Shumica e shteteve të ish-Jugosllavisë, më shumë se 25 vjet pas shpërbëries së kësaj federate, janë në mesin e vendeve më të varfra në Europë dhe janë në gjendje të vazhdueshme të krizës politike. Pavarësisht kësaj, më shumë përmenden idetë për ndarjen e mëtejme të shteteve ekzistuese sesa që përmendet ndonjë qasje e unifikuar për të arritur atë që të gjithë liderët politikë pretendojnë se e kanë synim: integrimin europian dhe stabilitetin.
Shembulli më i mirë për këtë është me gjasë Bosnja dhe Hercegovina (BeH). Ky shtet – i përbërë prej dy entiteteve, Republika Srpska dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës – është në mesin e 20 shteteve më të varfra në Europë. Sidoqoftë, në vend se të kërkojnë mënyra për ta tejkaluar këtë situatë të rëndë ekonomike, liderët vendorë po përfshihen në argumente për ndarje dhe shkëputje të mëtejme.
Në mes të gushtit, presidenti i Republikës Srpska (RS) dhe lideri i partisë udhëheqëse, Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), Milorad Dodik, e dha këtë deklaratë: “Nuk duhet të jemi naivë. Në përputhje me trendet botërore, duhet të jemi të unifikuar rreth idesë që e ka emrin Republika Srpska, gjegjësisht për fuqizimin dhe ekzistencën e saj”.
Fjalët e tij, si në shumë raste të tjera, nuk u vënë në dyshim nga mediat në Republikën Srpska, e as nuk u analizuan, por me kuptimin e plotë të fjalës u transkriptuan dhe u transmetuan si porosi. Mediat lokale në Bosnjë dhe Hercegovinë, me disa përjashtime, në masë të madhe konsiderohen si shumë të kontrolluara nga politikanët vendorë, veçanërisht në Republikën Srpska.
Shumë analistë kanë pohuar se mediat publike të Republikës Srpska – Radio Televizioni i RS-së dhe agjencia e lajmeve SRNA – si dhe një pjesë e mediave private në këtë entitet, një kohë të gjatë janë kontrolluar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga partia udhëheqëse e Dodik-ut, SNSD-ja. Të gjitha këto media e informojnë me kujdes publikun për zhvillimet në lidhje me shkëputjen e mundshme të disa krahinave të caktuara nëpër botë. Ato rregullisht u japin prioritet lajmeve të tilla para zhvillimeve relevante lokale.
Në këtë mënyrë, rëndësi të madhe u dhanë lajmeve si situata në Krime, kërkesat e Katalonisë për shkëputje, e madje edhe Brexit. Kështu mediat u përpoqën ta mbajnë temën e shkëputjes vazhdimisht të pranishme në diskursin publik, që t’i përgatisin qytetarët për një referendum të mundshëm për shkëputjen e Republikës Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina. Në vitet e fundit, kjo ide është promovuar me këmbëngulje nga Dodik dhe SNSD-ja, kryesisht gjatë fushatave zgjedhore, të cilat mbahen çdo të dytin vit.
Foto: CIN BiH.
Shumë i dyshimtë është serioziteti i kërcënimeve të tij, meqë analistët ekonomikë dhe politikë kanë theksuar se deri më tani nuk është ofruar asnjë strategji për idenë e shkëputjes. Siç duket, pak kanë menduar për atë se si do të funksiononte e vetme Republika Srpska, kush do ta njihte atë si shtet të pavarur, si do të kryhej shkëputja nga BeH pa shkaktuar konflikt të armatosur dhe si do ta zhvillonte Republika Srpska ekonominë e saj?
Deklarata dhe kërcënime
Në konferencën e pestë partiake të SNSD-së, e cila u mbajt në prill të vitit 2015, u miratua një deklaratë e cila parashikonte një referendum për shkëputje të RS. Në këtë deklaratë thuhet se Republika Srpska ka të drejtë për vetëvendosje “nëse të tjerët e shkelin vazhdimisht Marrëveshjen e Dayton-in”, e cila i dha fund luftës në BeH në vitin 1995 dhe përbën bazën e strukturës kushtetuese të këtij shteti.
