Pikëpamje | COVID-19

Përse është shëndetësia në Ballkan vdekjeprurëse?

Nga - 02.04.2021

Nëpërkëmbja e sistemeve shëndetësore të rajonit kushton jetë njerëzish.

Autoritetet shqiptare ishin të parat në Ballkan që lajmëruan vdekjen e parë të ndërlidhur me COVID-19 më 11 mars 2020 pasi një grua kishte ndërruar jetë në Spitalin e Durrësit. Prej atëherë, gjashtë shtetet kanë raportuar mbi 20,000 vdekje dhe 1.2 milionë raste infektimi me virusin.

Para se pandemia ta trondiste botën, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar rrallëherë për politikat e shëndetësisë. Interesi publik është përqendruar në raportimet për korrupsionin dhe nepotizmin brenda sektorit të shëndetësisë ose në ikjet e vazhdueshme të punëtorëve shëndetësorë drejt BE-së.

Tash, meqë fokusi ka ndryshuar, disa pyesin me të drejtë se çfarë ndikimi do ta kishin politikat e ndryshme për shpëtimin e jetëve të humbura dhe mbrojtjen e të mbijetuarve pas infektimit nga pasojat afatgjata ende të panjohura dhe pak të studiuara të virusit.

E ç’është më me rëndësi, çfarë mund të bëhet për t’i mbrojtuar ata që deri më tash ia kanë dalë t’i shmangen virusit.

Testimi i sistemit

Që nga fillimi i pandemisë deri më 21 mars 2021, Ballkani Perëndimor si tërësi ka pasur më pak raste për 100,000 banorë sesa 11 shtete të BE-së, përfshirë Francën, Estoninë, Slloveninë dhe Çekinë. Rajoni po ashtu ka shënuar më pak vdekje sesa 16 shtete të BE-së, përfshirë Luksemburgun, Suedinë dhe Belgjikën.

Këto shifra dhe krahasime janë befasuese dhe shpërfillen rregullisht me një skepticizëm të bazuar në faktin se rajoni ka testuar më pak sesa BE-ja.

Ç’është e vërteta, pavarësisht nga përpjekjet e sistemeve shëndetësore të Ballkanit Perëndimor për t’i shpeshtuar testimet, ato prapëseprapë kanë testuar më pak se BE-ja. Sidoqoftë, bërja e më shumë testeve nuk do të thotë domosdo se do të ketë më shumë raste dhe vdekje të konfirmuara. 

Kjo bëhet e qartë kur shqyrtojmë dy hapësira të pasura të BE-së, por me popullsi të ngjashme me atë të Ballkanit Perëndimor: Holandën dhe rajonin gjerman Nordrhein-Westfalen. 

Sistemet shëndetësore e kanë pasur të pamundur të kompensojnë për periudhën e gjatë të mungesës së investimeve në stafin dhe laboratoret e tyre.

Të dyja sistemet shëndetësore kanë kryer rreth 4 milionë testime më shumë sesa Ballkani Perëndimor. Kjo përbën në një ndryshim të madh prej 40%. Por ndondëse Holanda ka shënuar 6% më shumë raste, Nordrhein-Westfalen ka shënuar 48% më pak.

Ajo që në fakt shfaq numri i testimeve në Ballkan është se, pavarësisht nga përpjekjet dhe mbështetja e sadopaktë nga jashtë, sidomos prej BE-së, sistemet shëndetësore e kanë pasur të pamundur të kompensojnë për periudhën e gjatë të mungesës së investimeve në stafin dhe laboratoret e tyre. 

Për shembull, Bosnja dhe Hercegovina ia ka dalë t’i rrisë kapacitetet e testimit nga 30,000 në 130,000 sosh në muaj nga prilli 2020 në mars 2021. Por kjo prapëseprapë nuk ka mjaftuar për t’i arritur sistemet e zhvilluara shëndetësore të BE-së. Për këtë do të nevojitej planifikim dhe investim afatgjatë. 

Përpëlitja për mbijetesë

Shifrat e testimit po ashtu shpërfaqin dallime mes vendeve të rajonit.

Në Shqipëri, 68% e të gjitha testeve janë bërë në rajonin e Tiranës, ku jeton vetëm 32% e popullsisë. Për çdo 100,000 njerëz, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina, dy vendet që kanë kryer punën më të dobët, kanë testuar tri herë më pak sesa Mali i Zi.

Për çdo 100,000 banorë, Mali i Zi ka shënuar më shumë raste me COVID-19 sesa secili vend tjetër në Ballkanin Perëndimor dhe në BE.

Si përgjigje ndaj përhapjes së virusit, autoritetet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur vështirësi për baraspeshimin e masave më të shtrënguara të mbylljes me trysninë për t’i mbajtur gjallë ekonomitë tashmë të dobëta.

