Xufe Berisha e kujton pasditen e nxehtë të 18 qershorit të vitit 1999, herën e fundit kur i pa dy djemtë e saj derisa ata po shkonin në pyll për të pirë ujë nga lumi, bashkë me dy fqinjët e saj.
Sikurse pjesa më e madhe e popullsisë gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë, kjo familje e fshatit Bec, afër Gjakovës, po fshehej në male. Atë ditë, ata ishin në fshatin Raushiq, afër Pejës.
Xufja, 69 vjeçe, thotë se ende i dëgjon britmat dhe jehonat e armëve, pas së cilave nuk i pa më kurrë djemtë e saj.
“Kishim mbetur pa ushqim qe dy ditë. Në atë pjesë të Raushiqit, ishim në një zonë ndërmjet forcave serbe dhe anëtarëve të UÇK-së. Djemtë thanë se po shkojnë për të pirë ujë. Disa minuta më vonë, dëgjuam britma dhe katër krisma”, thotë ajo për K2.0 në shtëpinë e saj në Gjakovë.
Kishin kaluar shtatë ditë prej se trupat e NATO-s ishin vendosur në Kosovë pas bombardimit ajror që zgjati 78 ditë, mirëpo ata ende fsheheshin në male, të frikësuar e të hutuar, pa e ditur se lufta kishte përfunduar.
Xufja dhe bashkëshorti i saj Agushi u munduan ta shohin vendin ku kishin shkuar djemtë e tyre. “Ata u vonuan. U munduam t’i kërkojmë në errësirë, por nuk pamë asgjë”, thotë ajo. “Nuk ishim të sigurt se a ishin vrarë nga krismat që i dëgjuam më herët. Nëse po, atëherë secili është vrarë me nga një plumb”.
Të nesërmen në mëngjes, pasi kishin kaluar natën të fshehur në pyll, ata vendosën të vazhdojnë të ecin drejt Malit të Zi. “Po i prisnim djemtë tanë, por ata nuk u kthyen kurrë”, thotë babai i tyre Agush Berisha, tani 74 vjeç. “Pastaj u kthyem dhe filluam t’i kërkojmë në çdo varrezë masive”.
Të uritur e me fëmijë të zhdukur
Djemtë e Xufes dhe Agushit, Rifat Berisha (22) dhe Fehmi Berisha (18), bashkë me fqinjët e tyre, Vehbi Maliqi (21) dhe Xhevdet Cufa (20), të gjithë egjiptas, janë në mesin e 1,658 personave të zhdukur nga lufta në Kosovë. Edhe pse shpeshherë nuk përmenden në diskursin dominues, 461 prej tyre janë anëtarë të minoriteteve etnike: serbë, romë, boshnjakë, ashkalinj dhe egjiptas.
Xufe dhe Agush Berisha e kanë vetëm një fotografi të njërit prej djemve të tyre. Rifati ishte 22 vjeç kur humbi bashkë me vëllain e tij 18 vjeçar Fehmiun, në qershor 1999. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), më shumë se 13,500 njerëz janë vrarë ose janë zhdukur në luftën e Kosovës, përfshirë këtu 10,812 shqiptarë, 2,197 serbë dhe 526 anëtarë të komuniteteve të tjera etnike. Prej tyre, më shumë se 1,300 ishin viktima pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë në qershor 1999, që i dha fund regjimit të Slobodan Milošević-it në Kosovë dhe çoi deri te çmilitarizimi i UÇK-së.
Gjatë kësaj periudhe menjëherë pas luftës, në një situatë kaotike të sigurisë deri sa po vendosej Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Kosova ishte pre e grupeve të armatosura të pakontrolluara që kryenin krime pa u ndëshkuar. Veçanërisht u targetuan minoritetet etnike, derisa dhuna vazhdonte ndërmjet – dhe brenda – komuniteteve etnike.
Anëtarët e grupeve minoritare në Kosovë rregullisht mbaheshin nën arrest, rreheshin dhe vriteshin. 715 serbë dhe 273 anëtarë të komuniteteve të tjera minoritare u vranë ose u zhdukën nga kjo periudhë.
