Me të përfunduar viti 2015, skena politike e Kosovës ishte krejt e koklavitur. Shpërthimet e shpeshta të gazit lotsjellës në Kuvend e ka bërë këtë institucion krejt të padobishëm, derisa pakënaqësia politike dhe ajo publike me koalicionin qeveritar sa vinte e bëhej edhe më armiqësore. As viti 2016 nuk ofroi ndonjë zgjidhje çudibërëse. Ky ka qenë një vit protestash të pambarimta, me eskalime të atykëtushme në dhunë, dhe, ndërsa parlamenti u bë më funksional deri në përfundim të vitit, progresi politik ka qenë i ngadalshëm. Ky ishte gjithashtu vitit kur Jahjaga e la zyrën e presidentes së vendit, për t’u zëvendësuar nga Hashim Thaçi.
Marrëveshja për demarkacionin
Dy prej pengesave më të mëdha kanë qenë dy marrëveshjet ndërkombëtare të cilat Kosova i nënshkroi me fqinjtë e saj në gusht të vitit 2015, të cilat mbetën pika kryesore diskutimi në debatet politike dhe publike të Kosovës përgjatë vitit 2016. Dështimet që kanë dalur nga këto marrëveshjet kanë ndikuar në procesin e liberalizimit të vizave, dhe e kanë polarizuar opozitën dhe koalicionin qeveritar. Aktualisht, qeveria po ballafaqohet me vështirësi për të gjetur mënyrë për t’i shndërruar këto marrëveshje në ligje. Edhe pse e ardhmja e dy marrëveshjeve të kontestuara është e paqartë, ajo që dihet është se këto dy tema kundërthënëse do ta përndjekin politikën e Kosovës deri sa të arrihet një përfundim.
Sa i përket marrëveshjes së arritur me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, opozita pohon se ratifikimi do të bënte që Kosova t’i humbë 8,000 hektarë tokë. Në anën tjetër, qeveria ka qëndrim të kundërt, duke insistuar se marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974, dhe se vendi nuk po heq dorë nga asnjë copë territori të vet.
Në gusht, të dyja palët i paraqitën qëndrimet e tyre në një debat maratonik 10-orësh. Përveç politikanëve, edhe eksperë të demarkacionit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe madje edhe njerëz nga territori i kontestuar i Grykës së Rugovës patën të drejtën t’i shprehnin opinionet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë gjithë vitit, koalicioni qeveritar është merakosur nëse do të arrijë të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për ta miratuar marrëveshjen në Kuvend. Përveç opozitës, edhe deputetët e partive në pushtet janë deklaruar se do të votonin kundër demarkacionit.
Edhe disa nga kolegët deputetë të Kryeministrit Mustafa në LDK me këmbëngulje e kanë refuzuar marrëveshjen. Më i zëshmi në mesin e tyre ka qenë Shpejtim Bulliqi, profesor në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës i cili insiston se gjatë demarkimit janë bërë gabime.
Qeveria caktoi një seancë parlamentare më 1 shtator, e cila kishte në rend dite votimin e marrëveshjes. Megjithatë, kur i erdhi radha çështjes së demarkacionit, Mustafa e shtyu votimit për afat të pacaktuar, duke përmendur shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë. Gjatë seancës parlamentare, Sheshi Skenderbeu dhe zonat përreth Kuvendit u mbushën përplot protestues. Kjo tashmë ishte bërë pamje e rëndomtë.
Qytetarët në rrugë
Në janar, përveç se me fishekzjarre, viti i ri në Kosovë filloi edhe me protesta masive nëpër sheshe të Prishtinës, me mijëra mbështetës të opozitës nëpër rrugët e qytetit. Protesta kulmoi me një përplasje me policinë, dhe me hedhje të kohëpaskohshme të koktejëve molotovë, duke paralajmëruar edhe një vit të nxehtë në politikën e Kosovës.
Tri partitë opozitare; Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën (NISMA) u bënë bashkë gjatë muajve të parë të vitit, duke organizuar protesta popullore, përfshirë edhe një të tillë në ditën e pavarësisë së Kosovës, gjatë së cilës protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë.
Opozita dhe mbështetësit e tyre vazhduan të kërkonin dorëheqjen e qeverisë edhe pas 17 shkurtit, mirëpo forma e protestës ndryshoi. Në Sheshin Skenderbeu u vendosën tendat, për katër ditë radhazi, —disa ditë para zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës në Kuvendin e Kosovës. deri sa u hoqën me forcë nga policia. Në këtë seancë pritej të zgjedhej kumbara i marrëveshjeve kundërthënëse të Kosovës, ish-kryeministri dhe ministri i atëhershëm i punëve të jashtme, Hashim Thaçi.
