Pleqnia (s’) është larg
Pas tërheqjes së parë të kursimeve nga Trusti, qytetarët po kërkojnë një tërheqje tjetër.
Mijëra qytetarë i janë kthyer kërkesës për t’i tërhequr kursimet e pleqërisë për ta përballuar shtrenjtimin e kudo-ndodhshëm të jetës. Dhjetra nga ta protestuan për të dytën herë, me 17 qershor, para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Protesta e dytë përkoi me ditën kur parashihej që Projektligji për tërheqjen e deri në 30% të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trusti) të shqyrtohet në seancën e Kuvendit. Përmes protestës, ata sërish kërkuan nga deputetët ta votojnë projektligjin.
Mbi 27,000 qytetarë që mbështesin këtë iniciativë tashmë janë pjesë e grupit social në Facebook “Pro tërheqjes 30% të trustit” i cili edhe organizoi të dy protestat. Çdo ditë, shumë nga ta postojnë lajme që lidhen me këtë temë apo e përsërisin kërkesën e tyre.
Kësaj kërkese për t’i tërhequr kursimet nga Trusti i paraprin një precedent i vënë në vitin 2020. Atëkohë, për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga masat kufizuese për menaxhimin e pandemisë COVID-19, me propozim të Qeverisë së Kosovës, udhëhequr nga Lidhja Demokratikë e Kosovës (LDK), Kuvendi i Kosovës kishte aprovuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili pos tjerash, ua mundësonte të gjithë qytetarëve tërheqjen e 10% të kursimeve të tyre pensionale. Në ligj parashihej edhe rimbursimi i këtyre mjeteve nga Qeveria për ata që kishin më pak se 10,000 euro të kursyera.
Në mars të këtij viti, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), inicuan kërkesën në Kuvend për një tjetër tërheqje të mjeteve nga kursimet pensionale. Kërkesa u përkrah edhe nga deputetët opozitarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas procedurave ligjore, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Fondeve Pensionale të Kosovës së pari është dërguar edhe në Qeveri, e cila është deklaruar kundër dhe më pas është proceduar drejtpërdrejt në Kuvend. Në seancën e 23 qershorit, ky Projektligj u hodh në votim por nuk kaloi.
Pas kësaj, qytetarët kanë nisur një peticion, i cili kërkon 10,000 nënshkrime për ta kthyer Projektligjin në Kuvend përmes Komisionit për Peticione.
Muajve të fundit, mbështetësit e iniciativës insistojnë se kursimet u takojnë atyre dhe kanë të drejtë t’i marrin kur të duan, sidomos tash që janë më të varfër për shkak të inflacionit. Kundërshtuesit argumentojnë se kjo tërheqje do ta trondisë institucionin e Trustit dhe do t’i varfërojë qytetarët në pleqëri. Por, mbështetësve, të brengosur për të tashmen, u duket larg pleqëria.
Kursime të pakta
Diskutimi publik rreth kësaj çështjeje ka përfshirë edhe kritikën për mungesë të masave të qeverisë për ta lehtësuar barrën e rënduar ekonomike. Në maj të këtij viti, çmimet ishin për 12.5% më të larta se në majin e vitit të kaluar, derisa pagat si në sektorin privat, si në atë publik, kanë mbetur thuajse të pandryshuara. Çrregullimi i zinxhirit të furnizimit global si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe luftës në Ukrainë e ka prekur Kosovën dukshëm për shkak të importit të lartë.
Sipas Projektligjit të dorëzuar në Kuvend, qytetarët të cilët janë kontribut-pagues në Trust, do të mund të tërhiqnin prej 10% deri në 30% të kursimeve të tyre, varësisht nga shuma e kursyer. Ata që kanë më shumë kursime, do të mund të tërheqin më pak dhe anasjelltas.