SNSD e sheh si shkelje ekzistencën e institucioneve shtetërore si Gjykata Kushtetuese, Gjykata Shtetërore, Prokuroria, agjencitë policore, shërbimet kufitare shtetërore – të gjitha themelet që e përbëjnë shtetin. Secila u krijua pas luftës në përputhje me vendimet të cilat u morën nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, organit më të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, i cili jo vetëm që ka të drejtë ta interpretojë Dayton-in, por edhe ka autoritet të imponojë ligje dhe rregulla në përputhje me këtë marrëveshje të paqes.
SNSD-ja vazhdimisht ka krijuar politika të bazuara në kritika konstante dhe bllokimin e institucioneve shtetërore, duke u munduar ta dëmtojnë rëndësinë dhe vendimet e tyre, përfshirë këtu edhe vendimet e marra nga Gjykata Kushtetuese. Në disa raste, Dodik e ka quajtur Gjykatën Kushtetuese organ politik, e jo organ të drejtësisë.
Për shkak të pakënaqësisë me punën e institucioneve të përbashkëta të cilat, sipas SNSD-së, vazhdimisht punojnë kundër interesave të RS-së, Dodik ndonjëherë kërcënon duke thënë se do të mbajë referendum për pavarësi.
“Nuk dua të shtirem thuajse e mbështes konceptin e dështuar të quajtur Bosnjë dhe Hercegovinë”, i tha AFP-së në tetor të vitit 2016. “Sot, Bosnja dhe Hercegovina është vend të cilin askush s’e do, përveç disa idealistëve në Sarajevë, të cilët duan ta ruajnë, por askujt nuk i duhet më”. Dodik tha gjithashtu se nëse nuk arrihet konsensus ndërmjet boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve, “Bosnja dhe Hercegovina do të zhduket”.
Zgjedhjet lokale të vitit 2018 (në nivel kantonal, shtetëror dhe të entiteteve) po afrohen gjithnjë e më shumë, e kjo na çon te pyetja: A do të përpiqet përsëri Milorad Dodik – ose partia të cilën ai e drejton – ta promovojë një zgjidhje ekstreme duke e ndezur përsëri debatin për referendum?
Realiteti në RS
Marrëveshja e Dayton-in nuk lejon mundësinë për pavarësinë e një entiteti. Megjithatë, interpretimi i Dodik-ut dhe të kolegëve të tij më të afërt partiakë është shpeshherë më ndryshe, pavarësisht faktit se në shumë raste organizata të ndryshme ndërkombëtare të cilat janë të pranishme në vend, si dhe përfaqësues të huaj diplomatikë të cilët janë shumë të përfshirë në mënyrën se si interpretohet dhe ndiqet Marrëveshja e Paqes e Dayton-it, shprehen vendosmërisht se pavarësimi i entiteteve nuk është i mundshëm.
Gazetari Slavisa Bajic i sheh kërcënimet për referendum të RS-së si taktikë e manovrimit politik, dhe jo si mënyrë për të vendosur përfundimisht për çështje që lidhen me qytetarët ose të ardhmen e entitetit. Ai mendon se duke e shfrytëzuar idenë e referendumit – pa marrë parasysh se a e ka Dodik me të vërtetë synim thirrjen e këtij referendumi – presidenti i RS-së po e përdor një vegël politike për të fituar pikë të lira politike.
“Prandaj tema e mbajtjes së referendumit për pavarësinë e RS-s do të shfrytëzohet vazhdimisht nga Dodik për qëllime të politikës së përditshme, veçanërisht në periudhën njëvjeçare para zgjedhjeve”, thotë Bajic.
Velizar Antic, analist politik nga Banja Lluka, thotë se është vështirë të besohet vlefshmëria e këtyre deklaratave dhe të lëvizjeve të paralajmëruara të Milorad Dodik-ut. Megjithatë, ai thekson faktin se në fillim të verës, Dodik konfirmoi për media se askush në RS nuk është duke punuar për të përgatitur referendum për pavarësinë e RS-së.
