Në thelb | Shëndetësia

Punëtorët shëndetësorë në mes të pandemisë dhe neglizhencës së kahmotshme qeveritare

Nga - 13.09.2021

Shpërthimi i fundit i pandemisë COVID-19 risjell në fokus neglizhencën dy dekadëshe të institucioneve qeveritare ndaj sektorit shëndetësor.

Ka kaluar rreth një vit e gjysmë prej kur qytetarët në Kosovë, duartrokisnin nga ballkonet e shtëpive të tyre në solidaritet me punëtorët shëndetësorë, të cilët po përballeshin nëpër klinika me virusin COVID-19, atëherë kryesisht të panjohur. Duartrokitjet nisnin në mbrëmje, në pothuajse shumicën e qyteteve e lagjeve, duke thyer ndjenjën e izolimit, e duke dhënë mesazhin se lufta e saponisur kundër pandemisë ishte e përbashkët.

Që nga ajo kohë, në vend u ndërruan tri qeveri e u mbajtën një palë zgjedhje të përgjithshme, shpesh duke e zhvendosur vëmendjen nga valët e pandemisë që përcilleshin me vënie dhe heqje të atypëratyshme të masave kufizuese. 

Por, ishin në veçanti dy muajt e parë të verës së këtij viti, që krijuan përshtypjen e rrejshme se lufta kundër pandemisë, në masë të madhe, ishte fituar. 

Numri kryesisht i ulët i rasteve të infektimeve e vdekjeve; lehtësimi gati se i tërësishëm i masave kufizuese nga qeveria; fillimi i të ashtuquajturit vaksinim masiv; sheshet, klubet e natës, e sallat e dasmave plot njerëz; aeroporti e shtëpitë plot me familjarë nga diaspora; festivalet e koncertet plot shikues; festimet për medaljet e arta në xhudo; e përgatitjet për zgjedhjet lokale, lanë nën hije paralajmërimet që vinin për rrezikun nga varianti Delta. 

Dhe nuk kaloi shumë kohë, deri në gjysmën e dytë të gushtit, kur rritja e shpejtë e rasteve pozitive, hospitalizimet dhe numri i viktimave nuk mund të injoroheshin më. 

Ndërkohë që kriza e shëndetit publik filloi të shpaloset me shpërthimin e sërishëm të pandemisë, vëmendja u kthye edhe drejt punës së punëtorëve shëndetësorë të stërngarkuar, për të cilët vera edhe ashtu nuk kishte qenë kohë pushimi.

Pesëdhjetë fishimi i numrit të rasteve aktive — kryesisht me variantin Delta — që arrinte në afër 27,000, dhe vdekjet në numër dyshifror në ditë, me gjithsej 238 brenda muajit gusht, treguan se menaxhimi i pandemisë tashmë kishte dalë nga binarët. Ky shpërthim pandemik nxiti kritika ndaj mungesës së një menaxhimi më efikas nga ana e qeverisë. Ndërkohë që kriza e shëndetit publik filloi të shpaloset, vëmendja u kthye sërish drejt punës së punëtorëve shëndetësorë të stërngarkuar, për të cilët vera edhe ashtu nuk kishte qenë kohë pushimi.  

“Tash i kemi rreth 1500 thirrje brenda javës; vetëm dje [31 gusht] për shembull, i kemi realizu mbi 300 thirrje”, tregon Elisona Tahiri, 23 vjeç, një prej infermiereve në Qendrën e Thirrjeve për të prekurit nga COVID-19, në Qendrën Trajnuese të Mjekësisë Familjare (QTMF) në Ferizaj. 

E gjendur në ndërrim bashkë me infermieren Hanife Ramadanin, Tahiri është një prej gjashtë infermiereve që ofrojnë shërbime telefonike për qytetarët e komunës së Ferizajit që nga korriku i vitit të kaluar. Ato thërrasin të gjithë të prekurit me COVID-19 në këtë komunë, duke përcjellë në veçanti gjendjen dyjavore të pacientëve të izoluar nëpër shtëpi, e duke iu ofruar informata dhe këshilla shëndetësore.

Infermieret Elisona Tahiri dhe Hanife Ramadani, përcjellin gjendjen e të prekurve me COVID-19 përmes telefonatave. Foto: Atdhe Mulla/K2.0.

