Në thelb | Drejtësi sociale

Punëtorët/et kërkojnë drejtësi

Nga , - 02.05.2025

Në një kontekst të zymtë për punëtorët/et, më 1 maj, në Kosovë u protestua.

Dhjetëra qytetarë/e u mblodhën dje, më 1 maj, në qendër të Prishtinës, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke kërkuar kushte më të mira pune, paga të drejta dhe dinjitet në vendin e punës. 

Nën moton “Barazi, punë dhe jetë të dinjitetshme”, protesta bashkoi qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, përfshirë studentë/e, pensionistë/e, punëtorë/e, sindikalistë/e dhe aktivistë/e.

Protesta, e cila nisi në sheshin “Skënderbeu” dhe përfundoi para ndërtesës së qeverisë, u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Qendra Sociale Përpjekja, aktivistë/e të pavarur/a dhe sindikata të punëtorëve/eve, përbrenda një bashkëpunimi të gjerë shoqëror.

Duke bashkuar breza të ndryshëm, feministë/e dhe sindikalistë/e, organizatorët/et synuan të theksojnë jo vetëm larminë e betejave punëtore në Kosovë, por edhe rëndësinë e njohjes së ndërthurjes së identiteteve dhe roleve sociale brenda këtyre përpjekjeve.

“Këtë 1 Maj ne kumtojmë që këtyre shtypjeve mund t’i bëjmë ballë vetëm duke u organizuar politikisht, duke qëndruar në solidaritet me punëtorë e punëtore dhe kategori shoqërore të cënuara dhe duke qenë të zëshëm në revoltën tonë”, thuhet në deklaratën e organizatoreve, të publikuar në rrjetet sociale. “Duke insistuar në nevojën për organizim ndër-sektorial të punëtorëve/eve me apo pa pagë, të vetëpunësuarve/ave, të papunësuarve/ave, pensionistëve/eve e studentëve/eve, thërrasim që 1 Majin ta manifestojmë këmbueshëm, me revoltë, shpresë e vendosshmëri për ta mbrojtur dinjitetin, jetën tonë dhe për ta bërë drejtësinë dhe barazinë parim të organizimit tonë shoqëror”.

Në ditët para protestës, organizatorët/et përdorën rrjetet sociale për të denoncuar kushtet e vështira të punës në Kosovë dhe arsyet që e bëjnë të domosdoshme protestën. Një nga shqetësimet kryesore, që u ngritën, ishte siguria në vendin e punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, ku dhjetë punëtorë kanë humbur jetën prej fillimit të vitit 2025 deri tani. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka raportuar 37 raste që lidhen me rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.

Protestuesit/et theksuan pagat, që kanë mbetur të ulëta përkundër rritjes së inflacionit, orët e gjata të punës pa kompensim dhe barrën e papaguar shtesë — punët e shtëpisë dhe përkujdesjen për fëmijët, të moshuarit apo anëtarë tjerë të familjes — që u bie mbi supe grave. Ata/o tërhoqën vëmendjen edhe ndaj margjinalizimit të vazhdueshëm të personave LGBTQ+, personave me aftësi të kufizuara dhe komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptianë në tregun e punës — shumë prej tyre përballen me barriera strukturore për punësim ose punojnë në kushte të padrejta dhe shfrytëzuese për shkak të shënjuesve të identitetit të tyre.

U theksua gjithashtu ndëshkimi ndaj punëtorëve që organizohen ose grevojnë për të kërkuar të drejtat e tyre të garantuara me ligj. Si shembull u përmend greva, që nisi në shtator të vitit të kaluar, e punëtoreve të mirëmbajtjes në Kuvendin e Kosovës, ku ato kërkuan rritje page nga 275 në 500 euro në muaj dhe renditën një varg shkeljesh të përditshme në vendin e punës, qoftë nga kompania apo personeli administrativ. Paga prej 275 eurosh mbetej nën pagën minimale bruto prej 350 eurosh, e cila hyri në fuqi më pas, në tetor 2024.

