Në thelb | Arte dhe kulturë

Rruga për te Autostrada

Nga - 10.10.2024

Tre njerëz, një komunitet i tërë dhe këmbëngulje: Si u bë Autostrada Biennale.

Toka e rrëmihur e lloçi bojëkafe ia jepnin një pjese të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren pamjen e një sheshi të zakonshëm të ndërtimit. Në atë fillim shtatori, punëtorëve u duhej të bërtisnin për t’u dëgjuar, teksa zëri u përzihej me zhurmat e ekskavatorëve e mjeteve tjera të punës. 

Punëtorët e shpërndarë e puna paralele nëpër disa hapësira të mbushnin mendjen se asaj pune rezultati do t’i shihej pas një kohe të gjatë, e jo pas disa ditësh. Përkundër pamjes së parë, puna në fakt u krye më 14 shtator 2024, për ngjarjen e shënimit të 10-vjetorit të Autostrada Biennale, në të cilën zyrtarisht u hap Hangari II i Autostradës Biennale dhe teatri i hapur. 

Afër pjesës ku punohej, një hangar i bardhë me logon që paraqet katër urat e Prizrenit, që shihen prej kalasë, përthyen të kaftën e dheut dhe goditjet e kurdisura të çekiçëve jashtë. 

Aty e ka shtëpinë Hangari, tashmë i parë, segmenti për edukim, prodhim dhe ekspozitë i Autostradës Biennale. Në Hangarin I të Autostradës Biennale asgjë nuk është e vendosur pa qëllim. Jeta organizohet përreth bimëve shtatlarta: tavolinat e punës, kanapetë, banaku i recepsionit e kuzhina vegjetariane, të gjitha preken prej gjetheve të tyre. 

Mbrapa banakut, në një dollap të madh me rafte katrore me përpikëri janë vendosur materiale si libra, bluza e posterë, që regjistrojnë rrugëtimin 10-vjeçar të Autostradës. Dollapi shërben edhe si strukturë që ndan pjesën tjetër me hapësirën ekspozuese e pastaj pas saj, me punishten e vogël — tipike për punën me dru. 

Në Hangar I gjithçka është me rrota, edhe kuzhina, edhe dollapi, edhe tavolinat. Kjo për të mundësuar trasformimin e hapësirës sipas nevojave të komunitetit, që e shfrytëzon atë. Kjo lëvizje e vazhdueshme është në zemër të të menduarit që e ka sjellë në jetë Autostradën Biennale. “Gjithmonë e kemi pa Autostradën jo si diçka statike, po gjithë kohën në lëvizje, qoftë për nga hapësira, qoftë nga aspekti metaforik — me qenë gjithnjë në zhvillim e sipër, në rritje”, thotë bashkëthemeluesja e Autostradës, Vatra Abrashi. 

Teksa bonsait e shëndoshë e me trungje të forta lartësohen sikur të kishin qenë aty prej shumë vitesh, Austrada Biennale e Hangari I nuk kanë pasur një shtëpi kaq të madhe dikur. Për te Autostrada, udha s’ishte gjithnjë krejt e lehtë, por vendosmëria me të cilën e përshkuan atë themeluesit/et e saj, ia solli 10 vjet të pasura e tash edhe një Hangar të dytë.

Hangari I.
Fotografia: Tughan Anit, Autostrada Biennale
Kuzhina vegjetariane e Hangarit.
Fotografia: Autostrada Biennale

Para Autostradës

Vizioni për një bienale pa ndonjë shembull për ta ndjekur nga rajoni i afërt ishte i guximtë për Vatra Abrashin, Leutrim Fishekqiun dhe Barış Karamuço, të cilët e morën jetësimin e saj përsipër. 

Shtegu për tek Autostrada Biennale së pari ishte SculpFest, festival i skulpturës, që filloi në vitin 2011, në Prizren. SculpFest mëtonte të bënte bashkë skulptorë e skulptore nga vendi dhe jashtë tij për të eksploruar degën e skultpurës. Pos kësaj synonte ta sfidonte mendimin e njëtrajtshëm rreth asaj se çka mund të jetë skulpturë, në një kohë kur më të dukshmet nëpër qytete ishin statujat e bronzta. 

Fishekqiu, skulptor për kah përgatitja akademike, me SculpFest donte të vinte në pah shumësinë e materialeve me të cilat mund të realizohet skulptura, si dhe shumësinë e kuptimeve që ajo mund të përçojë. 