“Për ne më e rëndësishmja është t’i informojmë pacientët për punën e ekipit mobil në rast se kanë nevojë për vizita në shtëpi. Secilin pacient e thërrasim nga tri herë gjatë periudhës së infektimit, por tani ka pacientë që na kontaktojnë edhe vetë kur kanë nevojë”, thotë ajo, duke shtuar se konsumimi i çajit të gjetheve të dafinës për lehtësim të kollës është një prej këshillave më të shpeshta që i japin pacientëve.

Sipas saj, fundi i gushtit ishte periudha kur realizuan më së shumti thirrje telefonike deri atëherë dhe ndërsa më herët i kontaktonin edhe personat që kishin qenë në kontakt me pacientët që rezultonin pozitivë, rritja e rasteve ua bëri atë të pamundur.  

Ganimete Bajrami, specialiste e mjekësisë familjare, 58 vjeç, është një nga mjeket që kryen vizita shtëpiake tek pacientët me COVID-19, si pjesë e ekipit mobil në Ferizaj, i cili aktualisht punon në tri ndërrime dy nga to tetë orëshe dhe i treti që mbulohet nga emergjenca duke ofruar kështu shërbime 24 orëshe.

“Pacientin që sapo e vizituam e dërgova për në emergjencë, pasi pati gjendje të rënduar”, thotë ajo sapo zbret nga autoambulanca. Bashkë me dy infermieret e ekipit, Fatmire Rexhaj dhe Enkela Abazi, e pajisur me veshje dhe mjete mbrojtëse, ajo drejtohet për në shtëpinë e pacientit të radhës, në Lagjen e Re. 

Mjekja Ganimete Bajrami dhe infermieret Fatmire Rexhaj e Enkela Abazi, përmes vizitave shtëpiake, kujdesen për pacientët me COVID-19. Foto: Atdhe Mulla/K2.0.

Në dhomën ku hynë, në një prej qosheve afër shtratit të pacientit, është e mbështetur bombola e kaltër e oksigjenit. Pacienti i izoluar, në të 60-tat, ka të vendosur maskën e oksigjenit, e i ankohet mjekes për ënjtje këmbësh. Ndërsa infermieret i vendosin infuzionin, mjekja ia matë nivelin e oksigjenit dhe e inkurajon: “Vullnetin [për shërim] mbaje në maksimum!” 

Pas përfundimit të vizitës, Bajrami thotë se ngarkesa e stafit shëndetësor është e dukshme në të gjitha qendrat e kujdesit shëndetësor në Ferizaj. 

“As në fillim të pandemisë nuk kemi pasur një numër kaq të madh të pacientëve, sikurse tash gjatë gushtit”, thotë Bajrami. “Brenda një dite, mund të ndodhë që numri i vizitave shtëpiake shkon deri në 20, vetëm gjatë një ndërrimi”.

QKMF-ja në Ferizaj njoftoi se gjatë gushtit kishte ofruar afro 12 mijë shërbime anti-COVID-19, prej testimit, dhënies së infuzioneve e deri te vaksinimi. Ndër këto shërbime, ishin kryer 856 vizita shtëpiake nga ekipi mobil, e 3590 telefonata nga Qendra e Thirrjeve, duke ofruar kështu numrin më të madh të shërbimeve që prej fillimit të pandemisë. 

Shpërthimi i sërishëm i pandemisë krijoi situatë pothuajse të ngjashme në shumicën e qendrave të mjekësisë familjare, spitaleve, e klinikave në vend, duke vënë në pah gjendjen jo të mirë të sistemit shëndetësor, me mungesë jo vetëm të punëtorëve shëndetësorë por edhe të hapësirave.  

Kështu, në fund të gushtit, u raportua për mungesë të stafit shëndetësor në Spitalin e Gjilanit, ndërsa në javën e parë të shtatorit, Spitali i Pejës shënoi numrin më të lartë të pacientëve të shtrirë me COVID-19, që nga fillimi i pandemisë, me gjithsej 220 pacientë të hospitalizuar, prej të cilëve 192 në oksigjeno terapi. Kjo gjendje e detyroi spitalin që ta adaptojë edhe një sallë takimesh për trajtimin e pacientëve me COVID-19. 

