Pikëpamje | Politika

Përbërja e re e Komisionit Evriopian dhe Ballkani Perëndimor

Nga - 23.12.2024

Kaja Kallas dhe Marta Kos ofrojnë një rrugë të re të mundshme për të ecur përpara.

Pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian (PE) në qershor të vitit 2024, deputetët/et e PE zgjodhën Ursula von der Leyen e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (EPP), për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian. Von der Leyen pastaj caktoi kandidatë/e për komisionerë/e — një nga secili shtet anëtar i BE — në fusha specifike të politikave, pas konsultimit me shtetet anëtare që i nominuan ata/o.

Këto poste variojnë nga komisioneri/ja për drejtësinë ndërbrezore, rininë, kulturën dhe sportin, deri te përfaqësuesi/ja i/e lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë. Të gjithë/a të nominuarit/et për postet e komisioneve iu nënshtruan seancave dëgjimore të detyrueshme në fillim të nëntorit të vitit 2024, në të cilat deputetët/et e PE u shtruan pyetje atyre, përpara se t’i konfirmonin në një votim të përbashkët më 27 nëntor 2024.

Procesi u përcoll me debate rreth të kaluarës politike të disa prej komisionerëve/eve të propozuar/a, veçanërisht me emërimin e Rafaelle Fitto, anëtar italian i grupit të ekstremit të djathtë, Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR), si njëri nga gjashtë nënkryetarët/et ekzekutivë/e. Emërimi i tij shkaktoi përplasje mes EPP të Von der Leyen dhe Socialistëve dhe Demokratëve të qendrës së majtë (S&D), pasi deputetët/et e PE nga S&D ishin kundër që një rol kaq i rëndësishëm t’i besohej një figure të krahut të djathtë si Fitto, përpara se ta pranonin përfundimisht. Von der Leyen gjithashtu nuk ia doli ta përmbushte qëllimin që e kishte deklaruar më parë, për ta ndërtuar një ekip me baraspeshë gjinore.  

Dy komisionere në ardhje kanë rëndësi të veçantë për shtetet e Ballkanit Perëndimor: përfaqësuesja e lartë për punët e jashtme dhe politikë të sigurisë — post që më parë bartej nga Josep Borrell — dhe komisionerja për zgjerim, pozitë që pesë vitet e fundit u bart nga Olivér Várhelyi. Ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila gjithashtu shërben si një nga nënkryetaret e Komisionit Evropian, ka marrë tashmë pozitën e parë, ndërsa diplomatja sllovene, me përvojë të gjatë, Marta Kos, është konfirmuar për pozitën e dytë.

Gjatë seancës së saj, Kallas theksoi luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe konfliktet në Lindjen e Mesme si “prioritetet e saj urgjente”, ndërsa zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi i përmendi vetëm shkurtimisht. Kallas është kritike e ashpër e Rusisë, qëndrim që është formuar pjesërisht nga historia e shekullit XX të Estonisë nën nënshtrimin sovjetik.

Prandaj, është e gjasshme që Kallas të përqendrohet në mbrojtjen e BE kundër agresionit të mundshëm rus, në përputhje me përqendrimin e gjerë të BE për ta forcuar mbrojtjen dhe sigurinë, pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Megjithatë, shpërfillja e shteteve të Ballkanit Perëndimor rrezikon ta minojë integrimin e rajonit në BE dhe stabilitetin, duke kërcënuar po ashtu përpjekjet afatgjate për paqe në Ballkan.

Ku qëndron dialogu Kosovë-Serbi?

Kushdo që emërohet nga Kallas si përfaqësuesin/en e ri/re special/e të BE për dialogun Kosovë-Serbi, do ta ngarkohet me detyrën që të sjellë ndryshim urgjent në qasjen aktuale. Kjo është veçanërisht e nevojshme, marrë parasysh vitet e ngecjes dhe ngërçin e tanishëm të dialogut nën drejtimin e Borrellit dhe përfaqësuesit special në largim, Miroslav Lajčák.

