Në thelb | Serbia

Piktor, shkrimtar, punëtor sezonal

Nga - 29.06.2022

Një artist i ri rom i gjendur në mes Bujanocit dhe Vojvodinës.

Më 16 maj, për ta shënuar Ditën e Rezistencës Rome, Qendra Kulturore në Preshevë organizoi një ekspozitë me piktura të Ajvanko Ismailović, “piktor, shkrimtar dhe punëtor sezonal”, siç i pëlqen ta përshkruajë veten.

Ndonëse vjen nga Bujanoci, një qytet në jug të Serbisë, afër Preshevës, në ekspozitë autori arriti nga Ratkovo, një fshat në Serbinë veriore, në Vojvodinë, ku për çdo vit shkon për të punuar, së bashku me gjyshin e tij sipas të cilit është emëruar, si dhe me shumë anëtarë tjerë të e familjes së tij. Aty edhe po planifikon të zhvendoset.

Për çdo vit, dhjetëra familje rome bëjnë të njëjtin udhëtim nga jugu për në veri si ajo e Ismailović, për të punuar punë sezonale bujqësore. Ata thonë se është e vështirë të gjesh punë në jug dhe se jeta nganjëherë bëhet jashtëzakonisht e vështirë. Për këtë arsye disa prej tyre, përfshirë edhe familjen e Ismailović, po mendojnë të zhvendosen në Ratkovo, një qytet i vogël i cili vetë ka filluar të braktiset ngadalë, pasi që banorët e tij po largohen për në Evropën Perëndimore në kërkim të një jete më të mirë.

Ajvanko Ismailović është piktor, shkrimtar dhe punëtor sezonal nga Bujanoci, i cili punon në Ratkovo. Fotografia: Dejan Kožul.

Historia e familjes Ismailović është njëra nga historitë e shumta të migrimeve të brendshme në Serbi. Çfarë e dallon nga të tjerat është arti i të riut Ajvanko.

Udhëtimi i parë në Ratkovo

Rreth pesë vjet më parë, Ajvanko shkoi në veri për herë të parë me gjyshin e tij, i quajtur gjithashtu Ajvanko, si dhe me rreth 30 të tjerë nga Bujanoci. Ishte pranverë, stinë kjo e mbjelljes së specave dhe e vjeljes së dredhëzave. Qëndruan aty për më shumë se një muaj pune të vështirë. Plaku Ajvanko, deda Ajvanko, kujton se pas vjeljes së dredhëzave i pyeti pronarët nëse ka punë deri në vjeshtë. Kur ata pohuan, bashkë me familjen e tij vendosi të qëndronte në Ratkovo edhe për disa muaj, kurse pjesa tjetër e banorëve të qytetit u kthyen në jug. Që atëherë kohën e tij e kalon në mes veriut dhe jugut.

“Jam në Ratkovo që pesë vjet. Çdo vit, gjithnjë e më shumë punëtorë vijnë për të kërkuar punë. Tash nganjëherë janë 70, 80 e më shumë punëtorë”, tha deda Ajvanko, duke shtuar se ka punë gjatë gjithë vitit. Ndonjëherë ka aq shumë punë sa që nuk u del kohë ta vizitojnë shtëpinë e tyre në Bujanoc. Këtë vit ai dhe familja e tij po planifikojnë të qëndrojnë aty të paktën deri në tetor, e ndoshta edhe më gjatë.

Deda Ajvanko thotë se jeta në jug të Serbisë është e vështirë.

Boško është në mesin e atyre që udhëtojnë rregullisht në Ratkovo për punë. Ai vjen me bashkëshorten e tij, e cila ishte pjesë e grupit të parë të punëtorëve sezonalë në vitin 2017. “Kur humba punën në pronën e një shqiptari në Bujanoc, ku merrja një pagesë ditore për vozitjen e kamionetës të bagëtive, erdha te bashkëshortja ime në Ratkovo dhe kështu filluam të punojmë së bashku”, tha Boško, para se të ankohej se në jug “nuk ka punë, nuk ka kompani, nuk ka gjë”, kurse në Ratkovo “njeriu mund të jetojë”.

