rast, presidenti i kërkoi popullatës lokale të ishin të disiplinuar, duke theksuar se “dy javët e ardhshme” do të ishin veçanërisht të vështira, dhe se qytetarët do ta mbajnë në mend dobinë e “shpërndarjes së këtyre pajisjeve për 10, 20 vitet e ardhshme”.

Pas pak më shumë se dy muajsh, popullata e Novi Pazarit por edhe ajo e komunave të tjera në Sanxhak, një zonë kufitare në mes Serbisë dhe Malit të Zi, po numërojnë të vdekurit e të sëmurët në mesin e tyre. Të vetëm. Doktorët pohojnë se nuk kanë staf të mjaftueshëm e as pajisje bazike për t’i ndihmuar pacientët.

Përfaqësues shtetërorë thonë se situata është nën kontroll “për aq sa është e mundshme” dhe se gjendja në Novi Pazar dhe Sanxhak nuk është më e vështirë se në vendet e tjera.

Megjithatë, vetëm banorët e Sanxhakut e dinë në të vërtetë se çfarë është duke ndodhur.

Dështim i sistemit  

Radio lokale Sto plus shkruan se çdo ditë varrosen rreth 35 njerëz. Para fillimit të pandemisë, mesatarja ishte dy apo tri ceremoni varrimi në ditë.

Një raport citon banorët lokalë që jetojnë afër një varreze dhe po numërojnë të vdekurit. Sipas raportit, 10 njerëz janë varrosur më 26 qershor, gjashtë të tjerë një ditë përpara, shtatë më 28 qershor, dhe sërish 10 më 29 qershor.

Shumë njerëz me simptoma kanë mbetur në shtëpitë e tyre ku po trajtohen vetë, sepse nuk kanë rrugë tjetër.

Askush nuk e di numrin e saktë të qytetarëve të infektuar me COVID-19 në Sanxhak, pjesërisht për shkak të stigmës që e shoqëron këtë sëmundje, si dhe për faktin se spitalet dhe qendrat lokale shëndetësore, përfshirë punëtorët e rraskapitur mjekësorë, nuk janë në gjendje t’i gjurmojnë të gjitha rastet. 

Shumë njerëz me simptoma kanë mbetur në shtëpitë e tyre ku po trajtohen vetë, sepse nuk kanë rrugë tjetër. Një nga ta është Dženeta Agović, infermiere në Qendrën Shëndetësore në Tutin, i vetmi institucion mjekësor në këtë qytezë. Ajo pohon se shumë njerëz, veçanërisht në fillim, nuk shkuan në qendrën e ndihmës së parë për COVID-19, edhe pse kishin simptoma.

“Çdo ditë kemi rreth 30-40 pacientë që vijnë në qendrën e ndihmës së parë për COVID-19. Të gjithë kanë probleme dhe simptoma. Ky është një komunitet i vogël dhe fillimisht njerëzit rezistonin të kontrolloheshin në qendrën e ndihmës së parë për COVID-19, sepse frikësoheshin se do të identifikoheshin si të infektuar me virus”, thotë Agović.

Megjithatë, numri i njerëzve të infektuar po rritej nga dita në ditë.

“Mendoj se tani çdo ditë zbulohen nga 30 njerëz”, thotë Agović, duke u bazuar në të dhënat nga terreni në të cilat ajo ka qasje.

një bisedë për televizionin N1, Mithat Eminović, udhëheqës i departamentit higjieniko-epidemiologjik në qendrën shëndetësore të Tutinit, theksoi se që nga 1 qershori e deri më 29 qershor, 850 pacientë kanë kryer procedurat për radioskopi të mushkërive, duke shtuar se më parë ishin 15 deri në 60 pacientë në ditë.

Eminović tha se sistemi funksionoi gjatë kohës kur ishte e shpallur gjendja e jashtëzakonshme, nga 15 marsi deri më 6 maj, dhe se lehtësimi i masave të aprovuara më parë ishte i papranueshëm.