Ministria e Shëndetësisë, tashmë ka kërkuar që komunat të identifikojnë hapësira alternative, siç janë sallat sportive, që do mund të shërbenin si spitale fushore për të prekurit më lehtë me COVID-19. Ndërkohë, në javën e fundit të gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) njoftoi se është detyruar të ndëpresë dhënien e disa shërbimeve spitalore jourgjente, për t’i shërbyer pacientëve me COVID-19, teksa stafi shëndetësor ndërpreu pushimet vjetore.

Në këtë gjendje kur sistemi shëndetësor është i stërngarkuar, me 291 vdekje të pacientëve me COVID-19 dhe 960 të hospitalizuar vetëm gjatë dymbëdhjetë ditëve të para të shtatorit, pandemia edhe një herë riktheu vëmendjen drejt mungesës së një reforme kuptimplotë shëndetësore, që do të adresonte mungesën e personelit shëndetësor, kushtet e tyre të punës, dhe keqmenaxhimin e resurseve humane në institucionet shëndetësore publike.   

Shpërfaqja e problemeve sistemike  

Përderisa pandemia po përshkallëzohej shumë shpejt, qeveria iu përgjigj valës së re duke ndërmarrë një varg masash në fund të gushtit, kur riktheu kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe punës së gastronomisë, e shtyu fillimin e vitit shkollor.    

Përveç që shtoi numrin e inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) nga 11 sa ishin në 96për t’u kujdesur se kufizimi i orarit të punës së gastronomisë respektohej, qeveria mori vendim t’i punësojë përkohësisht mbi 1500 punëtorë shëndetësorë për ta lehtësuar ngarkesën aktuale të personelit shëndetësor. 

Më 20 gusht, Ministria e Shëndetësisë hapi konkursin për pranimin e 1116 mjekëve të përgjithshëm, infermierëve, e teknikëve, ndërsa më 29 gusht, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media njoftoi se do të punësoheshin edhe 420 punëtorë të tjerë shëndetësorë. 

“Ky numër i mjekëve dhe infermierëve do t’i hyjë në punë komunave që të përforcohet edhe rrethoja, pra mjekimi që ofrohet në nivelin lokal, në mënyrë që një pjesë e pacientëve të mos ketë nevojë të drejtohet në QKUK [Qendrën Klinike Universitare të Kosovës]”, tha Vitia.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2019, tregojnë se në sektorin publik të shëndetësisë janë të punësuar mbi 3600 mjekë. Sipas, Pleurat Sejdiut, kryetar i Odës së Mjekëve — organizatë e pavarur profesionale e mjekëve — afër 2000 prej tyre janë në front të parë në përballje me pandeminë, kryesisht specialistë të mjeksisë familjare, anesteziologë, pulmologë, dhe infektologë.

Megjithatë, duket se masat e ndërmarra nga qeveria nuk do të arrinë të adresojnë problemet më sistematike në sistemin shëndetësor, të cilat janë grumbulluar ndër vite. 

“Në dy javët e fundit të gushtit, një infermiere është kujdesur për 25 deri 30 pacientë, duke e pasur të pamundur të ofrojë shërbime cilësore”.

Naser Rrustemi, kryetar i Odës së Infermierëve

Për Odën e Infermierëve të Kosovës (OIK) — organizatë e pavarur profesionale e infermierëve — vendimi i qeverisë megjithëse i mirëseardhur, është i vonuar. 

Kryetari i kësaj Ode, Naser Rrustemi, thotë se prej kohësh kanë bërë kërkesa të përmuajshme për shtimin e numrit të infermierëve, porse ato nuk janë adresuar as nga menaxhmenti i ShSKUK-së e as nga Ministria. Kërkesat ishin bërë në veçanti pas shkëputjes së një numri të kontratave të përkohshme të personelit infermieror, në muajin qershor. Këto kontrata ishin lidhur në tetor të vitit 2020, me rreth 375 punëtorë shëndetësorë si pjesë e një projekti të Bankës Botërore, për të ndihmuar në menaxhimin e pandemisë. 

“Në dy javët e fundit të gushtit, një infermiere është kujdesur për 25 deri 30 pacientë, duke e pasur të pamundur të ofrojë shërbime cilësore”, thotë Rrustemi. “Vendimi i Ministrisë [për pranim të stafit shtesë], është bërë aty-për-aty dhe nuk e zgjidh problemin e mungesës së infermierëve”.

Rrustemi shton se ndonëse konkurse për pranim të personelit të ri infermieror duhet të ketë çdo vit, që dy-tri vjet, ShSKUK-ja apo edhe institucionet e tjera, nuk kanë shpallur konkurs për plotësimin e vendeve të atyre që janë pensionuar.

Sipas kryetarit të Odës së Mjekëve, Sejdiu, në mesin e mjekëve mungesa e stafit profesional është posaçërisht e theksuar në fusha të caktuara të cilat janë qenësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19, si anesteziologë, infektologë, e pulmologë, duke penguar kështu organizimin e ekipeve të mirëfillta shëndetësore, sidomos në shërbimin e kujdestarisë. 

“Ne kemi pasur rastin para disa ditësh kur kolegët oftalmologë [specialistë për trajtimin e sëmundjeve të syrit] i kanë dërguar një shkresë bordit të ShSKUK-së, se nuk marrin përgjegjësisë profesionale në rast të gabimeve [për trajtimin e pacientëve me Covid-19], pasi nuk janë të trajnuar”, thotë Sejdiu. “Askush nuk i ka trajnuar”. 

Sipas Sejdiut, mungesa e mjekëve specialistë në lëmi të caktuara, në masë të madhe është rezultat i dhënies së specializimeve për mjekët e rinj pa u respektuar nga Ministria e Shëndetësisë planifikimi profesional i përgjithshëm dhe strategjia për zhvillimin e resurseve njerëzore të hartuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), gjatë  vitit të kaluar.

Mungesa më e madhe [e mjekëve specialistë] është në fushën e kirurgjisë, anesteziologjisë dhe në lëmitë që nuk shihen si tërheqëse për sektorin privat, si infektivja e shëndeti publik”, thotë Sejdiu.

Sipas tij, ky problem do të mund të rregullohej përmes hapjes së portave selektive për specializime, që do të nënkuptonte zvogëlimin e numrit të specializimeve në disa drejtime ku nuk ka mungesë të profesionistëve shëndetësorë dhe rritjen e tyre në lëmi të tjera deficitare. Megjithatë, Sejdiu thotë se kjo gjë nuk është bërë vitin e kaluar. 

“Për shembull, janë dhënë mbi 80 specializime për dermatologji sepse kërkohet nga sektori privat, ndërsa shumë pak në infektive”, shton ai.

Besa Zogu, tash specializante për sëmundjet infektive, ishte pjesë e grupit të mjekëve të rinj vullnetarë që nisën punën në QKUK në mars 2020, për t’i dalë në ndihmë sistemit të stërngarkuar shëndetësor. Foto: Atdhe Mulla/K2.0.

Njëra prej rreth 18 specializantëve në drejtimin e sëmundjeve infektive, është Besa Zogu, 26 vjeç, e cila që prej muajit prill të vitit 2020, ka shërbyer në Klinikën Infektive, në QKUK. 

Aty fillimisht ishte pranuar si mjeke vullnetare, kur Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me IKShPK-në dhe Fakultetin e Mjekësisë, kishte formuar grupin e mjekëve të rinj vullnetarë, të cilët ndihmuan në qendra të ndryshme gjatë muajve të parë të pandemisë.

Zogu më pas ishte angazhuar në projektin e Bankës Botërore për të ndihmuar në menaxhimin e pandemisë si mjeke e përgjithshme, dhe nga shkurti i këtij viti, ka vazhduar me specializim. Si përvoja e saj e parë profesionale, puna gjatë pandemisë, kishte qenë vendimtare në zgjedhjen e drejtimit të specializimit. 

“Gjatë kësaj kohe, e kam parë rëndësinë e drejtimit për sëmundje infektive, pasi në situatën e pandemisë nevoja për specializantë ka qenë shumë e madhe”, thotë ajo, duke shtuar se tani në pikun e pandemisë gjatë kujdestarisë 24 orëshe, në ambulancën e pranimit, kujdeset për mbi 100 pacientë, bashkë me kolegët kujdestarë. 

Institucionet shëndetësore publike në Kosovë, prej vitesh përballen me mungesë të profesionistëve shëndetësorë. Vitin e kaluar institucionet për herë të parë prej vitit 2016 shpallën konkurs për specializantë të rinj. 

Në mungesë të perspektivës për punë, pagave të ulëta dhe kushteve jo të mira të punës, shumë mjekë të rinj, bashkëmoshatarë të Besës, zgjedhin të vazhdojnë shkollimin ose të punojnë në vendet e Evropës Perëndimore, kryesisht në Gjermani.

"Vitin e kaluar gjatë pandemisë u larguan tre anesteziologë nga QKUK-ja. Menjëherë filloi kriza, për tre mjekë. Çka nëse edhe të tjerë ikin? Komplet sistemi bllokohet”.

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve

Ndërsa moshta mesatare e mjekëve të punësuar në sektorin publik është mbi 50 vjeç, në periudhën e tri viteve të fundit, llogaritet se nga vendi çdo vit janë larguar nga 110 mjekë. Në mesin e infermierëve ky numër sillet nga 300 deri në 350.

Sipas Odës së Mjekëve, trendi i ikjeve të mjekëve gjatë këtyre muajve, tregon se deri në fund të vitit, numri i atyre që largohen mund të arrijë deri në 150. Sejdiu thotë se ky numër është shqetësues kur merret parasysh fakti se po aq mjekë të rinj diplomohen çdo vit në Fakultetin e Mjekësisë. 

“Ne po mbesim me bilac zero. Dhe, kur dihet se moshta mesatare e mjekëve që ikin është 30 vjeç, i bie që komplet gjeneratën e re jemi duke e humbur”, thotë Sejdiu duke shtuar se situata bëhet më alarmuese kur ka edhe specialistë të rinj që ikin. “Vitin e kaluar gjatë pandemisë u larguan tre anesteziologë nga QKUK-ja. Menjëherë filloi kriza, për tre mjekë. Çka nëse edhe të tjerë ikin? Komplet sistemi bllokohet”.

Ndërsa sistemi shëndetësor përballet me mungesë të mjekëve, Sejdiu thekson se rreth përafërsisht 400 të tillë aktualisht janë të papunë. Sipaj tij, arsyet kryesore për këtë gjendje janë neglizhenca ndaj kërkesave të insitucioneve shëndetësore për punësim nga ministria e kaluar e Financave, moskoordinimi politik ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal të qeverisjes, dhe punësimi i një numri të madh të stafit administrativ. 

Sipas Sejdiut, përmirësimi i kushteve të punës dhe cilësisë së shkollimit, adresimi i keqmenaxhimit me burime njerëzore, dhe rritja e pagave në sektorin publik, janë hapat e vetëm që do të ndërprisnin ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga vendi.  

Revoltë në embrion 

Çështja e pagave dhe kushteve të punës janë shqetësime që janë ngritur nga punëtorët shëndetësorë ndër vite. Por këto shqetësime u riaktualizuan me vendimin e 25 gushtit të qeverisë, ku u vendos për dhënien e shtesave prej 10 përqind të pagës bruto për punëtorët shëndetësorë në sektorin publik, deri në muajin tetor. 

Për pjesën dërrmuese të personelit shëndetësor kjo përqindje nënkupton një rritje prej 60 euro të pagës së tyre mujore. Aktualisht, pagat e punëtorëve shëndetësorë në Kosovë në sektorin publik sillen prej rreth 400 euro për infermierët, në 566 euro për mjekët e përgjithshëm, e deri në 661 për mjekët specialistë.

Që prej marsit të vitit 2020, punëtorët shëndetësorë në front kundër COVID-19 kanë pranuar shtesa që arrinin vlerën prej 150 deri në 300 euro, gjatë periudhave të ndryshme të pandemisë. Andaj, vendimi i fundit qeveritar për shtesat prej 60 eurosh, nxiti jo pak revoltë.

“Kërkesat nga infermierët janë që qysh tani të fillojmë me protesta e të vazhdojmë me grevë, mirëpo ne do të presim deri në uljen e rasteve të infektimeve në vend”.

Pëparim Berisha, kryetar i Sindikatës së Infermierëve

Më 30 gusht, Sindikata e Infermierëve dhe shoqatat e infermierëve të psikiatrisë, neurologjisë, e shoqata të tjera, të mbledhur në oborrin e QKUK-së, paralajmëruan organizimin e një proteste gjatë muajit shtator. 

“Kërkesat nga infermierët janë që qysh tani të fillojmë me protesta e të vazhdojmë me grevë, mirëpo ne do të presim deri në uljen e rasteve të infektimeve në vend”, tha infermieri Pëparim Berisha, kryetar i Sindikatës, gjatë konferencës për media. 