Në Trust figurojnë 694,000 kontributpagues dhe sipas një raporti të Instituti GAP, mbi 90% e tyre do të kenë mundësi t’i tërheqin deri në 30% të kursimeve të tyre pasi kanë më pak se 10,000 euro të kursyera. Por, për gjysmën e tyre ky 30% i bie të jetë rreth 96.5 euro meqë kursimet e tyre nuk i arrijnë as 1,000 euro.
Kursimet pensionale mëtojnë t’i ofrojnë qytetarit një jetë të dinjitetshme pasi që të dalë në pension, ku pensioni bazë dhe ai kontributdhënës ia mundësojnë ta përballojë koston e jetesës. Ky është edhe njëri ndër argumentet e atyre që e kundërshtojnë tërheqjen. Varfërimi i kursimeve pensionale sot do të thotë pension më i varfër në të ardhmen. Sipas sistemit pensional të Kosovës, kontributpaguesit do të mund t’i tërheqin kursimet e tyre vetëm pasi të pensionohen, kur pos pensionit bazë prej 100 eurosh, u përpjestohet edhe një shumë nga shuma e mbledhur e kursimeve.
Nëse do të lejohej tërheqja, me shkallën e ulët të kontributit të obligueshëm prej 10% të pagës dhe paga të vogla, qytetarëve do t’u duheshin tetë vjet për t’i rikthyer në Trust mjetet e nxjerra si dhe kursimet e tyre pensionale në moshën e pensionimit do të shkurtohen për 2.2 vite, pasi Projektligji kësaj here nuk parashihte rimbursimin e tyre nga qeveria.
Sipas profesorit të ekonomisë, Ermal Lubishtani, numri i ulët i kursimeve tregon jo vetëm që trusti është relativisht i ri dhe shkalla e informalitetit është e lartë, por edhe se sa vonë fillojnë të kontribuojmë qytetarët e Kosovës në Trust për shkak të papunësisë së lartë në mesin e të rinjve.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), 48% e grupmoshës 15-24 dhe 31% e grupmoshës 25-34 janë të papunësuar. Kjo i bie që rreth 50% e të rinjve fillojnë dhe kontribuojnë në Trust tek pas moshës 25-vjeçare. Ndërkohë, vlerësohet se shkalla e informalitetit në sektorin privat në Kosovë — i cili punëson rreth 290,000 punonjës — është rreth 50%. Mungesa e kontratave për gjysmën e tyre nënkupton se ata nuk kanë kontribute të paguara pavarësisht punës.
Çka është trusti?
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) është institucion publik i pavarur dhe jo-për-profit, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. FKPK është krijuar sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribuues kursen për pension në një llogari personale. FKPK-ja mban dhe investon kontributet pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës.
Mjetet pensionale investohen sipas parimeve të investimeve të kujdesshme të paracaktuara me ligj nga Bordi Drejtues i FKPK-së me qëllim që kursimtarëve kosovarë t’iu rritet vlera e kursimeve pensionale, dhe që në afate të gjata t’u mundësohet ofrimi i pensionit më të mirë të mundshëm.
Fjalitë kyçe: Edhe pse pronë private, mandati i këtyre kursimeve është specifik: ato mund të përdoren vetëm për pension – dhe nuk mund të përdoren ose tërhiqen përpara moshës së pensionimit për asnjë arsye tjetër (psh. të merren për hua, për trajtime mjekësore e të ngjashme).
Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar kundër tërheqjes së këtyre mjeteve. Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte argumentuar kundër tërheqjes pasi, sipas tij, kjo krijon precedent të rrezikshëm sepse rritet presioni inflacionar me rritjen e kërkesës dhe se me këtë lëvizje nuk përfitojnë qytetarët më të varfër.
Edhe Fondi Ndërkombëtar Monetar, e kishte kundërshtuar një tërheqje të radhës nga Trusti. Sipas tyre, tërheqja e parakohshme e kursimeve pensionale do ta dëmtonte rëndë sistemin pensional.