Edhe pse qeveria e PDK-së së Hashim Thaçit dhe e partnerit të saj të koalicionit, LDK-së, i kishte dy të tretat e e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, në raundin e parë të votimit Thaçi nuk arriti t’i sigurojë dy të tretat e shumicës qe nevojiten për t’u zgjedhur president. Pas dështimit të këtij raundi, Thaçi ia përcjelli partnerit të tij të koalicionit një ngritje vetullash, tashmë të famshme, që mbase ishte udhëzim që ai t’i mbante trupat në binarë.
Votat për Thaçin u rritën në raundin vijues por përsëri nuk u arritën dy të tretat e nevojshme. Me raundin e tretë të votimit mjaftonte shumica e thjeshtë prej 61 votash. Thaçi siguroi 71 vota dhe u bë presidenti i ri i Kosovës. Siç ishte bërë tashmë zakon, deputetët opozitarë hodhën gaz lotsjellës gjatë seancës dhe pastaj u larguan nga salla, ndërsa protestuesit jashtë ndërtesës së Kuvendit u përleshën me policinë.
Inaugurimi i Thaçit u bë në prill në Sheshin Skenderbeu në një ditë tjetër të tendosur në kryeqytet. Prishtina kurrë nuk kishte ndjerë prani të tillë policore, dhe sheshi ishte gati i padepërtueshëm për qytetarët e rëndomtë. Disa aktivistë të opozitës ia dolën ta prishnin ndejën, duke hedhur gaz lotjsjellës pranë karrigeve të përfaqësuesve të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshirë edhe atë të presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviq.
Në maj, Lëvizja Vetëvendosje vendosi të mos marrë pjesë në protestën e thirrur nga AAK-ja dhe NISMA, pas disa mosmarrëveshjeve ndërmjet partive opozitare. Që atëherë, opozita nuk i ka koordinuar më veprimet e saj, megjithëse të gjithë kanë mbetur të vendosur sa i përket kundërshtimit të dy marrëveshjeve ndërkombëtare.
Gjatë vetës nisi edhe një valë e re protestash, kësaj radhe të organizuara nga pjesëtarët e shoqërisë civile. Këto protesta u ndezën pas pasi që portali i lajmeve Insajderi publikoi disa biseda të përgjuara telefonike ndërmjet figurave kyçe të PDK-së. Bisedat e zhvilluara në vitin 2011 tregonin për keqpërdorim të pushtetit për favore personale, si dhe ndikime të hatashme në procesin e punësimit në pozita kyçe të ndërmarrjeve publike.
Një prej protagonistëve të skandalit të përgjimeve, Adem Grabovci, dha dorëheqje nga posti i shefit të grupit parlamentar të PDK-së, por asnjë hap konkret nuk u ndërmor nga sistemi i drejtësisë për të hetuar përmbajtjen e këtyre bisedave të publikuara.
Gjatë javës kur u publikuan këto përgjime, ndërtesa u Kuvendit u qëllua me dy granata dore. Disa javë pas, gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes u arrestuan si të dyshuar.
Në nëntor, njëri prej të arrestuarve, Astrit Dehari, vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në rrethana të paqarta. Një valë e re protestash të organizuara nga shoqëria civile tuboi me mijëra qytetarë të cilët marshuan rrugëve të Prishtinës duke kërkuar drejtësi për Deharin. Ngjarjet më lidhje me vdekjen e këtij aktivisti ende kontestohen dhe mbesin mister.
Më afër Europës?
Kosova mori disa lajme pozitive në maj, pasi që Komisioni Europian propozoi udhëtim pa viza për kosovarët, të cilët mbesin qytetarët e vetëm të Ballkanit Perëndimor të cilët nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën e Shengenit. Gjatë disa muajve mbizotëroi besimi i përhapur se kosovarët shumë shpejt do të jenë në gjendje të udhëtojnë në zonën e Shengenit pa viza, dhe pa procese të pafundme burokratike të nxjerrjes së një vize.
Megjithatë, dy kushtet të cilat Komisioni Europian i lidh me liberalizimin e vizave, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit dhe përmirësimi i luftimit të korrupsionit, u treguan shumë më sfiduese sesa që pritej, sidomos çështja e demarkacionit, e cila ende mbetet e pazgjidhur.
Sot, në prag të vitit 2017 udhëtimi pa viza për kosovarët duket të jetë mjaft larg. Gjatë këtij muaji, BE-ja konfirmoi se qytetarët e Ukrainës dhe ata të Gjeorgjisë do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën e Shengenit nga fillimi i vitit që vjen, duke ua shtuar edhe më shumë pakënaqësinë kosovarëve, të cilët po izolohen çdo herë e më shumë.
Megjithatë, Kosova sivjet ka bërë një hap të vogël drejt integrimit europian. Në prill hyri në fuqi ‘Marrëveshja e Stabilizim Asociimit’, e nënshkruar në tetor të vitit 2015. Marrëveshja thuhet se është marrëdhënia e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe se do ta lehtësojë integrimin e ekonomisë së Kosovës në tregun europian.