“Ideja ka qenë me e tregu procesin për me e bo një vepër arti, jo vetëm formën finale”, thotë Fishekqiu. “Për atë arsye zgjedhëm ujin, me e ngri, me e bo akull, me i dhanë forma dhe pastaj me e lanë me u shkri. Krejt kjo u bëjke para publikut, ishte me rëndësi me tregu procesin”.

SculpFest ngërthente në vete edhe bartjen e dijeve te komuniteti përmes SculpEdu. Në SculpEdu ishin të përfshirë Abrashi, akademikisht e trajnuar si pedagoge dhe logopede dhe Karamuço, kinematograf. Përmes SculpEdu diskutoheshin çështje të ndryshme, me vëmendje te mjedisi e riciklimi.

Festivali mbante dy edicione për vit. Në vitin 2014, teksa SculpFest vazhdonte të mbahej, u themelua zyrtarisht Autostrada Biennale — Ekspozita Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor — si organizatë në vete. 

Një prej ngjarjeve më të hershme paralajmëruese për bienalen ishte “Parkingu”, në maj të vitit 2015. Kjo ngjarje ndërkombëtare e artit bashkëkohor u mbajt tri kate nën tokë, në një parking në Prizren dhe bëri bashkë artiste e artistë të disiplinave të ndryshme nga vende si Kosova, Suedia, Italia, Serbia, Turqia e Maqedonia e Veriut. 

Parkingu si vendndodhje e ekspozitës simbolizonte një çast ndaljeje, për të vazhduar tutje në një rrugëtim të ri drejt në bienales, edicioni i parë i së cilës do të mbahej në vitin 2017. 

“Ne e kemi marrë me shumë seriozitet. Prej fillimit e kemi ditë që nuk mundesh brenda një viti me bo një bienale. Kemi lanë hapësinë prej vitit 2014, me u përgatitë”, thotë Fishekqiu.

Pas “Parkingu”, në vazhdën e ngjarjeve paralajmëruese, në korrik të vitit 2016, Autostrada Biennale organizoi një konferencë dy-ditore, të quajtur “E kaluara bashkëkohore. E ardhmja historike”. Konferenca mblodhi artistë/e, kuratorë/e, galeristë/e, koleksionistë/e pedagogë/e dhe punonjës/e të institucioneve kulturore, për ta diskutuar rëndësinë e organizimit të një bienaleje në rajon. 

Kështu, më seriozisht mori udhë një bienale në Prizrenin e Kosovës, një pikëtakim, siç thotë Fishekqiu, midis Venecias së Italisë e Stambollit së Turqisë, dy qytete që janë afro 1,000 kilometra secila prej Prizrenit e që kanë histori të moçme me organizim bienalesh. Respektivisht, bienalja e Venecias, e themeluar në vitin 1896 me 60 edicione mbi supe dhe ajo e Stambollit, themeluar në vitin 1987, me 17 edicione të mbajtura deri tash. 

Një bienale në një qytet pa galeri

Organizimi i konferencës dy-ditore shpërfaqi pyetje të rëndësishme për ekipin — si bëhet bienale në qytet pa galeri? Në një shtet të vogël? Me një publik të izoluar prej regjimit të vizave, që mori fund krejt pak kohë para se Autostrada Biennale të bëhej 10 vjeç? 

“Po pikërisht qikjo ka qenë arsyeja pse na kemi dashtë me e bo bienalen. Tu e pa nevojën për me ekzistu një platformë e tillë, në një qytet që nuk ka galeri, me një rini që s’mundet me udhëtu me pa galeri, ekspozita”, thotë Abrashi.

Pas konferencës, Autostrada Biennale prezantoi bordin e vet këshillues, të përbërë prej kuratores dhe kritikes së artit, Iara Boubnova, artistit bashkëkohor, Sislej Xhafa, teoricienit të artit dhe sociologut, Sezgin Boynik, kuratorit, Juan A. Gaitan, kritikut të artit dhe kuratorit, Edi Muka, kritikut të artit dhe arkitekturës, Yehuda Safran dhe artistit pamor, Miran Mohar. Me këtë bord, ekipi u këshilluan për muaj rresht për atë se si duhej të dukej e kah duhej të orientohej edicioni i parë i bienales. 