Ndër argumentet e tyre është bilanci i vogël që shumë kontribuues kanë në Trust. Sipas tyre, bilanci i shumicës së kontribuuesve është aq i ulët sa që është i pamjaftueshme për të siguruar standard adekuat të jetesës pas pensionimit.
Lubishtani, konsideron se të dyja palët kanë të drejtë; edhe ata që e kundërshtojnë këtë iniciativë edhe ata që e mbështesin. Ndërkohë, sipas tij, tërheqja nga trusti duhet të lejohet për shkak se qeveria nuk ka ofruar masa afatgjate që do t’i ndihmonte qytetarët ta përballojnë koston e rënduar ekonomike.
“Sikur të ishte qeveria më aktive më herët, nuk do të ishin kriju rrethanat që me u dukë që sikur ‘Trusti po vjen’”, tha Lubishtani, duke shtuar se në plan afatgjatë kjo nismë nuk është politikë e mirë.
Sipas tij, i cili ishte këshilltar në ministrinë e Financave gjatë qeverisjes së LDK-së në vitin 2020, mundësimi i tërheqjes prej 10% në vitin 2020 ishte masa e vetme e mundshme për t’i dalë në ndihmë qytetarëve nga rëndimi i gjendjes ekonomike të qytetarëve si pasojë e pandemisë COVID-19, anipse nuk ishte as atëherë politikë e mirë.
Ndërkohë, hulumtuesi i politikave sociale, Artan Mustafa, nuk e mbështetë as idenë e tërheqjes së kursimeve as mënyrën e zbatimit të kësaj mase qoftë në vitin 2020, qoftë tani. Ai thotë se vendimi i qeverisë për të mos e përkrahur tërheqjen, është i drejtë pasi kjo do të ishte një masë regresive.
“Nëse ligji do të kalonte në formën si ka kaluar herën e parë, i bie që Qeveria merr nga të varfërit dhe u jep shtresës së mesme dhe të lartë, shtresave që kanë kursime domethënëse për të tërhequr”, tha Mustafa. Kjo meqë Ligji për tërheqjen paraprake parashihte rimbursimin e tërheqjes nga buxheti shtetëror, e i cili mbushet kryesisht nga taksat në konsum, në të cilat, sipas Mustafës, të varfërit kontribuojnë më shumë.
Sipas tij, nëse kjo iniciativë për tërheqje deri në 30% të kursimeve do të miratohej, vlera e përgjithshme e kursimeve do të binte dhe Trusti do të kishte më pak mjete për të investuar. Rrjedhimisht, do zvogëlohej mundësia që kursimet të krijojnë të ardhura adekuate pensionale në pleqëri.
”Në atë rast [të pleqërisë me kursime të pakta], me siguri presioni do të rritej që Qeveria të bënte zgjidhje përmes taksave të përgjithshme”, tha Mustafa. Qytetarët për shembull do të mund të kërkojnë të rritet pensioni bazë, ose për masa lehtësuese të tjera, të cilat do të financoheshin nga buxheti shtetëror.
Lubishtani, në anën tjetër, konsideron se njëra ndër masat afagjate që qeveria e Kosovës mund ta merrte është funksionalizimi në kohë i Komisionit të Autoritet të Konkurrencës, që do t’i parandalonte manipulimet e çmimeve nga tregtarët përmes marrëveshjeve të fshehta, siç ndodhi në mars të këtij viti.
Vetëm dy javë pasi Rusia pushtoi Ukrainën me 24 shkurt dhe u parashikua për çrregullim të ri të zinxhirit global të furnizimit, në Kosovë u konfirmuan marrëveshje të fshehta mes tregtarëve, që rritën çmimet e disa produkteve deri në 100%, si për shembull çmimi i vajit ishte rritur nga 2.10 në 3.49 euro. Anipse intervenimi i Inspektoratit riktheu çmimin e pamunipuluar të vajit, hapësira për këto marrëveshje u lejua nga mungesa e funksionalizimit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës. Komisioni u funksionalizua tek këtë qershor — pas një viti që kur Komisionit paraprak i kaloi mandati.
