Në thelb | rajoni

Përkujtues i solidaritetit

Bashkësia ndërkombëtare e rindërtoi Shkupin dhe Banja Llukën.

Para dhjetë vjetësh, në Fakultetin e Arkitekturës në Shkup, Ana Ivanovska Deskova e mbrojti temën e magjistraturës mbi metodat dhe procedurat për mbrojtjen e ndërtesave moderniste në Maqedoninë e Veriut. Shkolla fillore “Johann Heinrich Pestalozzi” e Shkupit u përdor si shembull i një ndërtese moderniste. 

Megjithatë, dhjetë vjet kanë kaluar dhe kjo ndërtesë ende nuk është shënuar në Regjistrin Kombëtar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe asgjë nuk është bërë për ta mbrojtur a restauruar atë.

Ndërtesa e shkollës u projektua nga Alfred Roth, njëri nga përfaqësuesit më të njohur të arkitekturës moderniste. Qeveria zvicerane ia dha donacion këtë ndërtesë Shkupit në emër të qytetarëve të vet pasi qyteti u shkatërrua nga tërmeti i madh më 1963. Ishte kjo shprehje e solidaritetit me Republikën Socialiste të Maqedonisë.

Shkolla fillore “Johann Heinrich Pestalozzi” në Shkup u projektua nga arkitekti i njohur zviceran, Alfred Roth. Foto: Bojan Blaževski.

“Nuk e kam përshtypjen se po ofrohet trajtim special ndaj objekteve të dhëna si donacion gjatë rindërtimit të qytetit pas tërmetit, e as ndaj Modernizmit”, thotë Ana Ivanovska Deskova, tani asistent-profesoreshë në Fakultetin e Arkitekturës në Shkup që po lufton pa u lodhur për mbrojtjen e trashëgimisë moderniste në kryeqytetin maqedonas, duke e përfshirë këtë shkollë.

Solidaritet i harruar

Ivanovska Deskova ishte e përfshirë në organin këshillues kuratorial për ekspozitën e quajtur “Drejt një Utopie Konkrete: Arkitektura në Jugosllavi, 1948-1989”, që u prezantua në Muzeun e Artit Modern (MoMA) në Nju Jork. Në partneritet me kolegët Vladimir Deskov dhe Jovan Ivanovski, ajo mori pjesë në organizimin e një ekspozite në Vjenë për arkitekturën e Shkupit pas tërmetit, dhe të një tjetër ekspozite në Athinë në Muzeun Benaki në 2018.

Megjithatë, interesimi ndërkombëtar mbi arkitekturën moderniste në Ballkan nuk përkthehet në vëmendje ndaj shteteve pasjugosllave. Rrëfimin e solidaritetit ndërkombëtar që ndihmoi me ndërtimin e disa prej ndërtesave nga ajo periudhë e ka harruar pothuajse gjithkush.

Ndërtesa e shkollës në Shkup është vetëm një shembull i qëndrimit drejt trashëgimisë në periudhën pas tërmetit në Shkup. Tërmeti prej 6.1 ballësh e goditi qytetin më 26 korrik 1963, duke i lënë 1070 të vdekur, rreth 4000 të lënduar dhe më se 200 mijë pa kulm mbi kokë. Gati 80% e qytetit u shkatërrua. Më pas nisi procesi i restaurimit dhe thirrjet për solidaritet nëpër mbarë botën. Reagimi ishte mbresëlënës.

Këto janë vetëm disa nga objektet që u dhanë si donacion në shfaqjen e solidaritetit me Jugosllavinë, e prandaj Shkupi u emërtua “qyteti i solidaritetit ndërkombëtar”.

Libri i titulluar “Ringjallja e Shkupit: Historia e një Fondi Special të Kombeve të Bashkuara për Projektin e Planifikimit të Qytetit”, i botuar më 1970 nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, përmend se 87 shtete morën pjesë duke dërguar lloje të ndryshme ndihmash për Shkupin pas tërmetit. Nga ky numër, 25 shtete u angazhuan drejtpërdrejt në restaurimin e qytetit, e njëlloj ndihmuan edhe republikat e tjera jugosllave.

Polonia e dha si donacion një projekt për Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe një ndërtesë të shkollës; Mbretëria e Bashkuar dha donacion objektin e Teatrit të Dramës; Franca dhe Greqia dhanë donacion salla të sporteve; Qendra Kulturore Rinore u ngrit me fonde të Bashkimit Sovjetik dhe të Algjerisë, ndërsa Norvegjia dhe Suedia e ndërtuan një spital të ri për fëmijë.

