S`fundmi | Drejtësi

Protestuesit kërkojnë reforma gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë dhe sistemit politik

Nga - 23.08.2018

Dorëheqja e prokurorit special rindezë lëvizjen protestuese të qytetarëve.

mërkurën më 22 gusht, qindra protestues u mblodhën në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë dhe marshuan drejt ndërtesave të Prokurorisë dhe Qeverisë, duke kërkuar reforma të sistemit politik dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Protestat u nxitën nga dorëheqja (më 15 gusht) e ish-prokurorit special Elez Blakaj dhe deklaratat që i dha më pas. Blakaj pretendon se Kryeprokurori Aleksandër Lumezi i bëri presion kur ishte duke hetuar fryrjen e listës së veteranëve të luftës, që i jep të drejtë veteranëve për përfitime të caktuara. Vlerësohet se kjo listë përmbanë 19,000 njerëz më shumë.

Në deklaratën e tij, Blakaj pretendoi se Lumezi e kishte qortuar atë për shkak se gjatë hetimeve e kishte intervistuar Kryetarin e Kuvendit, dhe liderin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselin. Gjithashtu, Blakaj e akuzoi kryeprokurorin duke thënë se ai i kishte bërë presion kur e kishte ngritur një padi në lidhje me Aferën Pronto të vitit 2016, në të cilën zyrtarë të lartë të PDK-së gjoja ushtruan ndikim të tepruar në procesin e punësimit për pozita publike.

Blakaj gjithashtu përmendi mbikëqyrësin e tij Reshat Millakun, kreun e Prokurorisë Speciale, si një person tjetër që e kishte kufizuar punën e tij. Millaku e refuzoi padinë e Blakajt në rastin e veteranëve të luftës, duke thënë se përmbante gabime teknike.

Organizatori i protestës Gramos Buçinca mendon se zhvillimet e fundit kanë treguar mungesën e pavarësisë dhe pushtetit të gjyqësorit. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Thirrja për protestë u bë nëpërmjet Facebook më 20 gusht nga organizata Protestoj, e cila u krijua në vitin 2016 për të demonstruar kundër kulturës politike në Kosovë, për të cilën pjesëtarët e kësaj organizate dhe mbështetësit e tyre mendonin se u zbulua nga Afera Pronto. Në këtë thirrje, organizata theksoi se protesta ishte “organizuar nga qytetarët” dhe se pjesë e kërkesave të tyre ishte “dorëheqja e Kryeprokurorit Lumezi dhe veting për sistemin e drejtësisë”.

Gramos Buçinca ishte një prej organizatorëve të protestës. Ai tha për K2.0 se mendon që “Prokurori Blakaj po i kryente punët në mënyrë të mirë dhe të drejtë, dhe prandaj u ballafaqua me pengesa” kur e hetoi listën e veteranëve të luftës. Ai shtoi se fakti që Lumezi pranoi se ishte takuar me një prej të akuzuarve në Aferën Pronto, Besim Beqajn, demonstron se ai nuk është i paanshëm si Kryeprokuror.

Për Buçincën, zhvillimet e fundit veç se i kanë konfirmuar paragjykimet e vendosura në lidhje me sistemin e drejtësisë në Kosovë – se “prokurorët shantazhohen dhe janë të pafuqishëm kur ballafaqohen me njerëzit që kanë pushtet politik’.

Ai shpjegoi se kjo është një prej arsyeve për riaktivizimin e organizatës Protestoj, pas disa muajve të pasivitetit. Për Buçincën, njerëzit duhet të protestojnë, të bëjnë presion dhe të kërkojnë spastrimin e sektorit të drejtësisë. Ai beson se protestat nuk duhet të përfundohen me përjashtimin e Lumezit, por duhet të kërkojnë gjithashtu veting për sistemin e drejtësisë, i cili duhet të reformohet.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ndonëse synimi ishte që protestat të jenë të udhëhequra nga qytetarët dhe të lira nga spektri politik, partitë opozitare Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Social Demokrate (PSD) e mbështetën menjëherë protestën. Përveç që dhanë deklarata mbështetëse në media, deputetë nga të tri partitë morrën pjesë në marsh. Për Buçincën, kontributi i tyre ishte pozitiv, për shkak se partitë nuk u munduan ta rrëmbejnë lëvizjen, por u paraqitën vetëm si qytetarë të shtetit. “Si qytetarë, të gjithë janë të mirëseardhur”, tha ai.