Ai tregon se deri më 17 prill, Tutini ishte një nga tri komunat e vetme në Serbi që nuk kishte të regjistruar asnjë rast aktiv me COVID-19.

Gjendja e jashtëzakonshme u hoq njëkohësisht me fillimin e fushatës zgjedhore si dhe afërsisht u përputh me mbajtjen e zgjedhjeve më 21 qershor. Heqja u shoqërua me radhët e majit para bankave për “100 eurot e Vučić-it”, kur shumë njerëz në Serbi pritën në rend për masat e qeverisë që përfshinin një pagesë për të gjithë qytetarët e rritur si pjesë e pakos ekonomike për lehtësimin e pasojave të pandemisë.

Sipas Dženeta Agović, këto janë vetëm disa nga arsyet e shumta që kanë sjellë deri te situata aktuale në Tutin dhe në tërë Sanxhakun, një zonë me përafërsisht 200,000 qytetarë. Ky rajon gjendet në kufi me Malin e Zi dhe është një nga më të varfrit në Serbi.

“Mendoj se e gjitha filloi me ato 100 eurot. Atëherë kishte turma të mëdha”, shton Agović. “Disa thonë se ka të bëjë edhe me festimet për Bajram. Askush nuk do të mund ta imagjinonte se situata do të bëhej kaq e rëndë”.

Ajo thotë se në fillim të qershorit katastrofa mund të ndihej në ajër, kur punëtorët në qendrën shëndetësore ishin dëshmitarë të një rritjeje dramatike të numrit të pacientëve.

“Këta janë pacientë të cilët kanë pasur simptoma të virusit dhe nuk jam e sigurt nëse testet kanë treguar që ata janë pozitivë”, thotë Agović, e cila e kishte bërë testin dhe i kishte dalë negativ.

“Kam takuar shumë njerëz që kishin rezultuar negativë dy herë, dhe pastaj PCR në Novi Pazar, apo sidoqoftë ajo që ishte organizuar, tregoi që në të vërtetë ata ishin pozitivë. Me siguri që çdonjëri dëshiron të besojë që nuk është pozitiv, kështu që edhe pse të infektuar ata u sollën në mënyrë të shkujdesshme dhe ecën lirshëm përreth”.

Kampet e refugjatëve

Si shumë të tjerë në Serbi, edhe Agović është shumë skeptike ndaj të dhënave publike. Së voni, BIRN ka publikuar një artikull ku tregohet që sipas të dhënave zyrtare, COVID-19 ka vrarë dhe sëmurë shumë më shumë njerëz sesa që pranohet nga autoritetet.

“Unë nuk u besoj fare të dhënave zyrtare, kur nuk mund t’u besoj testimeve. Dy herë kam rezultuar negative, edhe pse isha fare pranë vdekjes. Tani jam në terapi”, thotë Agović gjatë bisedës online. Për shkak të kushteve të tmerrshme, ajo është duke u kujdesur për veten në shtëpi, siç janë duke bërë edhe shumë të tjerë në Sanxhak.

Dženeta Agović thekson se njerëzit shpesh as nuk janë duke u testuar sepse, sikurse në rastin e saj, testimet po rezultojnë negative, ndërsa testi PCR nuk është lehtë të sigurohet.

Në të njëjtën kohë, për shkak të mungesës së stafit, punëtorët shëndetësorë po e vazhdojnë punën e tyre, edhe pse disa nga ta janë të infektuar dhe po shfaqin simptoma të lehta.

“Nuk ka staf. Pajisjet janë siguruar vetëm përmes lobimit me UNHCR. Punëtorët janë të dërrmuar nga puna. Një koleg i imi që punon në departamentin e radioskopisë thotë se është i vdekur, se nuk mund të vazhdojë më tutje”, shprehet  Agović me zë të shqetësuar.

