Në mesin e pasigurisë, frikës, krahasimit me shifrat rrënqethëse dhe imazhet tronditëse të shteteve fqinje, Shqipëria, si shumë shtete të tjera, po jeton ditët e saj në karantinë si pasojë e pandemisë COVID-19.
Prej disa javësh liria është kufizuar, oraret janë shtrënguar dhe raste të reja konfirmohen dita-ditës. Që prej një muaji, kur u identifikuan dy personat e parë të infektuar më 9 mars, rutina e një dite të zakonshme ka marrë një trajtë tjetër.
Në kuadër të masave qeveritare për të parandaluar shtrirjen e mëtejshme të virusit, Kryeministri i Shqipërisë, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shfrytëzuar forma të ndryshme për t’i paralajmëruar qytetarët të qëndrojnë larg burimeve nga të cilat konsideron se vijnë rreziqet.
“Edi jam. Të lutem laj duart shpesh. Mos lëviz nga shtëpia për qejf. Hap dritaret sa të mundesh. Ruaju nga mediat. Mos ki frikë, por bëj shumë kujdes!”. Ky ishte mesazhi zanor “surprizë” i Ramës, i cili në një ditë marsi dëgjohej sa herë që ndonjë klient i kompanisë së telekomunikacionit “Vodafone” tentonte të kryente telefonatë.
Për ironi, ai vetë “ra pre” e lajmeve të rreme në kohë të pandemisë. Në një video që e shpërndau në Facebook shiheshin forca policore, sipas tij në Spanjë, teksa po shpërndanin me dhunë turmën për ta parandaluar përhapjen e COVID-19. Videoja vinte edhe si paralajmërim për qytetarët e Shqipërisë: “Zgjidhni e merrni, se forcat e rendit e kanë ndarë mendjen top dhe kanë përgjegjësinë historike të reagojnë pa asnjë tolerancë”.
Ajo çfarë ra shpejt në sy ishte pavërtetësia e lajmit — imazhet nuk ishin shkëputur në Spanjë por në Algjeri, ku qytetarët prej dhjetra të premtesh protestonin kundër elitës qeverisëse.
Rama reagoi po atë ditë lidhur me lajmin e rremë duke thënë se ngatërresa e tij ishte e paqëllimtë dhe duke e edituar postimin për ta fshirë fjalën “Spanjë”; videon nuk e fshiu sepse sipas tij, mesazhi qëndron plotësisht.
E megjithatë, fushata e tij kundër medias nuk është më lajm për Shqipërinë. Termi “shpifje”, i futur në diskursin e tij publik që prej vitit 2015, tri vite më vonë filloi të merrte trajtë ligjore.
Të njohura ndryshe edhe si Paketa Anti-Shpifje, ligjet që synojnë të rregullojnë median online u propozuan për herë të parë në vitin 2018. Në një postim të bërë po në Facebook, Rama tha se ky ligj do të krijohej për t’i mbrojtur deputetët, ministrat, kryebashkiakët e Partisë Socialiste — madje vetë atë — nga shpifjet e “kazanit politik e mediatik”.
Të ardhurat nga proceset gjyqësore, shkruante asokohe ai, do të shkonin në një Fond të Edukimit që do të krijohej për të mbështetur nxënësit e mirë dhe institucionet shkollore.
Kundërshtimet nuk pinë ujë
Organizata mediatike, të shoqërisë civile, dhe organizata tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut — shqiptare dhe ndërkombëtare — u kanë bërë thirrje në kor deputetëve që të mos i miratojnë projektligjet për rregullimin e medias online në Shqipëri.
Duke i konsideruar ato ligje si tentativë të qeverisë për të vendosur informacionin nën kontroll të plotë, pesë organizata mediale kërkuan tërheqjen e tyre në dhjetor 2018. Një vit më vonë, 15 organizata bënë thirrje të përbashkët: “Nevoja për të pasur vetë-rregullim të medias dhe jo rregullim ligjor të saj, merr rëndësi të veçantë në ato shtete me demokraci në tranzicion, sikurse është vendi ynë, ku shpesh mediat janë të lidhura me interesat e njohura të biznesit, të partive politike”.
Megjithëse nuk merrnin përgjigje, aktivistët i vazhduan përpjekjet. Në ditën kur deputetët do ta votonin paketën ligjore, më 18 dhjetor 2019, gazetarë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile protestuan përballë Kuvendit të Shqipërisë. Me anë të pankartave ata i shfaqën kundërshtimet e fokusuara në kontrollin që pritet të ushtrohet nga qeveria me anë të kësaj pakete.