Në lagjen Çair, sindikatat e atëhershme të Çekosllovakisë dhanë donacion fonde për ndërtimin e një objekti të gjinekologjisë, ndërsa Rumania ndërtoi një poliklinikë të re e Bullgaria një shkollë të mesme.

Deri më sot, Salla Universale është ndërtesa që tërheq më së shumti vëmendjen nga të gjitha objektet e ndërtuara me ndihmën e donacioneve. Është një sallë koncertesh e ndërtuar me fonde të 35 shteteve. Dhe këto janë vetëm disa nga objektet që u dhanë donacion në shfaqjen e solidaritetit me Jugosllavinë, e prandaj Shkupi u emërtua “qyteti i solidaritetit ndërkombëtar”. 

Megjithatë, pas pesë dekadash, objektet e dhëna si donacion janë në gjendje të tmerrshme.

Salla Universale është e mbyllur tash katër vjet, ndërsa Ministria e Kulturës dhe Qyteti i Shkupit ia hedhin përgjegjësinë njëri-tjetrit sa i përket një projekti që mund të shërbejë si bazë për të riinvestuar në këtë objekt, si dhe për vendimmarrjen mbi renovimin apo rrëzimin e saj.

Salla e Sporteve “Partizan” është shkatërruar krejtësisht nga vandalizmi, kurse salla “Kale” ka nevojë për rindërtim të plotë tash sa kohë. Një teatër i ri është planifikuar të ndërtohet për ta zëvendësuar Teatrin e Dramës dhe disa objekte të dhëna si donacion janë rrënuar, si objekti i gjinekologjisë “Çair” dhe Instituti për Sëmundje Pulmonare të Fëmijëve “Kozle”.

Bashkë me rrëzimet dhe shpërfilljen e objekteve të dhëna donacion, Shkupi e ka harruar diskursin e solidaritetit ndërkombëtar.

Shtypja e kësaj trashëgimie vërehej posaçërisht gjatë qeverisë së Nikola Gruevskit, i cili përqendrohej në ndërtimin dhe promovimin e projektit Shkupi 2014. Fondet e investuara për ndërtimin e dhjetëra ndërtesave të stilit barok dhe neoklasik, në kombinim me qindra monumente dhe skulptura, kishin për qëllim promovimin e një identiteti të ri kombëtar “maqedonas”.

Mungesa e literaturës

Profesoresha Ana Ivanovska Deskova pretendon që po rritet interesimi për arkitekturën moderniste të Shkupit, por gjithashtu thotë se aktualizimi i kësaj teme nuk është shfrytëzuar sa duhet në Maqedoninë e Veriut.

“Interesimi nuk do të zgjasë shumë. Do të kalojnë disa vite dhe fokusi do të kalojë tek tema të tjera”, paralajmëron profesoresha Ivanovska Deskova.

Pavel Veljanoski, arkitekt i Maqedonisë së Veriut, pajtohet me këtë konkluzion; ai është bashkëpunëtor profesional në Fakultetin e Arkitekturës dhe Dizajnit në University American College Skopje.

“Kjo është periudhë në të cilën njerëzit nga të gjitha rajonet po vijnë dhe po pyesin për restaurimin e Shkupit pas tërmetit”, thotë ai.

Ekipi arkitektural “Warsaw Tigers” (Waclaw Klyszewski, Jerzy Mokrzyński dhe Eugeniusz Wierzbicki) e projektoi Muzeun e Artit Modern në Shkup, donacion nga Polonia. Foto: Bojan Blaževski.

Në fund të vitit 2018, Pavel u regjistrua për një vizitë studimi në Krakov të Polonisë, si pjesë e organizatës “Thesaurus Poloniae” në Qendrën Kulturore Ndërkombëtare në këtë qytet. Ky institucion kulturor, i pari që u themelua pas rënies së Perdes së Hekurt në Poloni, më 10 korrik të këtij viti do ta hapë ekspozitën e titulluar “Shkupi – Qyteti i Solidaritetit”. 

Gjatë vizitës studimore, Pavel e shqyrtoi rolin e ekspertëve polakë për renovimin urban të Shkupit. Rindërtimi, ose zbatimi i Planit Urbanistik të Shkupit, u mbikëqyr nga urbanisti i njohur polak Adolf Ciborovski, ndërsa Studioja Urbanistike e Varshavës mori pjesë në projektimin e planit.