Për Odën e Infermierëve, e cila përkrah protesën e paralajmëruar, pakënaqësia e stafit infermieror shkon përtej shtesave prej 60 euro, të ofruara nga qeveria. 

Kryetari i Odës, Rrustemi, thotë se kërkesat kryesore që planifikohen të artikulohen në protestë kanë të bëjnë me ligjin për paga, hartimin e ligjit të infermierisë, dhe përmirësimin e kushteve të punës së infermierëve.  

“Infermierët, mamitë dhe punëtorët e tjerë shëndetësorë nuk janë kategorizuar fare në variantin e kaluar të ligjit të pagave. Ne thjesht po kërkojmë të jemi të barabartë me të tjerët”, thotë Rrustemi. 

Ligji për Pagat në Sektorin Publik ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës në shkurt 2019 dhe synonte harmonizimin e të gjitha pagave në sektorin publik. Por në dhjetor të po atij viti, Avokati i Popullit e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. 

Në qershor të vitit 2020, Gjykata vendosi ta shpallë të pavlefshëm ligjin, duke konstatuar se Ligji i kontestuar përmbante një mori problemesh serioze të nivelit kushtetues ku ndër tjera mospërputhjesh, theksonte se, me gjithë qëllimin e ligjit për ‘harmonizim’ të pagave në nivel të të gjithë sektorit publik, kishte bërë përjashtime arbitrare dhe të paarsyeshme për disa institucione.

Rishikimi dhe miratimi i ligjit për paga është kërkesë kryesore edhe e Odës së Mjekëve,   megjithëse nuk ka përkrahur thirrjet sindikaliste për protestë. Sipas kryetarit Sejdiu, kjo periudhë kur ka rritje drastike të numrit të pacientëve, nuk është kohë proteste për mjekët. 

“Po, shtesat nga qeveria janë denigruese dhe destimuluese, por ne duhet të luftojmë dhe të bëjmë presion për ligjin për paga, në mënyrë që të miratohet para fundvitit dhe të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm”, thotë Sejdiu. “Saga e pagave duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë”, thotë ai, duke shtuar se në ligj ka nevojë të bëhet kategorizim më i detajuar i mjekëve, varësisht nga specialiteti, rrezikshmëria dhe ngarkesa e tyre në punë. 

Në versionin tashmë të shfuqizuar të ligjit për paga, parashihej që infermierët të paguheshin mbi 500 euro, mjekët e përgjithshëm dhe ata në specializim mbi 800 euro, ndërsa mjekët specialistë 1195 euro. 

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë i kishte dhënë afat deri më 13 shtator qeverisë t'i adresojë kërkesat e tyre.

Paga bazë, sipas këtij ligji, shpërblente punën sipas nivelit të kompleksit të funksionit, pozitës apo gradës dhe nivelit të kualifikimit të kërkuar për atë funksion, pozitë apo gradë. Ndërkaq, kompleksiteti ishte rezultat i kombinimit të përgjegjësisë, rëndësisë dhe lirisë të vendimmarrjes, vështirësisë dhe rrezikshmërisë të kryerjes të detyrave në atë funksion, pozitë apo gradë, si dhe kufizimeve që shoqërojnë punën.

Ndërkohë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSShK) ka parashtruar gjashtë kërkesa për qeverinë, ku përfshihen rishikimi i vendimit për shtesat mbi pagë dhe dhënia e tyre në mënyrë retroaktive në vlerë jo më të ulët se 300 euro, si dhe aprovimi i ligjit për paga brenda vitit 2021. 

Në rast se deri në përfundim të ditës së sotme, 13 shtator, këto kërkesa nuk adresohen nga qeveria, FSSh-ja ka thënë se, ndonëse nuk do të organizojnë grevë masive, protestimi do të bëhet i pashmangshëm.

Tash kur sipas definicionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) pandemia në Kosovë është jashtë kontrollit — me shkallë ditore të pozitivitetit të rasteve më të lartë se 5 përqind — dhe me paralajmërimet e personelit shëndetësor për protesta, mbetet të shihet nëse ky moment do të shërbejë që kërkesat dhe shqetësimet e tyre, më në fund, të mos bien në vesh të shurdhër. Duket se kësaj here, vetëm duartrokitjet, në shenjë mirënjohjeje, nuk do të kryejnë më punë.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla/K2.0