Edhe deda Ajvanko thotë se jeta në jug të Serbisë është e vështirë dhe se ka kërkuar punë edhe jashtë vendit. Ka provuar Zvicrën dhe Gjermaninë, duke punuar pa kontratë, por s’kishte asnjë mundësi që të qëndronte dhe t’ia dilte “ta ushqente një familje prej 10 anëtarësh”. Sot, në moshën 67 vjeçare, mendon ta gjejë një shtëpi në Ratkovo, të zhvendoset dhe ta lërë pas Bujanocin. Mund ta blejë një shtëpi me ndihmën e një donacioni prej 10,000 euro nga qeveria serbe. Donacione të tilla kanë për qëllim t’i ndihmojnë njerëzit të blejnë shtëpi në zonat rurale si Ratkovo, ku, si në shumë fshatra të Vojvodinës, numri i shtëpive bosh është në rritje e sipër, për shkak të largimit masiv të njerëzve.

“E kemi lirinë dhe tani kemi punë në Vojvodinë. Më pëlqen këtu sepse familja ime është e sigurtë. Punojmë kudo dhe jemi të kënaqur”, tha deda Ajvanko.

Boško, djali, bashkëshortja e djalit dhe katër nipërit e të cilit jetojnë në Bujanoc, i sheh gjërat njësoj.

“Nipërit e mi vijojnë shkollën, djali im punon në ndërtimtari private herë pas here, merr ndihmë financiare për fëmijë sepse ndjekin shkollën dhe një pagesë të vogël të mirëqenies sociale”, tha Boško, duke shtuar se me kënaqësi do të largohej nga Bujanoci, ku asnjëri nga 10 anëtarët e familjes së tij nuk është i punësuar. “Njëri nga djemtë e mi merr 12,000 dinarë”, tha ai, që i bie rreth 100 euro, “tjetri merr 6,000. Me ato para, nuk mund ta paguaj as faturën e energjisë elektrike, e lëre më të mbijetoj”.

Boško flet për jetën e tij në Ratkovo, duke thënë se gjatë sezonit ka shumë punë, kështu që mund të kursejnë para, për ta mbuluar nëntorin deri në mars, kur ka më pak punë. “S’na ka mbetur asgjë atje. Dhe kësisoj mundohemi shumë, duke e jetuar këtë jetë të varfërish, siç thonë ata”, tha Boško.

Megjithatë, tha se i mungon Bujanoci, ku e tërë familja e tij ka lindur dhe ka jetuar prej vitesh.  Mirëpo jeta po e shtyen në një pjesë tjetër të vendit.

Nostalgjia për jugun

Ajvanko, i riu, flet për Bujanocin me shumë nostalgji.

“Gjyshi na dërgonte tek stacioni i autobusëve në Bujanoc për akullore të butë. Hanim akullore dhe shikonim autobusët teksa vinin e shkonin”, tha ai, duke shtuar se kjo nuk ndodhë më. “Dikush bleu stacionin e autobusit dhe sa herë që kaloj andej ndihem keq. Gjenerata të tëra u rritën aty. Kam aq shumë kujtime në atë stacion”, tha Ajvanko, i cili nuk është mësuar me ndryshimet.

Në roman, Ajvanko përmes heroit kryesor Amilit, përshkruan Bujanocin e sotëm.

Përmes artit të tij, Ajvanko ruan kujtimet e fëmijërisë së tij nga Bujanoci. Herë përmes poezisë, herëve të tjera përmes prozës dhe herë-herë duke pikturuar. Në mars të këtij viti e promovoi romanin e tij të parë, “Vrtlog strasti” (në shq. “Një vorbull pasioni”). Kësisoj, u bë romi i parë nga Bujanoci që shkroi roman për jetën e përditshme të komunitetit në qytet.

Në roman, Ajvanko përmes heroit kryesor Amilit, përshkruan Bujanocin e sotëm, por po ashtu shkruan edhe për atë se çka do të sjellë e nesërmja, për jetën dhe zakonet tradicionale rome, si dhe migrimet dhe traumat që i kanë pësuar njerëzit e zakonshëm.

“Asnjëherë më parë nuk kam shkruar diçka kaq gjatë. Por u ndieva se duhet ta provoja”, tha Ajvanko, duke shtuar se deri më tani ishte frikësuar t’i shpaloste të gjitha ndjenjat e tij për vendlindjen.

Ajvanko dhe punëtorët e tjerë sezonalë kuptuan se njerëzit në Ratkovo janë mikpritës. Fotografia: Dejan Kožul.

Ai tha se shembull për të ishte Meti Kamberi, një autor i ri rom nga Nishi, romani i të cilit “Grad bola” (në shq. “Qyteti i dhimbjes”), përshkruan rrugën nga një fëmijë i rrugës në një shkrimtar. “Duke lexuar librin e Metit, u ndieva se e kisha në vete dhe i thashë vetës, nëse ai mund ta bëjë, atëherë mund ta bëj edhe unë. Më dha guxim të provoj diçka më serioze”, shpjegoi Ajvanko.

Ai gjeti mbështetje dhe mirëkuptim nga familja e tij. Deda Ajvanko vuri në dukje se është krenar për nipin e tij, i cili “shkruan mirë” dhe se është i lumtur sepse shkruan për Bujanocin. Po ashtu theksoi se meqë punon në Bujanoc, të gjithë e duan nipin e tij.

“Kur e regjistruam në shkollë, me aq sa kam mundur jam përpjekur ta ndihmoja të vazhdonte më tej. Nuk mund ta përballonim ta ndiqte universitetin, por dëshirova që ai të shkonte në Sremska Mitrovica [të studionte për akademinë e policisë] dhe të bëhej zyrtar policor. Ishte nxënës i shkëlqyer, në disa raste është shpërblyer nga kryetari i komunës së Bujanocit”, tha deda Ajvanko.

Një mikpritje e ngrohtë në Ratkovo

Ajvanko nuk planifikon të regjistrohet në fakultet. Ai tha se nuk beson se është ajo çfarë dëshiron. Ka mbaruar shkollën e mesme ekonomike dhe mendon se diploma universitare nuk do ta ndihmojë t’i arrijë qëllimet që ia ka vendosur vetes, të bëhet një shkrimtar dhe piktor më i mirë.

Gjithnjë e më pak të rinj jetojnë në Ratkovo. Edhe ata që kanë ngelur, kanë tendencë ta përfundojnë shkollën e mesme dhe të largohen në kërkim të një pune ose shkollimi të mëtejshëm. Megjithatë, Ajvanko tha se i pëlqen se si po ecin gjërat në veri.

“Këtu gjithçka më duket mirë, na mirëpresin kudo”

Ajvanko Ismailović

“Këtu gjithçka më duket mirë, na mirëpresin kudo, ndonëse në fillim menduam se si do të na pranonin njerëzit. Familja ime është këtu, komuniteti im, njerëzit e mi. Kam me kë të flas, ta ndaj atë që e kam brenda. Si përfundim, gjithçka është në rregull”, tha ai.

Ajvanko dhe familja e tij janë të mirënjohur në Ratkovo, një vend me shumë njerëz që vijnë nga pjesët tjera të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Teksa shëtit rrugëve, banorët e zonës i afrohen dhe e urojnë për botimin e librit të tij. Herë pas here shpërndan kopje falas.

Derisa familjet rome erdhën nga jugu, me shumë fëmijë, qyteti po shuhej dhe dalëngadalë po braktisej. Tani gjërat po ndryshojnë.

Ndonëse për momentin do të qëndrojë në Ratkovo, Ajvanko thotë se nuk do të largohej asnjëherë nga Bujanoci, edhe pse na tha se është e vështirë të parashikohet se çfarë mund të sjellë e ardhmja. Nëse duhet, të paktën do ta mbajë lidhjen përmes artit të tij.

“Bujanocin e dua shumë dhe gjithçka në Bujanoc. Por nuk ka punë dhe nuk mund të mbijetosh”, tha ai, duke shtuar se zhvendosja në Vojvodinë dhe Ratkovo ishte e vështirë, veçanërisht viti i parë. “Tash kjo ka ndryshuar. Por sot e ndiej nevojën të kthehem në Bujanoc sepse ai qytet më frymëzon jashtëzakonisht shumë”.

Megjithatë, ai gjen frymëzim edhe në Vojvodinë, posaçërisht për pikturat e tij. “Po planifikoj që ekspozitën time të parë me piktura ta bëj në Bujanoc. Shpresoj që kjo të ndodhë para përfundimit të vitit”, tha ai. “E pas Bujanocit, këtu në Vojvodinë”.

Imazhi i ballinës: Dejan Kožul.