Me gojë të mbyllur me shall të zi, aktivistët protestuan kundër Paketës Anti-Shpifje në dhjetor 2019. Posteri: Kleidi Eski.
Kundrejt rezistencës, paketa u miratua me shumicë votash në Kuvend — nga 105 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 13 prej tyre votuan kundër njërit ligj të paketës dhe 10 kundër tjetrit. Në fjalën e tij në Kuvend atë ditë, Kryeminstri Rama i quajti protestuesit para Kuvendit “shkelës kryesorë të të drejtave të njeriut”, të cilët sjellin “pasoja katastrofike” në shoqëri.
“Nëse ligji gjerman do të kishte subjekte, ata që janë te dera e Parlamentit, ata sot do të ishin të gjithë në borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljes të të drejtave të njeriut”, tha ai. “Ata janë shkelës të të drejtës së shoqërisë për të qenë të mbrojtur nga pasoja katastrofike të lajmeve të rreme apo të shpifjeve!”
Paketa — Ligji Nr. 91/2019 që ndryshon dhe plotëson ligjin për mediat audiovizive dhe Ligji Nr. 92/2019 që ndryshon dhe plotëson ligjin për komunikimet elektronike — fuqizon Autoritetin shtetëror të Medias Audiovizive (AMA) t’i pranojë ankesat për shpifje ndaj mediave elektronike, t’i shqyrtojë ato në një Këshill të Ankesave (KA) të formuar brenda saj, dhe të vendosë dënimin i cili ekzekutohet menjëherë e që mund të ankimohet pasi të jetë ekzekutuar.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvend në ditën kur u votua paketa, Rama tha se një ligj i tillë mundëson vendosjen e drejtësisë shpejt, pa pasur në mes një proces gjyqësor që merr disa muaj. “Unë nuk do pres një vit Gjykatën për të sqaruar publikun për një shpifje që e ka efektin sot mbi detyrën time publike”, tha ai.
Pasi u miratua në Kuvend, Paketa Anti-Shpifje nuk u dekretua nga Presidenti Ilir Meta.
Besar Likmeta, redaktor i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN), thotë se dëshira e Kryeministrit për të vënë drejtësi shpejt mund të çojë në gjykime të padrejta lidhur me vërtetësinë e lajmeve të publikuara.
“Para ca vitesh publikuam të dhëna mbi problemet me drejtësinë që kanë pasur disa kandidatë për kryetarë bashkie në atë kohë dhe kryeministri na kërcënoi që do na hidhnin në gjyq për 100,000 euro dhe do ndërtonin një shkollë me ato para”, thotë Likmeta. “Nuk ndodhi që të na hidhnin në gjyq, ato fakte që u publikuan më vonë u vërtetuan nga vetë entet shtetërore, nga Prokuroria, dhe u kalua ligji [i ashtuquajtur] ‘për dekriminalizim’”.
Sipas Likmetës, pas raportimit të së shkuarës kriminale të kandidatëve për kryetarë bashkie nga BIRN, u krijua Ligji Nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, me qëllim që personat e dënuar për krime të rënda mos të kandidojnë në zgjedhje apo të emërohen në institucione shtetërore.
Rrugëtimi nuk kryhet këtu
Pasi u miratua në Kuvend, Paketa Anti-Shpifje nuk u dekretua nga Presidenti Ilir Meta, duke i kthyer të dy ligjet sërish në Kuvend për rishqyrtim. “Miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias”, tha ai më 12 janar 2020.
Paketa ligjore kundër shpifjes parashikon bashkëpunimin e AMA-s me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), një tjetër institucion shtetëror, për t’u siguruar që ofruesit e shërbimeve të qasjes në internet të zbatojnë vendimet e Këshillit të Ankesave sipas afateve dhe procedurave të parashikuara në ligj.
Pasi të dy ligjet u kthyen mbrapa nga Presidenti, Ligji Nr. 91/2019 që e fuqizon AMA-n për t’i rregulluar mediat elektronike tashmë është pezulluar në pritje të një komenti nga Komisioni i Venecias, ndërsa Ligji Nr. 92/2019 që e përcakton AKEP-in si zbatues të vendimeve të AMA-s ka hyrë në fuqi.