Pak para protestës, më 29 prill, aktivistët/et zhvilluan një aksion simbolik pranë hyrjes së Inspektoratit të Punës, duke vendosur në derë një letër me mbishkrimin “Institucion i privatizuar”. Përmes kësaj, ata/o kritikuan mungesën e reagimit institucional kur është fjala për mbrojtjen e punëtorëve.

“Punëtorët e punëtoret shfrytëzohen, keqtrajtohen dhe shpesh detyrohen të punojnë në kushte çnjerëzore, ndërkaq Inspektorati sillet si argat i privatit dhe jo mbrojtës i të drejtave të punëtorëve e punëtoreve”, shkruhej në deklaratën e tyre.

Shkeljet sistematike të të drejtave të punëtorëve u vunë në pah edhe në një raport të publikuar në prill nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), i përqendruar te shkeljet në zonat industriale të Kosovës — në Pishtinë, Gjilan, Prizren, Ferizaj. Duke u bazuar në intervista me 225 punëtorë në 45 kompani, raporti tregon se 59.3 e të anketuarve kanë raportuar përvoja të joformalitetit në pagë — 46.6% e tyre kanë raportuar se pagën e marrin pjesërisht në bankë, pjesërisht me para në dorë. 

Joformaliteti në punë vazhdon t’i ekspozojë punëtorët/et ndaj faktorëve si të ardhura të paqëndrueshme, pensione më të ulëta, punë të papaguar. Po ashtu, gratë janë edhe më të ekspozuara ndaj tij. Sipas një analize të vitit 2024, të Rrjetit të Grave, 42% e kosovarëve ishin të përfshirë në punë jo-formale në vitin 2022. Gratë ishin pothuajse dyfish më të prirura se burrat të ishin të përfshira në punën joformale, duke përbërë 65% të të gjithë punëtorëve/eve joformalë. 

Një tjetër raport i IKS, i publikuar në janar të këtij viti dhe i fokusuar në diskriminimin gjinor në punësim në Kosovë, tregon se gratë përballen me pengesa serioze, përfshirë diskriminimim të bazuar në gjini e ngacmimin seksual, në përpjekjen për të pasur mundësi të barabarta punësimi, derisa vazhdojnë të kenë besim të ulët në mekanizmat raportues. 

Midis tog-fjalëshve “Çdo grua është grua punëtore”; “Ne punojmë, ata fitojnë”; “Duam ngritjen e pagave”, protesta e 1 majit thirri për ndryshim të këtij konteksti të zymtë për punëtorët/et.  

Donika Elshani

Unë jam një nga bashkëiniciatoret e fushatës “Kosova Bojkoton”. Prej disa muajsh po e ndjek nga afër situatën me rritjen e çmimeve dhe padrejtësitë që po ndodhin. Kjo protestë është vetëm një vazhdimësi e angazhimit tim. Kam dalë sot për gjithçka që po thonë bashkëprotestuesit, për solidaritet me punëtorët e Kosovës, të cilëve çdo ditë po u shkelen të drejtat. Jam e lumtur që jam këtu, e rrethuar nga njerëz që e ndiejnë njësoj këtë padrejtësi, edhe pse e kam pritur që të ishin më shumë njerëz. Kjo është një temë që duhet ta nxjerrë secilin e secilën prej nesh në rrugë.

Medinë Dauti

Sot i jam bashkuar protestës për të ushtruar të drejtën time për të protestuar dhe për ta bërë të pranishëm trupin tim në këtë rezistencë, për të treguar se të gjithë punëtorët meritojnë një jetë me dinjitet. Kam dalë gjithashtu për të ngritur zërin kundër kapitalizmit dhe oligarkëve, që shtypin punëtorët. Vetë prania fizike në protestë është një akt revolte, një kërkesë për një jetë më të mirë dhe më të denjë për të gjithë ata që punojnë.

Arif Mulolli

As stafi menaxhues nuk na respekton, as kushte pune nuk kemi, asgjë mbi këtë tokë. Vetëm [ne, punëtorët] mundohemi për këtë popull, natë e ditë, dhe prapë badihava.

Fotografitë: Ferdi Limani / K2.0

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.