Por dialogu ka dështuar edhe në menaxhimin e krizave, duke shpërfillur vazhdimisht problemet themelore dhe duke shmangur mbajtjen e një qëndrimi të vendosur ndaj veprimeve destabilizuese të vazhdueshme të Serbisë në Kosovë.

Dialogu nën udhëheqjen e Borrell dhe Lajčák ka prodhuar pak rezultate të prekshme. Donika Emini, drejtore ekzekutive e platformës “CiviKos” dhe anëtare e Grupit Këshillues për Politikat në Ballkanin në Evropë (BiEPAG), thotë se BE ka rënë në “një kurth të stabilitetit, duke vepruar në modalitetin e parandalimit të krizave, në vend që të përqendrohet te objektivat reale të dialogut, të cilat jo vetëm që do t’i normalizonin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe do të hapnin rrugën për anëtarësimin e të dyja vendeve në BE”.

Por dialogu ka dështuar edhe në menaxhimin e krizave, duke shpërfillur vazhdimisht problemet themelore dhe duke shmangur mbajtjen e një qëndrimi të vendosur ndaj veprimeve destabilizuese të vazhdueshme të Serbisë në Kosovë. Kjo u bë veçanërisht e qartë në shtator të vitit 2023, kur forca paramilitare serbe kaluan pikën kufitare dhe vranë një polic shqiptar të Kosovës në Banjskë, fshat në veri të Kosovës.

Reagimi i BE, kur erdhi, ishte dëshpërues, ndonëse jo i papritur. Përgjigja u bazua në narrativën “të gjithë akterët”, edhe pasi ish-nënkryetari i partisë Lista Serbe në Kosovë, Milan Radoičić, pranoi përgjegjësinë dhe përfshirjen e tij në sulm. Ndonëse një deklaratë e BE e përshkroi sulmin si “sulm terrorist i shëmtuar dhe frikacak” dhe PE miratoi një rezolutë të përbashkët duke e quajtur atë “sulm terrorist”, qasja e përgjithshme e BE nuk reflektonte me realitetin që sugjerojnë këto fjalë. Kjo qasje, së bashku me dështimin e Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve, ka minuar besueshmërinë e dialogut, si dhe të zyrtarëve të BE të përfshirë, duke vënë në pah dështimin e dialogut në tërësi.

Një përfaqësues/e special/e i/e ri/e, në mënyrë ideale nga një vend që njeh pavarësinë e Kosovës — ndryshe nga Borrell (nga Spanja) dhe Lajčák (nga Sllovakia) — dhe i/e përkushtuar ndaj zgjerimit, do të ishte hap i parë pozitiv drejt normalizimit të marrëdhënieve. Një përfaqësues/e special/e i/e tillë mund t’i shtyjë Kosovën dhe Serbinë drejt angazhimit më konstruktiv, duke përdorur ndikimin e BE ndaj Serbisë, për të adoptuar qasje më pragmatike, potencialisht duke lëvizur nga pranimi de fakto i shtetësisë së Kosovës, drejt njohjes së plotë — me njohjen e ndërsjellë të sovranitetit, si qëllimi përfundimtar i normalizimit.

Kjo duhet të shoqërohet me një afat të qartë kohor për nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjeve, duke parashikuar përfitime për palën që respekton ato dhe pasoja për palën që dështon t’i respektojë ato. Kjo nuk ka ndodhur ende, si në rastin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, për të cilën palët u pajtuan në parim, por nuk e nënshkruan asnjëherë zyrtarisht. Megjithatë, mbetet të shihet se sa do t’i japë përparësi Kallas Ballkanit Perëndimor, ashtu siç mbetet të shihet edhe marrëdhënia e saj e punës me Kos, komisioneren e re për zgjerim.

Kos dhe Kosova

Kos ka shërbyer si ambasadore e Sllovenisë në Gjermani dhe Letoni nga 2013 në 2017 dhe në Zvicër dhe Lihtenshtajn mes viteve 2017 dhe 2020. Me këtë përvojë diplomatike, ajo sjell shpresë të re për ripërtërirje të procesit të ngecur të zgjerimit të BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, përvoja e saj duket se forcohet edhe më shumë nga mbështetja historike e Sllovenisë ndaj procesit të zgjerimit.

Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studimet e Evropës Juglindore (CSEES) në Universitetin e Grazit dhe koordinator i BiEPAG, e sheh si të dobishëm për rajonin një komisioner/e nga Sllovenia.

“Shqetësohesha se komisioneri/ja i/e ri/e për zgjerimin do të ishte dikush që do të përqendrohej kryesisht te Ukraina” tha Bieber. “Jo se nuk besoj se Ukraina duhet të anëtarësohet në BE, por se kisha frikë se një komisioner/e nga vendet baltike, për shembull, do të përqendrohej vetëm te Ukraina, duke lënë anash Ballkanin Perëndimor”.

Bieber shtoi se “fakti që Marta Kos flet po ashtu të paktën njërën nga gjuhët e rajonit, ofron mundësi për njohuri më të thella, sesa thjesht këndvështrim nga një palë e jashtme”.

Marko Kmezić, hulumtues i lartë në CSEES në Universitetin e Grazit dhe gjithashtu anëtar i BiEPAG, theksoi se Kos vjen nga një vend që nuk ballafaqohet me probleme të mëdha të sundimit të ligjit apo demokracisë — për dallim nga paraardhësi i saj, Várhelyi, një hungarez. Vetë Kos e vuri theksin në rëndësinë e sundimit të ligjit, demokracisë dhe reformave gjyqësore për vendet kandidate gjatë seancës së saj dëgjimore, duke sugjeruar se qasja e saj do të jetë ndjeshëm e ndryshme nga ajo e Várhelyi, si në qëndrim, ashtu edhe në drejtim.

Në një rast të veçantë, Várhelyi u bëri jehonë fjalëve të Vučić për një rezolutë të OKB që dënonte gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë, duke thënë se nuk “mendonte se stigmatizimi i kombit serb me faj kolektiv ishte zgjedhje e qëndrueshme”.

Vëzhguesit e demokracisë kritikuan ashpër mandatin e Várhelyi, duke theksuar qasjen e tij të butë ndaj autokratëve, si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić dhe Milorad Dodik, president i entitetit Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë. Në një rast të veçantë, Várhelyi u bëri jehonë fjalëve të Vučić për një rezolutë të OKB që dënonte gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë, duke thënë se nuk “mendonte se stigmatizimi i kombit serb me faj kolektiv ishte zgjedhje e qëndrueshme”. Várhelyi gjithashtu tentoi të ndërhynte në proceset e BE, duke u përpjekur në një rast ta ndryshonte raportin kritik të Gjykatës Evropiane të Auditorëve lidhur me programin e sundimit të ligjit në rajon.

Bieber thotë se Várhelyi provoi “t’i zbuste kritikat ndaj demokracisë së Serbisë në atë raport”, duke reflektuar “njëanshmëri të qartë në agjendën e tij”. Duket, argumenton Bieber, se Várhelyi “nuk u përpoq ta përfaqësonte BE, por interesat hungareze, të cilat shpesh përputhen me mbështetjen e regjimeve autokratike”.

Megjithatë, emërimi i Kos si komisionere për zgjerim nuk është pa sfida dhe pengesa. Duke qenë se Sllovenia është shtet i vogël anëtar i BE, i perceptuar si mbështetës ndaj zgjerimit, Kos mund të hasë në vështirësi për t’i bindur shtetet më të mëdha anëtare të BE, që janë skeptike ndaj zgjerimit, se ky proces meriton vëmendjen e tyre.

“Teksa Kos ka përvojë si ambasadore, ajo nuk është politikane e nivelit të lartë dhe i mungon rrjeti i fortë politik brenda BE, gjë që mund ta bëjë më të vështirë për të që të ushtrojë ndikim brenda Komisionit të BE dhe Bashkimit Evropian në përgjithësi”, tha Bieber.