Dënimet ndaj lajmeve që mund të përbëjnë “shpifje” variojnë nga korrigjimi i lajmit, pezullimi apo heqja e liçensës së medias, deri te gjoba që mund të arrijë vlerën 8000 euro.
Mekanizma ndërkombëtarë si Reporterët pa Kufij, PEN International, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias e kishin kritikuar këtë paketë ligjesh duke paralajmëruar se “do ta dëmtojë seriozisht rrjedhën e lirë të informacionit, do të ketë efekt frikësues në median online dhe do të kufizojë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të pasur qasje në informacion”.
Thirrjes për tërheqjen e këtyre ligjeve i qenë bashkuar dhe organizata të tjera ndërkombëtare në mbrojtje të lirisë së medias, si ARTICLE 19, Organizata mediatike e Evropës jug-lindore (SEEMO) dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), duke e konsideruar fuqinë që i jepet AMA-s si “të paprecedentë në botën demokratike”.
Dënimet e parapara në Ligjin Nr.91/2019 ndaj lajmeve që mund të përbëjnë “shpifje” variojnë nga korrigjimi i lajmit, pezullimi apo heqja e liçensës së medias, deri te gjoba që mund të arrijë vlerën 8000 euro. Përsëritja e shkeljes më shumë se tri herë gjatë një viti dënohet me rritje deri në 50% të shumës së gjobës.
Gazetarët me shpatulla pas murit
Rama mori si shembull hipotetik Gjermaninë për dënimet që do të merrnin gazetarët për shkeljet e supozuara të të drejtave të njeriut “nëse ligji gjerman do të kishte subjekte”. Por Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit në Leipzig, thotë se Paketa Anti-Shpifje nuk është në përputhje me mekanizmat ndërkombëtarë të funksionimit të medias elektronike.
Sipas juristes të së drejtës së medias, Flutura Kusari, vetë-rregullimi i medias elektronike është praktikë e vendeve demokratike. Foto nga Flutura Kusari.
Problematika kryesore e kësaj pakete, sipas Kusarit, është zëvendësimi i vetë-rregullimit të medias me rregullim shtetëror. “Në shumicën e vendeve me demokraci të mirëfilltë si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Belgjika, etj., mediat onllajn vetë-rregullohen; pra, industria organizohet përmes një trupi ashtu që ta monitorojë vetveten”, thotë ajo.
Sipas Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), mekanizmi i vetë-rregullimit është i pavarur nga ndikimi politik i qeverive dhe është i krijuar për të ruajtur cilësinë e produkteve mediatike. Ky mekanizëm mund të çojë në formësimin e kodeve të etikës, këshilleve për mediat apo komisioneve për ankesa lidhur me shkeljet e etikës.
Edhe Likmeta thotë se mediat në Shqipëri do të mund ta rregullonin vetveten nëpërmjet Këshillit Shqiptar të Medias (KShM), një organizatë e pavarur gazetarësh e krijuar në vitin 2015, me fokus kryesor promovimin e vetë-rregullimit në mediat online. Ky këshill ka ngritur dhe një qendër ankesash lidhur me shkeljet etike nga gazetarët.
Sipas tij, ankesat që sipas propozimit të kryeministrit do të depozitoheshin pranë AMA-s nuk do të mund të vlerësoheshin në mënyrë objektive dhe të drejtë, pasi koha që Këshilli i Ankesave ka në dispozicion — 3 ditë — nuk mjafton për të analizuar të gjithë faktorët që mund të çojnë në kategorizimin e një lajmi si “të pavërtetë”.
“Imagjino, në qoftë se një gazetar bën një shkrim kritik ndaj qeverisë, qeveria, kryeministri, ministri, zyrtari, oligarku — se ankesat vijnë nga të gjitha anët — bën një ankesë dhe brenda 72 orësh, pa dëgjuar asnjë palë, pa marrë parasysh provat, ky këshill është aq i aftë sa të arrijë në një përfundim të saktë edhe të vendosë një gjobë që është e ekzekutueshme menjëherë”, thotë ai.
Ndërkaq, deputetja e Partisë Socialiste dhe anëtarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvend të Shqipërisë, Milva Ekonomi, tha në një intervistë për Euronews se duke iu referuar rekomandimeve ndërkombëtare, vendimet ekzekutive të AMA-s do ta mundësojnë anashkalimin e dënimeve penale lidhur me shpifjen.
“Po të vësh re rekomandimet e Komisionit Evropian Kundër Intolerancës dhe Racizmit, edhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut thotë që dënimi penal për shpifjen duhet të fillojë të mos ekzistojë më por të shkohet drejt një dënimi sa më shumë procedurial”, tha ajo.
