Publikimi i emrave të më se 10,000 njerëzve të cilëve u është kërkuar të vetizolohen gjatë fazës së parë të COVID-19 mund t’i kushtojë shtetit të Malit të Zi një sasi të konsiderueshme të fondeve publike. Një numër i aktakuzave janë ngritur tashmë, ndërsa pritet të pasojnë edhe të tjera.
Vendimi për t’i publikuar këto të dhëna u është dukur i arsyeshëm dhe i domosdoshëm institucioneve që e kanë marrë atë — qeverisë (në largim) dhe Trupit Koordinues Kombëtar për Sëmundje Infektive — edhe pse shumë persona kanë paralajmëruar se një vendim i tillë do të konsiderohej sulm i drejtpërdrejtë ndaj privatësisë.
Të dhënat personale të personave që kishin pranuar paralajmërim të shkruar për t’u vetizoluar për 14 ditë janë publikuar duke filluar me 21 mars. Kryeministri në largim, Duško Marković, tha se lista e personave të karantinuar po publikohej “për shkak që e drejta për shëndet dhe jetë është mbi të drejtën e pakushtëzuar për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Sidoqoftë, Gjykata Kushtetuese anuloi vendimin e qeverisë më 27 korrik. Ata konkluduan se publikimi i të dhënave personale të personave të detyruar të vetizolohen “ka krijuar parakushte për stigmatizimin e tyre” dhe se në këto të dhëna mund të kenë qasje një numër i palimituar i qytetarëve, gjë e cila është konsideruar si gabim.
Pas këtij vendimi, akuzat e para janë ngritur në shtator dhe qeveria është detyruar të dalë me kërkimfalje.
Kosta Mijušković, një ndër personat që u është publikuar emri, tash është duke ngritur akuzë kundër qeverisë. “Mendoj se është koha që shteti t’i korrigjojë gabimet e veta”, thotë ai për K2.0.
Stigmatizim i thellë
Në mes të tetorit — nën trysninë e akuzave në ngritje — qeveria ka nxjerrë një kërkimfalje për të gjithë ata të cilëve u janë cenuar të drejtat. Ata njoftuan që kishin mbërritur në përfundimin se Trupi Koordinues ka vendosur t’i publikojë emrat gjatë valës së parë të pandemisë me bindje të plotë se veprimi i tyre ishte në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e tjera, si dhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Thelbësore.

Si pjesë e masave të lidhura me COVID-19, qeveria e Malit të Zi ka publikuar emrat e më se 10,000 personave të cilëve u është kërkuar të vetizolohen në pranverë. Foto: Boris Pejović.
“Masa është konsideruar e domosdoshme dhe proporcionale me qëllimin legjitim për të mbrojtur jetët dhe shëndetin e të gjithë qytetarëve. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Mal të Zi, Trupi Koordinues pendohet thellësisht për ndjenjën e parehatisë potenciale të shkaktuar nga vendimi për të publikuar emrat e personave në vetizolim të detyruar”.
Në anën tjetër, avokatja e bazuar në Podgoricë Vesna Cimbaljević nuk e aprovon terminologjinë e përdorur nga zyrtarët qeveritarë. Ajo thotë që nuk është “ndjenjë e parehatisë” por “stigmatizim i thellë të cilin disa njerëz e kanë përjetuar shumë keq”.
Ajo përfaqëson ligjërisht një numër të qytetarëve të cilët kanë vendosur të kërkojnë dëmshpërblim në gjykatë për gjithçka që kanë përjetuar.
“Kur e drejta e dikujt është shkelur — sidomos nëse ajo e drejtë është e mbrojtur me Kushtetutë — në asnjë mënyrë nuk mund të flasim për ndjenjë të parehatisë”, thotë ajo, duke shtuar që qeveria ka bërë një lëshim të madh. Megjithatë, ajo mirëpret njoftimin dhe kërkimfaljen publike.
“Unë besoj që është mënyrë e mirë për të ndihmuar personat të cilët janë përballur me ndonjë lloj të stigmatizimit”, thotë avokatja. Sipas saj, në nivel emocional, askush nuk mundet ta gjykojë intensitetin e ndjenjave negative të cilat ata i kanë përjetuar.
Kthimi traumatik në shtëpi
Kosta Mijušković e ka gjetur emrin e tij në listën e personave të cilëve u ishte kërkuar të vetizolohen për shkak të mundësisë së infektimit. Si shumë banorë të tjerë të Malit të Zi, ai ishte jashtë vendit në fillim të pandemisë.
“Shteti ka premtuar ose të na kthejë të gjithëve në shtëpi nga jashtë vendit me shpenzimet e veta ose të na rikompensojë për biletat e aeroplanit shumë të shtrenjta të cilat i kemi blerë të këshilluar nga ata”, thotë Miljušković, duke i rikujtuar problemet nga pranvera që shkoi.