Në thelb | Politika

Rezistencë, zemërim, dhunë, heshtje

Nga - 24.07.2020

Si filluan dhe u zhvilluan protestat në Serbi.

Duke nisur në Beograd, e më vonë u zgjeruan në Nish, në Novi-Sad dhe në Kragujevc, protestat që shpërthyen në Serbi më 7 qershor po vazhdojnë ende, megjithëse në një shkallë më të vogël. Sidoqoftë, veçanërisht në ditët e para, ato në vazhdimësi ktheheshin nga paqësore në të dhunshme, derisa arsyet për protestim shtoheshin nga dita në ditë.

Shkaku që nxiti njerëzit të dilnin në rrugë ishte lajmërimi i masave të reja për luftimin e përhapjes së COVID-19, të shoqëruara me rivendosjen e izolimit. Megjithatë, kishte shumë më tepër arsye për pakënaqësi që tejkalonin situatën e tanishme, siç u tregua edhe nga vetë protestat. 

Trazirat, dhuna, arrestimet, dhe sulmet ndaj punonjësve të medias, janë vetëm një pjesë e ngjarjeve që pamë në ditët e para të protestave të vrullshme. Motivet e grupeve të ndryshme demonstruese dukej se dallonin. Rrugët e Beogradit dhe të qyteteve të tjera jehuan me një mori sloganesh — nga kërkesat për ndërrimin e qeverisë e deri te thirrjet tashmë tradicionale për Kosovën dhe rikujtimin e miteve.

Rrugët e Serbisë janë parakaluar nga priftërinj, grupe që shfaqnin simbole fetare, si dhe individë me shenja majtiste. Gjetja e një mesazhi të përbashkët protestues është punë e vështirë, por të gjithë pjesëmarrësit kanë diçka të përbashkët — pakënaqësinë dhe zemërimin.  

Që nga dita e parë, Dejan Kožul ka qenë në rrugët e Beogradit të mbushura me gaz lotsjellës, duke shkruar për zhvillimet e reja.

Fillimi i pakënaqësisë

15 mars, Serbia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Vendimi u miratua nga parlamenti jo më herët se më 29 prill, por më 6 maj — dy ditë pasi presidenti Aleksandar Vučić kishte caktuar datën e zgjedhjeve për 21 qershor — gjendja e jashtëzakonshme u hoq.

Në ditën kur qeveria kishte deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme, 48 njerëz kishin dalë pozitivë me COVID-19.  Numri i infektimeve të reja kulmoi më 16 prill, me 445 raste të konfirmuara.

Në ditën kur u shfuqizua gjendja e jashtëzakonshme, numri i njerëzve me COVID-19 në Serbi — sipas raportimeve zyrtare — ishte 9791, me 114 raste shtesë të konfirmuara.

Në këtë kohë u raportua se qeveria po fshihte shifrat e vërteta. BIRN-i zbuloi se 632 pacientë vdiqën nga COVID-19 në periudhën nga 19 marsi deri më 1 qershor — 388 më shumë se të dhënat zyrtare për të njëjtën periudhë.

Dhe pastaj u bë sikur të mos kishte pasur fare gjendje të jashtëzakonshme.

Sipas hulumtimit të BIRN-it, numri i infektimeve ditore në fund të javës së kaluar sillej nga 300 në 340, duke tejkaluar dukshëm regjistrimin zyrtar të 97 rasteve të reja.

Hulumtimi lëkundi edhe më shumë besimin në Shtabin Serb të Krizave dhe në të dhënat e paraqitura për publikun nga strukturat qeverisëse, të cilat kundërshtuan dhe i hodhën poshtë pretendimet e BIRN-it. Në fund, shkrimi i kontestuar u harrua.

Pas disa muajsh izolimi, Serbia u hap, ora policore u largua dhe masat më kufizuese — të cilat llogariteshin si ndër më shtypëset në Evropë — u shfuqizuan. Qeveria festoi fitoren ndaj koronavirusit.

Në ndërkohë, partitë politike nisën në fushatat zgjedhore, këtë radhë pa tubime të mëdha publike.

Dhe pastaj, sikur të mos kishte pasur fare gjendje të jashtëzakonshme, Crvena Zvezda dhe Partizani u takuan në ndeshjen për kupë kombëtare, ku morën pjesë 20,000 njerëz. Mbështetësit u ftuan në festën për fitoren e titullit dhe dukej se asgjë nuk e prishte harmoninë parazgjedhore.

Vatra e ‘zgjedhjeve’

Ndonëse tubimet zgjedhore nuk rekomandoheshin, disa politikanë publikisht nuk e respektuan këtë gjë. Përdoruesit e rrjeteve sociale patën mundësi të shihnin një spektakël të rrallë politik kur Ministri i Tregtisë dhe Turizmit, njëherësh zëvendëskryeministri Rasim Ljajić, u hodh mbi një turmë mbështetësish gjatë një tubimi zgjedhor të mbajtur në Novi-Pazar.

Brenda pak ditësh, qyteti do të bëhej vatër e epidemisë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i rasteve të reja ishte stabilizuar para mbajtjes së zgjedhjeve; ai nuk shkonte përtej 100.

Rezultatet e zgjedhjeve tashmë janë të njohura: Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet fitoi më shumë se 60% të votave, ndërsa vetëm dy parti të tjera u futën në parlament — edhe pse pragu zgjedhor ishte ulur nga 5% në 3% — Partia Socialiste e Serbisë e udhëhequr nga trashëgimtari i Slobodan Milošević-it Ivica Dačić dhe SPAS-i i ish-lojtarit të vaterpolos Aleksandar Šapić.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i rasteve të reja ishte stabilizuar para mbajtjes së zgjedhjeve; ai nuk shkonte përtej 100. Megjithatë, më 23 qershor — dy ditë pas votimit — situata filloi të ndryshonte. Numri i rasteve të konfirmuara u rrit për t’u bërë gati në 400, një ditë para se presidenti të njoftonte rikthimin e masave të ashpra për përmbajtjen e pandemisë.

Në ndërkohë, Sanxhaku u kthye në vatër të përhapjes dhe kjo u pa përmes raportimeve të hershme në rrjetet sociale. Në Novi-Pazar u zhvillua një skenar i ngjashëm me atë që po ndodhte në Itali, andaj kryeministrja Ana Brnabić dhe ministri i Shëndetësisë Zlatibor Lončar vendosën ta vizitonin këtë pjesë mjaft të nëpërkëmbur të Serbisë.

Në vend se të shprehnin shqetësim dhe të ndërmerrnin veprime konkrete, ata lanë të nënkuptohet se çdo gjë ishte nën kontroll. Skenat nga Sanxhaku ku njerëzit shihen duke numëruar të vdekurit dhe të infektuarit, e tregojnë të kundërtën.

Më tej pasoi një lojë me numra dhe masa.

Më 2 korrik, presidenti Vučić njoftoi se studentët universitarë do të largoheshin nga konviktet, duke shkaktuar pakënaqësi që çoi në një rishikim të shpejtë të këtij vendimi. Studentët po qëndrojnë në konvikte por nuk është e qartë deri kur, apo nëse kjo nënkupton deri në përfundimin e provimeve, gjë që ishte një nga kushtet e tyre.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të mbajtur më 7 korrik, Vučić paraqiti planin për mbylljen e sërishme të Beogradit, nga 10 korriku, të premten në ora gjashtë të mbrëmjes,  deri të hënën në ora gjashtë të mëngjesit, më 13 korrik.

“Do të duhej një mrekulli ashtu që të mos vendoset izolimi”, u tha Vučići qytetarëve të Beogradit. “Nëse shifrat përmirësohen në dy ditët e ardhshme — gjë për të cilën dyshoj — vendimi nuk do të zbatohet”.

Të frustruar prej muajsh, protestuesit dalin në rrugë pas njoftimit të presidentit Vučić për kthimin e izolimit. Kufizimet ishin lehtësuar në prag të zgjedhjeve. Foto: Dejan Kožul.

Pas kësaj deklarate, pakënaqësia e grumbulluar që nga marsi u përhap nëpër rrugë.

Po atë ditë, 13 njerëz vdiqën nga COVID-19 në Serbi. Deri atëherë ishte numri më i lartë i vdekjeve brenda një dite. 

Dita e parë (7 korrik)

Njerëzit filluan të mblidheshin para parlamentit të Serbisë një orë pas paraqitjes së Vučić-it. Rreth orës shtatë të mbrëmjes, ishin përafërsisht 100 njerëz, mirëpo numri i tyre rritej në vazhdimësi. Në fillim, protesta ishte relativisht paqësore, me vetëm disa thirrje kalimtare, parulla apo fishkëllima që dëgjoheshin herë pas here. Sidoqoftë, turma po bëhej gjithnjë e më e madhe.

Në një moment, grupi i vetëquajtur “Narodna patrola,” (Patrulla Kombëtare), i njohur për publikun për qëndrimet kundër migrantëve, doli në krye të protestës. Grupi është pjesë e nismës “Nema predaje Kosova i Metohije” (Jo dorëzim të Kosovës dhe Metohisë), të udhëhequr nga Damjan Knežević.