Besar Likmeta, redaktor i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN), thotë se paketa ligjore do të ketë efekt censurues. Foto: Entenela Ndrevataj / K2.0.
Sipas Likmetës, dënimet e ekzekutueshme menjëherë të AMA-s do t’ua mohojnë gazetarëve të drejtën e një procesi gjyqësor në rastet kur ata e konsiderojnë të padrejtë vendimin. “Duke qenë se dy-tre vendime brenda një jave apo muaji mund të ekzekutohen financiarisht dhe mund të bllokohen llogaritë bankare, kjo mund t’ia bëjë të pamundur medias të shkojë edhe në Gjykatë, sepse nuk do të ketë më mundësi financiare për ta bërë procesin”, thotë ai.
Një problem tjetër lidhur me masat që parasheh kjo paketë, sipas Likmetës, është efekti që do ta ketë te raportimi i lajmit nga gazetarët. “Do të ndikojë jo vetëm drejtpërdrejt në censurë por edhe do forcojë vetë-censurën e gjithëpërhapur në mediet shqiptare”, thotë ai.
“Mediet shqiptare nuk janë në momentin e tyre më të mirë”, vazhdon më tej. “Kjo do të ketë atë që quhet në anglisht “chilling effect” ose “efekti frikësues”, që do të zgjerohet te komuniteti i gazetarëve në Shqipëri, duke ndikuar që ata mos të raportojnë lajme kritike ndaj qeverisë dhe të vazhdojnë të zgjerojnë lajmet protokollare të gjithëpërhapura, ose propagandën”.
Transparenca nuk ishte prioritet
Para se të shpërthenin në protestë, kundërshtimet e organizatave mediatike dhe atyre në mbrojtje të të drejtave të njeriut u shpalosën në tryezat e përbashkëta të konsultimeve, të cilat u mbajtën në muajin kur ligjet u votuan në Kuvend.
Në konsultimin e datës 11 dhjetor 2019, përfaqësues të medias e akuzuan Partinë Socialiste si ideatore të një kornize ligjore censuruese, duke vënë në pah mungesën e transparencës dhe konsultimeve të gjera gjatë fazës së hartimit të drafteve.
Ky shqetësim adresohet edhe nga Kusari: “Projektligjet janë draftuar në mënyrë tinëzake, larg syrit të publikut — për shoqërinë civile dhe gazetarët në Shqipëri ka qenë sfidë e jashtëzakonshme të sigurohen draftet e legjislacionit që pastaj të analizohen”.
"Një ligj për median do ndihmonte gjykatën, ky është një ligj për AMA-n që e shndërron këtë të fundit në gjykatë."
Koloreto Cukali, Këshilli Shqiptar i Medias
“Në një shtet demokratik procesi i draftimit do duhet të bëhej në konsultim të ngushtë me shoqërinë civile”, vazhdon më tej. “Gazetarët dhe shoqëria civile do të duhej të kishin qasje në të gjitha draftet, rregullisht dhe pa asnjë problem, në mënyrë që ta informonin publikun se çfarë po i serviret nga ana e qeverisë”.
Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, thotë se Paketa Anti-Shpifje nuk i vjen në shërbim lirisë së fjalës në Shqipëri. “Etika nuk mund të bëhet ligji”, thotë ai, ndërsa shpjegon se Kodi i Etikës së Medias në Shqipëri është hartuar fillimisht në vitin 1996, e më pas në vitin 2006 nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj, me mbështetje të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Sipas tij, ligjet anti-shpifje praktikisht e fuqizojnë AMA-n me kompetenca gjyqësore. “Ky nuk është ligj për median, por ligj për AMA-n — pra, ndërsa një ligj për median do ndihmonte gjykatën, ky është një ligj për AMA-n që e shndërron këtë të fundit në gjykatë”.
Kryetari i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, konsideron se Paketa Anti-Shpifje nuk i shërben lirisë së shprehjes. Foto nga Koloreto Cukali.
Kusari po ashtu e konsideron të dyshimtë këtë përcaktim të kompetencave: “Problematika qëndron në pushtetin e jashtëzakonshëm që i jepet AMA-s — një trup shtetëror me ndikim të hapur politik — i cili në të ardhmen do të vendosë se çfarë është etike, se çfarë përbën lajm dhe çfarë nuk përbën lajm, çfarë përbën lajm të vërtetë dhe çfarë nuk përbën lajm të vërtetë”.