Barış Karamuço, kinematograf, përfshihej kryesisht në programin edukativ.
Fotografia: Erza Bata, Autostrada Biennale

Përfundimisht, vendosën që kuratori i parë të ishte Manray Hsu, kurator i pavarur dhe kritik i artit nga Taipei, Tajvan. Hsu zgjodhi të trajtonte të ardhmen e kufijve, atyre të “dukshëm dhe të padukshëm”, duke vlerësuar se kufijtë po rikthehen e duke vënë në qendër refugjatët, punëtorët emigrantë, katastrofat mjedisore në qendër.  

Edicioni i parë mblodhi dhjetëra artiste e artistë të mediumeve të ndryshme, prej vendit e botës, që e kapluan qytetin dhe e shndërruan në galeri, duke çuar kështu artin te njerëzit e jo njerëzit te arti, gjë që Abrashi thotë se ka qenë gjithnjë moto udhërrëfyese për ta. 

Edhe ekipi themelues i Autostradës Biennale, si shumë nisma tjera kulturore në Prizren e mbarë vendin, u gjend përpara kufizimeve që lidhen me mungesë hapësirash e mbështetjeje. Kjo i shtyu të gjenin zgjidhje tjera, përmes së cilave, në një formë edhe kthehet vëmendja te nevoja për përkrahje më të qëndrueshme ndaj artit e kulturës.

“S’ka pasë galeri po kemi përdorë hapësira alternative, të cilat jo domosdo kanë qenë të braktisuna, kanë pasë një funksion, po na ua kemi dhanë edhe një funksion tjetër”, thotë ajo. “Prej fillimit kemi përdor hapësira publike që i takojnë komunitetit, duke i bo ata bashkëpjesëmarrës në krijim të veprave të artit”.

Dashurinë për art, Abrashi e kultivoi qysh në moshën 2-vjeçare.
Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Duke shfrytëzuar hapësira që jo domosdo mund të jenë në itinerarin e vizitorit tipik të Prizrenit, Autostrada Biennale disi e zgjeroi potencialin e qytetit historik përtej qendrës. Kështu, u krijua një mundësi që, përmes artit bashkëkohor, njerëzit e Prizrenit të takohen ndryshe me qytetin e vet e, për ata që vinin prej jashtë, në mundësi t’ia shohin Prizrenit pjesët që jo rrallë mbyten në betejën midis qendrës e periferisë. 

Veprat artistike u ekspozuan në Stacionin e Autobusëve, në rrënojat e mbetura të shtëpive nën Kalanë e Prizrenit e në shtëpi private. Pra, bienalja e parë me gjithë suksesin e vet nuk ndodhi hëpërhë — ajo vinte si dëshirë e edhe përgatitje e mirëmenduar e me durim e ekipit të vet. Si rrjedhojë, lindja e Autostradës pa çare lidhet me krijuesit e saj. 

Krejt punën për edicionin e parë, e gjer në vitin 2019, kur i erdhi rendi edicionit të dytë të bienales, Abrashi, Fishekqiu e Karamuço, të gjithë në të njëzetat, e bënin në baza vullnetare. Të tre, të angazhuar në punë tjera, ndanin para prej pagës së përmuajshme e modeste për Autostradën. 

Kjo këmbëngulje në vizionin e Autostradës nuk vjen prej asgjësë. Ajo buron prej kujtimeve, rritjes e përjetimeve krejt personale. 

Për t’ia gjetur burimin vendosmërisë, Abrashi menjëherë kthehet te fëmijëria e saj e hershme, kur emri i saj ishte emri i një galerie të qytetit ku është rritur. Në vitin 1991, i ati i Abrashit, juristi dhe aktivisti Adnan Abrashi kishte hapur galerinë e tij, me emrin e së bijës 2 vjeçe, Vatrës. Paralelisht me shtypjen ndaj shqiptarëve përbrenda Jugosllavisë, e cila ishte betonuar sidomos me suprimimit të autonomisë në vitin 1989, zhvillohej e rritej edhe rezistenca, në forma të gjithfarshme. 

Arkivi nga galeria “Vatra” ishte pjesë e edicionit të katër të bienales, titulluar “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”. Fotografitë: Tughan Anit, Autostrada Biennale

Galeria ishte forma e rezistencës së juristit Abrashi ndaj ngushtimit të hapësirave publike për shqiptarët. Aty mbaheshin ekspozita, koncerte e aktivitete letrare, me njerëz si artisti, Xhevdet Xhafa, kuratori e artisti pamor, Maksut Vezgishi e piktori, Esat Valla. 