Përderisa sulmet ndaj serbëve ishin të bazuara në ndjenjë të hakmarrjes, anëtarët e minoriteteve të tjera, përpos që e gjeten veten në mes, të targetuar nga të dyja palët, shpeshherë sulmoheshin nën dyshimin se kishin qenë bashkëpunëtorë të serbëve; gjatë luftës, forcat serbe shpeshherë i kishin detyruar romët t’i varrosin trupat e shqiptarëve. Amnesty International thotë se deri në fund të gushtit të vitit 1999, më shumë se 230,000 serbë dhe minoritete të tjera e kishin lënë Kosovën, shumë prej tyre duke shkuar në komunat veriore apo enklavat monoetnike brenda Kosovës.
Clint Williamson, kreu i Task Forcës Speciale Hetuese të BE-së, që kishte mandat për t’i hetuar akuzat – fillimisht të ngritura në një raport të Këshillit të Evropës – për krimet e kryera pas luftës, tha në vitin 2014 se elemente të caktuara të UÇK-së kishin qenë të përfshirë në dhunë dhe kërcënime kundër minoriteteve etnike dhe kundërshtarëve politikë shqiptarë të Kosovës.
“Këta individë janë përgjegjës për një fushatë të persekutimit që iu drejtua serbëve, romëve dhe popullsive të tjera minoritare në Kosovë”, tha Williamson në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, thotë se pjesa më e madhe njerëzve në komunitete jo-shqiptare janë të margjinalizuar, druajnë stigmatizimin dhe “nuk kanë hapësirë për të folur haptas për përvojat e tyre të dhunës”.
Çdo vit në Kosovë, dy ditë në veçanti shënohen për personat e pagjetur: Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur më 30 gusht, dhe Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur më 27 prill, ku familjet e personave të pagjetur mbledhen për të protestuar, duke u munduar t’i bëjnë presion institucioneve që në mënyrë aktive të kërkojnë informata për fatin e më të dashurve të tyre.
Megjithatë, komunitetet e ndryshme nuk protestojnë bashkë; familjet serbe në veçanti kanë tendencë të mbajnë ngjarje të veçuara. Në vitin 2011 Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut e bëri një mur në qendër të Prishtinës me emrat e të gjithë personave të pagjetur në Kosovë, e disa qytetarë dhe familjarë të personave të pagjetur shqiptarë e kundërshtuan këtë.
Agush Berisha, 74 vjeç, ka vite që i kërkon dy djemtë e tij të zhdukur, Rifatin dhe Fehmiun, shpeshherë me bark të thatë për shkak të të hyrave shumë të kufizuara të familjes. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
I ulur në ballkonin e shtëpisë së tij në Ditën e të Zhdukurve këtë vit, Agush Berisha tha për K2.0 se për 12 vite i ka kërkuar djemtë e tij në varreza dhe me shpresë që do t’i gjejë. “Në shtëpi nuk kishim ushqim se krejt çka kemi, i kemi shpenzuar duke udhëtuar e duke i kërkuar djemtë tanë”, thotë ai. “Nuk ka asgjë më të keqe për një baba se t’i kërkojë fëmijët e tij i uritur”.
Xufe ndjen shumë keqardhje që nuk ua ka parë fytyrat për t’u kërkuar falje. “Dua t’i shoh edhe një herë, t’i përqafoj e t’i them “Ju lutem na falni – nuk kemi mundur të ju rrisim siç e keni meritu”, thotë ajo.
Xufja thotë se deri kur shpërtheu lufta në Kosovë, dy djemtë e saj kishin punuar për një familje shqiptare në një fshat afër Gjakovës. “Ushqimin që ua jepnin ata zakonisht e ndanin me neve”, kujton ajo. “Një copë djathë kur e merrnin – e sjellnin në shtëpi”.
Xufe Berisha, 69 vjeç, ka humbur shpresë se do ta kuptojë ndonjëherë se çfarë i ndodhi djemve të saj, të cilët janë zhdukur qe gati 20 vite”, Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Çifti që jeton në varfëri të thellë në një lagje në mes të deponisë së plehrave, kanë humbur shpresë se do ta gjejnë të vërtetën për fatin e fëmijëve të tyre. Kanë humbur shpresë gjithashtu për drejtësi. “Po plakemi dhe nuk besojmë më se do të jetojmë aq gjatë për ta mësuar se çfarë ndodhi me ta”, thotë Xufe.