“Mendoj se ende duhet të pritet që COVID-19 të shfaqet i tëri dhe të nxjerrë në pah të gjitha mangësitë e sistemit shëndetësor, dhe sa e rëndësishme është të investohet në kujdesin shëndetësor edhe kur nuk ka mangësi. Tanimë, nuk e di se çfarë do të mund të na ndihmonte”, përfundon ajo.

"Duke e ditur situatën alarmante në Tutin dhe Novi Pazar, kemi ndërmarrë një mori masash për të mbrojtur imigrantët dhe stafin e qendrës."

Enisa Zukorlić, punëtore në kampin e Tutinit

Kushtet e këqija, mungesa e pajisjeve të duhura dhe numri i pamjaftueshëm i stafit mjekësor janë vetëm disa nga arsyet themelore që e shkaktuan katastrofën në Tutin, ku gjendet edhe një kamp imigrantësh, duke e rritur kështu rrezikun për përhapjen e mëtutjeshme të virusit.

Enisa Zukorlić, punëtore në kampin ku jetojnë 88 njerëz, thotë se ende nuk ka asnjë rast të regjistruar.       

“Duke e ditur situatën alarmante në Tutin dhe Novi Pazar, ne kemi ndërmarrë një mori masash për të mbrojtur imigrantët si dhe stafin e qendrës”, thotë Zukorlić, duke shtuar se të gjithë të ardhurit vendosen automatikisht për 14 ditë në karantinë.

“Nëse kanë ndonjë simptomë, bëhet një test për antitrupa. Fatkeqësisht kjo është e vetmja gjë që mund të bëjmë sepse testi PCR mund të kryhet vetëm në Novi Pazar dhe Beograd. Në mënyrë që ta lënë qendrën, ata duhet të marrin leje dy-ditore dhe të pajisen me maska dhe dorëza.

“Jemi duke e dezinfektuar qendrën me produkte që përmbajnë klor, e po ashtu edhe duart e të gjithë njerëzve para vakteve të ushqimit”, thotë Zukorlić duke shpjeguar masat e ndërmarra në kampin e Tutinit.

Në ndërkohë, diaspora, qytetarët e Serbisë, e edhe ata nga Bosnja e Hercegovina janë vetorganizuar që të grumbullojnë ndihmë financiare, si dhe të ndihmojnë duke shpërndarë pajisje spitali.

Iniciativa Ne davimo Beograd e nisur nga aktivistja Aida Ćorović ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen thirrjes për të ndihmuar qytetarët e Novi Pazarit, Sjenicas dhe Tutinit.

Në thirrjen për ndihmë theksohet se sistemi shëndetësor në këto qytete është afër kolapsit; të sëmurët nuk po marrin trajtimin e duhur, spitalet janë të mbushura, stafi mjekësor është duke punuar nën rrezik dhe pa mbrojtjen e duhur.

“Për këtë arsye i ftojmë të na kontaktojnë të gjithë ata që mund t’i ndihmojnë njerëzit e Novi Pazarit, Sjenicës dhe Tutinit. Në këtë moment, kemi më së shumti nevojë për maska mbrojtëse, dorëza, çarçafë, kapele, mbështjellëse për këpucë, mantele një-përdorimshme, helmeta, syze mbrojtëse, produkte dezinfektimi, si dhe ampula të vitaminës C dhe alfa D3, dhe Longacef”.

Deri më tani, shteti ka reaguar duke i vizituar zonat më të prekura dhe duke e mohuar përhapjen e katastrofës. Të martën, më 30 qershor, ministri serb i shëndetësisë Zlatibor Lončar dhe kryeministrja Ana Brnabić e vizituan edhe Sanxhakun, ku mohuan deklarimet se numri i të vdekurve është shqetësues.

“Vetëm tetë apo nëntë qytetarë kanë vdekur”, tha ministri i shëndetësisë gjatë vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të Novi Pazarit.

Disa prej stafit mjekësor që ishin takuar me delegacionin i kthyen shpinat në shenjë proteste apo refuzuan t’i shtrëngojnë duart me zyrtarët.

Imazhi i ballinës: Enes Đulović.