Megjithatë, pas 50 vjetësh, rezulton shumë e vështirë që të gjendet literaturë nga ajo periudhë e rindërtimit dhe solidaritetit. Pavel kujton se si u detyrua të mblidhte materiale prej disa burimeve, përfshirë këtu arkivat privatë të kolegëve më të vjetër.

“Publikimet dhe burimet e shkruara, të cilat duhet të shërbejnë si bazë për arsimimin dhe informimin në lidhje me urbanizmin dhe arkitekturën, nuk mund të gjenden në një vend të vetëm në Shkup”, thotë Pavel Veljanoski.

Nisma të reja

Së fundmi kemi parë shenja të një ndryshimi të mundshëm në qëndrimet drejt kësaj çështjeje në Shkup.

Kohët e fundit u lansua nisma për rindërtimin e sallës së sporteve “Partizan”. Konkretisht, Komuna e Karposhit dhe kryetari i saj, Stefan Bogoev, i nisën bisedimet me qeverinë dhe institucionet e tjera shtetërore, si dhe me ambasadorin francez, Christian Timonier dhe përfaqësuesit e organizatës ndërkombëtare joqeveritare “Cultural Echo”.

Kjo organizatë, në bashkëpunim me disa arkitektë, ndër të cilët Ivona Krsteska, Marija Gelmanovska, Ana Grkovska dhe Aleksandar Kochovski nga Maqedonia e Veriut, si dhe Tomás Romero Talley nga Spanja e Mateus Sartori nga Brazili, tashmë janë duke e punuar një dizajn konceptual që do të jetë baza për rindërtimin e sallës së sporteve.

“Presim që objekti së shpejti të jetë nën posedimin tonë, e pastaj mund të fillojmë ta rehabilitojmë dhe ta rindërtojmë”, thotë kryetari Stefan Bogoev. Para disa vitesh, shteti ia dha donacion këtë sallë nën koncesion një pronari privat që po e përdorte, i cili e shpërfilli fare mirëmbajtjen e saj.

Përveç përmbajtjeve që lidhen me sportet, ideja është që ky objekt ta përfshijë një kënd kulturor francez në të ardhmen. Bogoev shpreson që kjo nismë mund të shërbejë si shembull për ndërtesat e tjera të dhëna si donacion, por edhe si përkujtues i rëndësisë së solidaritetit.

Gjendja e sallës së sporteve “Partizan” në Shkup; donacion nga qeveria franceze. Foto: Bojan Blaževski.

“Është mirë që gjeneratat e reja ta dinë se solidariteti është vlerë themelore e një shoqërie. Shkupi dhe Karposhi janë ndërtuar me këtë solidaritet botëror”, insiston Kryetari Stefan Bogoev.

Arkitekti Pavel Veljanoski thekson se renovimi i objekteve është njëri nga hapat që duhen ndërmarrë. Ai beson se institucionet që i përdorin objektet e dhëna si donacion duhet të punojnë për të krijuar një program më përmbajtësor dhe më përfshirës që do t’i ringjallte këto ndërtesa e t’i kthente njerëzit në to.

“Duhen hartuar përmbajtje dhe aktivitete të ndryshme dhe t’i prezantohen popullit në mënyrë që ata të familjarizohen me projektin”, thekson Veljanoski.

“Këto ndërtesa nuk duhet të shihen si fotografi të ngrira dhe kurrë nuk duhet ta harrojmë solidaritetin ndërkombëtar kur flasim për to".

Arkitekti Pavel Veljanoski

Megjithatë, sipas tij, gjëja më e rëndësishme është që zhvillimi i këtyre objekteve të vazhdojë, edhe nëse kjo nënkupton që të bëhen eksperimente ose të ndryshojnë konsiderueshëm funksionet themelore të tyre.

“Këto ndërtesa nuk duhet të shihen si fotografi të ngrira”, thekson ai dhe shton se ndërtesat nuk duhen shpërfillur. “Kurrë nuk duhet ta harrojmë solidaritetin ndërkombëtar kur flasim për to”. 

