S`fundmi | COVID-19

Pandemi, tërmet dhe mbikëqyrje e shtuar

Nga - 16.04.2020

Reagimi i kroatëve duket më i rreptë duke krahasuar me numrin e rasteve të konfirmuara.

Çështjet “përherë të blerta” që zakonisht dominojnë në shoqërinë kroate si revizionizmi apo grindjet mbi Luftën e Dytë Botërore janë lënë anash prej kur përhapja e koronavirusit e rriti shumë numrin e njerëzve të infektuar.

Një postim në Twitter që me sa duket e shpjegon në mënyrë të përkryer ndryshimin që ka ndodhur në javët e fundit thotë: “Nuk më pritet t’i kthehemi diskutimit tonë të zakonshëm Ustashe vs Partizanë në mënyrë që gjithçka të kthehet në normalitet”. 

Qeveria filloi të zbatojë masa parandaluese në fund të janarit, dhe masat parandaluese se dhe ato kufizuese janë shtuar dita-ditës.

Qeveria filloi të zbatojë masa më të mëdha kufizuese më 9 mars, kur këshilloi të mos mbahen tubimet me më shumë se 1,000 njerëz. Sipas një vendimi të ngjashëm, të gjithë qytetarët e huaj që vijnë nga një prej epiqendrave të përhapjes së virusit (disa pjesë të Kinës, Italisë dhe Koresë së Jugut) duhet të karantinohen për 14 ditë pasi të vijnë në Kroaci.

Ndërkohë janë mbyllur kopshtet e fëmijëve, shkollat dhe universitetet, e më pas edhe baret, kafenetë, restorantet dhe dyqanet që nuk shesin produkte thelbësore.

Dyqanet dhe barnatoret janë të hapura vetëm deri në orën 17:00, dhe autoritetet i kanë bërë thirrje njerëzve në Kroaci të mbajnë distancën sociale, duke i nxitur të mos mblidhen në grupe. Masat që këshillojnë kundër tubimit të më shumë se 1,000 njerëzve janë zëvendësuar me ndalimin e tubimeve të më shumë se dy njerëzve, përveç nëse bëhet fjalë për familjarë. 

Konferencat për shtyp nga ekipet e krizës të Njësitë e Mbrojtjes Civile ku gazetarët dhe publiku i gjërë informohet për infektimet, shërimet dhe vdekjet e reja janë bërë rutinë e përditshme për të gjithë. 

Sllogani “Rri n’Shpi” është vendosur në qosh të ekranit televiziv pa marrë parasysh programin, dhe brendet e ndryshme e kanë përfshirë me shpejtësi këtë mesazh në reklamat e tyre.

Tërmeti i madh

Rasti i parë i COVID-19 në Kroaci u konfirmua më 25 shkurt. Para se të rezultonte pozitiv, burri në fjalë ishte kthyer nga Milani, me simptoma të lehta të sëmundjes. Prej atëherë, numri i rasteve të konfirmuara është rritur, por jo në mënyrë eksponenciale, kështu që sistemi shëndetësor nuk është i mbingarkuar.

Si çdokund, grupi më i prekshëm, me numër më të lartë të viktimave, kanë qenë të moshuarit, posaçërisht ata që vuajnë nga sëmundjet kronike.

Një studim i University of Oxford tregon se masat aktuale në Kroaci janë ndër “më të rreptat” në botë duke krahasuar me numrin e rasteve të konfirmuara.

Më 2 prill, në Kroaci u bënë 1000 raste të konfirmuara. Më 16 prill ishin 1,791 të diagnostikuar me COVID-19, 35 të vdekur, 529 të shëruar dhe 31 persona që kishin nevojë për ventilatorë, ndërsa ishin testuar në total 20,157 njerëz.

Gjerësisht është vlerësuar se Kroacia “po e përballon mirë”, meqë qeveria kishte vendosur ta parandalojë përhapjen e virusit herët dhe në mënyrë më të përqendruar në krahasim me shumë shtete më të zhvilluara.

Megjithatë, një studim i Universitetit të Oksfordit tregon se masat e tanishme në Kroaci janë ndër “më të rreptat” në botë krahasuar me numrin e rasteve të konfirmuara, edhe pse deri sot nuk është vendosur ndonjë orar i mbylljes brenda shtëpive. Pra njerëzve në Kroaci ende u lejohet lëvizja brenda kufijve të komunave në të cilat jetojnë. 

Kryeministri Andrej Plenkoviq dhe ministrat e qeverisë i drejtohen shpesh kombit dhe shtyjnë para vargje masas për ta “shpëtuar ekonominë dhe vendet e punës” në këtë kohë të pandemisë.

Në fillim të prillit, qeveria e lajmëroi vendimin e saj për të ndarë fonde nga buxheti shtetëror për t’i financuar 400,000 punëtorë, punëdhënësit e të cilëve kanë kërkuar grante për t’i shpëtuar vendet e tyre të punës. Ndërkohë u vendos që punëdhënësit nuk do të duhej t’i paguanin kontributet obligative të tyre, dhe nuk u përfshi ndonjë shtyrje e këtyre pagesave.