Pa ndonjë përvojë për zhvillimin e suksesshëm të politikave të bazuara në dëshmi, qeveritë po ashtu janë detyruar të hartojnë programet ekonomike të mbështetjes me mjete mjaft modeste financiare.

Në krahasim me BE-në, përveç gjatë tre muajve të parë të pandemisë, rajoni jo vetëm që ka vendosur masa më të çlirëta të mbylljes, por edhe e ka pasur të vështirë t’i zbatojë ato.

Pasojat e një qasjeje të tillë shihen më së qarti në Malin e Zi. Autoritetet në këtë vend, të cilat ishin të zëna me një proces tremujor për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve në gusht 2020, kanë pasur vëshirësi të gjejnë mënyra për ta mbështetur edhe sektorin e tyre më të rëndësishëm. Gjatë vitit 2020, turizmi ka pësuar rënie prej 83%.

Mesatarisht për çdo 100,000 banorë, Mali i Zi ka shënuar më shumë raste me COVID-19 sesa secili vend tjetër në Ballkanin Perëndimor dhe në BE. Autoritetet janë përqendruar në rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor. Në mars 2020, kapaciteti ditor për testim ka qenë 20, ndërsa në mars 2021 është rritur në afro 1,600.

Më tej, numri i shtretërve të spitalit për pacientë me COVID-19 është rritur nga 50, sa ka qenë në fillim, në 200 gjatë gushtit 2020 dhe në mbi 500 gjatë marsit 2021.

Pavarësisht nga investimet, sistemi shëndetësor ka pasur vështirësi për t’i mbajtur gjallë pacientët me COVID-19. Për çdo 100,000 banorë, Mali i Zi ka shënuar më shumë vdekje sesa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së, përveç Çekisë.

Ekspertët nuk kanë arritur të japin përgjigje të qartë përse disa vende shënojnë më shumë vdekje se sa të tjerat. Faktorët e mundshëm përfshijnë qëndrueshmërinë e përgjithshme të sistemit shëndetësor dhe shëndetit të popullatës, disponueshmërinë e trajtimeve dhe madje nivelet e ndotjes së ajrit.

Sidoqoftë, këto prapëseprapë nuk japin shpjegim të plotë përse Mali i Zi, me 44% më shumë raste për 100,000 banorë, ka shënuar më shumë vdekje sesa Serbia. Ose përse Bosnja e Hercegovina, me 69% më pak raste për 100,000 banorë, ka shënuar vetëm 14% më pak vdekje se Mali i Zi.

Vaksinimi i sistemit

Dobësitë e Ballkanit Perëndimor janë shpërfaqur te çështja e vaksinimit kundër COVID-19.

Në verën e vitit 2020, qeveritë nëpër BE tanimë kishin zhvilluar politika të vaksinimit bazuar në supozimet se për ta mbrojtur popullatën nga virusi do të duhej të vaksinoheshin mes 60% dhe 90% të popullatës. Kjo është një ndër arsyet përse në fillim të tetorit 2020, ato kishin nënshkruar kontrata për të blerë 1.1 miliardë doza për 447 milionë qytetarët e tyre.

Për ta bërë të njëjtën gjë, qeveritë në Ballkanin Perëndimor është dashur të blejnë mjaft doza për të vaksinuar mes 10.7 dhe 16.1 milionë njerëz. Meqë shumica e vaksinave kërkojnë dy doza për çdo person, kjo do të nënkuptonte që rajonit i duhen mes 20 dhe 30 milionë doza të vaksinave.

Por çfarë kanë bërë qeveritë e Ballkanit Perëndimor?

Deri në tetor 2020, gjashtë vendet kanë siguruar kontrata për 5.2 milionë doza të vaksinës përmes mekanizmit Covax. Me përjashtim të Serbisë, asnjë qeveri tjetër nuk është angazhuar për blerje në tre muajt në vazhdim.

Arsyeja për pasivitetin e tyre është që, në mesin e dhjetorit 2020, Komisioni Evropian kishte nënshkruar kontrata për të blerë 2 miliardë doza për 447 milionë qytetarët e saj dhe kishte premtuar prapa dyerve të mbyllura se Ballkani Perëndimor do të mund t’i merrte tepricat e vaksinave të BE-së.

Qeveritë në rajon, pa ndonjë kornizë të qartë kohore ose sigurime nga Covax-i ose BE-ja, thjesht kanë menduar se mund ta nisin vaksinimin me 5.2 milionë dozat e Covax-it dhe se mund t’ia dalin në krye me tepricat e BE-së.

Ky ka dalë se është plan me të meta pas shfaqjes së mungesave dhe vonimeve në dhënien e vaksinave në BE. Në vend se të përpiqeshin për të gjetur alternativa të mundshme, që me kaq vonesë së shumti do të sillnin ndonjë sukses afatshkurtër, shumica e qeverive nuk kanë bërë asgjë.

