Nesër (18 korrik), Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, do t’i presë përfaqësuesit nga Prishtina si pjesë e asaj që po thuhet të jetë ‘faza finale’ e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Partnerët e koalicionit qeverisës janë të bashkuar në përpjekjet e tyre për të ndërtuar një ekip negociues që do ta përfaqësojë tërë spektrin politik kosovar në Bruksel. Është formuar një ‘ekip i unitetit’, i përbërë nga Hashim Thaçi, i cili do ta drejtojë dialogun, përkrah Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, Kryeministrit Ramush Haradinaj, dhe anëtarëve të ndryshëm të koalicionit qeverisës.
Megjithatë, tri partitë opozitare të Kosovës, të cilat përbëjnë gati gjysmën e ulëseve në Kuvendin e Kosovës, janë të vendosura për të mos e mbështetur procesin përderisa nuk përmbushen disa parakushte. Ndonëse Presidenti Thaçi vazhdimisht po thotë se do të udhëtojë në Bruksel për ta mbyllur fazën finale të dialogut, opozita e Kosovës nuk është e bindur.
Partia Social Demokrate (PSD) madje reagoi ndaj formimit të ekipit duke thirrur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare të premten (13 korrik) për t’i diskutuar lëvizjet e fundit të Thaçit dhe partnerëve të koalicionit qeverisës.
Fjalët “konsensus i brendshëm” shpeshherë kanë qenë pjesë e fjalorit të politikës së Kosovës prej verës së kaluar, kur u bë e qartë se BE po synonte një fazë finale për ta përmbyllur dialogun. Në pranverë u publikua strategjia për zgjerim e BE-së dhe në të përfshihej një kërkesë për ta arritur një marrëveshje “të lidhur ligjërisht” që do ta realizonte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit të OJQ-së që promovon demokraci, Instituti Demokratik i Kosovës, ka qenë vazhdimisht e angazhuar me organizimin e diskutimeve ndërmjet palëve të interesit në Kosovë për dialogun me Serbinë. “Një vit ka kaluar. Sa kohë i duhet partive të Kosovës për ta ndërtuar një platformë dhe për të arritur konsensus?”, pyet Krasniqi në mënyrë retorike. “Nuk janë bërë hapa konkret”.
Ndonëse paqja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë thuhet të jetë synimi final, anëtarët e opozitës janë të mendimit se thirrjet për paqe të brendshme dhe konsensus nuk reflektojnë ndonjë realitet politik. “ Unë dyshoj se edhe në aspektin gramatikor e kuptojnë domethënien e fjalës konsensus”, thotë për K2.0 deputeti i PSD-së, Dukagjin Gorani, duke iu referuar atyre që e kanë drejtuar dialogun deri më sot.
Një platformë për dialog e sponsoruar nga qeveria u prezantua në Kuvend në qershor të këtij viti, por qeveria e tërhoqi për shkak të mungesës së mbështetjes, përderisa opozita e konsideroi platformën si ‘jo serioze’.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, çështjet e rëndësisë së lartë, përfshirë këtu amendamentet e Kushtetutës apo marrëveshjet ndërkombëtare, duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës me dy të tretën e votave. Deri më sot, i vetmi produkt i dialogut që është votuar në Kuvendin e Kosovës është Marrëveshja e Brukselit 2013.
Për Goranin e PSD-së, fakti se përfaqësimi i Kosovës dhe platforma e saj në dialog nuk janë legjitimuar nga Kuvendi i Kosovës, gjegjësisht nga dy e treta e 120 deputetëve të saj, është faktor shqetësues që po e dëmton natyrën e sistemit politik të Kosovës.
Për këtë ai një pjesë të fajit ia lë komunitetit ndërkombëtar. “Në 18 vitet e fundit, Perëndimi ka ngulur këmbë për të ndërtuar institucione demokratike dhe tani ne po i shpallim këto institucione invalide për hir të proceseve të tjera”, thotë Gorani, duke shtuar se Perëndimi i ka dhënë prioritet stabilitetit para demokracisë.
Përfaqësuesi i PSD-së beson se kjo situatë i jep presidentit dhe akterëve ndërkombëtar një interes të përbashkët në këtë proces. “Hashim Thaçi është aleat i komunitetit ndërkombëtar sepse as ai as ata nuk janë të interesuar për ta ndërlikuar [dialogun] nëpërmjet demokratizimit”, thotë Gorani. “Thaçi nuk është i aftë për t’i siguruar [votat e dy të tretës së deputetëve], dhe kjo do të krijonte paralizë dhe vonesa në dialog”.
Avdullah Hoti, kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është i vendosur në besimin e tij se procesi duhet të kryesohet nga qeveria dhe të mbështetet nga Kuvendi. “Procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucionet jo legjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese”, thotë ai. “Rrjedhimisht ajo nuk do të përkrahë asnjë veprim që del përtej këtyre kompetencave”.