“Zyrtarë të dyshimtë, miq të autokratëve rajonalë”, paralajmëron Bieber, “mund të përpiqen ta anashkalojnë atë duke komunikuar drejtpërdrejt me Ursula von der Leyen apo duke negociuar me udhëheqës si Emmanuel Macron i Francës, apo këdo që bëhet kancelari/ja i/e ardhshëm/me i/e Gjermanisë”.

Zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor

Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA mund të ndikojë në dinamikën euroatlantike dhe aspiratat e rajonit për BE. Prirjet izolative të politikës së jashtme të Trump mund ta nxisin BE t’i dyfishojë investimet e veta në siguri, marrëdhënie të jashtme dhe zgjerim. Por nëse BE heziton ta marrë përsipër këtë angazhim, lindin pyetje të rëndësishme për rajonin: A do të anëtarësohen shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE, ose të paktën disa nga vendetj, apo do të bëhet një zonë e përhimë e BE, ku rënia demokratike thellohet, popullsitë vendase migrojnë dhe Rusia dhe Kina rrisin ndikimin e tyre?

SHBA mund t’u japë përparësi marrëveshjeve dypalëshe para përpjekjeve shumëpalëshe, që përfshijnë BE dhe përqendrohen më shumë te marrëdhëniet e bazuara në ekonomi sesa në vlera të përbashkëta.

Përfshirja e SHBA në Ballkan, nën një administratë të dytë të Trump mund të jetë e kufizuar, duke e detyruar BE ta ndjekë procesin e zgjerimit pa mbështetjen e fuqishme të SHBA. Për më tepër, bazuar në mandatin e parë të Trump dhe mundësinë e riemërimit të dikujt si Richard Grenell, si i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, SHBA mund t’u japë përparësi marrëveshjeve dypalëshe para përpjekjeve shumëpalëshe, që përfshijnë BE dhe përqendrohen më shumë te marrëdhëniet e bazuara në ekonomi sesa në vlera të përbashkëta. Një i dërguar i paqëndrueshëm si Grenell po ashtu mund ta favorizojë njërën palë. Në një kontekst të tillë, presidenti serb Aleksandar Vučić mund ta shfrytëzojë këtë situatë, duke kthyer sërish në tryezën e bisedimeve pikëpamjen e rrezikshme të shkëmbimit të territoreve me Kosovën.

Ideja e shkëmbimit territorial është e rrezikshme sepse do ta ripërtërinte idenë e ndarjes si mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit, sesa bashkëpunimi. Do të krijonte një precedent që do ta fuqizonte nacionalizmin etnik, duke sugjeruar se territoret duhet të homogjenizohen etnikisht dhe do t’i legjitimonte pretendimet territoriale të bazuara në etni në zona të tjera multietnike, si në Bosnjë e Hercegovinë apo Mal të Zi. Për më tepër, kjo do t’i nxiste tutje udhëheqësit nacionalistë, do ta minonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke shkaktuar destabilizim të mëtejshëm të brendshëm dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në të drejtat e pakicave në të dyja vendet.

Bieber thotë se “Presidenca e Trump mund të sjellë njëfarë qartësie për BE” dhe ta kthejë politikën e zgjerimin ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në një prioritet më të madh. “Kjo mund ta zgjidhë pasigurinë strategjike të tanishme dhe ta shtyjë procesin përpara”, shtoi ai. “Rreziku që Trump ta përkeqësojë situatën është më i vogël, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e BE, sesa jashtë saj. Gjersa duket e pamundur që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE gjatë presidencës së Trump, vende anëtare të NATO, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të anëtarësohen brenda katër deri pesë vitet e ardhshme”.