‘Të jetosh njëkohësisht me të gjallët dhe të vdekurit’
Në qytezën e Graçanicës në Kosovën qëndrore, Silvana Marinković ende vuan duke menduar se a ishte 19 qershori i 99-ës, dita kur u zhduk bashkëshorti i saj Dragani, dita e fundit e jetës së tij.
Dragan Marinković, në atë kohë 26 vjeç, po udhëtonte me një kamion nga shtëpia e tij në Graçanicë për në Gjilan, bashkë me dy fqinjët e tij.
Silvana dhe dy vajzat e saj, më e vogla vetëm gjashtë muajshe, pritën dy ditë kthimin e tij. Pastaj, ajo shkoi tek një patrullë britanike të NATO-s, që së fundmi kishte hyrë në atë zonë. Por askush nuk kishte informata për bashkëshortin e saj apo për të tjerët.
“Vështirë është të jetosh 19 vjet duke kërkuar e kërkuar”, thotë ajo për K2.0. “Është sikur të jetosh me një person të gjallë dhe të vdekur njëkohësisht”.
Silvana thotë se jeta do të jetë veçanërisht e vështirë për fëmijët e asaj kohe, si për vajzën e saj më të vogël, e cila nuk e njohi kurrë babain e saj. “Gjenerata e fëmijëve të lindur në konflikt do ta mbajnë barrën e ndarjeve etnike, barrë që ua kanë lënë në krahë pa pikë faji”, thotë ajo.
Silvana Marinković beson se çështja e personave të pagjetur duhet të jetë në majë të agjendës politike. Bashkëshorti i saj Dragani është zhdukur prej qershorit të 99-ës. Foto: Serbeze Haxhiaj / K2.0.
Silvana drejton një shoqatë lokale të personave të zhdukur për rajonin qendror të Kosovës, ku 63 familje serbe ende po presin të dëgjojnë për fatin e më të dashurve të tyre. Ajo beson se qeveria e Kosovës në veçanti, duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar me gjetjen e fatit të personave të zhdukur.
Ajo thotë se personat e zhdukur aktualisht po përdoren si mjet politik në konfliktet verbale ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel ndërmjet këtyre dy vendeve, që ka filluar në vitin 2011. “Kur flasin për shkëmbim territoresh, mendoj se është koha për të bërë diçka shumë më me rëndësi – t’i gjejnë personat e zhdukur”, thotë ajo. “Drejtësia duhet të vihet në vend”.
Personat e pagjetur në 2,000 dosje prokuroriale
Blakaj nga HLC, pajtohet se çështjet e personave të pagjetur janë shpërfillur nga politikanët dhe duhet të jenë në mesin e temave që diskutohen në procesin e dialogut në Bruksel.
“Deri tani, nuk kemi parë vullnet politik për ta zgjidhur këtë çështje”, tha ai për K2.0. “Po të ishte përfshirë kjo çështje në dialog, ne do t’i rekomandonim të dy palëve ta trajtojnë problemin e personave të pagjetur si humanitar, jo politik”.
Blakaj beson se autoritetet e Kosovës mund ta bëjnë një hap të rëndësishëm për t’i ndihmuar familjet e personave të pagjetur, duke krijuar një strategji për atë se si mund të gjejnë më shumë informata për varreza të mundshme individuale apo masive. “Nuk ka justifikim për dështimet sa i përket gjetjes së personave të zhdukur”, tha Blakaj. “Po të kishte më shumë përkushtim, do të kishim rezultate”.
Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit të Qeverisë së Kosovës për Persona të Zhdukur, pajtohet se çështja e të zhdukurve duhet të diskutohet në dialogun ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë.
“Ka kaluar shumë kohë me shumë pak rezultate. Mendoj se të dy palët mund të bëjnë shumë më shumë për t’u dhënë përgjigje familjeve që po presin ta kuptojnë fatin e më të dashurve të tyre”, tha Gjetaj për K2.0.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) është pjesë e zërave që besojnë se kjo çështje duhet të diskutohet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit. Ky Komitet është përfshirë në çështjen e personave të pagjetur duke lehtësuar komunikimin dhe punën ndërmjet dy palëve. Prej vitit 2004 është drejtuar një mekanizëm zyrtar i themeluar nga OKB me emrin Grupi Punues për Personat e Zhdukur.