Si të arrihet kompromis?
Një fjalë tjetër kyçe në diskutimet mbi dialogun në kohët e fundit ka qenë ‘kompromisi’. Shumëkush beson se Kosova do të duhet të bëjë ndonjë formë të koncesionit për ta arritur një marrëveshje finale me Serbinë.
Pretendimet e fundit të Thaçit që nuk ka ‘vija të kuqe’ metaforike sa i përket pozitës së tyre në dialog ka ngritur pyetje dhe frikë në lidhje me negociatat. “Kur presidenti del e thotë se nuk ka vija të kuqe, a do të thotë kjo se do të flasim edhe për shkëmbim të territoreve, apo ndarje të Kosovës?”, pyet Jeta Krasniqi.
Këshilltarët e Thaçit më pas i kontradiktuan këto deklarata në lidhje me mungesën e vijave të kuqe në dialog, duke deklaruar se Kosova ka vija të kuqe, por mbetet e paqartë se cilat janë ato. K2.0 e kontaktoi Zyrën e Presidentit për të pyetur për natyrën e këtyre vijave të kuqe, por nuk morri përgjigje.
Për Dukagjin Gorganin, pushtetarët duhet të mendojnë edhe për atë se si do t’i bindin qytetarët për nevojën e kompromisit. “Vështirë e kanë pushtetarët për ta bindur shoqërinë kosovare se duhet ta bëjmë edhe një kompromis, duke marrë parasysh faktin se pako e Ahtisaarit është kuptuar si kompromisi final”, thotë ai, duke iu referuar formimit të Planit të Ahtisaarit, dokumentit që mundësoi themelimin e Kushtetutës së Kosovës para më shumë se një dekade.
Sa i përket çështjeve për të cilat do të arrihet dhe nuk do të arrihet kompromis, ende askush nuk ka zbuluar diçka në lidhje me temat që do të diskutohen në fazën e ardhshme të dialogut.
“Vet fakti që nuk e dimë se çfarë do të diskutohet aty brenda është çështje shqetësuese”, tha për K2.0 deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla. “Nuk duhet që një përfaqësues i Kosovës të shkojë në Bruksel, e më pas shoqëria të informohet në mënyrë formale apo joformale se është diskutuar çështja e [ndarjes së] veriut”, thotë ai.
Një nga çështjet kyçe që pritet të diskutohen është krijimi i një Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS). Për nocionin e AKS-së këto dy shtete u pajtuan fillimisht në Marrëveshjen e Brukselit në prill të vitit 2013, por parimet në lidhje me formimin e tij u krijuan në gusht të vitit 2015 dhe krijuan trazira politike në Kosovë dhe protesta masive brenda dhe jashtë parlamentit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës dha një mendim këshillues, duke i shpallur disa parime jo në përputhje me frymën e kushtetutës së vendit. Megjithatë, ajo gjithashtu vendosi që duhet të nis formimi i AKS-së, për shkak se formimi i tij u nis nga ratifikimi i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013. Prej atëherë, zyrtarët e Qeverisë serbe i kanë kritikuar homologët kosovarë të tyre për shkak se këta të fundit nuk e kanë themeluar ende statutin për formimin e AKS-së.
Së fundmi BIRN i publikoi disa raporte të cilat tregojnë se ligjet e Kosovës me gjasë duhet të ndryshohen për ta adaptuar AKS-në në sistemin ligjor kosovar. Për Avdullah Hotin, funksionimi i AKS-së duhet të realizohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, sepse përndryshe do ta dëmtojë natyrën e shtetit multietnik të Kosovës. “Çdo devijim prej këtij opinioni është antikushtetues dhe i papranueshëm”, thotë Hoti.
Për Sveçlën e Vetëvendosjes, historia e gjithë këtyre viteve me Hashim Thaçin si protagonist i dialogut, përfshirë këtu rolin e tij në Marrëveshjen e Brukselit 2013, lë shumë pak hapësirë për optimizëm në lidhje me temat që do të diskutohen. “Gjithë këto vite ata thanë se do të flasin për personat e zhdukur, dëmshpërblimet e luftës dhe tema të tjera, por përgjatë procesit nuk i kanë përmendur asnjëherë personat e zhdukur dhe krimet e kryera nga Serbia në vitin 1999”, thotë Sveçla.
Përderisa në Bruksel delegacioni i Kosovës do të takohet me atë të Serbisë, në Prishtinë opozita mbetet shumë e polarizuar nga partitë qeverisëse dhe presidenti, duke lënë shumë pak hapësirë për të besuar se mund të ndërtohet harmoni ndërmjet forcave politike të vendit, të paktën në lidhje me çështjen e dialogut.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.