“Jam rritë me dëshirën shumë të madhe për artin, për kulturën. Në shpi, baba gjithë është mundu me i ble veprat që janë ekspozu, kështu që të gjitha të ardhurat që i ka pasë prej punës tjetër, i ka sjellë te galeria”, mban mend Abrashi.  

Ndërkohë, Fishekqiu kthehet mbrapa te viti 2011, kur u kthye nga Turqia ku kreu studimet për skulpturë. “Gëzimi ma i madh ka qenë kur jam kthy, në një kohë kur krejt dojshin me dalë”, thotë Fishekqiu. “Artin si proces e kemi pa gjithmonë si edukativ. Një shoqëri për me u ngritë, gjithmonë ka nevoje për art dhe kulturë”.

Dhe përkundër hezitimit, qoftë prej njerëzve të fushës së artit, qoftë prej atyre që nuk u besonin për shkak të moshës, ata ishin të bindur se me qasje të duhur, krijohen audiencat. Dhe kjo bindje iu vërtetua me kohë. 

Kur shumë e linin Kosovën, Fishekqiu mezi priste të kthehej.
Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Hangari i parë

Suksesi i edicionit të parë të bienales së vitit 2017 duhej mbajtur e mbi të duhej ndërtuar suksesi i edicionit të ri. Për t’ia kushtuar gjithë kohën këtij qëllimi, Abrashi, Fishekqiu e Karamuço i lanë pozitat që mbanin në institucione tjera, prej të cilave paguheshin, në vitin 2019. 

Mënyra si u prit edicioni i parë dhe interesimi i madh i njerëzve për të, ua kishte përforcuar tutje dëshirën për ta fuqizuar komponentin edukativ të organizatës. Megjithatë, kjo vështirë se bëhej në zyrën e vogël në qendër të Prizrenit, ku tre bashkëthemeluesit/et punonin. Atë vit, ekipi filloi të hartojë më hollësisht një program edukimi. “Shumë të rinj kanë pasë qejf me qenë pjesë e bienales dhe tu e pa interesimin, tu i pa përfitimet që i kanë, kemi vendosë me e pasë edhe një hapësirë kulturore ku kemi me i pasë edhe programet e edukimit për zhvillim të shkathtësive tek të rinjtë”, thotë Abrashi. 

Ajo kohë korrespondoi me tërheqjen e KFOR-it gjerman nga kampi fushor në Prizren, në fund të vitit 2018. Pas vetes ata lanë një hapësirë prej 39 hektarësh, me dhjetëra hapësira të shfrytëzueshme. Më pas, përmes një projekti të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj gjermane, kampi fushor ushtarak u shndërrua në Parkun për Inovacion dhe Trajnim  (ITP) — një çerdhe e përbashkët për biznese e entitete vendore e ndërkombëtare, që hapi dyert në maj të vitit 2020. ITP kërkonte qiramarrës apo shfrytëzues të hapësirës që vinin prej pesë fushave kryesore: Teknologjia informative, energjia e gjelbër, industritë kreative e kulturore, hulumtimi dhe zhvillimi, trajnimi profesional. 

Atëkohë, Autostrada Biennale, mblodhi mbështetjen që i duhej dhe u bë prej qiramarrësve të parë në ITP. Tash, prej zyrës së vogël, ekipi i Autostradës u gjend përpara një hapësire prej 550 metrash katrorë — një hangar, në kuptimin e plotë të fjalës. Pamja dhe e kaluara ushtarake e hangarit nuk ishin mangësi. Përkundrazi, paraqisnin mundësi për ndryshim, për çmilitarizim të hapësirës. 

Dita e parë në Hangar I.
Fotografia: Sibel Sumuç, Autostrada Biennale
Hangari sot, 2024.
Fotografia: Tughan Anit, Autostrada Biennale

“Neve na ka pëlqy mbi qat histori me e kriju një histori të re. Ma nuk është destinacion militar, por është për art”, thotë Abrashi, teksa Fishekqiu kujton se si pamja e vrazhdë e hangarit të parë ishte në fakt çliruese. “Në kontekst hapësinor, ka qenë mrekulli për neve me e pa një kontenjer të zbrazët ku ne ishim shumë të lirë me konceptu, ideu gjithçka nga ne”, thotë ai. 

Ndërkohë, edicionet e bienales vazhdonin. 

Në vitin 2019 u organizua edicioni i dytë, titulluar “La rivoluzione siamo noi” (Revolucioni jemi ne), kuruar prej historianit të artit, Giacinto Di Pietrantonio. Ndër tjerë/a, edicioni II përfshiu veprat e artistit pamor, Lek M. Gjeloshi, artistit bashkëkohor, Jakup Ferri, artistes pamore ndërdisiplinare, Hristina Ivanoska dhe artistit e autorit, Jan Fabre. 

Edhe për këtë edicion, bienalja shkoi gjithkund nëpër qytet

“Prej fillimit kemi pasë shumë vizitorë sepse ka qenë platformë e re, sepse i ka bo ata [njerëzit] mu ndi pjesë e saj e jo si diçka ekskluzive, për shkak që arti ka shku te ata”, thotë Abrashi. “Kulmin e gjimnazit e kemi pasë hapësirë ekspozuese; Adrian Paci me Lek Gjeloshin e kanë pasë veprën. 2,000 nxënës kanë shku në orën e artit dhe kanë diskutu në mënyrë kritike për të”.

Vepra “I am Maria”, nga artisti pamor, Sead Kazanxhiu, edicioni i parë i bienales.
Fotografia: Autostrada Biennale
Vepra “Introspeksioni intim: Artisti dhe/ose shoqëria” nga Hristina Ivanoska, edicioni i dytë i bienales.
Fotografia: Autostrada Biennale

Po ashtu, përpara se të çelej Hangari I, u mbajt edhe edicioni i tretë, titulluar “Çka nëse një rrugëtim”, bashkëkuruar prej kuratores, shkrimtares dhe edukatores, Övül Ö. Durmusoglu dhe kuratores, redaktores dhe shkrimtares, Joanna Warsza. Ky edicion bëri bashkë artistë/e si kolektivi artistik, HAVEIT, artistja shumë-mediumëshe, Flaka Haliti, artistja dhe skulptorja hulumtuese, Doruntina Kastrati, artistja pamore, Camila Rocha, artisti pamor, Alban Muja, artistja feministe, Agnes Denes.   

Për dallim prej edicioneve tjera, tashmë pos Prizrenit, bienalja u zgjerua edhe në Pejë dhe Prishtinë. Në Pejë shkoi te hapësira e dikurshme e “EXIT”, themeluar në verën e vitit 1999 nga artisti, Sokol Beqiri dhe kuratori e artisti, Erzen Shkololli. Në Prishtinë, shkoi me dy vepra. Njëra vepër u ekspozua në Bibliotekën Kombëtare, e realizuar nga artistët pamorë, Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbano “Lule Mosmëharro”, një vepër që festonte moskonformizmin dhe ftonte për vizione të reja.

“Një ton lule janë instalu pa u shpu asnjë vrimë”, kujton Fishekqiu, duke vënë theksin te respekti dhe kujdesi i veçantë që u kushtojnë hapësirave ekspozuese gjatë bienaleve.

“Lule Mosmëharro” nga Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano, edicioni i tretë i bienales.
Fotografia: Autostrada Biennale

Vepra tjetër ishte e Denes, e cila mbolli lule në hapësirën e përhimtë mbi Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në kuadër të veprës “Fusha e lulediellit 2021”. Kjo vepër u bë në bashkëpunim me Manifesta 14, bienalja nomade e artit, që erdhi në Prishtinë për edicionin e vet të katërmbëdhjetë, prej korrikut deri në tetor të vitit 2022. Manifesta 14, përkohësisht ishte vendosur me zyra mu pranë hapësirës ku u mbollën lulet.

Ndërkohë, bashkë me lulet, rrënjë merrte edhe Hangari I. Sapo morën hapësirën, Autostrada Biennale, në vitin 2021 çeli thirrje për të rinj/reja që do të bashkoheshin në programin edukativ për transformimin e hapësirës. Në thirrje u përgjigjën mbi 100 njerëz prej gjithë Kosovës, ndërsa u zgjodhën 60 pjesëmarrës/e, prej tyre 90% gra. 

Blenë makineritë, pajisjet për përpunim të drurit, metalit dhe tekstilit, kompjuterët me performancë të lartë dhe kamerat për programin e medias dhe komunikimit dhe i përvolën mëngët. Bashkë bënë gjithçka — dollapët, tavolinat, kuzhinën, çka të kapë syri në Hangarin I, në dy faza punuese. Gjysma e materialit të përdorur ishte i ricikliuar prej veprave të artit të tri edicioneve të mëparshme të bienales, vepra që i kishin ruajtur në një depo të vogël në qytet. 

“Për neve ka qenë me rëndësi që të rinjtë me i pasë pjesë të procesit, me e pasë sensin që kjo hapësirë u përket atyre. Kemi dashtë me pasë diskutim me ta edhe me i bo disa disiplina bashkë”, thotë Abrashi.

Kjo hapësirë, që hapi zyrtarisht dyert në mars të vitit 2022, përfshinte një laborator teknologjik, hapësirë ekspozuese, pavijon të gjelbërt, bibliotekë, bar e kuzhinë, si dhe hapësirë të përbashkët pune. Në atë kohë, teksa edhe fusha e lulediellit e vitit 2022, po ashtu vepër e artistes, Denes, çelte lule, përgatitej edicioni i katërt i bienales, titulluar “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”. 

Nga programi edukativ që çoi në bërjen e Hangarit I. Fotografia: Autostrada Biennale

Ky edicion ishte i pari që për hapësirë ekspozuese pati edhe Hangarin I. Pos kësaj, 17 prej 30 veprave të ekspozuara në këtë edicion u punuan në punishten e Hangarit I. Mbajtur në Prizren, Prishtinë e Mitrovicë, edicioni i katërt i bienales u emërua si një prej dhjetë ekspozitave më të mira në Evropë për vitin 2023 nga revista ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Frieze”. 

Hangar I, përtej bienales, mbetet i hapur për publikun, sidomos për të rinjtë e të rejat prej fushave të artit, dizajnit, arkitekturës, të cilët/at mund ta shfrytëzojnë atë për t’i realizuar veprat e tyre. Kjo është përpjekje e Autostradës Biennale për të reduktuar mangësitë në sistemin formal të arsimit. 

“Fatkeqësisht edukimi këtu është shumë teorik, sidomos për profesionet që kanë nevojë për praktikë. Ne kemi mendu që në hangar me kriju ekipe multidisiplinare, artistët, dizajnerët, arkitektët, mekatronika, me i bo bashkë dhe me mendu përtej atyre kufijve gjatë studimeve”, thotë Fishekqiu.

Kështu, për vit, Autostrada Hangar mbledh të rinj e të reja në një varg të larmishëm nismash edukative, përmes së cilave, ndaras prej Autostradës Biennale, synon të jetë pranë komunitetit dhe ta mbështes rritjen e tij. 

Një Hangar i ri

Hangari i parë, apo ndikimi i tij, u rrit aq shumë, sa një hangar i vetëm u bë tepër i vogël për të. 

10 vjet pas themelimit të organizatës, Autostrada Biennale iu përvesh punës sërish për ta çelur Hangarin II — dyert e të cilit u hapën në shtator 2024. Por, Hangar II ishte hapur për komunitetin ende pa u përfunduar punimet. Teksa punëtorët ende lyenin muret, në një pjesë të tij, gratë e reja të biznesit, “Pezull”, qepnin rroba në makinat e tyre. 

Hangari II. Fotografitë: Autostrada Biennale

Hangari II do të krijojë më shumë vend për prodhimtari, depo sipas standardeve të nevojshme për të ruajtur veprat e artit, rezidencën për akomodimin e artistëve e artisteve që vijnë në Prizren e prodhojnë vepra arti. Në mes, te dheu i rrëmihur, ndodhet teatri i hapur për aktivitete që ndodhin jashtë, qoftë të organizuara prej Autostradës Biennale, qoftë prej organizatave e nismave tjera që dëshirojnë ta shfrytëzojnë atë.

Derisa tri edicione të bienales u realizuan pa asnjë Hangar, i pesti do të realizohet me dy sosh. Edicioni i pestë do të mbahet në vitin 2025 dhe për kurator do ta ketë Erzen Shkolollin. Tema e bienales do të bëhet publike në muajt në vijim.

10 vjet pas, kur kthen kokën mbrapa, mund të jetë krejt e zakontë të mendohet që tre të rinj/reja, që dikur ndanin rrogën për ta mbajtur organizatën, s’do ta kishin parë as në ëndrrat më të çmendura këtë zgjerim. Por, nuk është ashtu. Ata e ato gjithmonë e kishin këtë ndikim e këtë rritje në mendje. “Kjo është ma e bukur sesa që kemi mendu”, thotë Abrashi. 

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0 

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.