S`fundmi | Aktivizmi

Punëtori: Metodat e Hulumtimit, Shkrimi dhe Publikimi

Nga - 25.12.2020

Kosovo 2.0 ju fton të regjistroheni në punëtorinë për të zhvilluar aftësitë tuaja të shkrimit kreativ dhe hulumtimit, në kuadër të programit Lokomotiva 2.0 të financuar nga Fondi Prince Claus. 

Punëtoria “Metodat e Hulumtimit, Shkrimi dhe Publikimi” do të mbahet më 14 dhe 15 janar dhe është e para në mesin e një numri punëtorish mbi tema të tjera që do të zhvillohen gjatë implementimit të projektit.

Kjo punëtori ju trajnon për të shkruar për qëllime të ndryshme, dhe ju mundëson të zgjedhni prej disa temave dhe stileve të shkrimit. Trajnueset tona do t’ju ndihmojnë t’i përpunoni teknikat e shkrimit dhe do të shkëmbejnë mendime duke shërbyer si mentoret e juaja gjatë dy ditëve të punëtorisë. 

Përveç të mësuarit për hulumtimin, shkrimin dhe publikimin, në një pjesë të punëtorisë do të keni mundësi të shkruani për temën e përzgjedhur. Më pas do t’i ndani shkrimet me pjesëmarrësit e tjerë për t’i përpunuar dhe redaktuar ato në bashkëpunim me trajnueset. Do të mësoni si të hulumtoni prej burimeve të besueshme dhe të gjeni ide, ta planifikoni dhe ta shkruani draftin e parë, ta rishikoni përmbajtjen dhe cilësinë e shkrimit, ta redaktoni atë për përmirësim të gramatikës, dhe në fund ta publikoni.

Pra, gjatë dy ditëve do të fitoni më shumë njohuri për qasjen teorike të hulumtimit dhe të grumbullimit të të dhënave nga burimet e besueshme, dhe do të mësoni si ta transformoni hulumtimin në shkrimin të cilin dëshironi ta publikoni.

I ftojmë gazetarët e rinj, hulumtuesit, aktivistët dhe individët e tjerë të interesuar ta shprehin veten nëpërmjet shkrimeve që të aplikojnë në këtë punëtori e cila do të drejtohet nga shkrimtarja Ardiana Shala Prishtina si dhe nga psikologia Adea Kondirolli.

Për shkak të masave të distancimit fizik, punëtoria do të organizohet online përmes platformës Zoom. Për ata që kanë nevojë do të sigurohet përkthim në gjuhët angleze dhe serbe përmes kanaleve të përkthimit në Zoom.

Për t’u regjistruar në punëtori, ju lutem klikoni këtu. Aplikuesit e përzgjedhur dhe ata që nuk përzgjedhen do të njoftohen përmes email-it. Afati i fundit për regjistrim është më 4 janar 2020.