Sipas Ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Shqipëri”, anëtarët e AMA-s zgjedhen nga Kuvendi për një periudhë pesë-vjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. “AMA vetë është institucion i kapur — mjafton të shohësh kandidaturat e mazhorancës për Kryetar të AMA-s për të parë që janë kandidatura tejet politike, që sikur kanë dalë nga paradhoma e Kryeministrit”, thotë Cukali.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe Kusari, e cila thotë se miratimi i kësaj pakete ligjore instalon zyrtarisht diktaturë në Shqipëri. “Anëtarët e AMA-s nuk zgjedhen në mënyrë të pavarur tash që në Kuvend të Shqipërisë kemi kryesisht anëtarë të Partisë Socialiste”, thotë ajo. Nga 140 deputetë të Kuvendit, 75 janë të Partisë Socialiste.
Tërmeti që trashi censurën
Pas tragjedisë së 26 nëntorit, AKEP mbylli pa urdhër gjykate portalet online si Jeta Osh Qef (JOQ) dhe bllokoi në Facebook editorialin e gazetës “Dita”. Gjithashtu, një qytetare nga Durrësi u arrestua pasi kishte shpërndarë një artikull që u cilësia si panikndjellës bashkë me fjalët: “Ju lutem ikni nga Porto-Romano. Është kris hidrovoli dhe mund të shpërthejnë depozitat e gazit në qoftë se bie prapë. Ikni!”
Këto veprime u morën pasi Rama kishte deklaruar në Twitter se në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur për Tiranë dhe Durrës një ditë pas tërmetit, do të detyrohet të “ndërhyjë forcërisht” për të mbyllur portalet “të cilat përhapin panik”.
Kusari beson se ky shkallëzim i përnjëhershëm nuk është i rastësishëm.
“Rama intensifikoi dhe shfrytëzoi termetin që të hedhë baltë ndaj gazetarëve, që të nxisë urrejtje ndaj gazetarëve dhe që të minimizojë rolin e tyre në shoqëri”, thotë ajo. “E gjithë kjo nuk është e pamenduar mirë, është qasje strategjike, ashtu që kur gazetarët të raportojnë në mënyrë kritike për zotin Rama, qytetarët dhe publiku të mos u besojnë”.
Më 30 nëntor 2019, Rama iu përgjërua qytetarëve të mos lexojnë asnjë portal, përfshirë edhe ato të Kosovës, dhe ta largojnë televizorin.
“Hiç portaleve, qenefeve digjitale mundësisht, hiç fare, ndjesë për gjuhën, por të keqen e qenefeve në fakt kur sheh çfarë ere të rëndë mërzie dhe pasigurie dhe pështjellimi e përzierjeje krijojnë të ashtuquajturat ‘burime informimi’ dhe se sa të pakta janë pasqyrimet njerëzore dhe arsyetimet shkencore në panairin mediatik të Shqipërisë“, tha Rama në videon e tij live.
Disa ditë më vonë, gjatë një diskutimi Kryeministri sërish drejtoi gishtin drejt medias, duke i quajtur “kriminale”. “Kanë ikur njerëz me mijëra nga Tirana, Durrësi, pse kanë ikur? Ça duhet të bëjë media më shumë, të nxjerrë pushkën?”, tha ai.
Më 2 dhjetor, në një video të shpërndarë në profilin e tij zyrtar, Rama e quajti median “trinjake” të panikut dhe ankthit. “Ja pra çfarë shkaktojnë trinjakët e padurueshëm të kësaj situate, që marrin peng zemrat e mendjet e njerëzve të tromaksur nga goditja shkatërruese e Natyrës dhe Media”, ka thënë ai.
Po në atë datë ai i paralajmëroi mediat në Twitter se mund ta bëjë “atë që nuk ua rrok imagjinata”, ndërkaq gjatë një takimi me banorët e prekur nga tërmeti në Durrës, u sugjeroi banorëve ta bojkotojnë median, në të kundërt do të kenë pasoja.
“Mos shihni televizor se ju fut djallin në bark. Më mirë shihni radio sesa televizor. Ose shikoni televizor por e pësoni si ai djali pak më tutje që dëgjoi në televizor se po shembej spitali i Durrësit dhe e mori babin ta çonte në spital tjetër. I vdiq babi rrugës. Më mirë shikoni radio për mua”, tha ai.K
Imazhi i ballinës: Kleidi Eski.