Pikëpamje | Arsimi

Reformimi i arsimit në Kosovë

Nga - 15.04.2019

Angazhimi i talentëve të Kosovës me punë në mësimdhënie.

Në çdo vend të botës janë disa studentë të caktuar që pritet të kenë të ardhme të sukseshme, përderisa të tjerët duhet të tejkalojnë shumë pengesa për të arritur deri te suksesi. Në sistemin e arsimit në Kosovë këto dallime vërehen shumë pak; edhe pse Kosova e ka njërën ndër popullatat më të reja në botë, fatkeqësisht studentët e saj nuk po përgatiten të kenë sukses brenda kufinjve apo të garojnë nëpër botë.

Është e ditur nëpër të gjithë vendin — e veçanërisht në komunitetin e arsimit — se rezultatet e Kosovës në testin e Programit për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtar (PISA) për vitin 2015, ishin alarmuese. Në test pikët e nxënësve të Kosovës në matematikë, shkencë dhe lexim ishin ndër më të dobëtat në botë.

Problemet në sistem dihen mjaft mirë. Në katër vitet e fundit, pavarësisht ndryshimeve që Kosova i ka zbatuar, prapsëprapë kanë sjellë rezultate minimale. Kosova e ka një program mësimor të ri që po zbatohet nëpër të gjithë vendin dhe shteti e ka krijuar një komision të PISA-s për testin e vitit 2018 — rezultatet e të cilit nuk do të dihen deri në fund të vitit 2019. Ndonëse ndryshimi i menjëhershëm është  i pamundur të vlerësohet, ndjesia në të gjithë vendin është se ende ka probleme të rëndësishme që po e pengojnë përmirësimin e sistemit të arsimit në vend.

Në shtator të vitit 2018, e themelova organizatën joqeveritare Teach For Kosova — organizata punon për zbatimin e modelit botëror Teach For All në mënyrë që ta adaptojë të njëjtin në kontekstin e Kosovës.

Ndonëse modeli është i caktuar botërisht, në mënyrë që ky të ketë sukses duhet të jetë i fokusuar në zgjidhjen e problemeve unike që po përballet arsimi i Kosovës. Modeli Teach For All është zbatuar në 49 shtete nëpër botë. Zgjerimi i tij tregon për suksesin e tij dhe Teach for All po e mbështetë Teach for Kosova në fillimet e tij.

Kushti paraprak bazë i këtij modeli është të rekrutojë, trajnojë dhe të zhvillojë të diplomuarit më premtues të vendit dhe t’i vendosë si mësues/e me orar të plotë për dy vite në shkollat më me nevojë në Kosovë. Modeli bazohet në atë se mësimi në thelb është një pozitë udhëqëse dhe në mënyrë që nxënësit të jenë të suksesshëm, kanë nevojë për mësues/e që janë shembull i mirë dhe që i përkrahin.

Bursa zgjat dy vite dhe qëllimi i saj është që të diplomuarit e programit të bëhen alumni që janë të mirëinformuar rreth çështjeve arsimore dhe janë të frymëzuar të sjellin ndryshim. Të rekrutuarit — të  zgjedhur nga suksesi i të tyre akademik dhe potencialit udhëheqës të dëshmuar — do të vendosen që të kuptojnë problemet sistemike në sistemin e arsimit dhe të punojnë së bashku që t’i adresojnë këto probleme.

Ndonëse organizata jonë do të ndjekë modelin bazë Teach For All — do të rekrutojë udhëheqësit e rinj, do t’i vendosë nëpër shkolla dhe do të zhvillojë kapacitetin e tyre — programi në vete do jetë shumë i kontekstualizuar.

Ekipi i Teach For Kosova së pari do të mundohet të kuptojë përparësitë dhe të metat në sistemin  e arsimit në Kosovë. Kjo do të bëhet përmes hulumtimit, bisedave me udhëheqës të arsimit dhe ndoshta më e rëndësishmja përmes një përfshirje të komuniteteve kudo në Kosovë. E gjithë kjo do të shërbejë për zhvillimin e një programi që do t’i përgatisë mësuesit/et për sukses dhe udhëheqësit për ndryshim.

Shpesh thuhet se mësuesit/et punësohen në baza partiake dhe pozitat e udhëheqjes iu ipen si favore politike.