Hulumtuesja dhe anëtarja e BiEPAG, Lura Pollozhani, mban një qëndrim më pak optimist. Ajo sugjeron se për Maqedoninë e Veriut, drita e gjelbër për anëtarësim duket e pamundur në një të ardhme të afërt, për shkak të çështjeve të brendshme dhe qëndrimit të përgjithshëm të BE, edhe nëse ka pasur përparim sipërfaqësor.

“Nga pikëpamja e brendshme, për momentin ka pak mbështetje për ndryshimet kushtetuese, të cilat janë elemente kyçe në kërkesat e BE për integrim të mëtejshëm. Partia në pushtet, e cila ka bërë fushatë kundër çdo ndryshimi kushtetues, e sheh këtë si pjesë të mandatit të saj, me shumë gjasë për t’i shmangur polemikat politike”, tha Pollozhani. “Në këtë kuptim, do të prisja më shumë një ndërveprim sipërfaqësor mes të dyjave, sesa ndonjë angazhim të njëmendtë”.

Pikëpamjet e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE duken veçanërisht të zbehta, pasi Shqipëria hapi zyrtarisht grupkapitullin 1 me BE. Grupkapitulli 1, që njihet si “Fundamentals Cluster” (grumbulli i çështjeve themelore), mbulon fushat që konsiderohen qenësore për gatishmërinë e një vendi për ta çuar përpara procesin e anëtarësimit, si sundimi i ligjit, kriteret ekonomike, funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike.

Hapja e grupkapitullit të parë për Shqipërinë u mundësua për shkak se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë u shkëput nga ai i Maqedonisë së Veriut. Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut u bllokua nga mosmarrëveshjet me Bullgarinë për të drejtat e pakicave dhe ndryshimet kushtetuese, shembull ky i dështimit të kushtëzimit të BE në rajon.

“Progresi i Shqipërisë në negociatat me BE ishte diçka e vështirë për t’u pranuar nga zërat pro-BE në Maqedoninë e Veriut”, tha Pollozhani. “Kjo s’erdhi për shkak se ata besonin që Shqipëria nuk duhej të shënonte progres, por më shumë se kjo ishte kujtesë se si dikur Maqedonia e Veriut ishte përpara në proces, vetëm për ta humbur epërsinë e vetë”.

Progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, veçanërisht me hapjen e grupkapitullit të parë, ndodh në një klimë politikisht kundërthënëse. Hapja mund të shihet si simbolike dhe jozyrtarisht e lidhur me kushtëzimin e BE, veçanërisht pasi ajo vjen pas marrëveshjes së emigrimit Itali-Shqipëri vitin e kaluar. BE e mbështeti këtë marrëveshje dhe vende të tjera anëtare të BE, si Gjermania, po shqyrtojnë gjithashtu marrëveshje të ngjashme me vendet kandidate si Shqipëria.

Në korrik të vitit 2024, Gjermania nënshkroi një marrëveshje të BE për litium me Serbinë, pavarësisht protestave të mëdha mjedisore në Serbi. Kjo marrëveshje dhe ajo e emigrimit mes Italisë dhe Shqipërisë nuk duhet të shihen si ngjarje të ndara. Përkundrazi, ato duket se janë pjesë e një ndryshimi në politikën e jashtme të BE në rajon, drejt marrëveshjeve praktike dypalëshe, duke shpërfillur masat e kushtëzimit të shumëpërfolura më parë, si sundimi i ligjit, demokracia dhe të drejtat e njeriut.

Paqëndrueshmëritë e brendshme të BE, si rritja e partive të së djathtës ekstreme në vendet anëtare të BE, reflekton më tej këto shqetësime. Kjo zhvendosje drejt së djathtës ekstreme u pasqyrua qartë në rezultatet e zgjedhjeve të PE të vitit 2024. Në një kontekst të tillë, e ardhmja demokratike e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe procesi i anëtarësimit në BE po vëzhgohen kujdesshëm, veçanërisht nëse vetë BE vazhdon t’u japë përparësi marrëveshjeve praktike dypalëshe para kushtëzimeve për zgjerim.

Imazhi i ballinës: K2.0

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.