Të ballafaquar me një realitet të tillë të zymtë dhe me trysninë e qytetarëve, qeveritë në rajon më në fund kuptuan se duhet të shqyrtojnë mënyra të tjera për t’u pajisur me vaksina.

Ishte në javën e fundit të janarit 2021 kur Presidentja e Komisionit Evropian dha premtimin publik se Ballkani Perëndimor do të mund t’i shfrytëzojë tepricat e BE-së. Por në të njëjtën kohë, Ursula von der Leyen e ka bërë të qartë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse nuk “pengon fushatat tona kombëtare të vaksinimit dhe nëse bëhet në bashkërendim me kompanitë farmaceutike”.

Të ballafaquar me një realitet të tillë të zymtë dhe me trysninë e qytetarëve, qeveritë në rajon më në fund kuptuan se duhet të shqyrtojnë mënyra të tjera për t’u pajisur me vaksina.

Në Bosnjë e Hercegovinë, për shkak të organizimit të decentralizuar të vendit, së paku katër qeveri ia kanë dalë të bëjnë blerje të drejtpërdrejta. Megjithatë, deri më tash, përveç disa donacioneve dhe vaksinimeve individuale në Serbi, vetëm një qeveri ka arritur të blejë drejtpërdrejt dhe t’i pranojë 42,000 doza të Sputnik V.

Serbia është i vetmi vend në rajon që në verën e vitit 2020 ka filluar të bëjë marrëveshje për blerjen e drejtpërdrejtë të vaksinave. Për 7 milionë qytetarë, ajo deri më tash ka porositur 15 milionë doza nga prodhuesit në BE, ShBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, por edhe nga Rusia, Kina dhe India.

Me fokus për të blerë sa më shumë vaksina që është e mundur, qeveria është kritikuar rëndë për mungesën e transparencës. Meqë vaksinimi po ndodh në një kohë kur dëshmitë shkencore për efikasitetin dhe sigurinë e disa prej vaksinave të blera mungojnë, disa pretendojnë se qeveria po luan rulet me shëndetin e vendit.

Me ritmin e tanishëm të vaksinimit, me përjashtim të Serbisë, asnjë nga vendet nuk mund të shpresojë që realisht t’i vaksinojë 60% deri 90% të popullsisë këtë vit.

Ndërsa vendet e tjera të rajonit përballen me vështirësi në blerjen e vaksinës, Serbia po përpiqet të bindë mjaft qytetarë për ta marrë atë. Në një shoqëri të ekspozuar ndaj lajmeve të rreme, teorive konspirative dhe me besim të zbehur në institucione, nuk është për befasi që deri më tash, edhe pse vaksinat janë gjerësisht të disponueshme, vetëm 20% të qytetarëve kanë aplikuar për ta marrë atë. Për t’i vaksinuar rreth 60% dhe 90%, sfida e autoriteteve në Serbi është të zbatojnë politika me qëllim të ndërtimit të besimit. Disa paralajmërojnë se vendet e tjera në rajon do të përballen me të njëjtën sfidë sapo të nisin të vijnë vaksinat.

Ndonëse mekanizmi Covax ka filluar të dërgojë vaksinat e para në rajon në javën e fundit të marsit 2021, asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka përfituar deri më tash nga tepricat e BE-së.

Me ritmin e tanishëm të vaksinimit, me përjashtim të Serbisë, asnjë nga vendet nuk mund të shpresojë që realisht t’i vaksinojë 60% deri 90% të popullsisë këtë vit. Kjo do të thotë që, përderisa nuk ka ndonjë ndryshim të madh që të shkaktojë ardhjen e tepricave të BE-së në rajon, qytetarët dhe politikëbërësit duhet të përgatiten për të gjetur baraspeshën mes masave të shtrënguara të mbylljes dhe trysnisë për t’i mbajtur gjallë ekonomitë akoma më të dobësuara.

Njerëzve u thuhet se mirëqenia dhe shëndeti i tyre pasqyrojnë një përzierje të vendimeve të tyre personale dhe prapavijës familjare. Ajo që u thuhet rrallë, sidoqoftë, është që mirëqenia dhe shëndeti lidhen ngushtë me politikat publike të qeverive të tyre.

Meqë pandemia COVID-19 do të vazhdojë të jetë në mesin tonë, kjo duhet të bëhet e vetëkuptueshme për qytetarët anekënd Ballkanit Perëndimor. Dhe duhet të veprojnë në mënyrë që politikat të japin rezultate më të mira sa më shpejt që është e mundur.

Imazhi i ballinës: Artem Podrez via CC.

KOMENTO