Profesoresha Ana Ivanovska Deskova shton se ndërtesat moderniste në Shkup, përfshirë ato që janë dhënë donacion nga shtetet e huaja, janë kyçe për përcaktimin e identitetit arkitektural të qytetit. “Në dekadën e kaluar, duke i kërkuar disa vlera të ndryshme, kemi humbur – dhe ende po e humbim – një pjesë që mund të jetë gjëja më autentike dhe specifike për Shkupin”, pohon ajo.

Historia e Banja Llukës

Në veriperëndim të Shkupit, rreth 500 kilometra larg, në vitin 1969 një fat të ngjashëm e pati Banja Lluka e Bosnje-Hercegovinës. Sikurse metropoli i Maqedonisë së Veriut, edhe ky qytet vuajti nga një tërmet shkatërrues, pas së cilit komuniteti jugosllav dhe ai ndërkombëtar përsëri treguan natyrën e solidaritetit.

Sipas librit të titulluar “Banja Luka – pesë vjet pas tërmetit”, të botuar në vitet ‘70, punëtorët anembanë Jugosllavisë mblodhën fonde për ndërtimin e Shtëpisë së Solidaritetit; Qyteti i Zagrebit e ndërtoi Shkollën e Lartë Ekonomike dhe Komerciale; Bullgaria dhe Shkupi ndërtuan një shkollë.

Fakulteti i Ekonomisë në Banja Lukë sot ndodhet në ndërtesën e dhënë donacion nga Qyteti i Zagrebit pas tërmetit. Foto: Milica Pralica.

Pesë dekada më vonë, ajo që dikur ishte Shtëpia e Solidaritetit tashmë është rimodeluar në Muzeun e Republika Srpskas, kolegji i dhënë donacion nga Zagrebi është shndërruar në Fakultetin Ekonomik dhe ajo që qytetarët e Banja Llukës e kujtojnë si “Shkolla e Shkupit” rishtazi është renovuar pjesërisht me fonde nga donacionet ndërkombëtare – këtë herë në bazë të një projekti, dhe jo nga solidariteti.

Ndërtesa u restaurua meqë është njëra nga shkollat më të mëdha në Banja Llukë, dhe ende sot brenda ndërtesës ndodhet një pllakë që përkujton ndërtimin e shkollës më 1970, falë solidaritetit të Shkupit.

“Nga zanafilla e tij e deri më sot, objekti shkollor nuk e ka ndryshuar qëllimin, e as nuk e ka ndalur punën”, thotë drejtoresha e shkollës Tatjana Vilendečić, dhe shton se pavarësisht renovimit të pjesës së jashtme të ndërtesës, brendia ende po shpërfillet. 

Shkolla Fillore “Shkupi” gjatë viteve ‘80. Foto: Arkivi privat i Dražan Crnomat.

Si në rastin e Shkupit, edhe Banja Lluka i humbi dokumentet lidhur me ndërtimin e këtyre objekteve të ndërtuara në bazë të solidaritetit. Mungonin dokumentet gjatë rindërtimit të shkollës, e madje edhe plani për zbatimin e projektit. I vetmi dokument në posedim të shkollës është plani arkitektural i ndërtesës, që është në gjendje shumë të keqe – vizatimet i janë zbehur, është dëmtuar prej palosjes dhe letra është zverdhur.

Besohet se pjesa tjetër e dokumenteve ndodhen në Shkup. Drejtoresha thotë se është munduar t’i kontaktojë përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut në Bosnje-Hercegovinë, në mënyrë që ata t’i bashkohen përpjekjeve për ta restauruar pjesën e brendshme të shkollës, por nuk ka arritur rezultate konkrete deri më tani. Ajo ka dëshirë që përfaqësuesit e Shkupit të jenë të pranishëm në 50-vjetorin e themelimit të shkollës.

Shkolla planifikon ta festojë këtë përvjetor, por askush nuk e di nëse qyteti do të organizojë ndonjë festë.

“Meqë po jetojmë në kohë të historive të reja dhe të revizionizmit historik, shpresoj që Banja Lluka nuk do ta harrojë solidaritetin e demonstruar nga republikat e atëhershme jugosllave, si dhe nga e gjithë bota”, konkludon Tatjana Vilendečić.

Megjithatë, kujtimet e solidaritetit ka kohë që po veniten, si në Shkup ashtu edhe në Banja Llukë.K

Foto kryesore: Bojan Blaževski

Gazetarja Milica Pralica nga Banja Lluka (Bosnje-Hercegovinë) mori pjesë në hulumtime për qëllimet e këtij teksti.