“ICRC rekomandon të mos duplikohet mekanizmi aktual i Grupit Punues. Çështja e personave të zhdukur duhet të mbetet ekskluzivisht humanitare”, tha për K2.0 kreu i misionit ICRC në Kosovë, Agim Gashi.
“Po të ishte çështja e personave të zhdukur në mesin e temave të dialogut, kjo do të përkthehej në mbështetje politike dhe presion shtesë mbi të dy palët për gjetje të informatave”, shtoi Gashi.
Pas luftës, 6,044 persona u regjistruan si të zhdukur, 1,000 prej tyre nga komunitete jo-shqiptare, ndonëse këta numra u reduktuan në vitet që pasuan me zbulimin e varrezave masive dhe identifikimin e trupave.
Mbështetje për identifikimin e personave të zhdukur dha Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP), një organizatë ndërqeveritare e bazuar në Hagë. Prej kur filloi t’i ndihmojë Kosovës me identifikime të bazuara në ADN në vitin 2003, ICMP i ka lëshuar Serbisë dhe Kosovës raporte të identifikimit me ADN për 2,466 persona të zhdukur.
Në pesë vitet e fundit, pavarësisht hetimeve dhe gërmimeve – që gjithnjë e më shumë janë fokusuar në jugperëndim të Serbisë – trendi i gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur ka rënë shumë, që do të thotë se familjet e personave të zhdukur po detyrohen të presin, me sa duket pa fund.
Gjatë 19 viteve që nga fundi i luftës, gjykatat lokale në Kosovë nuk e kanë gjetur askënd fajtor për vrasjen dhe zhdukjen e personave nga komunitetet e minoriteteve etnike.
Përgjegjësia për rastet e tilla fillimisht i mbeti UNMIK-ut, para se t’i transferohej Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe së fundmi i është transferuar institucioneve lokale.
Në raportin e fundit në vitin 2017, Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut i OKB-së (HRAP) gjeti se “hetimet e zhdukjeve me forcë dhe personave të zhdukur që janë zbatuar nga UNMIK dështuan ta arrijnë standardin minimal të një hetimi efektiv siç kërkohet nga standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut”.
Kur i erdhi fundi mandatit të EULEX-it për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës në mesin e muajit qershor të këtij viti, rreth 2,000 dosje në lidhje me autorët potencial të ketyre krimeve iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës. Megjithatë, prokurorët janë ankuar se kapaciteti i tyre për t’i trajtuar kaq shumë raste është shumë i kufizuar, se dëshmitë janë zbehur dhe se hetimi dhe ndjekja penale efektive kërkon themelimin e marrëdhënieve efektive të punës me Beogradin.
Blakaj thotë se arkivat shtetërore të Serbisë duhet të hapen për të marrë informata në lidhje me varrezat individuale apo masive.
“Nëse pala e Kosovës nuk ka arkiva të tilla, atëherë duhet ta nisë një hetim të hollësishëm për ta gjetur fatin e personave të zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovë”, tha ai.
Xufe Berisha nuk e din se kush mund t’i ndihmojë që të gjejë informata për djemtë e saj dhe nëse ata që mund të kenë informata janë në Kosovë apo në Serbi. “Plot herë kemi planifikuar t’i bëjmë gati varret e tyre dhe i bëmë gati”, thotë ajo. “Por e kam ndjenjën se nuk do t’i gjej kurrë”.
Gati dy dekada pasi u zhduk bashkëshorti i saj Dragani, Silvana Marinković beson se ka persona që mund të kenë informata mbi atë se çfarë i ka ndodhur atij. Foto: Serbeze Haxhiaj / K2.0.
Në anën tjetër, Silvana Marinković, e cila beson se bashkëshortin ia rrëmbyen shqiptarët e Kosovës në valën e sulmeve hakmarrëse pak pas luftës, ende ka shpresa dhe është e bindur që dikush duhet ta dijë se çfarë i ndodhi Draganit.
“Burri im dhe disa të tjerë u rrëmbyen sa ishin duke udhëtuar me kamion. Kurrë nuk u gjetën as ata, e as kamioni”, thotë ajo. “Kjo do të thotë se janë disa njerëz që e kanë bërë këtë. Janë plot që e dinë”.K
Redaktuar nga Jack Butcher.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia