Tashmë ka kaluar mbi një vit prej se është miratuar Ligji për zyrtarët publikë, i cili rregullon marrëdhënien juridike mes shtetit dhe nëpunësve të vet, ndër ta nëpunësit e institucioneve të administratës qendrore dhe komunale që janë pjesë e shërbimit civil.
Neni 63 i Ligjit parasheh mundësinë e pensionimit të parakohshëm të nëpunësve civilë.
Mbi gjysmë viti ka kaluar prej se është miratuar edhe Rregullorja për lirimin dhe pensionimin e parakohshëm nga shërbimi civil, e cila i vjen në ndihmë ligjit. Përmes saj vendosen dhe sqarohen procedurat që duhet ndjekur nga nëpunësit civilë për të dalë në pension para moshës së rregullt 65-vjeçare.
Mundësia e pensionimit të parakohshëm vlen vetëm për nëpunësit civilë mbi 63 vjeç, në njërën nga dy mënyrat e mundshme: me kërkesë të veten apo me vendim të institucionit ku punojnë. Për të dyja rastet, Ligji parasheh që nëpunësit civilë që dalin në pension të parakohshëm të marrin 70% të pagës deri në moshën 65-vjeçare.
Nga më shumë se 82,000 punonjës të organizatave buxhetore — pra që financohen nga buxheti i shtetit — nëpunës civilë janë mbi 22,000. Afër 8% nga ta e përmbushin kushtin ligjor për pensionim të parakohshëm pasi kanë mbi 63 vjet.
Mosha mesatare e nëpunëve civilë të Kosovës është 47.5 vjet, ndërsa nëpër komuna është numri më i lartë i personave me moshë mesatare më të shtyrë.
Sa mund t’i kushtojë shtetit?
Administrata shtetërore e Kosovës prej vitesh është duke kaluar nëpër një proces reformimi përmes të cilit synohet që ndër të tjera të ndalen ndërhyrjet politike dhe nepotizmi në shërbimin civil, të krijohen politika të duhura të rekrutimit, të shtohen mekanizmat për llogaridhënie, si dhe të vendosen mekanizma adekuatë për vlerësim të performancës.
Instituti GAP ka botuar një raport për pensionimin e parakohshëm të shërbyesve civilë, ku thuhet se ai duhet të përfshihet në kuadër të reformës si mënyrë e zvogëlimit të administratës që tani për tani punëson një numër të konsiderueshëm të njerëzve. Sipas raportit, Kosova ka shkallën më të lartë të të punësuarve në sektorin publik nga vendet e rajonit dhe më gjerë, me mbi 30% nga të gjithë të punësuarit në vend.
“Mesatarja për vendet e Ballkanit është 27.2%, në vendet e Bashkimit Evropian është 23.7%, kurse mesatarja e punësimit në sektorin publik në vendet e OECD-së [Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim] është 21.1%”, thonë në përfundimet e tyre ekspertët nga Instituti GAP.
Sipas raportit, as departamenti i administrimit të shërbimit civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme e as njësia e thesarit në Ministrinë e Financave nuk kanë poseduar të dhëna nga vitet e mëhershme se sa ka pasur kërkesa për pensionim të parakohshëm me iniciativë të nëpunësve apo nëse ka pasur raste kur institucionet kanë nisur procedura për pensionim të parakohshëm të nëpunësve të vet.
Sipas Florent Spahijës nga Instituti Demokratik i Kosovës, mundësia e pensionimit të parakohshëm mund të shfrytëzohet edhe për shkaqe shëndetësore. Foto nga arkivi i K2.0.
Qeveria parasheh që kostoja buxhetore për pensionimet e parakohshme mund të mbulohet në kuadër të buxhetit të departamentit të administrimit të shërbimit civil. Sipas raportit të GAP-it, kjo lë të nënkuptohet se qeveria parasheh që s’do të ketë kërkesa të shumta për pensionim të parakohshëm, as nga nëpunësit e as nga institucionet ku ata punojnë.
Raporti po ashtu ofron një modelim të kostos që merr parasysh shkallë të ndryshme të pensionimit të parakohshëm të nëpunësve civilë, varësisht nga vendosja ose jo e një strategjie qeveritare lidhur me këtë.
“Nëse të gjithë shërbyesit civilë mbi moshën 63-vjeçare dalin në pension të parakohshëm 24 muaj para moshës ligjore të pensionimit, atëherë kjo do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës 7 milionë euro”, thuhet aty.
Po ashtu, raporti thotë se në rast që qeveria vendos ta ulë moshën e pensionimit të parakohshëm edhe për tri vjet më shumë, pra prej moshës 60-vjeçare, atëherë buxhetit të vendit do t’i kushtonte 10 milionë euro.
Duke i qëndruar propozimit për ta përfshirë uljen e numrit të nëpunësve civilë në reformimin e administratës shtetërore, sipas GAP-it qeveria e Kosovës duhet ta inkurajojë daljen në pension para kohe me vetinciativë të nëpunësve duke e ulur moshën e pensionimit, apo edhe duke u ofruar pagë të plotë deri në moshën 65-vjeçare.
Një mënyrë për ta vënë pensionimin e parakohshëm në shërbim të reformës është duke e organizuar ashtu që pozitat që lihen të lira të mos zëvendësohen me nëpunës të tjerë. Mirëpo siç e thekson edhe raporti, për komunat një gjë e tillë do të ishte thuajse e pamundur pasi numri i shërbyesve mbi moshën 60-vjeçare është i lartë dhe moszëvendësimi i tyre do të linte zbrazëtira në shërbimet komunale.
Çfarë thonë njohësit e fushës?
Florent Spahija, këshilltar ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se kjo mundësi ligjore mund të shfrytëzohet edhe për qëllime të tjera, si për shembull për nëpunësit civilë që për shkak të arsyeve shëndetësore mund të duan të dalin në pension. “Dikush [edhe] mund ta ketë filluar punën herët [në moshë] dhe e sheh konsumimin e tij [për punë]”, thotë ai.
Ndërsa Naser Shamolli, ish-drejtor i departamentit ligjor në Ministrinë e Administratës Publike dhe ish-kryesues i grupit punues për hartimin e pakos ligjore për reformën e administratës publike — tash pjesëtar i Grupit për Studime Juridike dhe Politike — thekson se dispozitat e tanishme ligjore nuk aplikohen te mësimdhënësit, policët dhe nëpunës e funksionarë të tjerë që paguhen nga shteti por që nuk janë pjesë e shërbimit civil. Nga këto kategori ka pasur kërkesa për pensionim të parakohshëm për shkaqe shëndetësore.
Naser Shamolli i Grupit për Studime Juridike dhe Politike thotë se procedura e paraparë për pensionim të parakohshëm merr parasysh edhe anën e nëpunësve, edhe të udhëheqësve. Foto: Agan Kosumi / K2.0.
Për Spahijën, e vetmja e metë e pensionimit të parakohshëm është se “mund të humbin ekspertë shumë të mirë” dy vjet para kohe, ndërsa thekson se lënia në dorë të shërbyesve civilë për të vendosur se a duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi tregon se “ligji është në kuadër të të drejtave të punëtorëve”.
Por brengën e humbjes së ekspertëve të cilët duan të pensionohen para kohe e largon Shamolli. “Udhëheqësi ka të drejtë ta refuzojë kërkesën”, thotë ai, duke treguar se në rast që institucioni vendos që një nëpunës/e civil/e duhet ta vazhdojë punën për ndonjë arsye, mund t’ia bllokojë pensionimin e parakohshëm.
“Shërbyesi civil edhe mund të ankohet, por realisht do ta humb [rastin]”, thotë ai, “pasi ligji ka specifikuar dy mënyrat e pensionimit të parakohshëm”.
Si shkon procedura?
Kur një nëpunësi/eje i mbushet mendja të dalë në pension para kohe, fillimisht duhet të përmbushë kushtin ligjor që t’i ketë mbi 63 vjet. Pastaj duhet ta dorëzojë kërkesën në njësinë e burimeve njerëzore të institucionit ku punon dhe të presë verifikimin nga ta. Nga burimet njerëzore kërkesa dërgohet tek udhëheqësit e drejtpërdrejtë të nëpunësit/es të cilët duhet ta japin mendimin e tyre brenda 10 ditësh.
Pastaj kthehet mbrapa te njësia e burimeve njerëzore e cila, pasi merr mendimin e udhëheqësve të drejtpërdrejtë të nëpunësit/es në fjalë, drejtohet me kërkesën tek udhëheqësit më të lartë administrativë të institucionit, të cilët kanë 30 ditë afat për ta aprovuar ose refuzuar kërkesën. Por, nëse kërkesa refuzohet, nëpunësi/ja civile ka të drejtë të ankohet në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMShCK), organ që jep fjalën e fundit se a është i drejtë refuzimi.
Ama edhe institucioni mund t’i shtyjë nëpunësit e vet në pension nëse ata e plotësojnë kushtin ligjor të moshës. Atëherë kur institucionit i duhet ta reduktojë stafin, ta riorganizojë, ose edhe në rastet kur bashkohet me ndonjë institucion tjetër apo edhe mbyllet fare, atëherë i jepet e drejta për të propozuar pensionimin e parakohshëm të nëpunësve të vet civilë. E nëse atyre s’u pëlqen vendimi i punëdhënësve për t’i pensionuar para kohe, mund të ankohen në KPMShCK, ku nuk parashihet afat se sa mund të zgjasë shqyrtimi.
Qeveria e sapoformuar Kurti 2 ka zvogëluar numrin e ministrive nga 16 në 15, gjë që do të thotë se mund të ketë reduktim të stafit. Po ashtu disa ministri janë bashkuar e disa të tjera janë ndarë, që në praktikë i bie se do të ketë riorganizime.
Në seancën ku u votua qeveria e re më 22 mars, kryeministri Albin Kurti theksoi se do ta shtyjë përpara pensionimin e parakohshëm në Policinë e Kosovës, ndërsa nuk dihet ende nëse qeveria do ta shfrytëzojë këtë mundësi ligjore edhe për nëpunësit civilë.K
Imazhi i ballinës: Agan Kosumi / K2.0.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit ‘’Angazhimi qytetar’’, që financohet nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian.