Duke filluar nga e premtja (13 nëntor), lëvizja e qytetarëve dhe aktiviteti ekonomik do të lejohet vetëm deri në orën 19 në komunat “me rrezikshmëri të lartë” të cilat brenda një jave shënojnë mbi 150 banorë të infektuar me COVID-19 për 100 mijë banorë.
Kjo është një ndër masat për parandalimin e infektimeve që kanë dalë në një vendim të ri të Qeverisë të enjten (12 nëntor).
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti i ka shpalosur masat e reja në një konferencë të mërkurën (11 nëntor), pas shtimit të rasteve të reja të infektimeve që ka çuar në rritjen e vrullshme të numrit të pacientëve të shtruar nëpër spitale.
Të mërkurën janë regjistruar 733 raste të reja, që i bie rreth 50% nga 1,519 persona të testuar gjithsej. Ndërkaq katër persona të infektuar kanë vdekur.
Në konferencë, Hoti e ka përshkruar situatën si “tepër e rëndë”, duke thënë se projeksionet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK) për ditët dhe javën në vijim janë “mjaft pesimiste” dhe shqetësuese.
Me vendimin e miratuar nga Qeveria të enjten, komunat kategorizohen në tri grupe: me rrezikshmëri të lartë, të mesme dhe të ulët. Të dhënat mbi baza javore do të publikohen çdo javë nga IKShPK dhe Ministria e Shëndetësisë, dhe në bazë të tyre do të përditësohet edhe kategorizimi i komunave.
Në grupin e komunave me rrezikshmëri të lartë, sipas kryeministrit Hoti aktualisht hyjnë Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Mitrovica e Jugut, Gjilani, Ferizaj, Shtimja, Gjakova dhe Peja. Për këto komuna, pas orës 19 deri në 5 të mëngjesit do të ketë kufizim të plotë të lëvizjes së qytetarëve.
Aktiviteti ekonomik, duke përfshirë gastronominë, hotelerinë dhe qendrat tregtare, po ashtu do të ndërpritet pas kësaj ore. “Praktikisht [do të ketë] orë policore në këto komuna”, ka thënë Hoti në konferencën e së mërkurës.
Për komunat me rrezikshmëri të mesme — me 75 deri në 150 banorë të infektuar për 100 mijë banorë — aktiviteti ekonomik lejohet deri në orën 18 (pas kësaj ore do të ketë vetëm shërbime “merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”), porse nuk do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve.
Ndërkaq për komunat me rrezikshmëri të ulët — me më pak se 75 banorë të infektuar për 100 mijë banorë — aktiviteti ekonomik do të ndërpritet duke filluar nga ora 20 dhe po ashtu nuk do të ketë kufizim të lëvizjes së qytetarëve.
Hoti ka thënë se masat e reja janë të domosdoshme për të parandaluar mbingarkimin e hapësirave spitalore me pacientë që kërkojnë ndihmë si pasojë e infektimit.
Para rreth dy javëve kur K2.0 shkroi për shtimin e rasteve, në gjithë vendin ishin rreth 300 pacientë të shtrirë në spital. Ky numër tani është dyfishuar: mbi 600 pacientë me COVID-19 janë të shtrirë në të gjitha hapësirat spitalore në vend, gjersa kapacitetet e përgjithshme janë afër 900.
Kufizime të reja në gjithë vendin
Krahas kufizimit të lëvizjes dhe aktivitetit ekonomik, Qeveria ka marrë edhe një varg masash të tjera, të cilat janë kryesisht përditësim i atyre ekzistuese dhe vlejnë për tërë territorin e Kosovës.
Personat mbi moshën 65 vjeçe mund të dalin nga shtëpia vetëm gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00. Jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore.
Personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe ato gjidhënëse lirohen nga paraqitja në punë, ndërsa punëdhënësit udhëzohen t’ua mundësojnë atyre punën nga shtëpia aq sa është e mundur.