Por, sfida më e madhe për të ardhmen europiane të Kosovës mbesin pesë shtetet anëtare të BE-së (Greqia, Rumania, Spanja, Qiproja dhe Sllovakia), të cilat vazhdojnë të mos e njohin Kosovën. Edhe pse asnjëri prej këtyre shteteve nuk i ndërroi pozicionet, dy vendet e reja e njohën Kosovën në vitin 2016; Me Surinamen në korrik dhe Singapurin në dhjetor, Kosovën tashmë e kanë njohur 113 shtete.
Marrëdhëniet e përmirësuara fqinjësore me Serbinë do të ndihmonin në lehtësimin e njohjeve në të ardhmen, por viti 2016 ka qenë plot diskutime në lidhje me zbatimin e dobët të marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Njëra prej dy marrëveshjeve të gushtit të vitit 2015, e lehtësuar nga Bashkimi Europian, e cila i hap rrugë themelimit të ‘Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe’ në Kosovë vazhdoi të ishte pengesë e bisedimeve edhe gjatë vitit 2016.
Moszbatimi i marrëveshjes së vitit të kaluar bëri që partia serbe e Kosovës ‘Lista Srpska’ ta bojkotonte punën e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës. Aktualisht, kjo parti kushtëzon kthimin në institucione vetëm pasi që marrëveshja të zbatohet nga autoritetet e Kosovës.
Tensionet me Listën Serbe dhe elementet tjera në Qeverinë e Kosovës u shfaqën përsëri në tetor pas miratimit të një projektligji në lidhje me pronësinë e kompleksit Trepça. Autoritetet e Prishtinës propozuan marrjen nën kontroll të minierës, duke i bartur shtetit 80 për qind të aksioneve, dhe 20 për qind të tyre punëtorëve të Trepçës.
Serbët e Kosovës që punëojnë në minierën në veri të Mitrovicës e refuzuan këtë hap të Kuvendit të Kosovës dhe kërkuan mbështetje nga Serbia, kryeministri i së cilës, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi miratimin e projektligjit si “zero dhe kot”. Në anën tjetër, Lista Serbe kërkoi që miratimi i projektligjit të shfuqizohej nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke konsideruar se ai ishte jokushtetues. Gjykata nuk u pajtua me këtë konstatim.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë gjithashtu besohej se ishin pajtuar për ta revitalizuar Urën e Mitrovicës, e cila e ndan veriun dhe jugun e qytetit që nga përfundimi i luftës. Në gusht, makineria e rëndë filloi të zbulonte atë që në mënyrë bizare u quajt ‘parku i paqes’. Por, revitalizimi i urës jo që nuk solli unitet por ngriti edhe një mur, duke e bllokuar urën në anën veriore.
Ndërtimi i murit në dhjetor nxiti reagime të ashpra në Prishtinë, ku tri partitë opozitare theksuan se muri ishte produkt i dialogut të vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Megjithatë, zyrtarët qeveritarë gjithashtu menjëherë e dënuan ndërtimin e murit, duke kërkuar ndihmë nga Bashkimi Europian, ndërmjetësues i dialogut.
Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Maja Kociançiq, kishte vizion tjetër sa i përket këtij ndërtimi. “Nuk do të jetë mur, por shkallë të cilat do ta lidhin rrugën me zonën për këmbësorë”. E ardhmja ende mbetet e paqartë, ndërsa autoritetet e Kosovës zotohen se do ta rrëzojnë atë mur.
E ardhmja e murit nuk është e vetmja paqartësi e vitit 2017. Të gjithë sytë ishin të kthyer drejt Drenasit në dhjetor, kur kjo komunë mbajti zgjedhje lokale derisa figurat kryesore politike të Kosovës e vizituan këtë qytet të Drenicës për çdo ditë. Që nga lufta, PDK-ja gjithmonë ka dalë e para në zgjedhjet në Drenas, dhe ishte kandidati i tyre, Ramiz Lladrovci, ai që në fund e mundi kandidatin e NISMA-s, Isa Xhemajlajn, pas balotazhit të mbajtur më 18 dhjetor.
Megjithatë, vetë fakti që erdhi deri te balotazhi, gjë që kurrë nuk kishte ndodhur në Drenas, ishte mjaft i papritur dhe mund të jetë shenjë e dobësimit të mbështetjes për PDK-në. Shumëkush i pa këto zgjedhje si test të mirë për të parë se ku po qëndrojnë partitë politike, në prag të asaj që mund të jetë vit i zgjedhjeve parlamentare. Nëse këto parashikime të vitit 2017 si vit i zgjedhjeve dalin të sakta, kjo mund të jetë kohë e ndryshimeve politike në Kosovë. Por, një element i parashikueshëm i politikës së vitit që na pret është se çështjet kyçe që e përshkuan vitin 2016 kanë pak gjasa të tejkalohen.K
Fotografitë: Atdhe Mulla / Majlinda Hoxha / K2.0.