Në thelb | Krime Lufte

Përmbyllja e Kizhevakut

Nga - 26.05.2021

Përfundon hetimi në varrezën masive të Kizhevakut pas konfirmimit të nëntë mbetjeve mortore.

Të mërkurën e 26 majit mbaruan gërmimet gjashtëvjeçare në një minierë të hapur në Kizhevak të Serbisë, jo shumë larg qytezës së Rashkës që gjendet afër kufirit verior të Kosovës. Si rrjedhojë, sot janë konfirmuar mbetjet e nëntë njerëzve të zhdukur nga lufta e Kosovës. Hetimi ka tërhequr interes të madh publik në Kosovë gjatë muajve të fundit ndërsa hetuesit i afroheshin identifikimit të mbetjeve njerëzore. Për ta shënuar fundin e një pune të gjatë për arkeologët e mjekësisë ligjore, ekskavatori i vetëm ka lënë një tufë trëndafilash të kuq në vendndodhje. 

Për ekspertët e përfshirë në gjetjen e viktimave — Misioni i Bashkimit Evropian për Sundiin te Ligjit në Kosovë (EULEX), Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës, si dhe komisionet përkatëse qeveritare të Kosovës dhe Serbisë për Personat e Zhdukur — ky ka qenë hetimi më sfidues nga lufta e Kosovës. 

“Kemi pasur informata se ka trupa të shqiptarëve të Kosovës, por nuk e kemi ditur vendndodhjen e saktë”, ka thënë antropologu i mjekësisë ligjore nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Ditor Haliti për K2.0. “Në fillim kemi gërmuar në bazë të dëshmitarëve, por informatat nuk kanë qenë të sakta sepse ka kaluar kohë e gjatë”.

Kërkimi i gjatë dhe i vështirë

Vetëm më 16 nëntor 2020 janë gjetur mbetjet e para njerëzore në gurore pas disa stinëve të pasuksesshme të gërmimeve — zakonisht në pranverë dhe në verë — me përdorimin e imazheve ajrore nga 1999 që janë bërë të disponueshme tek në vitin 2019. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ia ka dhënë imazhet Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Persona të Zhdukur me kërkesën e EULEX-it.

“Problemi ishte se këto janë gurore të mëdha dhe relievi ka ndryshuar me kalimin e kohës sepse gurorja është përdorur për disa vite më pas”, ka thënë arkeologu i mjekësisë ligjore i EULEX-it Javier Santana në një komunikatë për shtyp në nëntor 2020.

Photo: Atdhe Mulla / K2.0

Kreu i Komisionit të Serbisë për Persona të Zhdukur Veljko Odalović dhe përfaqësuesi për personat e zhdukur në ekipin negociues të Kosovës për bisedimet Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja Ibrahim Makolli kanë thënë për mediat se po e presin raportin përfundimtar para analizës së ADN-së për shtatë mbetjet e gjetura gjatë tri javëve të fundit. Arkeologët e mjekësisë ligjore kishin rifilluar punën më 5 maj pasi ishin detyruar të pushonin për shkak të pandemisë dhe motit të lig.

Ata kanë shtuar se mbetjet trupore të dy viktimave tashmë janë gjetur dhe janë identifikuar para disa muajsh. Mbetjet e një viktime të tretë kanë pasur mostra të ADN-së që janë përputhur me mbetjet që janë gjetur më parë në varrezën masive të Rudnicës — një gurore e zbuluar në vitin 2014 — që do të thotë se mbetjet e personit janë gjetur në dy varreza masive të ndryshme.

“Kjo varrezë masive [Kizhevaku] lidhet drejtpërdrejt me masakrat e kryera në rajonin e Drenicës”, ka thënë Makolli.

Një ndër shumë skena krimi

Makolli thotë se besojnë që mbetjet e gjetura në Kizhevak janë të viktimave që janë vrarë në masakrën e Rezallës, fshat i komunës së Skënderajt në rajonin e Drenicës, ku më 5 prill 1999 janë vrarë 42 civilë shqiptarë. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), masakra e Rezallës ka ndodhur gjatë një operacioni të ndërmarrë nga Ushtria Jugosllave dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP) dhe mbetjet njerëzore të 28 viktimave nga ky fshat janë zhvarrosur në Rudnicë.

Raportet që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë po ashtu shënojnë që, përveç masakrës së Rezallës, mbetjet e viktimave të gjetura në varrezën masive të Rudnicës u përkasin edhe vikrimave të masakrave të Çikatovës së Vjetër, Zabelit të Ulët, Gllanasellës, të cilat po ashtu kanë ndodhur në Drenicë.

Mes janarit 1998 dhe dhjetorit 1999 janë vrarë ose janë zhdukur më se 13,000 njerëz gjatë luftës ose si pasojë e luftës së Kosovës. Mbi 10,000 prej tyre kanë qenë civilë. FDH-ja vlerëson se 8,693 shqiptarë, 1,196 serbë dhe 445 romë e minoritete të tjera janë vrarë në Kosovë. Në fund të luftës është vlerësuar se kanë qenë 5,500-6,000 persona të zhdukur, por ky numër është zvogëluar me kalimin e viteve, kryesisht për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të varrezave masive. Sot mbesin edhe 1,600 njerëz të zhdukur: mbi 1,000 shqiptarë, si dhe 400 serbë, romë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera minoritare.

Photos: Atdhe Mulla / K2.0

Deri më sot janë zhvarrosur trupat e më se 940 shqiptarëve të Kosovës në territorin e Serbisë që janë zhdukur nga forcat serbe. Një varrezë masive në fshatin Petrovo Selo të Vojvodinës në Serbinë veriore ka përmbajtur mbetjet e së paku 61 viktimave, ndërsa 84 sosh janë gjetur në Liqenin Peruqac në Serbinë perëndimore. Zbulimi më i vonshëm para Kizhevakut ka qenë një varrezë masive në guroren e Rudnicës afër Rashkës. Janë gjetur po ashtu varreza të tjera masive brenda Kosovës.

Sipas FDH-së, trupat e gjetur në varrezat masive nuk kanë qenë vetëm të burrave, por edhe të grave e fëmijëve. Në shumicën e rasteve, shkaku i vdekjes së tyre ka qenë goditja me armë të zjarrit, kryesisht në kokë, gjë që nënkupton se viktimat nuk kanë vdekur në betejë, por si rezultat i vrasjeve në stilin e ekzekutimit jashtë luftimeve.

Mosndëshkimi vazhdon

FDH-ja ka thënë vazhdimisht se informatat për mbartjen e fshehtë të trupave të shqiptarëve të Kosovës nga Kosova në Serbi dhe për mbulimin e tyre në varreza masive janë zbuluar për herë të parë më 25 maj 2001 në një dokument të quajtur “Informata”, të përgatitur nga një grup punues i MUP-it për ta hetuar çështjen.

Në vitin 2014, ish-ndihmësi i ministrit të MUP-it serb dhe kreu i Entit të Sigurisë Publike Vlastimir Djordjević është dënuar me 18 vjet burgim nga Tribunali Penal për Ish-Jugosllavinë (ICTY) për shkak të rolit të tij në maskimin e masakrave të shqiptarëve të Kosovës; por askush tjetër nuk është dënuar as në gjykatat serbe, as në ato ndërkombëtare.

Sipas Human Rights Watch ka po ashtu shpërdorime që dyshohet se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila thuhet se ka rrëmbyer dhe ka vrarë civilë gjatë luftës dhe pas saj, përfshirë njerëzit e grupeve minoritare.

Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe katër të tjerë po gjykohen aktualisht nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë për këto akuza që nga viti i kaluar.

Photo: Atdhe Mulla / K2.0

“Janë disa vendndodhje të dyshuara në Serbi që besojmë se do të adresohen në javët dhe muajt e ardhshëm. “Sipas zyrtarëve serb, dyshohet se ekzistojnë 16 varreza masive “, tha Makolli, duke shtuar që kjo është cituar publikisht nga autoritetet serbe dhe se vetëm 5 prej 16 prej tyre janë zbuluar deri më sot.

Ndërsa Odalović ka thënë se çdo vendndodhje ku ka informata për varreza të mundshme masive do të jetë pjesë e hetimit brenda Serbisë dhe Kosovës.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Korrigjim (11 qershor 2021): Në versionin origjinal të këtij artikulli, ishte dhënë informata e pasaktë që “Më shumë se 13,000 njerëz u vranë në Kosovë” midis janarit 1998 dhe qershorit 1999. Tani, ky informacion është korrigjuar pasiqë numri i dhënë i referohet numrit të njerëzve që janë vrarë ose zhdukur në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 1999. 

Shënim i redaktorit (11 qershor 2021): Përkthimi i thënies së fundit nga Ibrahim Makolli është përshtatur pas publikimit me qëllim që të qartësohet se nga 16 varreza masive që dyshohet të ekzistojnë në Serbi, pesë prej tyre janë zbuluar. Përkthimi paraprak i kësaj thënieje linte të kuptohej që ende dyshohet për 16 varreza masive të pazbuluara.