Pavarësisht pasigurisë, Antic beson se nuk do të ketë referendum për pavarësinë e RS-së. Ai gjithashtu thekson faktin se një lëvizje e tillë me gjasë nuk do të mbështetej nga Serbia ose Rusia, dhe se mbështetja politike mungon edhe brenda vendit.
“Milorad Dodik nuk ka as brenda RS-së aleatë të cilët e mbështesin shkëputjen, sepse opozita nuk e mbështet këtë ide”, thotë ai, duke iu referuar deklaratave të figurave të larta të opozitës në RS, të cilët nuk kanë dhënë shenja se e mbështesin referendumin.
Ndonëse Antic thotë se asgjë nuk është e pamundur kur është i përfshirë Dodik, ai gjithashtu mendon se po të thirrte ai referendum, me këtë do ta shkatërronte karierën e tij politike. “Një person që mendon se diçka e tillë është e zbatueshme në BeH pa shkaktuar konflikte të reja nuk ka të ardhme në politikë”, thotë ai.
Katastrofë ekonomike
Sipas ekonomistit Damir Miljevic, njëlloj si lëvizje politike, shkëputja e mundshme e RS-së edhe si lëvizje ekonomike do të ishte katastrofale.
“Kjo do të prodhonte bllokadë totale ekonomike, pra një ndërprerje të tërësishme të eksportit dhe kufizim të importit të mallrave elementare. Kjo do ta vendoste RS-në në pozitë të ngjashme me Iranin apo Korenë e Veriut”, totë Miljevic. Ai thekson faktin se edhe në një konfiguracion të tillë, RS-ja nuk është e përgatitur për ta siguruar likuiditetin buxhetor – pra, vetëqëndrueshmërinë ekonomike.
“Numri i personave të punësuar është pothuajse i barabartë me numrin e personave që janë në pension”, thotë Miljevic. “RS pothuajse nuk ka sektor të mirëfilltë që prodhon vlera të reja”.
Foto: CIN BIH.
Sipas Zyrës Statistikore të RS-së, 208,761 qytetarë kanë të drejtë të marrin pension, e pensioni mesatar është 341 marka konvertibile (rreth 120 euro). Për më tepër, 250,000 qytetarë janë të regjistruar si të punësuar në këtë entitet, dhe rroga mesatare në qershor të këtij viti ishte 828,00 marka konvertibile (rreth 410 euro); kjo e mbulon vetëm 44.5 për qind të shpenzimeve mesatare mujore për mallra elementare për një familje katëranëtarëshe.
Aktualisht, RS-ja ka 124,572 qytetarë të papunë, sipas statistikave zyrtare; megjithatë, ky numër me gjasë është më i lartë, meqë këtu përfshihen vetëm njerëzit të cilët janë të regjistruar në zyrën e punësimit.
“Borxhi total i RS-së e ka arritur vlerën 6 miliardë marka konvertibile (rreth 3 miliardë euro). Këtu përfshihen kreditë dhe borxhet e institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore. Likuiditeti aktual i përvjetshëm i buxhetit mbahet me shtim të vazhdueshëm të borxhit nga tregu kapital lokal, ose në kushte të pafavorshme me bankat komerciale”, thotë Miljevic.
Kur i merr parasysh vetëm këto fakte të vështira ekonomike, Miljevic nuk mendon se RS-ja do të kishte mundësi të mbijetonte ekonomikisht po ta siguronte pavarësinë, por aludon se politikanët as që e kanë në mendje realizimin e referendumit. “E qartë është se qeveria lokale nuk e ka konsideruar këtë ide as edhe një herë”, vjen në përfundim Miljevic.
Të gjithë treguesit aludojnë se po të mbahej një referendum për pavarësinë e Republikës Srpska nga Bosnja dhe Hercegovina, një numër i mjaftueshëm i qytetarëve të RS-së do të votonin në favor të saj, të bindur se kjo kjo do të prodhonte një situatë në të cilën RS-ja do të bëhej pjesë e Serbisë. Por pasojat e një referendumi të tillë aludojnë se këta qytetarë do të votonin ashtu siç u thotë zemra, pa i marrë parasysh pasojat të cilat me gjasë do të ishin katastrofale. K
Foto kryesore: CIN BiH.