Pavarësisht këtyre masave, ato që po i shqetësojnë publikun janë perspektivat afatgjate të një shteti që ka për sektor kryesor turizmin kontributi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i tij në PBB është 16.9%. Gjithashtu, borxhi publik pritet të rritet, e njëlloj edhe niveli i papunësisë. 

Pastaj në mëngjesin e 22 marsit, masat e planifikuara me kujdes për parandalimin e përhapjes së sëmundjes u rrezikuan nga një tërmet që e goditi zonën e Zagrebit.

Gjysmë ore pas tërmetit të parë të shkallës 5.5 ndodhi një tërmet tjetër i shkallës 5.0. Edhe 200 tërmete tjera pasuan në pesë ditët e ardhshme, por me fuqi shumë më të ulët.

Shembja e një ndërtese në qendër të qytetit e lëndoi rëndë një 15 vjeçare ajo vdiq në spital të nesërmen. Rreth 20 njerëz shpëtuan me lëndime të lehta, ndërsa 60 ndërtesa të tjera u dëmtuan nga tërmeti, veçanërisht në pjesën e brendshme të qytetit.

Njërës prej ndërtesave të njohura të Zagrebit, Katedrales, iu shemb pirgu jugor. Ende është duke u vlerësuar dëmi i përgjithshëm.

Shumë njerëz i humbën edhe shtëpitë e tyre, duke u detyruar të kërkojnë strehim të përkohshëm. Në natën kur goditi tërmeti i parë, mijëra njerëz i lanë shtëpitë e tyre dhe kështu dolën nga vetizolimi, duke u detyruar të mos e respektojnë masën që e kërkonte distancën fizike prej 1.5 metrash ndërmjet personave gjatë gjithë kohës.

Nga frika se mund të kishte tërmete të tjera, shumë njerëz e lanë Zagrebin atë ditë dhe shkuan në qytete tjera apo në shtëpi verore, pavarësisht paralajmërimit të qeverisë se këto veprime mund ta ndihmojnë përhapjen e virusit në pjesë të tjera të vendit.

Një ditë pas tërmetit, autoritetet i ndaluan qytetarët të largohen nga rezidencat e përhershme të tyre pa leje të veçantë që mund të merrej vetëm për punë, për qëllime mjekësore apo për qëllime të tjera emergjente.

Policia e ka përsëritur se çdo person që shihet duke i shkelur urdhërat e izolimit duhet të raportohet nga dëshmitarët.

Lejet mund të merren online. Megjithatë, është raportuar se kjo qasje është shumë jopraktike pasi që ka raste kur dikujt i duhet leje për të shkuar në një supermarket që gjendet vetëm disa kilometra larg shtëpisë së tij apo saj, por në një njësi tjetër administrative.

Për më tepër, për shumë të moshuar që nuk janë mësuar aq mirë ta përdorin internetin – ose që nuk kanë qasje në internet marrja e lejes në mënyrë elektronike paraqet një pengesë të madhe.

Ndërkohë, policia e ka përsëritur se çdo person që shihet duke i shkelur urdhërat e izolimit duhet të raportohet nga dëshmitarët. Patrullat policore po kryejnë kontrolla me letërnjoftime në rrugë dhe në hyrje/dalje të qyteteve dhe qytezave anembanë vendit.

Për shkelje të para mund të dënohen me gjobë në vlerë 8,000 kuna (rreth 1,050 euro) ndërsa ata që bëjnë shkelje të vazhdueshme mund të dënohen me gjobë në vlerë 120,000 kuna (rreth 15,700 euro).

Gjithnjë më shumë frikë nga kufizimi i lirisë

Ndër zhvillimet më shqetësuese për shumë kroatë janë ndryshimet e propozuara për Ligjin mbi Komunikimin Elektronik, që do të mundësonte përgjimin e lokacioneve të përdoruesve të telefonave mobilë për qëllimin e parandalimit të përhapjes së epidemisë dhe mbrojtjes së shëndetit publik.

Masa të ndryshme mbrojtëse tashmë janë vendosur anembanë botës; në gjysmën e muajit mars, Izraeli filloi t’i monitoronte telefonat mobilë të qytetarëve izraelitë që dyshohet se kanë COVID-19 ose janë konfirmuar me sëmundjen. Më 23 mars, qeveria argjentinase lajmëroi se të gjithë që hyjnë në Argjentinë janë të obliguar ta instalojnë një aplikacion nëpërmjet të cilit autoritetet mund të kontrollojnë se a janë duke e respektuar vetizolimin e detyrueshëm dyjavor.

Koreja e Jugut ka zhvilluar një aplikacion që i lejon përdoruesit ta përgjojnë lokacionin e personave të infektuar duke përdorur një hartë.