Në mënyrë që të arrijmë këtë synim, ekipi ynë në janar të vitit 2019 i ka zgjedhur tri komunitete për të filluar punën dhe hulumtimin në terren — Gjakovën, Mitrovicën dhe Malishevën. Dy të parat janë përzgjedhur kryesisht për shkak të numrit të madh të nxënësve rom, ashkali dhe egjiptas. Përderisa sistemi i arsimit në Kosovë ka një performancë të dobtë si tërësi, problemi është i theksuar sidomos në këto komunitete me minoritete. Malisheva është përzgjedhur sepse është një komunë më rurale në Kosovë me nxënës prej një prapavije më të ulët shoqëroro-ekonomike.

Gjatë vizitave në këto shkolla, kemi gjetur disa probleme që me sa duket mbizotërojnë në gjithë sistemin e arsimit. Gjegjësisht mungesa e burimeve si dhe politizimi në sistemin e shkollimit. Mungesa e burimeve mund të vijë si pasojë e mungesës së fondeve që Kosova jep për shkolla.

Ndonëse nxënësit në shtëpi zakonisht kanë telefona të mençur dhe teknologji të tjera, klasat në përgjithësi janë të vjetëruara — nuk kanë projektorë apo ndonjë lloj tjetër të mjeteve të teknologjisë. Gjatë vizitës, mësuesit/et u shprehën se mungesa e burimeve e bën të vështirë për ta që t’i përfshijnë nxënësit dhe t’i mbajnë të angazhuar në një kohë të digjitalizimit. Ndonëse shumë punë është bërë për t’i lehtësuar këto probleme, ende vazhdojnë të qëndrojnë.

Një problem tjetër kryesor që Teach For Kosova shpreson ta adresojë në ndërkohë, është politizimi i sistemit të shkollave. Nga ajo çfarë dëgjohet, shpesh thuhet se mësuesit/et punësohen në baza partiake dhe pozitat e udhëheqjes iu ipen si favore politike. Këtë e kemi parë në praktikë.

Pjesë e problemit duket të jetë mentaliteti që nëse je rritur në sistemin e Kosovës nuk mund të kesh sukses.

Një shembull i një çështje strukturore në dukje është se mësuesit/et e rinj/reja rekrutohen prej dy anëtarëve të qeverisë së komunës dhe prej drejtorit të shkollës. Në këtë sistem, komunat e thonë fjalën e fundit nëse mësuesit/et do të punësohen; përderisa, drejtorët janë shprehur se mungesa e vetëqeverisjes e bën të vështirë udhëheqjen me sukses të një shkolle. Ky politizim është një shembull i një mori problemesh sistemike që duhet të adresohen që sistemi i arsimit në Kosovë të ketë sukses.

Përpos vështirësive dhe barrierave sistematike që studentët kosovar i përjetojnë, nga vizitat në komunitete e pamë se studentët në të vërtetë janë të interesuar të mësojnë. Veçanërisht në shkollë fillore, nxënësit në Gjakovë dhe Mitrovicë (dy komunat e vizituara) ishin të angazhuar dhe me sjellje të mirë.

Mirëpo në shkollë të mesme vërehej një rënie në angazhim dhe në mësim. Pjesë e problemit duket të jetë mentaliteti se nëse je rritur në sistemin e Kosovës, nuk mund të kesh sukses. Është një mendim mes nxënësve se suksesi i tyre do të përcaktohet nëse mund ta lënë Kosovën dhe të emigrojnë për mundësi më të mira jashtë.

Me vështirësitë dhe mundësitë që i përjeton Kosova, përgjigja duket se mbetet tek një përpjekje e përbashkët për ndryshim.

Teach For Kosova synon të rekrutojë 20-30 mësues/e në vit dhe t’i vendosë në shkollat kosovare. Ndonëse këta/to udhëheqës/e të rinj do të përfaqësojnë një pjesë të vogël të më shumë se 20,000 mësuesve në Kosovë, potenciali i tyre për ndikim mund të jetë i madh. Çdo kund në botë, modeli Teach For All ka dëshmuar se sjellja e mendjet më të ndritura në arsim sjellin ndryshim jo vetëm brenda në klasë por edhe jashtë — ku shumë prej problemeve sistematike ekzistojnë.

Gjatë vitit të ardhshëm, do të mësojmë më shumë për sistemin e arsimit në Kosovë dhe do të dizajnojmë një program dhe institut që do t’i trajnojë mësuesit/et e rekrutuar/a t’i kuptojnë çështjet sistematike në arsim, dhe t’u përgjigjen nevojave unike të nxënësve të Kosovës.

Me rritjen e organizatës, shpresojmë se grupi i udhëheqësve të rinj që kanë qenë në program do të kontribuojnë në sistemin e arsimit në Kosovë që ua mundëson fëmijëve të kenë një shancë për sukses në sistemin shkollor publik.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.