Vazhdojnë të ndalohen të gjitha tubimet publike dhe grumbullimet e qytetarëve prej më shumë se pesë personave në vende publike. Transporti publik lejohet të operojë me 50% të kapaciteteve, ndërsa taksitë me vetëm një pasagjer në ulësen e mbrapme, ose me tre pasagjerë të së njëjtës familje.
Teatrot, kinematë, muzetë dhe instituticionet e tjera kulturore lejohen të zhvillojnë aktivitetet duke shfrytëzuar 30% të hapësirave.
Fitneset dhe pishinat e mbyllura lejohen të operojnë duke shfrytëzuar 40% të hapësirave. Aktivitetet tjera sportive lejohen si në hapësira të mbyllura ashtu edhe në të hapura. Për sporte individuale, në stërvitjet në hapësira të mbyllura mund të marrin pjesë deri në 20 persona, ndërsa në gara mund të marrin pjesë deri në 50 persona.
Shtetasit e Kosovës me vendbanim në një shtet tjetër dhe shtetasit e huaj “që vijnë nga vendet me risk të lartë, sipas listës zyrtare të ECDC-së” obligohen të paraqesin testin negativ për të hyrë në Kosovë, në të kundërtën obligohen të vetizolohen për një javë. Përjashtim bëjnë personat të cilët udhëtojnë transit, transportuesit profesionistë, si dhe diplomatët e huaj bashkë me familjarët e tyre.
Ndërkaq ekipet mjekësore të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare do të vendosen sërish nëpër pikat kufitare për t’ua matur temperaturën udhëtarëve dhe “të bëjnë kontrollin e udhëtarëve”.
Arsimi i lartë do të kalojë online; përjashtim bëjnë provimet, “puna praktike” dhe laboratorike. Arsimi parauniversitar vazhdohet si deri më tani, ndërsa për çerdhe vendosin autoritetet komunale.
Vendimi do të rishqyrtohet në afat prej dy javësh.
Reagimet fillestare
Mënyra e vendosjes së masave të reja është kundërshtuar nga Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës, e cila aktualisht është në zonën e kuqe.
“Prishtina në zonën e kuqe, e Lipjani e Graçanica në zonë të gjelbër, thua se jemi qindra kilometra larg”, ka thënë ai në një postim në Facebook. “Në qoftë se një komunë nuk e teston askënd, pra nuk ka raste pozitive, atëherë është në zonën e gjelbër. Prishtina me 12,000 teste natyrisht se ka me dal me numër më të madh se sa Ferizaj me 350 teste”.
Ahmeti ka shtuar se është kundër mbylljes “me këso parimesh dhe kriteresh” dhe “pa ndihmë ekonomike për bizneset dhe qytetarët”.
Ndërkaq Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) i ka mbështetur masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, duke i ftuar bizneset që t’i respektojnë ato. Kryetari i OEK, Berat Rukiqi, ka thënë se kanë qenë kundër mbylljes totale, dhe se me vendimet e fundit është mundësuar ruajtja e shëndetit publik por edhe funksionimi minimal i ekonomisë.
Ai ka shtuar se dënimet për bizneset që nuk i përfillin këto masa mund të shkojnë deri në tre muaj mbyllje.
Pandemia dhe masat parandaluese kanë lëkundur ekonominë e brishtë të vendit. Sipas analizës së Bankës Botërore, ekonomia e Kosovës gjatë këtij viti është pritur të ketë tkurrje prej 8.8%.
Në ndërkohë, Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike — që parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej më se 350 milionë eurosh — nuk është shqyrtuar në leximin e dytë në Kuvend të paraparë për të mërkurën (11 nëntor), për shkak të mungesës së kuorumit. Projektligji u votua në lexim të parë më 12 tetor, pas gjashtë përpjekeve të dështuara. K
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Raportimi nga Bekë Veliu dhe Tringë Sokoli.