Edhe pse jeta në Kinë po i kthehet ngadalë normalitetit, kinezët janë të detyruar ta kenë një program në telefonat e tyre për mbikëqyrjen e gjendjes së shëndetit të tyre. Secili person ka një ngjyrë që i gjegjet gjendjes së tyre aktuale e verdha është për ata që duhet të jenë në izolim, e kuqja për ata që duhet të karantinohen dhe që mund të këqyret nga një polic apo zyrtar tjetër në çdo moment.

Monitorimi i telefonave mobilë do të kryhej për të parë se a po respektohen kërkesat e izolimit.

Uebfaqja jofitimprurëse për kontrollim të fakteve, Faktograf, raporton se Qeveria e Kroacisë ka propozuar se Ligji duhet ta përfshijë një dispozitë që thotë “procesimi i të dhënave të lokacionit lejohet për qëllimin e mbrojtjes së sigurisë publike dhe/ose kombëtare”. 

Në përputhje me këtë dispozitë, ofruesit e rrjeteve të komunikimit publik do të duhej t’i ndanin të dhënat e lokacioneve të telefonave mobilë me qeverinë shtetërore; mbikëqyrja e telefonave mobilë do të kryhej për të parë se a po respektohen kërkesat e izolimit.

Gjorgje Gardasheviq, profesor asistent që ligjëron në Departamentin e të Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit, thotë se një ligj i tillë duhet të ketë masa mbrojtëse ligjore. 

“Duke pasur parasysh se një ligj i tillë i shkel të drejtat dhe liritë njerëzore kryesisht të drejtën për privatësi miratimi i tij kërkon një mazhorancë prej dy të tretash në Kuvend”, thotë Gardasheviq në një interviste telefonike.

“Kjo do të thotë se duhet të ketë pajtueshmëri më të gjërë për atë se si duhet të zbatohet kjo dispozitë dhe çfarë arsyetimi ka prapa saj. Për më tepër, një dispozitë e tillë duhet të ketë afat kohor sepse edhe nëse është e përshtatshme në një sitatë emergjente si kjo sigurisht nuk është e përshtatshme në një shoqëri demokratike në kohë të paqes”. 

Sipas Kushtetutës Kroate, ndryshimet ligjore nuk mund të miratohen me një shumicë të thjeshtë, e as në mënyrë të përshpejtuar. Gardasheviq shpjegon gjithashtu se janë paraqitur disa ndryshime të cilat do ta rregullonin dhe vendosnin një afat kohor për zbatimin e masave të lartpërmendura. 

Grupet e shoqërisë civile paralajmëruan se masat si kjo mund të shkaktojnë humbjen e besimit në qeverinë dhe se ato janë “të rrezikshme dhe krejtësisht joefektive”.

“Është propozuar që dispozita nuk duhet të vlejë për të gjithë, por vetëm për njerëz që janë urdhëruar të vetizolohen, domethënë ata që mund t’i infektojnë të tjerët duke dalë nga vetizolimi”, thotë ai, dhe shton se një tjetër sugjerim ka qenë vënia e një lloj sistemi që do të lejonte mbikëqyrjen parlamentare të zbatimit.

“Gjithashtu, njëri prej ndryshimeve kërkon që qeveria t’i njoftojë personalisht personat për të cilët vlejnë këto masa”, thotë ai.

Grupet e shoqërisë civile kanë dhënë një deklaratë të përbashkët si reagim ndaj ndryshimeve të propozuara nga qeveria, nëpërmjet të cilës paralajmëruan se masat si kjo mund të shkaktojnë humbjen e besimit për qeverinë dhe se në thelb ato janë “të rrezikshme dhe krejtësisht joefektive”. 

Reagimi i tyre gjithashtu përmend një përpjekje të kryeministrit për t’ia dorëzuar qeverisë fuqitë e parlamentit. 

Në një takim me përfaqësuesit e grupeve parlamentare të mbajtur më 16 mars, KM Plenkoviq e dha një propozim nëpërmjet të cilit sugjeroi që kuvendi duhet t’ia japë mandatin qeverisë për të miratuar ligje. Përfaqësuesit e grupeve parlamentare e hodhën poshtë këtë ofertë.

Gardasheviq thotë se një procedurë e tillë nuk parashihet as në Kushtetutë.

“Në rast që paralamenti nuk ka mundësi të mblidhet, gjë që mund të ndodhë shumë lehtë në rrethanat aktuale nëse, për shembull, deputetët nuk kanë mundësi të marrin pjesë në seanca për shkak të sëmundjeve Kushtetuta Kroate thotë se funksioni ligjvënës i parlamentit duhet të merret nga presidenti i republikës, i cili miraton të ashtuquajturat ‘dekrete emergjente’ në vend të ligjeve”, shpjegon ai.

Në këtë mënyrë, presidenti dhe qeveria do të bëheshin ligjvënës të përbashkët gjatë periudhës së emergjencës.

Deri më 16 prill, parlamenti vazhdoi të mbante seanca të rregullta, ndërsa ndryshimet e propozuara për Ligjin mbi Komunikimin Elektronik nuk janë miratuar ende. Ato janë dërguar për lexim të dytë në kuvend më 7 prill.K

Foto kryesore: Jelena Prtorić.