Përveç dy kërkesave të bëra nga organizatorët, pasi arritën para ndërtesës së qeverisë, protestuesit gjithashtu bënë thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj. Njëri nga protestuesit që vazhdimisht bëri thirrje për shkarkimin e tij ishte mjeku i pensionuar Xhavit Bicaj, i cili tha për K2.0 se intervista e Kryeministrit për KTV, në të cilën ai e ofendoi Blakajn duke e etiketuar ish-prokurorin si hajn dhe frikacak, ishte “fyese dhe i bëri presion të drejtpërdrejtë sistemit të drejtësisë”. Prandaj ai mendon se Haradinaj duhet të shkarkohet.

Për Bicajn, dorëheqja e kryeprokurorit nuk ka kurrëfarë kuptimi. “Unë besoj se kryeprokurori është vetëm një hallkë në këtë sistem. Kryeministri duhet të jepë dorëheqje”, tha ai. Ai vazhdoi duke theksuar nevojën për ta ndryshuar sistemin dhe e etiketoi kryeprokurorin si “vetëm një piun në tabelën e shahut”, duke shtuar se “nëse i heqim ata që janë në krye të tabelës, të gjithë tjerët do të bien”.

Kryeministrin e kritikoi edhe Betim Zllanoga, anëtar i shoqërisë civile i cili ishte në Sheshin Zahir Pajaziti gjysëm ore para fillimit të protestës. “Kur një kryeministër del dhe thotë se vetëm njerëzit që kanë luftuar [në luftën e Kosovës] kanë të drejtë për këtë tokë, kjo është shqetësuese”, tha ai për K2.0.

Burri i ri nga Rahoveci thotë se rasti Blakaj e ka bërë të ndihet i pasigurt në shtetin e tij. “Kur një prokuror i ikë kryeprokurorit, çfarë mund të presin qytetarët e tjerë?”, pyeti ai.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Orgesa Arifi, regjisore e filmit, është një tjetër protestuese e cila doli për ta mbështetur ish-prokurorin Blakaj. Ajo theksoi se kjo ngjarje duhet të shërbejë si pikë e reflektimit për mënyrën në të cilën po drejtohet shteti. Për Arifin, më e pakta që mund të arrihet nëpërmjet këtyre protestave është “ngritja e nivelit të ndërgjegjësimit të qytetarëve për faktin se sistemi i drejtësisë është i kalbur”. Ajo vazhdoi duke pyetur: “Nëse prokuroria është e kalbur, si mund të qëndrojë në këmbë shteti?”

Arifi nuk pret që kryeministri dhe kryeprokurori të japin dorëheqje dhe beson se protestat duhet të jenë më të shpeshta dhe të kenë qasje më radikale, sepse është dëshmuar se sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur. “Këto veprime nuk duhet të kryhen vetëm në sheshe të qyteteve. Duhet të organizojmë aktivitete të tjera, takime me shumë njerëz, e ndoshta edhe ta parandalojmë kryeprokurorin që të mos hyjë në zyën e tij”, tha ajo, duke shtuar se ai nuk përket më në atë zyrë.

Në anën tjetër, Zllanoga beson se Protestoj duhet të vazhdojë në këtë formë dhe se partitë opozitare nuk duhet të bëjnë përpjekje ta marrin nën drejtimin e tyre. Mbështetja e tyre duhet të jetë e kufizuar vetëm te shtimi i numrit të pjesëmarrësve. Për të, kjo është e vetmja zgjidhje dhe protestat nuk duhet të ndalen, por duhet të rriten.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në verën e vitit 2016, protestat e organizuara nën moton Protestoj si reagim ndaj Aferës Pronto, u reduktuan gjithnjë më shumë në numër, e në fund këtyre marsheve u erdhi fundi një muaj pas fillimit të tyre. Fajësinë për këtë Buçinca ja atribuon ndalesës që iu bë mediave për publikimin e inçizimeve që lidheshin me Aferën Pronto dhe kalimin e vëmendjes drejt çështjeve të demarkacionit të kufirit dhe formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se këto parandaluan vazhdimin e protestave në atë kohë.

Megjithatë, zbulimet e Blakajt me sa duket e kanë ripërtërirë lëvizjen. Buçinca tani pretendon se “protestat do të ndalen vetëm kur të japin dorëheqje kryeministri dhe kryeprokurori, dhe të kryhet vetingu i sistemit të drejtësisë”.

Organizatori beson se protestat në Kosovë janë dëshmuar si efektive dhe shton se mundësia e kalimit të rastit në Gjykatën Kushtetuese duhet të merret parasysh, për shkak se ai beson se kryeministri e ka shkelur parimin e ndarjes së pushtetit nëpërmjet deklaratave dhe presionit që e ka ushtruar ndaj prokurorit.K

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.