Të njohur për qëndrimet e tyre nacionaliste dhe kundër migrimit, “Narodna patrola” (Patrulla Kombëtare) u përpoq t’i përvetësonte protestat. Foto: Dejan Kožul.

Ishin këta që udhëhoqën sulmin ndaj ndërtesës së parlamentit, duke provokuar një përgjigje relativisht të shpejtë dhe të tensionuar të policisë, me gaz lotsjellës dhe përdorim të forcës.

Sipas një raporti të policisë, së paku 43 zyrtarë policorë dhe 17 protestues u lënduan atë natë, derisa 24 njerëz u arrestuan. Policia mohoi pretendimet për “përdorim të tepruar të forcës”, mirëpo një numër i konsiderueshëm i pamjeve nga vendi i ngjarjes të shpërndara në rrjete sociale e treguan të kundërtën.

Iniciativa A11, një OJQ që merret me mbrojtjen e grupeve të cenueshme dhe të margjinalizuara, tha se në protestën e mbrëmjes mes 7 dhe 8 korrikut në Beograd u përdor forcë e tepërt në disa raste nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme që ndërhynë. A11 ftoi të mbijetuarit që t’i kontaktonin.

Ishte e qartë se protestat do të vazhdonin në ditën në vijim.

Dita e dytë (8 korrik)

Pamjet që tregonin brutalitetin policor tërhoqën edhe më shumë njerëz në rrugë se një ditë më parë. Një pjesë e meritave i takon Aleancës për Liderët e Serbisë (Dragan Đilas, Vuk Jeremić, Boško Obradović, Janko Veselinović) të cilët mbajtën një tubim në sheshin e Fakultetit Filozofik — i cili gjatë ditëve të kaluara ka shërbyer si vend grumbullimi për studentët protestues — dhe më pas udhëhoqën turmën drejt parlamentit serb.

Disa të rinj të zemëruar ishin mbledhur para parlamentit. Ata shoqëroheshin nga një numër i madh i të panjohurve të veshur me bluza dhe kapela të zeza, raporton Krik.

Disa të rinj të zemëruar, me mesazhe të vjetra, duke udhëhequr protestat gjatë trazirave në Beograd. Foto: Dejan Kožul.

Protestuesit provuan të futeshin brenda ndërtesës së parlamentit. Policia përdori gaz lotsjellës pasi një grup protestuesish thyen barrikadat dhe u nisën drejt tyre. Turma u shpërnda nga sheshi, por njerëzit u ndoqën nëpër qytet.

Brenda një ore, policia u hodhi dhjetë herë gaz lotsjellës protestuesve dhe skenat e dhunshme të një nate më parë u përsëritën. Një gazetar i agjencisë së lajmeve Beta u sulmua po ashtu, edhe pse e tregoi bexhin e tij të gazetarit.

Në ditët e para, turmës disa herë u godit me gaz lotsjellës. Foto: Dejan Kožul.

Gjithashtu, raportohet se policia sulmoi dy gazetarë nga Nova; Milica Božinović u godit në gishta me shufër policore duke e bërë ta lëshonte telefonin, ndërsa Nataša Latković-it iu flak në tokë bexhi i gazetares nga policia. Që të dyja ua kishin treguar bexhat zyrtarëve policorë.

Po atë natë, kreu i policisë Vladimir Rebić njoftoi se 118 zyrtarë policorë ishin lënduar gjatë dy ditëve të kaluara të protestave. Ata po trajtoheshin në institucione shëndetësore nëpër Serbi, ndërsa 153 njerëz ishin arrestuar.

Rebić i komentoi akuzat për “infiltrimin e grupeve”, duke theksuar se raportet e shumta për infiltrimin e zyrtarëve të agjencisë së sigurisë në radhët e protestuesve ashtu që të shkaktojnë trazira, ishin të pasakta.

“Kjo nuk është aspak e vërtetë”, tha Rebić. “Ngjarjet e dy ditëve të fundit përbëjnë një sulm serioz të orkestruar ndaj policisë”.

Për më tepër, ai mohoi se policia kishte përdorur plumba gome apo topa uji ndaj protestuesve.

“Të gjitha këto gënjeshtra kanë për qëllim dëmtimin e emrit të Ministrisë së Brendshme, dhe shërbejnë si përligjje të sulmeve ndaj forcave policore dhe kaosit në rrugë”, tha Rebić. 

Qytetarët në Novi-Sad, Kragujevc dhe Nish iu bashkuan protestave në të njëjtën natë. Në Novi-Sad, protestuesit iu vërsulën ndërtesave të Komunës së Qytetit dhe të Shërbimit të Transmetuesit Publik të Vojvodinës, duke sulmuar ekipin e televizionit RTS gjithashtu. Një nga kamerat e tyre u thye, kurse kameramani Lazar Vukadinović pësoi lëndime në krah.

Sipas të pranishmëve, gjatë protestave në Novi-Sad, policia e sulmoi fizikisht një çiklist, ku njëri nga policët "e godiste ndërsa ai ishte i shtrirë në tokë dhe i pambrojtur."

Ngjashëm, në Nish, një tjetër kameraman i RTS-së u godit në kokë.

Disa nga protestuesit filluan të distancohen prej dhunës pas skenave të dhunshme në Novi-Sad. Megjithatë, arrestimet vazhduan. Miran Pogačar, aktivist nga iniciativa e përbashkët “Za krov nad glavom” (Një çati mbi kokë) u arrestua po atë natë.

Sipas të pranishmëve, gjatë protestave në Novi-Sad, policia e sulmoi fizikisht një çiklist, ku njëri nga policët “e godiste ndërsa ai ishte i shtrirë në tokë dhe i pambrojtur”.

Shoqata “Autizam promena za 180” (Autizmi ndryshon për 180) kërkoi nga kreu i policisë hetimin e rastit dhe dënimin e kryesve të tij.

“Fatkeqësisht, [çiklisti] ishte një person i ri me autizëm”, shkroi në një letër presidenti i shoqatës Dario Rosi. “Na merr mendja se faktet dhe detajet e kësaj ngjarjeje tashmë janë të njohura për ju. Nëse jo, atëherë me dëshirë do t’jua dërgojmë informatat që kemi: pamjet, emrin e djalit të lënduar, pjesën e Novi-Sadit ku ai jeton, emrin e shkollës që ndjek, emrin dhe mbiemrin e inspektorit të Ministrisë së Brendshme në Nodi-Sad, për të cilin ka prova të mjaftueshme të besohet se përdori forcë të tepërt”.

Dhuna ishte lajtmotiv i protestës edhe në Kragujevc, ku u thyen dritaret e stacionit policor. Në këtë rast, forcat policore nuk reaguan.

Dita e tretë (9 korrik)

Dita e tretë e protestave pati një dinamikë të veçantë. Një ditë më parë, një numër protestuesish paqësorë nga Novi-Sadi ishin ulur në tokë, duke refuzuar ta linin hapësirën publike si shenjë rezistence ndaj qeverisë dhe atyre që ishin të dhunshëm.

Në ditën e tretë, protestat në Beograd e përkrahën këtë ide. Apo të paktën provuan ta bëjnë këtë.

Një numër protestuesish në Begrad provuan t’i ftonin të tjerët të protestonin paqësisht, edhe pse jo me aq sukses. Foto: Dejan Kožul.

“Mos u mashtro, ulu poshtë” ishin parimet udhëzuese të protestave të mbajtura atë ditë nëpër Serbi. Grupet protestuese u bënë thirrje të gjithëve të uleshin, duke iu përgjigjur çdo shenje dhune me fishkëllima mospajtuese dhe largim të ngatërrestarëve.

Atë ditë, nuk u panë kordonë policorë para parlamentit serb, edhe pse ishin stacionuar prapa tij. Megjithatë, çdo që përfundoi paqësisht dhe nuk kishte nevojë që ata të reagonin.  

Sidoqoftë, kjo ditë ishte vetëm një fashë e shkurtër.

Dita e katërt (10 korrik)

Që prej minutave të parë të ditës së katërt, ishte e qartë se skenat e shikuara në ditën e parë dhe të dytë të protestave do të përsëriteshin.

Herët në mbrëmje, anëtarët e organizatave të veteranëve të luftës me simbole të shfaqura qartazi u panë tek grumbulloheshin në sheshin e parlamentit. Atyre iu bashkua Damjan Knežević, i cili ishte arrestuar që në ditën e parë të protestave, por ishte lëshuar shpejt.

Qëllimi i këtyre protestuesve ishte të tregonin se qëndrimi ulur gjatë protestave nuk ishte çfarë ata dëshironin. Në fillim, u dukën se ishin kundër dhunës, megjithatë situata shpejt dhe lehtë doli jashtë kontrollit. Me kapela dhe maska të fytyrës që shpesh mbulonin çdo gjë përveç syve, të rinjtë me bluza të zeza morën kontrollin e hapësirës para parlamentit serb, duke e futur policinë në lojë. Shpejt, këta të fundit formuan një barrikadë mes protestuesve dhe ndërtesës së parlamentit.

Dhuna vazhdoi në ditën e katërt, me djem të rinj të maskuar që përballeshin me policinë. Foto: Dejan Kožul.

Të armatosur me mjete piroteknike dhe gurë, protestuesit e pandalshëm e tallën policinë. Tanimë, ata kishin një justifikim për tu përgjigjur.

Kjo ditë do të mbahet në mend për një numër të madh sulmesh ndaj ekipeve të gazetarëve, të kryera edhe nga protestuesit, edhe nga policia.  

Sipas Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, gjatë katër ditëve të protestave, ndodhën më se 20 sulme ndaj ekipeve të gazetarëve.

Pas ditës së katërt, kreu i policisë Vladimir Rebić tha se 71 njerëz ishin arrestuar, ndërsa 130 policë të lënduar kishin kërkuar ndihmë mjekësore.

Dita e pestë (11 korrik)

Në ditën e pestë, intensiteti i protestave u ul dhe nuk kishte më skena të dhunshme. Megjithatë, sipas Miran Pogačar, aktivist në “Za krov nad glavom” nga Novi-Sadi — i cili iu bashkua protestave në Novi-Sad — më se 50 njerëz ishin arrestuar, përfshirë edhe tre aktivistë nga organizata e tyre.

“Igor Šljapić u arrestua në mbrëmjen e së shtunës dhe u dënua me 30 ditë burgim, sepse protestoi me një pankartë ku thuhej ‘Ndal dhunën’”, pohon organizata, duke shtuar se edhe një anëtar i Institutit për Shkenca Shoqërore dhe i Asociacionit të Sociologjisë të Serbisë Vladimir Mentus, ishte arrestuar, edhe pse nuk kishte qenë pjesë e asnjë veprimi kundër policisë.

Mario Marković u arrestua derisa po shpërndante ushqim me biçikletë, edhe pse nuk mori fare pjesë në protesta.

Hutim, përçarje, dhunë, të djathtë ekstremë, të majtë, huliganë të rinj, politikanë në rrugë — kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit për protestat që nisën në Serbi në fillim të korrikut. Foto: Dejan Kožul.

Që të gjithë janë dënuar me 30 ditë burgim, pa praninë e avokatëve të tyre.

Arrestimet dhe gjykimet e shpejta kanë çuar në protesta të reja të organizuara para burgut, zyrës së prokurorit dhe qeverisë. Protestuesit po kërkojnë lirimin e të dënuarve të cilët i quajnë të burgosur politikë. Për më tepër, kanë kërkuar nga autoritetet ndërmarrjen e veprimeve ligjore kundër oficerëve policorë përgjegjës për dhunën.

Në të njëjtën kohë, organizata A11 për të drejtat e njeriut në Beograd ka iniciuar katër kallëzime penale kundër 23 zyrtarëve policorë për shkak të përdorimit të tepruar të forcës.

Policia njoftoi se disa nga sulmuesit e gazetarëve janë arrestuar.

Epilogu

Tanimë protestat janë në javën e tretë dhe organizohen çdo ditë. Megjithatë, numri i pjesëmarrësve është më i vogël, pasi shumë nga ta tani janë fokusuar në përpjekjen për lirimin e të burgosurve.

Misioni vëzhgues i CRTA-së bashkë me Nismën për të Drejta Sociale dhe Ekonomike të A11, propozoi një mocion për Avokatin e Popullit duke kërkuar nga ky institucion dhënien e një rekomandimi publik për shkarkimin e Vladimir Rebić nga pozita e drejtorit të policisë, për shkak të përgjegjësisë së tij rreth pretendimeve për përdorimin joligjor të forcës në protesta.  

I kontaktuar për të identifikuar rastet e përdorimit të tepërt të dhunës nga policia, Avokati i Popullit Zoran Pašalić paraqiti përfundimin e tyre se nuk kishte pasur “përdorim sistematik të forcës së tepërt”, por vetëm raste individuale.

“Përdorimi i tepërt i forcës mund të kthehet në brutalitet policor. Ne kemi identifikuar tetë raste të brutalitetit dhe kemi filluar procedurat e duhura ligjore”, tha Avokati i Popullit për mediat.

Numri i rasteve me COVID-19 në Serbi vazhdon të rritet. Sidoqoftë, me përhapjen e virusit shtohet edhe pakënaqësia, derisa vendi po hyn në një periudhë të krizës ekonomike.K

Imazhi i ballinës: Dejan Kožul.