Një tjetër masë pasive, sipas Lubishtanit, është heqja ose zvogëlimi i TVSh-së për produktet e përditshme dhe akcizës së naftës — siç kanë vepruar vendet në rajon — e cila është një prej produkteve që vazhdon të pësojë rritje çmimi më së larti në rajon. Këto masa do ta ulnin çmimin përfundimtar të naftës dhe produkteve tjera.
Të njëjtës thirrje i janë bashkangjitur edhe partitë opozitare. Por, qeveria ka dalë kundër me arsyetimin se një veprim i tillë “vetëm sa do të trashte fitimet e tregtarëve në njërën anë dhe do të kufizonte mundësitë e shtetit që t’i mbështesë familjet në nevojë në anën tjetër”, pasi masa të tilla do t’i zvogëlonin të hyrat buxhetore.
Në prill, qeveria Kurti mori vendim që t’i subvencionojë të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe privat, pensionistët dhe studentët me shtesa prej 100 euro. Kjo masë erdhi si pjesë e një pakoje për t’i ndihmuar qytetarët. Ky vendim u kritikua për shkak se përbënte masë afatshkurte dhe se, për shembull në rastin e punëtorëve, nuk parashihte dallim në mes të atyre që marrin pagë prej 999 euro dhe atyre që marrin rreth 400 euro, sa është paga mestare në sektorin publik dhe privat.
Një vendim që u mirëprit është miratimi në lexim të parë i rritjes së pagës minimale nga 130-170 euro në 264 euro në qershor. Paga minimale nuk ka ndryshuar që nga viti 2011.
Por, që prej fillimit të vitit, këto janë masat e vetme që kanë prekur një masë më të gjerë të shoqërisë dhe qeveria është kritikuar gjerësisht për masat e pakta. Kritikës i kanë prirë kryesisht partitë opozitare.
Artan Mustafa thotë që nisma dhe diskursi i opozitës, që qartësisht kanë ndikuar në opinionin e masës, nuk kanë logjikë të qëndrueshmërisë ekonomike apo të rishpërndarjes së drejtë, por edhe që aktiviteti reformator i qeverisë ka qenë minimal.
“Qeveria duhet të fillojë të bisedojë sa më shpejt me opozitën, akterët relevantë tjerë shoqërorë, dhe organizatat ndërkombëtare që ta reformojë sistemin pensional për t’i dhënë atij stabilitet afatgjatë”, tha Mustafa. “Struktura e kursimeve pensionale është paralajmërim për këdo që dëshiron të shohë se me çfarë problemi do të përballemi në një të ardhme të afërt – me të ardhura shumë të pabarabarta dhe të ulta”.
Ndërkohë, Lubishtani thotë se vetë ideja që mund ta kenë qytetarët se do t’i marrin paratë nga Trusti e ka ndryshuar sjelljen e tyre prej konsumatori.
“Teoria e pritjeve racionale, në momentin që ne [si konsumatorë] presim me ndodhë diçka, pret me iu rritë të ardhurat për shembull, krijon pritje reale që muajin tjetër ka me i marrë 100 euro më shumë”, thotë Lubishtani.”Konsumatori sot fillon me konsumu më shumë. Fillojmë më ndryshu sjelljen tonë prej konsumatori”.
Sipas tij, qytetarët veç kanë filluar të planifikojnë shpenzimin e atyre parave. Anipse, për shkak të pabarazisë së madhe në të ardhura, dikush mund t’i shpenzojë për të kaluar muajin, dikush për pushime verore.
Ndonëse presioni inflacionar pritet të vazhdojë edhe në muajt në vazhdim, qeveria nuk ka paralajmëruar për ndonjë politikë më afatgjatë për ta lehtësuar barrën e gjendjes ekonomike të rënduar.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla/K2.0
Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian
Pse kjo klauzolë?